ATV

Category: Lajme

  • Radoniqi fton mërgatën që të regjistrohen për votim me postë në Zgjedhjet Lokale 2025

    Radoniqi fton mërgatën që të regjistrohen për votim me postë në Zgjedhjet Lokale 2025

    Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, u është adresuar me një videomesazh të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për t’i informuar për të drejtën dhe mundësinë e tyre për t’u regjistruar si votues jashtë vendit për Zgjedhjet Lokale 2025.

    “Ka filluar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale, e cila do të zgjasë deri më 29 gusht. Për të votuar nga jashtë Kosovës është e domosdoshme të regjistroheni brenda këtij afati përmes platformës së KQZ-së”, thuhet në mesazhin informues të kryesuesit të KQZ-së.

    Në emër të KQZ-së, Radoniqi ka ftuar të gjithë shtetasit e Kosovës që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor duke thënë:

    “Pjesëmarrja e juaj në zgjedhje është e rëndësishme dhe vota juaj ndikon drejtpërdrejtë në të ardhmen e komunës tuaj”.

    Afati për regjistrimin e votuesve jashë Kosovës ka filluar më 23 korrik dhe do të pëfundojë më 29 gusht 2025. Vetëm shtetasite Kosovës që do të regjistrohen gjatë kësaj periudhe, do të mund të votojnë përmes postës në periudhën e cila do të fillojë më 17 shtator dhe do të përmbyllet më 11 tetor 2025.

    Për dallim nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh.

    Video e plotë: https://www.facebook.com/share/v/1B17uCWLG3/

  • FSK-ja mbërrin në Ujman, i bashkohet operacionit për kërkim-shpëtimin e mërgimtarit që u hodh nga ura

    FSK-ja mbërrin në Ujman, i bashkohet operacionit për kërkim-shpëtimin e mërgimtarit që u hodh nga ura

    Trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë zbarkuar te Liqeni i Ujmanit në veri të vendit, ndërsa ka hyrë dita e tretë që po vazhdojnë kërkimet për një person i cili dyshohet se është mbytur.

    Kjo ka ardhur pas koordinimit në mes të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantit të KFOR-it, Enrico Barduani.

    Që nga e diela, personi i cili është raportuar se është hedhur nga ura, po kërkohet nga ekipet e Policisë së Kosovës, ato të kërkim-shpëtimit si dhe njësitet zhytëse. Deri më tani nuk ka rezultuar në gjetje.

  • Trump: Gaza po përjeton uri të vërtetë

    Trump: Gaza po përjeton uri të vërtetë

    Donald Trump tha se në Gaza ka “uri të vërtetë”, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu këmbënguli se nuk kishte diçka të tillë.

    I pyetur nëse pajtohej me Netanyahun se ishte një “gënjeshtër e guximshme” të thuash se Izraeli po nxiste urinë në Gaza, presidenti amerikan u përgjigj: “Nuk e di… ata fëmijë duken shumë të uritur… kjo është një gjë e vërtetë urie”.

    Komentet e tij erdhën pasi shefi humanitar i OKB-së tha se nevojiteshin “sasi të mëdha” ushqimi për të shmangur urinë

    Të dielën, ushtria izraelite filloi veprime që, sipas saj, do të përmirësonin “përgjigjen humanitare” në Gaza dhe do të hidhnin poshtë “pretendimin e rremë për uri të qëllimshme”.

    Izraeli njoftoi se do të kishte një “pauzë taktike lokale” në tre zona të Gazës për 10 orë në ditë, si dhe krijimin e “rrugëve të sigurta të caktuara” për konvojet e ndihmave.

    Ushtria gjithashtu lejoi që të rifillonin dërgesat e ndihmave të kryera nga vendet e huaja, pavarësisht paralajmërimeve të agjencive humanitare se metoda ishte joefektive dhe e rrezikshme.

    Organizata ushtarake izraelite Cogat, e cila koordinon hyrjen e ndihmës në Gaza, tha se më shumë se 120 ngarkesa kamionësh me ndihma u mblodhën nga pikat e kalimit nga OKB-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare të dielën, dhe se qindra ngarkesa të tjera kamionësh prisnin të mblidheshin.

  • Vdes vajza e akademikut Rexhep Qosja

    Vdes vajza e akademikut Rexhep Qosja

    Sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërruar jetë Edita Qosja-Rexhepi, vajza e akademikut Rexhep Qosja. Lajmin e ka bërë të ditur djali i së ndjerës, Valjet Rexhepi.

    Varrimi do të bëhet sot, më 29 korrik 2025, në varrezat e qytetit të Prishtinës, në orën 13:00.

