ATV

Category: Lajme

  • MD-ja tregon shumën e shpenzimeve financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    MD-ja tregon shumën e shpenzimeve financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se nga fillimi i procesit gjyqësor në Hagë e deri më sot, janë realizuar pagesa të rregullta për mbrojtjen juridike të të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara.

    Sipas njoftimit, deri më tani janë paguar gjithsej 32.9 milionë euro, ndërsa mbi 5.3 milionë prej tyre janë shpenzuar për mbrojtjen e ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Këto pagesa janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi dhe marrëveshjet e miratuara paraprakisht nga institucionet përkatëse.

    Ministria thekson se përkrahja financiare do të vazhdojë në mënyrë transparente dhe të rregullt, sipas udhëzimeve ligjore.

    Mbështetja përfshin të gjitha shpenzimet që lidhen me punën e ekipeve mbrojtëse, bazuar në tarifat e përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës, si dhe në praktikat e aplikueshme në vendet të tjera të përfshira në këtë proces.

  • Përplasje të armatosura në kufirin Tajlandë–Kamboxhia, të dy vendet sulmojnë njëra-tjetrën, disa të vdekur në të dy anët

    Përplasje të armatosura në kufirin Tajlandë–Kamboxhia, të dy vendet sulmojnë njëra-tjetrën, disa të vdekur në të dy anët

    Një konflikt i armatosur ka shpërthyer në kufirin mes Tajlandës dhe Kamboxhias, pasi të dyja vendet kanë ndërmarrë sulme ushtarake ndaj njëra-tjetrës.

    Si pasojë, janë raportuar viktima dhe plagosje në të dy anët, ndërsa civilët janë larguar nga zonat kufitare.

    Ushtria tajlandeze ka konfirmuar përdorimin e avionëve F-16 për të sulmuar një cak ushtarak kamboxhian, pasi më herët dy civilë tajlandezë u vranë nga një bombardim nga pala tjetër.

    Pas këtij sulmi, Tajlanda ka mbyllur të gjitha kalimet kufitare me Kamboxhian.

    Në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes së Kamboxhias e ka cilësuar këtë sulm si shkelje të marrëveshjes dypalëshe, ndërsa thotë se veprimet e saj ishin në vetëmbrojtje.

    Përplasjet mes dy vendeve vijnë pas disa javësh me tensione për mosmarrëveshje të vjetra kufitare.
    .

  • Përleshje fizike mes një kosovari dhe dy shtetasve maqedonas, njëri dërgohet për trajtim në QKUK

    Përleshje fizike mes një kosovari dhe dy shtetasve maqedonas, njëri dërgohet për trajtim në QKUK

    Një përleshje fizike mes tre personave ka ndodhur të mërkurën pasdite në afërsi te Rrethi i Flamurit në Prishtinë.

    Në incident janë përfshirë një shtetas kosovar dhe dy shtetas të Maqedonisë së Veriut.

    Si pasojë e përleshjes, njëri nga të përfshirët ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

    Policia ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari kosovar është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Ekstradohet i riu nga Gjermania në Kosovë, ishte i dënuar me 18 muaj burg për vjedhje të rëndë

    Ekstradohet i riu nga Gjermania në Kosovë, ishte i dënuar me 18 muaj burg për vjedhje të rëndë

    Policia e Kosovës ka realizuar me sukses ekstradimin e një të riu 27-vjeçar nga Gjermania në Kosovë, i cili ishte i kërkuar me urdhëresë të gjykatës për veprën penale “vjedhje e rëndë”.

    I kërkuari me inicialet L.M., është arrestuar në Gjermani dhe është dorëzuar mbrëmë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nga autoritetet gjermane, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për zbatimin e urdhër-arresteve.

    Pas përfundimit të procedurave ligjore, ai është shoqëruar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali për të vuajtur dënimin prej 1 viti e 6 muajsh.

    Policia ka njoftuar se operacioni është përmbyllur pa incidente dhe sipas standardeve profesionale.

  • Uji i pishinës së Gërmisë nuk plotëson standardet – IKShPK konstaton devijime mikrobiologjike, të premten dalin rezultatet tjera

    Uji i pishinës së Gërmisë nuk plotëson standardet – IKShPK konstaton devijime mikrobiologjike, të premten dalin rezultatet tjera

    Mostrat e marra nga uji i pishinës publike të Gërmisë në Prishtinë kanë treguar se ky ujë nuk i plotëson standardet e kërkuara për siguri shëndetësore.

    Sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, analizat laboratorike të datës 19 korrik kanë konstatuar devijime në parametrat mikrobiologjikë.

    Të njëjtën ditë, pishina është inspektuar nga Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë.

    Mostrat janë përsëritur edhe më datën 23 korrik, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të dalin nesër.

    Deri atëherë, autoritetet shëndetësore po vazhdojnë monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit në këtë pishinë.

  • Vazhdon gjykimi për rastin “Banjska”, tre të akuzuarit kryesor sillen në gjykatë

    Vazhdon gjykimi për rastin “Banjska”, tre të akuzuarit kryesor sillen në gjykatë

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi për rastin “Banjska”, në të cilin po gjykohen tre të akuzuarit kryesorë: Dushan Maksimoviq, Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq, të cilët ndodhen në paraburgim.

    Një ditë më parë, seanca është mbajtur e mbyllur për publikun, për shkak të dëshmisë së një dëshmitari të mbrojtur me kodin “F1”. Prokurori i çështjes, Naim Abazi, kërkoi përjashtimin e publikut dhe mediave, duke theksuar se identifikimi i dëshmitarit do të rrezikonte sigurinë e tij.

