ATV

Category: Lajme

  • Nga tetori nis zbatimi i rregullave të reja për udhëtime në zonën Schengen

    Nga tetori nis zbatimi i rregullave të reja për udhëtime në zonën Schengen

    Bashkimi Evropian njoftoi se sistemi i ri i kontrollit kufitar për shtetasit që nuk janë nga blloku evropian, i cili do t’i japë fund vendosjes së vulave nëpër pasaporta, do të nisë zbatimin në tetor.

    I ashtuquajturi Sistem i Hyrje/Daljes (EES) fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi nëntorin e vitit të kaluar, por u shty në momentet e fundit pasi disa shtete ende nuk ishin të gatshme që ta zbatonin.

    Komisioni Evropian ka vendosur 12 tetorin e vitit 2025 si datë për nisjen e operacioneve për zbatimin e EES-së. Nga 12 tetori e tutje, EES-ja do të nisë gradualisht të zbatohet në kufijtë e jashtëm të 29 shteteve evropiane, për gjashtë muaj. Ky zbatim gradual do t’u japë autoriteteve, pasagjerëve dhe industrisë së transportit më shumë kohë për t’u përshtatur me procedurat e reja, tha BE-ja.

    Sistemi është krijuar në nëntor të vitit 2017 dhe zbatimi i tij u shty disa herë. Sistemi pritet të vlejë për rreth 60 vende, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, për hyrjen e tyre në BE, si dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn, të cilat janë pjesë e zonës Schengen.

    EES-ja do të regjistrojë datën e hyrjes dhe daljes së vizitorëve dhe do të ketë të dhëna për qëndrimet e tejzgjatura dhe hyrjet e refuzuara.

    Sipas sistemit të ri, udhëtarëve do t’u mblidhen të dhënat personale dhe biometrike – fotografitë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve.

    Pasaportat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike; në çipet e tyre ruhen gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia, dhe janë plotësisht të harmonizuara me kushtet që ka kërkuar Bashkimi Evropian, në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë regjimin pa viza, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Zbatimi i këtij sistemi ka rritur frikën se do të ketë radhë dhe pritje të gjata për njerëzit që udhëtojnë për në Evropë me trena, tragete dhe aeroplanë.

    Në mars, disa shtete anëtare u pajtuan që zbatimi të bëhet përmes fazave, që do të nisë më 12 tetor.

    “Kjo do të rrisë sigurinë… duke na ndihmuar që të identifikojmë personat që tejkalojnë kohën e qëndrimit, të parandalojmë lëvizjet e parregullta dhe të ulim mashtrimet me dokumente dhe identitete”, tha Magnus Brunner, komisionar për Migrim.

    Komisioni Evropian tha se për udhëtarët do të ketë fushata informuese në aeroporte dhe në pikëkalime kufitare në mbarë BE-në para se të nisë zbatimi i sistemit.

    Sipas tij, periudha gjashtëmujore, sa është vendosur koha për përshtatjen me këtë sistem, është kohë e mjaftueshme për shtetet anëtare, udhëtarët dhe bizneset që të përshtaten me sistemin e ri.

    Sipas zbatimit të planifikuar në faza, vendet anëtare të BE-së duhet të fillojnë të operojnë sistemin në gjysmën e pikave kufitare pas tre muajsh dhe ta kenë tërësisht funksional atë pas gjashtë muajsh.

    “EES mund t’i marrë secilit udhëtar disa minuta shtesë për t’u përfunduar, prandaj përgatituni të prisni më gjatë se zakonisht në kufi sapo të nisë sistemi”, tha Ministria e Jashtme e Britanisë në një përditësim për udhëtime./REL

  • IPK gjen mospërputhje në gjobat për tejkalim shpejtësie

    IPK gjen mospërputhje në gjobat për tejkalim shpejtësie

    Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar një raport të inspektimit të jashtëzakonshëm lidhur me përdorimin e pajisjeve për matjen e shpejtësisë nga Policia e Kosovës.

