ATV

Category: Lajme

  • Ngrihet aktakuzë ndaj burrit që vrau një shtetas irakian në Vërmicë

    Ngrihet aktakuzë ndaj burrit që vrau një shtetas irakian në Vërmicë

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit me inicialet M.A., i cili ndodhet në paraburgim që nga 15 tetori 2024. Ai akuzohet për “vrasje të rëndë” dhe “mbajtje pa leje të armëve”, lidhur me një ngjarje të ndodhur në qershor 2022, pranë fshatit Vërmicë.

    Sipas aktakuzës, ai dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje për kontrabandim migrantësh, ka vrarë me armë zjarri një shtetas irakian dhe ka rrezikuar jetën e disa personave të tjerë.

    Vrasja, sipas Prokurorisë, kishte për qëllim eliminimin e grupit rival dhe përfitimin material nga aktiviteti i paligjshëm.

    Gjatë hetimeve, në telefonin e të pandehurit janë gjetur pamje dhe biseda që e lidhin me veprën penale. Prokurori i çështjes ka kërkuar që i dyshuari të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me ligjin.

  • Maqedonci takohet me homologun turk, flasin për fabrikën e municionit

    Maqedonci takohet me homologun turk, flasin për fabrikën e municionit

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar në Ankara me homologun e tij turk, Yasar Guler, për të diskutuar mbi zhvillimet strategjike në sektorin e mbrojtjes dhe bashkëpunimin dypalësh.

    Sipas Maqedoncit, në takim u theksua roli që do të marrë Kosova në sigurinë rajonale pas funksionalizimit të fabrikës së municionit, projekt i cili pritet të rrisë kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të sigurojë vetëqëndrueshmëri logjistike.

    Përmes një postimi në facebook, Ministri tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë janë thelbësore për stabilitetin në rajon dhe konfirmoi se bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve do të vazhdojë si element strategjik i sigurisë rajonale.

  • Gjykata lë në paraburgim 5 zyrtarët policorë të dyshuar për rastin e Agon Zejnullahut

    Gjykata lë në paraburgim 5 zyrtarët policorë të dyshuar për rastin e Agon Zejnullahut

    Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rivendosje ua ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarve- rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan.

    “Caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila masë do t’iu llogaritet prej datës së ndalimit nga 07.07.2025 deri me datën 06:08.2025”, thuhet në vendimin e Themelores të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“.

    Vendimi i shkallës së parë vjen pasi Gjykata e Apelit- Departamenti i Përgjithshëm më 17 korrik 2025 kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të dyshuarve- rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, dhe sipas detyrës zyrtare kishte anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan e cila më 9 korrik 2025 ua kishte caktuar paraburgimin për një muaj.

    Sipas Apelit, Kolegji gjykues kishte konstatuar se aktvendimi i ankimuar përmban shkelje të dispozitave të procedurës penale të cilat kushtëzojnë anulimin e tij.

  • Limaj deklarohet për ofertën e Kurtit

    Limaj deklarohet për ofertën e Kurtit

    Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka shprehur qëndrimet e tij në lidhje me bisedimet që ka pasur me kryetarin e VV-së, Albin Kurti dhe ofertën që ia ka bërë ai për koalicion.

    Limaj ka thënë se në tavolinë janë opsionet nga të dyja palët.

    “Ne jemi dëshmitar që rregullorja ka lënë zbrastira dhe unë besoj që veprimi i presidentes do të qartësojë edhe për të ardhmen çështjen e konstituimit të Kuvendit. Të pritet vendimi i gjykatës, por t’u jepet partive politike, nëse ka masë të përkohshme dhe gjatë kësaj kohe të arrihet shumica parlamentare”, ka thënë Limaj.

    “Nisma dëshiron shumicë që formon parlamentin dhe qeverinë. Ne nuk duam zgjidhje që pason me zgjedhje të parakohshme. Nisma nuk do zgjidhje gjysmake. Kemi pasur disa takime me kryeministrin. Në tavolinë kemi opsionet edhe na kryeministri dhe nga Nisma”, ka thënë kryetari i Nismës.