    Kjo kërkesë u miratua nga trupi gjykues, pavarësisht kundërshtimeve nga mbrojtja e të akuzuarve.

    Sipas Prokurorisë Speciale, grupi i armatosur që kreu sulmin më 24 shtator 2023 ka vepruar nën udhëheqjen e Millan Radojiçiqit, me qëllim shkëputjen e veriut të Kosovës. Aktakuza përfshin gjithsej 45 të dyshuar, prej të cilëve 42 janë në arrati.

  • 849 armë të konfiskuara për gjashtë muaj, Policia: Rritje e numrit të rasteve të përdorimit të armëve

    849 armë të konfiskuara për gjashtë muaj, Policia: Rritje e numrit të rasteve të përdorimit të armëve

    Vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti, policia ka konfiskuar 849 armë zjarri dhe 16 mijë e 198 sasi të municionit të kalibrave të ndryshëm.

    Këto shifra janë më të larta se periudha e njëjtë e vitit të shkuar, prandaj policia sot bëri thirrje për shmangie të përdorimit të armëve në përgjithësi, e në veçanti gjatë ahengjeve familjare.

    Vetëm në 24 orët e fundit, tetë raste të ndara janë evidentuar në Kosovë, në komuna të ndryshme.

    ATV-ja dje raportoi për mbi dhjetë të arrestuar vetëm këtë muaj, për shkak të shkrepjeve nëpër ceremoni festive.

  • KFOR-i kryen stërvitje me armë zjarri në Prishtinë – Synimi, ruajtja e gatishmërisë dhe aftësisë së trupave për të vepruar shpejt

    KFOR-i kryen stërvitje me armë zjarri në Prishtinë – Synimi, ruajtja e gatishmërisë dhe aftësisë së trupave për të vepruar shpejt

    Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e KFOR-it ka zhvilluar ushtrime me armë të zjarri në Prishtinë.

    Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, këto stërvitje synojnë ruajtjen e gatishmërisë dhe aftësisë së trupave për të vepruar shpejt e në mënyrë të koordinuar.

    Po ashtu, në njoftim theksohet rëndësia e bashkëpunimit shumëkombësh për përmbushjen e mandatit në Kosovë, përfshirë sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet.

  • Aktakuza për spiunazh, Apeli vërteton aktakuzën për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Aktakuza për spiunazh, Apeli vërteton aktakuzën për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

    Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte vërtetuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit për spiunazh.

    Sipas vendimit të Apelit, ankesë ndaj vendimit të Themelores kishin paraqitur avokatët Berisha dhe Shala, me propozim që Gjykata e Apelit të rrëzojë akuzën ndaj dy të akuzuarve.

  • Gjermania do garanci nga ShBA-ja përpara se t’i dërgojë raketat “Patriot” në Ukrainë

    Gjermania do garanci nga ShBA-ja përpara se t’i dërgojë raketat “Patriot” në Ukrainë

    Gjermania ka nevojë për garanci të forta nga SHBA-ja se do të marrë shpejt sisteme të tjera raketore Patriot si zëvendësim, nëse ajo dërgon dy nga njësitë e saj në Ukrainë, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

    Duke folur për revistën gjermane Der Spiegel, ai tha se vendet evropiane anëtare të NATO-s kanë nevojë për garanci “të hekurta” që çdo sistem amerikan i mbrojtjes ajrore Patriot, i dërguar në Ukrainë, do të zëvendësohet brenda një periudhe prej gjashtë deri në tetë muajsh, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Javën e kaluar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bëri të ditur se ka arritur një marrëveshje me shefin e NATO-s, Mark Rutte, që vendet evropiane të aleancës të furnizohen me armë amerikane – sidomos me sistemet raketore Patriot – për ta ndihmuar Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

    Ky veprim shënoi një kthesë në qëndrimin e Trumpit, i cili tha se është gjithnjë e më i pakënaqur me presidentin rus, Vladimir Putin, që po pengon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Gjermania është ofruar me financimin e dy sistemeve Patriot, ndërsa disa aleatë të tjerë të NATO-s janë shprehur të gatshëm të paguajnë për tri të tjera.

    Por, shqetësimet janë rritur, pasi Uashingtoni do që aleatët evropianë fillimisht t’i dërgojnë sistemet Patriot nga rezervat e tyre në Ukrainë dhe më pas të presin që ato të zëvendësohen nga Shtetet e Bashkuara.

    Pistorius i tha revistës Der Spiegel se është e rëndësishme që “vendet që po i transferojnë sistemet, të mund t’i përmbushin detyrimet e tyre ndaj NATO-s dhe të mos krijohen boshllëqe sigurie për aleancën”.

    Disa vende, si Norvegjia, Suedia dhe Holanda, kanë shprehur gatishmëri të paguajnë për sistemet Patriot, por Pistorius tha se ende nuk është vendosur se cili vend do t’ia japë këto sisteme Ukrainës.

    Duke folur më vonë në një konferencë për media në Berlin, ai tha se po vazhdojnë bisedimet për çështjen se “cilat vende në Evropë dhe më gjerë kanë aktualisht sisteme Patriot dhe sa prej tyre janë të gatshme t’i dorëzojnë”.

    “Ka para për këto sisteme Patriot. Tani vetëm na duhen ato”, tha Pistorius.

    Gjermania ka pasur 12 sisteme Patriot, por tashmë ka dërguar 3 prej tyre në Ukrainë dhe 2 në Poloni.

    Një sistem tjetër përdoret vetëm për trajnime, kështu që tani i ka vetëm 6 sisteme aktive në dispozicion./REL