ATV

Category: Lajme

  • Sot përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit

    Sot përpjekja e fundit për konstituimin e Kuvendit

    Sot është dita e fundit kur deputetët e Kosovës mund të përmbushin obligimin e tyre kushtetues për të konstituuar Kuvendin. Nëse s’ndodh kjo në përpjekjen e 53-të të tyre, “Kosova po hyn në territor të panjohur”.
    Deputetët sot do të mblidhen në më pak se 48 orë në herën e fundit brenda afatit 30-ditor që Gjykata Kushtetuese iu dha atyre për të konstituuar Kuvendin me një aktgjykim që e nxori në qërshor. Për 29 ditë deputetët s’e përmbushën këtë obligim, ndërsa edhe për sot s’ka fort sinjale se seanca do të mund të prodhojë diçka. Nëse edhe sot s’bëhet konstituimi i Kuvendit, deputetët s’kanë të drejtë të mblidhen për dy javë, sipas një mase të përkohshme që nxori Kushtetuesja para se të nxjerrë një aktgjykim final për t’i dhënë qartësi një situate të paprecedentë që është krijuar në Kuvendin e Kosovës.

    Në sallën e Kuvendit dje shkuan edhe ambasadorë të vendeve perëndimore me një optimizëm se deputetët kosovarë do të reflektonin në seancën e djeshme, e cila u mendua të jetë edhe e fundit.

    Por, skenari i njëjtë nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndodhi edhe dje me nxjerrjen në votim të Komisionit për votim të fshehtë, i cili s’gjeti mbështetje në dhjetëra seanca. I vetmi dallim ishte caktimi i vazhdimit të seancës konstituive për sot në më pak se 48 orë për të provuar për herë të fundit konstituimin e legjislaturës së nëntë që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Diplomatët perëndimorë dolën të zhgënjyer nga seanca dhe paralajmëruan politikanët kosovarë se po hyhet në një territor të panjohur.
    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha pas përfundimit të seancës të premten se Kosova ka nevojë për një qeveri të re që e përshpejton rrugën e saj drejt BE-së.

    “Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re e të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e sa drejt BE-së”, ka deklaruar Orav pas seancës.
    Më i ashpër e i dëshpëruar për dështimin e seancës së djeshme ishte ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

    Ai ka thënë se kjo klasë politike po zhgënjen popullin e Kosovës dhe se masa e përkohshme e caktuar nga Gjykata Kushtetuese ishte një karton i kuq për të.
    “Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe është shumë shqetësuese. Vendimi i djeshëm i gjykatës ishte, nëse flasim me gjuhën e futbollit, mund të themi si një karton i kuq sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime”, tha ai para gazetarëve në Kuvend.

    Në sallë me kolegët e tij ishte edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili më vonë në Facebook iu ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës, para se të nisë zbatimi i masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese.
    “Përndryshe, Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”.

    Që të shfrytëzohen orët e pakta të mbetura bëri thirrje edhe ambasadori francez, Olivier Guerot.
    “Së bashku me ambasadorë të tjerë, mora pjesë në seancën e sotme të Parlamentit. Bllokimi aktual po dëmton Kosovën. I inkurajoj të gjithë politikanët që t’i shfrytëzojnë plotësisht orët e pakta të mbetura para se të përfundojë afati i Gjykatës Kushtetuese nesër”.
    Prezentë në sallën e Kuvendit dje ishte edhe e ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati, por ajo s’dha deklarim për media.
    Shpresat për të ndodhur një zhbllokim i mundshëm në Kuvend janë të varura vetëm te një marrëveshje potenciale mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës. Megjithëse, pozicionet e këtyre dy partive janë shumë të kundërta.
    Nisma, e përfaqësuar me tre deputetë në Kuvend, ka kërkuar postin e kryeparlamentarit për kreun e kësaj partie, Fatmir Limaj, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje thotë se një post kaq i lartë s’mund t’i takojë një partie me kaq pak deputetë.
    Vetëvendosje po insiston që Nismën ta bëjë partnere në koalicionin qeveritar, por kjo ofertë s’po gjen mbështetje te Nisma.
    Limaj, në deklarimet e tij të djeshme për media, s’dha fort optimizëm se seanca e sotme do të sjellë ndonjë zhvillim pozitiv.
    Ai tha se partia e tij nuk shkon drejt zgjidhjeve parciale dhe nuk kontribuon që vendi të shkojë në zgjedhje.
    “Kur Nisma të jetë e sigurt se po formohet një shumicë qeveritare, do ta japë kontributin e vet që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme”.
    “Shumicë qeveritare, nuk ka zgjidhje parciale. Është bërë temë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për mua s’ka qenë asnjëherë temë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, fundamenti i kësaj krize është mospasja e numrave të nevojshëm për Qeveri, dhe derisa nuk ka numra të mjaftueshëm për qeverisje, gjërat kanë ngelur ku janë sot”, tha ai dje.
    Ndërkaq, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, si në çdo seancë edhe dje zgjodhi të heshtë dhe të mos përgjigjet në pyetjet e gazetarëve për përgjegjësinë e tij kushtetuese që të krijojë shumicën si parti e parë fituese dhe vendit t’ia japë institucionet.
    Ndërkaq, liderët e partive të tjera bënë thirrje të mos shkelet Kushtetuta dhe të kthehet në rend dite votimi i hapur.