    “Nuk është korrekte të flasë [se çfarë ka ofruar] kemi opsione. Nuk ka ofertë për ministri. As një, as dy, as tri. Më shumë kemi biseduar tema programore, politike, sigurisë”, ka thënë Limaj.

  • Të paktën 21 palestinezë të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës

    Të paktën 21 palestinezë të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës

    Të paktën 21 palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës gjatë orëve të vona të së martës dhe në orët e hershme të së mërkurës, ka raportuar The Associated Press.

    Më shumë se gjysma e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore të enklavës.

    Sulmet izraelite goditën një shtëpi të martën në pjesën veriperëndimore të qytetit të Gazës, duke lënë të vrarë të paktën 12 persona, sipas raportit të Spitalit Shifa, i cili i kishte pranuar trupat e viktimave.

    Në mesin e të vdekurve ishin gjashtë fëmijë dhe dy gra, sipas listës së Ministrisë së Shëndetësisë.

    Një tjetër sulm ka goditur një ndërtesë banimi në zonën Tal al-Hawa, në veri të Gazës, duke vrarë të paktën gjashtë persona. Mes të vdekurve ishin tre fëmijë dhe dy gra, njëra prej të cilave ishte shtatzënë. Ndërkaq, tetë të tjerë kanë mbetur të plagosur.

    Sulmi i tretë ka goditur një tendë në lagjen Naser të qytetit të Gazës në orët e vona të së martës, ku mbetën të vrarë tre fëmijë, ka njoftuar Spitali Shifa.

    Nëpërmjet një deklarate të lëshuar të mërkurën, Ushtria izraelite ka bërë të ditur se forcat e saj po veprojnë në qytetin e Gazës, si dhe në veri të Rripit të Gazës.

    Pa dhënë detaje të mëtejshme, Ushtria ka deklaruar se në Jabaliya – një zonë që ka pësuar goditje të rënda në disa runde luftimesh – një sulm ajror ka vrarë “disa” militantë të Hamasit.

    Sipas ushtrisë, forcat e saj kanë goditur rreth 120 objektiva në të gjithë Gazën gjatë 24 orëve të fundit, duke përfshirë celula militante, tunele dhe ndërtesa të minuara.

  • “S’ka kushte për mbajtjen e saj” – Përplasja Musliu-Dehari ndërpret seancën e 51-të për konstituimin e Kuvendit

    “S’ka kushte për mbajtjen e saj” – Përplasja Musliu-Dehari ndërpret seancën e 51-të për konstituimin e Kuvendit

    Kriza politike në Kosovë po thellohet, pasi edhe për herën e 51-të deputetët nuk arritën të konstituojnë Kuvendin e Kosovës. Kësaj radhe nuk pati as votim, ndërsa tensionet mes pozitës dhe opozitës u shfaqën hapur gjatë seancës.

    Një situatë e pazakontë ndodhi kur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, iu drejtua kryesuesit Avni Dehari duke kërkuar të marrë fjalën. Pasi iu ndërpre mikrofoni, Musliu iu afrua foltores dhe e pengoi Deharin të vazhdonte seancën. Në këtë rrethanë, kryesuesi deklaroi se “nuk ka kushte për vazhdimin e seancës” dhe e ndërpreu atë.

    Asnjëra palë nuk po lëshon pe nga qëndrimet e saj. Përfaqësuesit e opozitës kërkojnë votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke u mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Por Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kundërshtojë këtë procedurë, pavarësisht edhe aktgjykimit të Gjykatës Supreme, që ka konfirmuar se deputetët që ushtrojnë funksione ekzekutive nuk mund të kryejnë dy funksione njëkohësisht.

    Pas ndërprerjes së seancës, Avni Dehari njoftoi se përpjekja e radhës do të bëhet të premten në orën 11:00 – vetëm tri ditë para skadimit të afatit 30-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

  • OBSh-ja paralajmëron për përhapjen e virusit nga mushkonjat

    OBSh-ja paralajmëron për përhapjen e virusit nga mushkonjat

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje urgjente për të parandaluar përsëritjen e një epidemie të virusit ‘chikungunya’, i cili përhapet nga mushkonjat dhe ka përfshirë botën para dy dekadash.

