Operacioni i kërkimit për mërgimtarin që ra të dielën në Liqenin e Ujmanit po vazhdon ende. Ende nuk ka ndonjë gjurmë të tij. Të dielën pasdite, ai u hodh në liqenin e Ujmanit, dhe nuk u pa më në sipërfaqe.
Policia dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë angazhuar për ta gjetur 33 vjeçarin, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë.
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim ka thënë mbrëmë se operacioni i kërkimit duke vazhduar dhe se çdo informacion zyrtar do të bëhet publik vetëm nga institucionet kompetente dhe ekipet e përfshira në terren.
“Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim njofton opinionin publik se informacionet që po qarkullojnë në rrjete sociale lidhur me lokalizimin e trupit të personit të mbytur në Ujman janë të pabazuara dhe pa fakte.
Kërkimet ende janë në vazhdim dhe çdo informacion zyrtar do të publikohet vetëm nga institucionet përkatëse dhe nga ekipet e angazhuara në terren. Lusim qytetarët dhe mediat që të mos shpërndajnë lajme të pavërteta që vetëm sa krijojnë konfuzion dhe pengojnë operacionet e kërkim-shpëtimit”, thuhet në njoftim.
Policia ka njoftuar për rastin edhe në raportin 24 orësh.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin për rastin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, që ndodhi në dhjetor të vitit 2022 dhe u cilësua si akt terrorist.
Sipas vendimit të gjykatës, Millun Millenkoviq dhe Aleksandër Vllajiq janë dënuar secili me nga 5 vjet burgim, ndërsa Dejan Pantiq është dënuar me 2 vjet burg. Ndërkohë, i akuzuari Miomir Vakiq është shpallur i pafajshëm dhe është liruar nga të gjitha akuzat.
Millenkoviq dhe Vllajiq kishin kërkuar që të mos marrin pjesë në seancën e shpalljes së aktgjykimit, duke u arsyetuar me temperaturat e larta brenda sallave të Pallatit të Drejtësisë.
Një aksident i rëndë hekurudhor ndodhi të dielën në jugperëndim të Gjermanisë, ku një tren pasagjerësh doli nga shinat pranë qytetit Riedlingen, në landin Baden-Württemberg, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e disa të tjerëve.
Në lidhje me këtë ngjarje, Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart ka njoftuar se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar që ndonjë shtetas i Kosovës ndodhet në mesin e viktimave apo të lënduarve.
“Jemi në pritje të informacioneve shtesë nga autoritetet përkatëse dhe do të njoftojmë menjëherë për çdo zhvillim të ri,” thuhet në komunikatën e Konsullatës.
Kërkimet për 33-vjeçarin që dyshohet se është mbytur në Liqenin e Ujmanit po vazhdojnë intensivisht. Sipas autoriteteve, operacioni është duke u zhvilluar në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe me mbështetjen e ekipeve të specializuara të zhytjes dhe terrenit.
“Ekipi ynë është angazhuar me përkushtim të plotë për të ofruar ndihmë në këtë situatë të rëndë,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Rrethanat e incidentit ende nuk janë sqaruar plotësisht, ndërkohë që autoritetet kanë bërë të ditur se kërkimet do të vazhdojnë deri në momentin kur trupi të lokalizohet.
Përkundër pritjeve për një zgjidhje të krizës institucionale, tentimi i 54-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar. Në seancën e mbajtur sonte në orën 22:00 – vetëm dy orë para skadimit të afatit kushtetues 30-ditor – Kuvendi nuk arriti të formojë komisionin për votim të fshehtë, për shkak se partitë ish-opozitare sërish nuk propozuan anëtarë, e as që morën pjesë në votim.
Kësisoj, Kosova hyn në një terren të paprekur kushtetues, pasi për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, legjislatura e re nuk arrin të konstituohet brenda afatit të përcaktuar me vendim nga Gjykata Kushtetuese.