  • Temperaturat e larta, IKShPK-ja del me një listë udhëzimesh për qytetarët

    Temperaturat e larta, IKShPK-ja del me një listë udhëzimesh për qytetarët

    Kulminacioni i kësaj vale të nxehtit që përfshiu vendin gjatë kësaj jave po parashihet të jetë sot.

    Për këtë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë me një listë udhëzimesh për qytetarët se si të mbrohen nga këto temperatura dhe të qëndrojnë më të sigurt.

    “Vala e të nxehtit që po mbizotëron këto ditë mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të grupeve të cenueshme. Periudhat e gjata me temperatura të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres në trup dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve apo vdekjeve nga ekspozimi ndaj nxehtësisë”, paralajmëron IKSHPK.

    IKSHPK bëri thirrje për hidratim sa më të shumtë, ndërsa lëshoi paralajmërime për grupet më të cenueshme, përfshirë fëmijët që tha se duhet të ruhen nga ekspozimi në diell dhe të mos lihen kurrë në automjete të parkuara.

    Njoftimi i plotë:

    Udhëzime për mbrojtje nga të nxehtit dhe temperaturat e larta

    🌡️ Vala e të nxehtit që po mbizotëron këto ditë mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të grupeve të cenueshme. Periudhat e gjata me temperatura të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres në trup dhe rrisin rrezikun e sëmundjeve apo vdekjeve nga ekspozimi ndaj nxehtësisë.

    ✅ Veprimet që duhet të ndërmerren për t’u mbrojtur:

    • 🕑 Qëndroni larg të nxehtit: Shmangni daljet dhe aktivitetet e rënda gjatë orëve më të nxehta. Qëndroni në hije dhe kaloni 2-3 orë në një vend të freskët.

    • 💧 Mbajeni trupin të freskët dhe të hidratuar: Përdorni veshje të lehta (pambuku), bëni dush të freskët, lagni lëkurën dhe pini ujë rregullisht (1 gotë/orë – 2-3 litra/ditë).

    • 🏠 Mbajeni shtëpinë të freskët: Ajroseni gjatë natës kur jashtë është më freskët. Ditën mbyllni dritaret dhe përdorni perde për të penguar rrezet e diellit.

    👵👶 Kujdesi për grupet e cenueshme:

    • Për të moshuarit mbi 65 vjeç: Kontaktoni rregullisht sidomos ata me sëmundje kronike, paaftësi apo që jetojnë vetëm.

    • Për fëmijët: 🚫 Mos i lini kurrë në automjete të parkuara. Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta (10:00–17:00).

    🚑 Në rast emergjence: Kontaktoni mjekun më të afërt ose telefononi 194.

    Vazhdon vala ekstreme e të nxehtit – sot temperaturat arrijnë deri në 44°C

  • Sot i jepet lamtumira e fundit 53-vjeçarit që u godit nga vetura në rrugën Prishtinë–Mitrovicë

    Sot i jepet lamtumira e fundit 53-vjeçarit që u godit nga vetura në rrugën Prishtinë–Mitrovicë

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në rrugën magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, në fshatin Llazarevë, ku si pasojë ka humbur jetën një person rreth 53 vjeç, identifikuar si Limon Shyti, staf civil në Policinë e Kosovës.

    Familjarët kanë njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, më 26 korrik 2025, pas namazit të Ikindisë.

    Sinjali raportoi gjithashtu se personi që dyshohet të ketë shkaktuar aksidentin është Bedri Ferati, zyrtar policor në Stacionin Policor të Mitrovicës së Jugut.

    Këtë e ka konfirmuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), i cili njoftoi se Ferati ishte jashtë detyrës zyrtare dhe po qarkullonte me veturën e tij private kur përplasi për vdekje viktimën, 53 vjeçarin.