    Shkak për shqetësimin janë shpërthimet e reja në rajonin e Oqeanit Indian, që tashmë po përhapen edhe në Evropë dhe kontinente të tjera.

    Sipas zyrtares së OBSH-së, Diana Rojas Alvarez, rreth 5.6 miliardë njerëz në 119 vende jetojnë në zona ku ekziston rreziku nga ky virus, i cili shkakton ethe, dhimbje të forta në nyje dhe mund të çojë në paaftësi afatgjate.

    “Po shohim përsëritjen e historisë”, tha ajo, duke e krahasuar situatën aktuale me epideminë e viteve 2004-2005, e cila preku afro gjysmë milioni njerëz – kryesisht në territore të vogla ishullore – përpara se të përhapej në gjithë botën. Vala e fundit e përhapjes nisi në fillim të vitit 2025, me shpërthime të mëdha në të njëjtat ishuj të Oqeanit Indian që ishin prekur edhe më parë, përfshirë La Reunionin dhe Mauritiusin.

    Alvarez tha se virusi ka prekur tashmë rreth një të tretën e banorëve në La Reunion.

    Përhapja po vazhdon edhe në vende të tjera, si Madagaskari, Somalia dhe Kenia, ndërsa raste të shumta janë shënuar edhe në Indi dhe në pjesë të Azisë Juglindore, sipas saj.

    Një shqetësim i veçantë është edhe rritja e numrit të rasteve të importuara brenda Evropës.

    Që nga 1 maji, në Francë janë regjistruar rreth 800 raste të importuara të virusit ‘chikungunya’, tha Alvarez.

    ‘Chikungunya’, për të cilën nuk ekziston trajtim specifik, mund të shkaktojë shpërthime të shpejta dhe të mëdha.

    Për shkak se mushkonjat pickojnë gjatë ditës, parandalimi është thelbësor, duke përdorur insekticidë dhe veshje me mëngë të gjata, rekomandon OBSh-ja.

  • Nura: Limaj e meriton votën e PDK-së për kryekuvendar

    Nura: Limaj e meriton votën e PDK-së për kryekuvendar

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Nura, ka thënë se mendon që partia të cilës i takon e voton Fatmir Limajn për kryekuvendar.

    Sipas Nurës, Limaj e meriton votën e PDK-së, teksa e ka cilësuar atë si më të dinjitetshëm se gjysma e deputetëve të Vetëvendosjes.

    “Unë thashë se mendoj që Partia Demokratike e voton Fatmir Limajn duke e ditur që ai është më i devotshëm dhe më i dinjitetshëm se gjysma e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Kështu që ne e kemi një qëndrim që vetëm ministrat nuk do t’i votojmë. Famir Limaj do ta meritonte votën e PDK-së”, ka thënë ai.

    Nura ka shtuar se është krijuar një dramë e pakëndshme në Kuvend.

    “Çdo gjëje i ka humbur kuptimi, jemi bërë një dramë e pakëndshme dhe për ne deputetët që hyjmë dhe dalim e nuk bëjmë asgjë këtu”, ka thënë ai.

  • Vapa përvëluese – këto janë masat që MSh-ja rekomandon për mbrojtjen e punëtorëve

    Vapa përvëluese – këto janë masat që MSh-ja rekomandon për mbrojtjen e punëtorëve

    Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar të martën që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta.

    Rekomandimet nga kjo ministri janë dhënë për periudhën 22 deri më 25 korrik.

    “Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”.

    “Ftohen të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”.

    Thirrja erdhi pas rastit të vdekjes së dy punëtorëve në Gjakovë.