Ngërçi kishte nisur më 15 prill, kur për herë të parë u mblodh Kuvendi pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në atë seancë dështoi votimi i verifikimit të mandateve të deputetëve, për shkak të bojkotit të opozitës që kërkonte dorëheqjen e qeverisë. Më 19 prill, u miratua raporti i verifikimit të mandateve dhe u bë betimi i deputetëve.
Në përpjekjen e parë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk siguroi votat e nevojshme. Më pas, seancat u zhvilluan çdo 48 orë, por pa sukses, pasi opozita refuzonte të propozojë anëtarë për komisionin për votim të fshehtë.
Për shkak të bllokadës së vazhdueshme, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh. Kjo periudhë përfundon sonte më 26 korrik, por edhe në tentimin final, Kuvendi dështoi për të 54-ën herë.
Presidentja Vjosa Osmani, ditë më parë, kërkoi nga Kushtetuesja interpretim për pasojat ligjore në rast të moskonstituimit. Ajo kërkoi gjithashtu masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor, të cilën Gjykata e miratoi. Sipas vendimit, nga 27 korriku deri më 8 gusht, ndalohet çdo aktivitet parlamentar, derisa të merret vendimi i radhës nga Kushtetuesja.
Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 9 shkurt, ndërsa rezultatet përfundimtare u certifikuan më 27 mars nga KQZ, me 9 vota për dhe 2 kundër. LVV doli fituese me 42.30%, e pasuar nga PDK me 20.95%, LDK me 18.27%, AAK–Nisma me 7.06% dhe Lista Serbe me 4.26%.
Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka deklaruar se do të ushtrojë përgjegjësitë si ekzekutiv kujdestar, derisa të formohen institucionet e reja. Me Kuvendin të pakonstituuar dhe me një periudhë të pezulluar, fati i procesit politik mbetet në duart e Gjykatës Kushtetuese. /atvlive.tv
Një fermer është dëmtuar rëndë nga zjarret e sotme në Stubëll të Vitisë. Atij i është djegur stalla me 42 dele brenda. Tek i dëmtuari shkoi për vizitë kryetari i komunës, Sokol Haliti.
“Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, vizitoi nga afër fermerin nga Stublla e Poshtme, të cilit iu dogj shtalla së bashku me 42 dele, në një ngjarje tragjike që ka shkaktuar humbje të mëdha materiale dhe emocionale për familjen.
Gjatë kësaj vizite, Kryetari Haliti ishte i shoqëruar nga Komandanti i Policisë, si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Bujqësisë, të cilët reaguan menjëherë për të vlerësuar dëmet dhe për të ofruar ndihmën e parë në terren.
Kryetari Haliti shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për fermerin dhe familjen e tij, duke theksuar se Komuna e Vitisë do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të ndihmuar në rikuperimin e dëmeve dhe për të siguruar që familja të mos mbetet vetëm në këtë situatë të rëndë.
Kryetari gjithashtu falënderoi njësinë e zjarrfikësve për reagimin e shpejtë, që bëri të mundur shpëtimin e jetës së një gruaje të familjes, duke parandaluar një tragjedi edhe më të madhe” thuhet në njoftimin e komunës.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas dështimit të seancës së 53-të për konstituimin e Kuvendit, duke e quajtur hipokrizi mbajtjen e një seance tjetër sonte në orën 22:00.
Ajo theksoi se edhe për seancën e 54-të rezultati është i ditur që tani.
“Shpreh keqardhje, ka 102 ditë që takohemi, herë çdo 48 orë, herë çdo 24 orë, dhe pa as përpjekjet minimale të partisë së parë për të bërë zgjidhje dhe për të bërë konstituimin e institucioneve. Nga dje e kemi ditur që do të takohemi sot, dhe është raportuar se nuk ka asnjë lloj përpjekje, as sot nuk ka. Është hipokrizi të ftohemi prapë në ora 22:00 duke e ditur paraprakisht rezultatin”, ka deklaruar Bajrami.
Temperaturat e larta dhe erërat e forta kanë përkeqësuar situatën me zjarre në vend, ka njoftuar Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME).