    Në lidhje me rastin, është iniciuar procedurë penale për veprën “Rrezikim i trafikut publik”. Ndaj Feratit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

  • Vazhdon vala ekstreme e të nxehtit – sot temperaturat arrijnë deri në 44°C

    Vazhdon vala ekstreme e të nxehtit – sot temperaturat arrijnë deri në 44°C

    Pas një dite jashtëzakonisht të nxehtë, ku të premten, më 25 korrik 2025, u thye rekordi i temperaturës më të lartë ndonjëherë të regjistruar në Kosovë – me 42.5°C të shënuara në Klinë – sot pritet të vazhdojë vala ekstreme e të nxehtit.

    Parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell në pjesën e parë të ditës. Gjatë pasdites, për shkak të paqëndrueshmërisë së theksuar atmosferike, do të ketë zhvillime konvektive të vranësirave, veçanërisht në jug të vendit, të cilat mund të sjellin rrebeshe të izoluara shiu të shoqëruara me shkarkesa rrufesh, njoton MeteoKosova, transmeton Periskopi.

    Nën ndikimin e pluhurit saharian, reshjet mund të marrin formën e shiut me baltë, një fenomen i zakonshëm kur uji bie përmes shtresave ajrore të ngarkuara me pluhur.

    Era do të fryjë me drejtime të ndryshme dhe herë pas here pritet të jetë mjaft e fuqishme, sidomos në zonat me zhvillime të theksuara, me shpejtësi prej 20-60 km/h.

    Temperaturat do të mbeten ekstremisht të larta, me minimale që do të lëvizin prej 19 deri në 22°C, ndërsa ato maksimale prej 39 deri në 43 apo edhe 44°C – me ç’rast pritet që të thyhet sërish rekordi historik i të nxehtit në vend.

  • Nisin diskutimet për një takim të mundshëm mes presidentëve të Ukrainës dhe Rusisë

    Nisin diskutimet për një takim të mundshëm mes presidentëve të Ukrainës dhe Rusisë

    Delegacionet nga Moska dhe Kievi kanë nisur diskutimet për mundësinë e një takimi mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.

    Këto diskutime janë zhvilluar gjatë bisedimeve të mbajtura mes këtyre dy delegacioneve në Stamboll më herët gjatë kësaj jave, tha Zelensky në komente të publikuara më 25 korrik, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Zelensky po kërkon një takim me Putinin dhe i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, – i cili po kërkon që palët të arrijnë një marrëveshje – që po ashtu të marrë pjesë në këtë takim.

    Putin ka thënë se është i gatshëm që të takohet me Zelenskyn, por vetëm gjatë “një faze finale” të negociatave, për t’i dhënë fund luftës që ka nisur mbi tre vjet më parë.

    “Ne kemi nevojë që të ketë përfundim të luftës, dhe kjo me gjasë nis me një takim të udhëheqësve”, tha Zelensky për gazetarët.

    “Në bisedime me ne, ata kanë nisur që ta diskutojnë këtë çështje. Veçse ka përparim drejt një lloji formati të takimit”, shtoi ai.

    Në rundin e fundit të bisedimeve të mbajtur të mërkurën, Kievi propozoi që të mbahen bisedime në fund të gushtit.

    Kjo kohë është e përafërt edhe me afatin e vendosur nga Trumpi, i cili më herët gjatë këtij muaji i dha Rusisë 50 ditë kohë për të arritur një marrëveshje të paqes me Ukrainës ose do të përballet me sanksione.

    Një ditë më parë, Kremlini e minimizoi mundësinë e një takimi Putin-Zelensky në një periudhë të shkurtër kohore.

    “Një takim i nivelit të lartë mund dhe duhet të japë një zgjidhje përfundimtare”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

    “A është e mundur që të shkohet në këtë proces të ndërlikuar brenda 30-ditësh? Ka pak gjasa të ndodhë”, shtoi ai.

    Bisedimet për përfundimin e luftës kanë prodhuar pak rezultate. Palët kanë qëndrime krejtësisht të ndryshme dhe Ukraina e ka akuzuar Rusinë se po dërgon në bisedime zyrtarë të nivelit të ulët që nuk kanë fuqi për vendimmarrje.

    Rusia i ka bërë thirrje Ukrainës që të heqë dorë nga katër rajone që Moska pretendon se i ka aneksuar, një kërkesë që Kievi e ka quajtur të papranueshme.

    Ukraina thotë se nuk do ta njohë kurrë pretendimin e Rusisë mbi territoret e pushtuara – përfshirë Krimenë, të cilën Kremlini e aneksoi në vitin 2014./REL

  • Behrami: Thaçi është dëshmi e një burrështetasi i cili di të frymëzojë edhe në rrethana izolimi

    Behrami: Thaçi është dëshmi e një burrështetasi i cili di të frymëzojë edhe në rrethana izolimi

    Deputeti i PDK-së, Artan Behrami pas dështimit të tentimit të 52-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës komentoi intervistën e djeshme të presidentit, Hashim Thaçi.