    Njoftim mortor:

    Me pikëllim ju njoftojmë se sot, më 29 korrik 2025, ka ndërruar jetë Edita Qosja-Rexhepi.

    Varrimi i saj do të bëhet po sot, në orën 13:00, në varrezat e qytetit të Prishtinës.

    E pamja do të mbahet në hotelin “Grand” në Prishtinë për dy ditë: të mërkurën dhe të enjten, nga ora 10:00 deri në 18:00, duke filluar nga dita e nesërme, e mërkurë.

  • Përmbytje masive në Pekin, 30 të vdekur dhe mijëra të evakuuar

    Përmbytje masive në Pekin, 30 të vdekur dhe mijëra të evakuuar

    Më shumë se 30 persona kanë humbur jetën për shkak të reshjeve të dendura dhe përmbytjeve në Pekin dhe rajonet përreth, njoftojnë mediat shtetërore kineze. Ndërkohë, dhjetëra mijëra banorë janë evakuuar nga kryeqyteti.

    Sipas transmetuesit shtetëror CCTV, deri në mesnatën e së hënës, 28 persona kanë ndërruar jetë në distriktin Miyun një zonë periferike e Pekinit dhe dy të tjerë në distriktin Yanqing.

    Në provincën fqinje Hebei, një rrëshqitje toke e ndodhur të hënën ka shkaktuar vdekjen e katër personave, ndërsa tetë të tjerë rezultojnë të zhdukur.

    Reshjet e shiut filluan gjatë fundjavës dhe u intensifikuan të hënën, duke përfshirë Pekinin dhe provincat përreth. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, në disa zona në veri të kryeqytetit janë regjistruar deri në 543.4 mm reshje. Për pasojë, autoritetet evakuuan 80 mijë e 322 banorë, ndërsa infrastruktura rrugore dhe e komunikimit ka pësuar dëme të konsiderueshme. Deri të hënën në mesnatë, 136 fshatra kishin mbetur pa energji elektrike.

    Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka urdhëruar një operacion të gjithanshëm kërkim-shpëtimi për të minimizuar humbjet në njerëz. Kryeministri Li Qiang e cilësoi situatën në Miyun si me “pasoja të rënda”, sipas raportimeve të mediave shtetërore.

    Pekini shpalli alarmin maksimal për reshje dhe përmbytje të hënën, duke këshilluar qytetarët të qëndrojnë në shtëpi. Shkollat u mbyllën, ndërtimet u pezulluan dhe aktivitetet turistike në ambiente të hapura u ndaluan.

    Autoritetet nisën shkarkimin e ujit nga rezervuari i distriktit Miyun, i cili kishte arritur nivelin më të lartë që nga ndërtimi i tij në vitin 1959. Më shumë se 730 milionë metra kub ujë janë derdhur në këtë rezervuar më i madhi në veri të Kinës, deri të martën në mëngjes.

    Përmbytjet e fuqishme kanë përfshirë distriktin Miyun dhe zonat kufitare me provincën Hebei, duke rrëmbyer automjete dhe duke rrëzuar shtylla elektrike. Në qytetin Taishitun, rreth 100 kilometra në verilindje të Pekinit, rrugët u mbuluan nga uji dhe balta.

    “Uji erdhi me shpejtësi të frikshme. Brenda pak minutash gjithçka u përmbyt,” tha Zhuang Zhelin, një banor lokal që po pastronte baltën nga dyqani i tij.

    Sipas parashikimeve, reshjet më të dendura pritet të bien gjatë së martës në mëngjes, me deri në 30 cm shi në disa zona.

    Një vit më parë, në verën e vitit 2023, përmbytje ekstreme goditën Pekinin dhe Hebein, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe zhvendosjen e rreth 1 milion personave. Autoritetet u kritikuan për krijimin e një “moati mbrojtës” rreth kryeqytetit, që përkeqësoi situatën në provincën fqinje.

    Qeveria qendrore njoftoi se ka ndarë 50 milionë juanë (rreth 7 milionë dollarë) për Hebein dhe ka dërguar një ekip të nivelit të lartë për menaxhimin e emergjencës në zonat e prekura.

    Sipas ekspertëve, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po intensifikojnë dukuritë ekstreme të motit në mbarë botën nga përmbytjet te zjarret dhe valët e të nxehtit duke i bërë më të shpeshta dhe më vdekjeprurëse. Analizat tregojnë se të paktën një duzinë ngjarjesh ekstreme në dekadën e fundit nuk do të kishin ndodhur pa ndikimin e ngrohjes globale të shkaktuar nga njeriu.

  • Për një javë në Pejë sekuestrohen gjashtë armë, katër nga to në ahengje

    Për një javë në Pejë sekuestrohen gjashtë armë, katër nga to në ahengje

    Policia Rajonale e Pejës, gjatë javës që lamë pas ka sekuestruar gjashtë armë.