    Më poshtë gjeni rekomandimet:

    Ministria e Shëndetësisë rekomandon institucionet publike dhe private të marrin masa mbrojtëse të përgjithshme dhe specifike ndaj ekspozimeve në temperatura të larta, si në vijim:

    1.1 Të shmanget puna në ambient të jashtëm prej orës 11:00-16:00;

    1.2 Gratë shtatzëna të lirohen nga puna nga ora 11:00 deri në 16:00, nëse në vendin e
    punës nuk plotësohen kushtet sipas pikave 1.4, 1.5, dhe 1.6;1.3 Personat me sëmundje kronike të punojnë me orar të shkurtuar, maksimumi 4 orë
    në ditë;

    1.4 Të përshtaten oraret e punës për të punësuarit, në mëngjes herët ose pasdite vonë,
    përfshirë edhe mundësinë e punës nga shtëpia;

    1.5 Të sigurohet ajrosja e mjaftueshme në vendet e punës të mbyllura;

    1.6 Të vendosen pika freskimi (përdorimi i çadrave të lëvizshme dhe materialeve tjera
    për të krijuar hije apo zona freskimi) në vend punishtet e hapura për freskim të
    punëtorëve dhe të sigurohet qasje në ujë te ftoftë për punëtorët;

    1.7 Të shpërndahen informacione për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia;

    Ministria e Shëndetësisë rekomandon masat mbrojtëse të përgjithshme për qytetarët ndaj ekspozimeve në temperatura të larta, si në vijim:

    2.1 Të shmanget qëndrimi në ambientin e jashtëm në kulmin e nxehtësisë;

    2.2 Të konsumohet ujë për tu mbrojtur nga dehidrimi dhe të shmangen pijet e gazuara;

    2.3 Të përdoren kapelë dhe syze mbrojtëse nga dielli kur qëndrohet jashtë;

    2.4 Mos të lihen fëmijët vetëm në veturë derisa prindërit/kujdestarët kryejnë ndonjë
    punë;

    2.5 Të kontaktohen rregullisht të afërmit e moshuar ose me sëmundje kronike për të
    vlerësuar nevojat shëndetësore të tyre;

    2.6 Sipas nevojës të kërkohet ndihmë në shërbimet e urgjencës mjekësore, telefoni 194.

  • Bajrami reagon pas vdekjes së katër punëtorëve: Institucionet dhe Prokuroria të veprojnë menjëherë

    Bajrami reagon pas vdekjes së katër punëtorëve: Institucionet dhe Prokuroria të veprojnë menjëherë

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas humbjes tragjike të jetës së katër punëtorëve gjatë javës së fundit në vendin e punës.

    Përmes një postimi në Facebook ajo ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe ka kërkuar përgjegjësi institucionale.

    “Shpreh ngushëllime të sinqerta për familjet e katër punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës gjatë javës së fundit,” deklaroi Bajrami, duke theksuar se kjo situatë është alarmante dhe kërkon veprim të menjëhershëm.

    Ajo shtoi se pa dëshirën për ta politizuar këtë çështje, është detyrim moral dhe qytetar që të ngritët zëri për sigurinë e punëtorëve në Kosovë.

    “Secili prej nesh duhet të ndjejë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhen punëtorët në Kosovë, për pasigurinë dhe rrezikun që i shoqëron çdo ditë kur nisen për në punë,” u shpreh ajo.

    Bajrami u bëri thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të marrin masa konkrete dhe të mos lejojnë që tragjeditë të përsëriten.

    “U bëj thirrje të gjitha institucioneve të Republikës, përfshirë inspektoratet shtetërore dhe komunale, si dhe Prokurorinë, që të veprojnë menjëherë. Duhet të mbajnë përgjegjës të gjithë ata që kanë dështuar të ndërmarrin masa për të parandaluar këto tragjedi”, ka deklaruar deputetja.

    Bajrami theksoi rëndësinë e drejtësisë dhe nevojën për masa parandaluese.

    “Jeta nuk kthehet, por institucionet kanë për detyrë ligjore dhe morale të parandalojnë raste të tilla dhe të sigurojnë që kushdo që nuk vepron sipas ligjit të përballet me drejtësinë”, ka thënë Bajrami.