    Behrami tha se intervista e Thaçit ka frymëzuar qytetarët duke krahasuar ish presidentin me liderët aktual të vendit.

    Ai tha se Thaçi nga izolimi dha shembull për liderët që sipas tij janë të burgosur në pikëpamjet e tyre kamikaze.

    “Padyshim që ishte intervistë emocionale dhe përmbajtësore, një intervistë që dëshmon që edhe në rrethanat e izolimit edhe në rrethanat e burgut ai di të frymëzojë, di të jap shpresë, di që ta duaj vendin dhe qytetarët që e kanë mbështetur. Vjen kjo intervistë në një kohë kur ne ballafaqohemi me liderë të cilët janë të burgosur në botëkuptimet e tyre kamikaze, të cilët mbajnë të izoluar Kosovën, të cilët e mbajnë Kosovën në stagnim të plotë. Kjo intervistë vjen po ashtu kur Kosova është e izoluar ndërkombëtarisht, është e izoluar përbrenda dhe e përçarë përbrenda”, tha fillimisht ai.

    “Mendoj që intervista e mbrëmshme e presidentit Thaçi është edhe një dëshmi e gjallë, ku kemi një dallim mes burrështetasve dhe njerëzve që e shikojnë vetëm interesin e tyre dhe mbrëmë e patëm një intervistë të një burrështetasi i cili edhe në rrethana burgu edhe në rrethana izolimi di të frymëzojë. Presidenti mbrëmë të gjithë neve na mori me vete në qelinë e tij dhe nga qelia e tij na i hapi sytë për një Kosovë e cila duhet të përparojë, për një Kosovë e cila me shumë sakrificë dhe mund është bërë e pavarur dhe ka bërë aleanca ndërkombëtare dhe një Kosovë e cila patjetër duhet të ruajtur, prandaj mendoj që kthimi i tij sa më i shpejtë në Kosovë do të ishte jo vetëm një fitore për familjen e tij, një fitore për bashkëpunëtorët e tij, por mbi të gjitha do të ishte një fitore për Republikën e Kosovës”, tha Behrami.

    Kujtojmë që nesër është caktuar vazhdimi i seancës konstituive në ora 14:00.

  • Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon nga Qeveria ta shtyjë procesin e liberalizimit të tregut energjetik

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon nga Qeveria ta shtyjë procesin e liberalizimit të tregut energjetik

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës i ka dorëzuar Qeverisë një kërkesë për shtyrjen e procesit të liberalizimit të tregut energjetik, duke e konsideruar atë të shoqëruar me shkelje të shumta.

    Para objektit të Qeverisë, drejtori ekzekutiv i Dhomës, Kushtrim Ahmeti, tha se bizneseve po u dërgohen njoftime kërcënuese për ndërprerje të energjisë më 30 korrik, pa pasur paraprakisht fatura për muajt qershor dhe korrik.

    Ndërkohë, sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji, afati për furnizim nga Korporata Energjetike e Kosovës si Furnizues i Mundësisë së Fundit përfundon më 30 korrik.

     

  • Pse njerëzit e suksesshëm ndahen shpesh pas moshës 30 vjeç?

    Pse njerëzit e suksesshëm ndahen shpesh pas moshës 30 vjeç?

    Ndarjet pas të 30-ave po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, sidomos mes individëve që kanë ndërtuar karrierë, emër dhe një stil jetese të pavarur.

    Psikologët dhe ekspertët e marrëdhënieve japin disa arsye pse njerëzit e suksesshëm shpesh ndahen në këtë periudhë të jetës:

    Rritja personale nuk përkon me partnerin

    Pas të 30-ave, shumë njerëz arrijnë një vetëdije më të lartë për veten, dëshirat dhe kufijtë e tyre. Nëse partneri nuk ecën në të njëjtin drejtim emocional apo profesional, distanca mes tyre bëhet e pashmangshme.

    Karriera bëhet prioritet

    Të qenit i suksesshëm do të thotë orë të gjata pune, udhëtime, presion dhe përkushtim ndaj objektivave. Shpesh marrëdhëniet vuajnë për shkak të mungesës së kohës dhe intimitetit.

    Marrëdhëniet e hershme nuk mbijetojnë rritjen

    Shumë njerëz hyjnë në marrëdhënie në moshë të re, para se të dinë vërtet çfarë duan nga jeta ose partneri. Pas të 30-ave, këto lidhje nuk i rezistojnë zhvillimit personal të secilit.