    Në një njoftim për media, policia atje njofton se armët janë kapur nga data 21 deri më 28 korrik.

    Poashtu bëhet e ditur se përgjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 87 fishekë të kalibrave tё ndryshёm, shtatё karikator tё armёve pёrkatёse dhe 6 gёzhoja

    “Katёr (4) nga kёto armё janё gjetur dhe sekuestruar nё ahengje. Janё arrestuar nga zyrtarёt Policor gjashtё (6) persona tё dyshuar, tё cilёt pas intervistimit nga hetuesit, me urdhёr tё prokurorit tё Shtetit janё liruar nё procedurё tё rregullt”, thuhet në njoftim.

  • Punëtorët e “Infrakos” paralajmërojnë grevë për shkak të pagave

    Punëtorët e “Infrakos” paralajmërojnë grevë për shkak të pagave

    Ka më shumë se një muaj që punëtorët e “INFRAKOS” në shenjë proteste ndalën trenat për të kërkuar atë që nuk e kanë marrë tash e 15 vjet, rritjen e pagave.

    Veprimet sindikale i patën lënë në gjysmë në shpresë të negociatave për kërkesat e tyre.

    E pavarësisht kësaj, nuk u arrit asnjë rezultat.

    “Të gjitha bordet pa përjashtim, nuk kanë dashur të dëgjojnë kërkesat tona…Kërkesa jonë mbetet indeksimi i pagave në raport me ngritjen e inflacionit. Bordi dhe menaxhmenti nuk kanë arritur ta bindin qeverinë për realizimin e obligimeve të tyre”, ka thënë Hysen Nikçi, Kryetari i Sindikatës së “Infrakos”.

    Rroga më e ulët në Infrakos është 320 euro e sipas Nikçit, asnjëherë në 15 vitet e fundit s’është rritur.

    Për rrjedhojë, ata kanë paralajmëruar veprime sindikale.

    “Kjo ndikon keq se secili punëtorë i Infrakos ndihet i anashkaluar, paga skandaloze…kemi probleme edhe me konkurse, kërkojmë inxhinier për larmi të ndryshme dhe nuk plotësohen vendet e punës sepse rroga është 480 euro”, ka thënë Hysen Nikçi, Kryetari i Sindikatës së “Infrakos”.

    Në qershor të këtij viti, grevës së “Infrakos”-it iu kishin bashkangjitur edhe ata të “Trainkos”-it.

    Por për këta të fundit, greva asokohe solli rezultate.

    “Kemi arrit një marrëveshje të lehtë, rritja mesatare 100 euro. Është degradu paga, është koha e fundit të reflektojnë të gjitha strukturat që punëtorët e hekurudhave t’i trajtojë dinjitetshëm”, ka thënë Florim Gjyrefci, Kryetari i Sindikatës në “Trainkos”.

    Ditëve të ardhshme, ata pritet të bëjnë të ditur veprimet sindikale të tyre në rast të ndonjë mosreflektimi nga menaxhmenti.

  • Pejë: Nëna lind rrugës për në spital, foshnja dërgohet pa shenja jete

    Pejë: Nëna lind rrugës për në spital, foshnja dërgohet pa shenja jete

    Një ngjarje e rëndë është raportuar në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, në Spitalin e Pejës, ku një foshnje e porsalindur është sjellë pa shenja jete.

    Sipas Policisë së Kosovës, nëna e foshnjës, shtetase kosovare, është dërguar në spital në gjendje të rënduar shëndetësore, pasi dyshohet se i është përkeqësuar gjendja gjatë rrugës dhe ka lindur në automjet, para se të mbërrinte në institucionin shëndetësor.

    Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në spital, ndërsa trupi i pajetë i foshnjës, me urdhër të prokurorit të rastit, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    HETIM I VDEKJES

    Pejë / 28.07.2025 – 04:35.  Në spitalin rajonal në Pejë një foshnje e porsalindur është sjellë pa shenja jete, si dhe viktima femër kosovare është sjelle me gjendje të rënduar shëndetësore pasi dyshohet se i është keqësuar gjendja dhe ka lindur në një automjet përgjatë rrugës për në spital. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa trupi i pajetë i foshnjës me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion.

  • Kamberi dorëzon rezolutë në Kuvendin e Serbisë për pozitën e shqiptarëve në Luginë

    Kamberi dorëzon rezolutë në Kuvendin e Serbisë për pozitën e shqiptarëve në Luginë

    Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar rezolutë për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

    Kamberi në një postim në Facebook ka thënë se rezoluta ka për qëllim që Kuvendi i Serbisë ta njohë dhe pranojë pozitën diskriminuese të shqiptarëve në Luginë, me kërkesën për shprehjen e përkushtimit institucional për përmirësimin e pozitës së komunitetit shqiptar në komunat e Preshevës, Bujanocit e Medegjës.