Siç njofton AME, vetëm në 8 orët e fundit janë regjistruar 29 vatra zjarri në gjithë territorin e Kosovës. Deri tani, 17 prej tyre janë lokalizuar, ndërsa 12 vatra vazhdojnë të jenë aktive.
“Apelojmë te qytetarët të mbajnë kujdes të shtuar, të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme dhe të lajmërojnë menjëherë zjarrëvëniet në numrat emergjent 112, 193 dhe 192!”, thuhet në njoftim.
Agjencia ka bërë të ditur se është në gatishmëri të plotë 24/7, së bashku me Njësitë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit dhe Policinë e Kosovës
Konflikti mes Tajlandës dhe Kamboxhias ka hyrë në ditën e tretë radhazi, me përplasje të ashpra që po shtrihen në zona të reja të kufirit. Të shtunën në mëngjes, shpërthyen luftime të tjera në provincën bregdetare të Tratit në Tajlandë dhe në Pursat të Kamboxhias – më shumë se 100 kilometra larg vijës së parë të përplasjeve.
Që nga nisja e tensioneve, janë raportuar mbi 30 të vrarë dhe rreth 130.000 persona të zhvendosur nga të dy anët. Kjo konsiderohet përplasja më e madhe ndërmjet dy vendeve në 13 vitet e fundit, sipas agjencisë ndërkombëtare të lajmeve Reuters.
Tajlanda pretendon se është sulmuar e para dhe ka vepruar në vetëmbrojtje. Edhe Kamboxhia mban të njëjtin qëndrim. Të dyja palët kërkojnë që pala tjetër të ndalojë sulmet dhe të rikthehet në tryezën e bisedimeve.
Burime zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes së Tajlandës raportojnë se janë vrarë 7 ushtarë dhe 13 civilë tajlandezë. Ndërkohë, Kamboxhia ka konfirmuar 5 ushtarë dhe 8 civilë të vrarë, sipas zëdhënëses Maly Socheata.
Përplasjet u nxitën pas vrasjes së një ushtari kamboxhian në fund të muajit maj. Si pasojë, forcat ushtarake të të dy vendeve u përforcuan ndjeshëm në kufi. Situata ka shkaktuar edhe krizë politike brenda Tajlandës.
Në provincën kufitare të Sisaketit, një universitet lokal është kthyer në strehë të përkohshme për të zhvendosurit. Aty aktualisht po strehohen më shumë se 5.000 qytetarë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot 24 policët që kanë rënë në krye të detyrës, në Ditën Memoriale të zyrtarëve policorë. Ajo ka shprehur mirënjohje për sakrificën e tyre dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës për mbrojtjen e vendit.
“Në këtë ditë përkulemi me respektin më të thellë para 24 policëve që ranë në krye të detyrës në mbrojtje të jetës sonë, lirisë, integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë! Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri janë heronj të ditëve të sotme, që me guximin e tyre i treguan botës se Kosova nuk përkulet përballë askujt. Bashkë me ta kujtojmë edhe 22 policë të tjerë, emrat e të cilëve nuk do t’i mbulojë kurrë pluhuri i harresës”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka theksuar se këta policë “nuk zgjodhën rrugën më të lehtë, por rrugën e nderit, betimit dhe zotimit për atdhe”, duke shtuar se “jetojnë në çdo uniformë që vishet sot me krenari, në çdo hap të Policisë sonë”.
“Sot nderojmë jo vetëm rënien e policëve në detyrë, por edhe vazhdimin e përkushtimit të mijëra grave e burrave që çdo ditë i dalin zot këtij vendi, me kurajë, përgjegjësi dhe dashuri për Republikën e Kosovës. Në kohë paqeje apo tensioni, në veri apo në jug, në çdo pëllëmbë të Kosovës, Policia jonë është fortifikata e sigurisë. Lavdi përjetë të rënëve në krye të detyrës! Faleminderit Policisë sonë, e cila vazhdon ta mbrojë atdheun me besnikëri!”, ka përfunduar Osmani.