    Vetëdija për mirëqenie emocionale

    Në këtë moshë, njerëzit janë më të prirur të zgjedhin qetësinë, respektin dhe mirëkuptimin. Marrëdhëniet që nuk i ofrojnë këto, nuk tolerohen më thjesht “për të mos qenë vetëm”.

    Të pasurit zgjedhje

    Suksesi shpesh sjell më shumë mundësi për të zgjedhur, për të mos pranuar më pak se çfarë meritohet dhe për të ecur përpara me më shumë siguri.

  • Murati: Seanca e nesërme mundësi e mirë që deputetët duhet ta shfrytëzojnë

    Murati: Seanca e nesërme mundësi e mirë që deputetët duhet ta shfrytëzojnë

    Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati pas dështimit të 52-të të tentativës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës tha se seanca e nesërme është mundësi që duhet të shfrytëzohet nga të gjithë deputetët që t’i hapet rruga afateve tjera kushtetuese për formimin e institucioneve të vendit.

    Murati në prononcim për media tha se Kosova është në territor të pashkelur juridikisht teksa komentoi masën e re të Gjykatës Kushtetuese deri me datën 8 gusht.

    “E dëgjuat kryesuesin e seancës i cili na ftoi në seancë të nesërmen në orën 14:00. Kjo është një mundësi që do duhej të shfrytëzuar nga të gjithë deputetët që t’i hapet rruga e konstituimit të Kuvendit dhe të procedojmë tutje me afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë. Jemi në territor të pashkelur më parë juridikisht, i takon Gjykatës Kushtetuese që e ka kërkuar afatin deri më 8 gusht që të sqaroj se çka do të ndodhë”, tha Murati.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje tha se subjekti që ai i takon ka bërë kompromiset e nevojshme për të tejkaluar ngërçin politik teksa ftoi partitë e tjera për të lëvizur në qëndrimet e tyre.

    “Ne kemi ofruar edhe marrëveshje politike edhe kompromise të nevojshme, u takon edhe palëve tjera të bëjnë lëvizje para, sepse ne si fitues kemi bërë lëvizjet e nevojshme. Nisma në këtë rast do duhej të votonte, pra konstituimi i Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve. Ne për Nismën Socialdemokrate kemi pasur edhe ofertë për bashkëqeverisje kemi pasë edhe për LDK-në, por ata nuk po mund të shkëputen nga PDK dhe Lista Serbe. Siç e kemi thënë më herët, këto dy çështje janë të ndara, konstituimi i Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve. Formimi i Qeverisë është obligim i koalicionit qeverisës që e përbën shumicën. Megjithatë, nëse ka pasur kërkesa që duhet të ketë marrëveshje politike edhe për konstituim të Kuvendit edhe këtë gjë e kemi ofruar, por deri më tani nuk kemi pasur përgjigjje pozitive me subjektet me të cilat kemi diskutuar”, shtoi Murati.

    Tutje, Murati theksoi se posti i kryeparlamentarit i takon partisë së parë, duke dhënë sinjale se nuk do të ketë kompromis në këtë post.

    “Sa i përket postit të kryeparlamentarit ne e kemi theksuar dhe këtë gjë e ka sqaruar edhe Gjykata Kushtetuese. Është tepër e qartë në Kushtetutë që fituesit të zgjedhjeve i takon kandidati apo propozimi për kryetarin e Kuvendit në këtë rast propozimi ynë është Albulena Haxhiu dhe duhet të lëvizim tutje në këtë formë”, përfundoi Murati.

  • Ambasadori i BE-së: Kosovës i duhet Kuvend dhe Qeveri e re

    Ambasadori i BE-së: Kosovës i duhet Kuvend dhe Qeveri e re

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, u shpreh i zhgënjyer që deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk arritën sërish ta bëjnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    “Kosovës i duhet një Kuvend pak a shumë menjëherë. Kosovës i duhet një qeveri e re, një qeveri e re që do ta ndërtojë urën e re – një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe Brukselit”, tha Orav, në hollin e Kuvendit, pas mbylljes së seancës konstituive.

    Ai shtoi se ndërtimi i një bashkëpunimi të tillë do ta përshpejtonte procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Në seancën e 52-të kontituive, ai ishte i pranishëm bashkë me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë nga SHBA-ja, Gjermania, Britannia e Madhe, Franca, etj.

    “Ne erdhëm këtu me shpresa të mëdha, por fatkeqësisht prapë nuk ndodhi asgjë”, tha Orav.