    “Në procedurë parlamentare, sot, dorëzova REZOLUTËN PËR POZITËN E SHQIPTARËVE NË LUGINË TË PRESHEVËS. Rezoluta ka për qëllim që Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë të njohë dhe pranojë pozitën diskriminuese me kërkesën për shprehjen e përkushtimit institucional për përmirësimin e pozitës së komunitetit shqiptar në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në përputhje me obligimet ndërkombëtare dhe obligimet që sjell procesi i integrimit në BE dhe legjislacionin e brendshëm. Nevoja për këtë Rezolutë lind nga një gjendje e gjatë e mospërfilljes së kërkesave dhe të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon, gjë që ka sjellë pasoja të rënda në jetën shoqërore dhe politike të komunitetit”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

    Ai ka thënë se ndër problemet më të theksuara janë praktika e pasivizimit arbitrar të adresave, mosnjohja e diplomave të lëshuara nga Republika e Kosovës, mungesa e përfaqësimit të drejtë e proporcional në institucionet shtetërore, pengesat në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare dhe moszhvillimi ekonomik i rajonit.

    Me rezolutën e propozuar bëhet thirrje për ndërprerjen e praktikave të pasivizimit të adresave, zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, po ashtu zbatimin e dispozitave ligjore që garantojnë të drejtat gjuhësore dhe arsimore.

    “Përmes kësaj Rezolute, bëhet thirrje për: Zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara më 2001, 2009 dhe 2013; Ndërprerja e praktikave administrative të pasivizimit arbitrar që çojnë në humbjen e të drejtave qytetare; Zbatimi i plotë i dispozitave ligjore që garantojnë të drejtat gjuhësore dhe arsimore; Përfaqësimi institucional e proporcional të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike; Që organet shtetërore të nisin procedura të dënimit të të gjithë atyre që ndaj shqiptarëve përdorin gjuhën e urrejtjes; Krijimi i fondeve zhvillimore me mbështetje shtetërore dhe ndërkombëtare”, ka shkruar Kamberi.

    Po ashtu ai ka shtuar se me rezolutë kërkohet krijimi i një trupe parlamentare, me pjesëmarrjen e OSBE-së, sektorit civil dhe përfaqësuesve shqiptarë, që do të ketë detyrë t’i hulumtojë të gjitha rastet e pasivizimeve. Po ashtu është propozuar që çështja e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës të përfshihet në dialogun Kosovë – Serbi.

    “Meqë përpjekjet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara, propozohet që çështja e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës të përfshihet në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, si pjesë e përpjekjeve për paqe të qëndrueshme. Miratimi i kësaj Rezolute do të shërbente si shenjë e vullnetit politik për të adresuar sfidat e kahershme dhe për të siguruar barazi për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike – që është parakusht për zhvillim demokratik dhe përparim drejt integrimit evropian”, tha Kamberi.

    Ai ka falënderuar deputetët e SDA-Sanxhak, Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, për mbështetjen dhënë rezolutës për t’u procesuar në procedurë parlamentare.

  • Sulm me armë në New York, katër të vdekur – mes viktimave një polic

    Sulm me armë në New York, katër të vdekur – mes viktimave një polic

    Një oficer policie i qytetit të Nju Jorkut është midis katër personave të vrarë në të shtëna me armë që ndodhën dje pasdite në një rrokaqiell në qendër të Manhattanit.

    Sipas policisë, sulmuesi Shane Devon Tamura (27) udhëtoi nga Las Vegasi në New York dhe motivi i tij për sulmin është ende i panjohur. Pas të shtënave, ai u gjet i vdekur me atë që autoritetet e quajnë “plagët e vetëshkaktuara me armë zjarri”. Një sasi shtesë municioni u gjet në makinën e tij.

    Tamura parkoi BMW-në e tij përpara ndërtesës dhe hyri në ndërtesën e zyrave me një pushkë M4 në dorë. Sapo hyri në holl, ai hapi zjarr ndaj një oficeri të sigurisë në ndërtesë. Ai qëlloi gjithashtu një grua që u përpoq të fshihej pas një shtylle”, tha Komisionerja e Policisë, Jessica Tisch.

    Pastaj ai hyri në ashensor, u ngjit në katin ku ndodheshin zyrat e administratës së ndërtesës dhe vazhdoi të qëllonte në korridor përpara se t’i jepte fund jetës.