    Inspektimi është kryer me kërkesë të Kryeshefit të IPK-së, pas dyshimeve për mospërputhje në gjoba.

    Sipas raportit, janë evidentuar katër lloje mospërputhjesh mes të dhënave të radarëve dhe atyre të regjistruara në gjoba. Në shumicën e rasteve, shpejtësia e përshkruar në gjobë ka qenë më e ulët se ajo e regjistruar. IPK ka ngritur dyshime për mundësi abuzimi gjatë shqiptimit të gjobave.

    Raporti përfshin shtatë rekomandime për përmirësimin e përdorimit të pajisjeve matëse, trajnimin e zyrtarëve dhe mbikëqyrjen e procesit të shqiptimit të gjobave në mënyrë të saktë dhe transparente.

  • Azemi kundërshton rritjen selektive të pagave në sektorin publik

    Azemi kundërshton rritjen selektive të pagave në sektorin publik

    Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka kritikuar vendimin për rritjen prej 55 euro të pagave vetëm për shërbyesit publikë në organizatat buxhetore, duke e cilësuar atë të padrejtë ndaj punëtorëve të sektorit privat që punojnë për institucione shtetërore përmes kompanive kontraktuese.

    Ai ka paralajmëruar se nëse deri më 1 shtator nuk miratohet rritja prej 110 eurosh edhe për këta punëtorë, sindikata do të ndërmarrë masa, përfshirë ndërprerjen e punës në institucionet që financohen nga buxheti i shtetit.

  • Ambasada britanike vlerëson bashkëpunimin mes KFOR-it dhe FSK-së në Ujman

    Ambasada britanike vlerëson bashkëpunimin mes KFOR-it dhe FSK-së në Ujman

    Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas përfundimit të operacionit të kërkim-shpëtimit në Liqenin e Ujmanit.

    Në një reagim publik, ambasada e ka cilësuar aksionin si dëshmi të aftësive të avancuara të FSK-së dhe të funksionimit efektiv të marrëveshjeve afatgjata me KFOR-in.

    Po ashtu, ambasada ka falënderuar KFOR-in për mbështetjen gjatë gjithë procesit dhe ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës.

  • Kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve në rastin “Banjskë” për deklarim të rremë e vepra tjera penale

    Kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve në rastin “Banjskë” për deklarim të rremë e vepra tjera penale

    Përfaqësuesi i policit të dëmtuar në rastin “Banjska”- Alban Rashiti, avokati Naim Rudari ka njoftuar se ka ushtruar kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve në këtë rast, nën dyshimin se kanë kryer disa vepra penale, përfshirë deklarimin e rremë.

    Kallëzimi penal është ushtruar për veprat penale “Ndihma në kryerjen e terrorizmit”, “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”, “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, “Deklarim i rremë” dhe “Manipulimi me prova”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Rudari ka shkruar në Facebook se më 22 dhe 24 korrik 2025 u ftuan të dëgjohen dy dëshmitarë të cilët kanë parë dhe mësuar shumë për rastin dhe anëtarët e grupit terrorist.

    Dy dëshmitarët që u dëgjuan në ditët e përmendura nga avokati ishin Rade Nedelkoviq dhe Velko Iliq, ky i fundit ka dëshmuar në seancë të mbyllur. Të kallëzuar penalisht janë edhe Marko Saviq dhe Ivan Filimonoviq.

    “Ata, përveç se kishin ndihmuar grupin terrorist që të strehohen në hotelin Rajnska Banja në fshatin Bajnskë, kishin premtuar se personat e armatosur (terroristët) do t’i evidentojnë si punëtorë të hotelit për t’i maskuar që mos të arrestohen, i kanë lejuar që të u japin ndihmë të plagosurve në hotel e më pas duke i zhveshur uniformat për t’i ndërruar me rroba civile ua kanë mundësur largimin nga fshati Bajnskë, kështu këta “dëshmitarë” kanë vendosur edhe në gjykim të DEKLAROJNË RREJSHËM duke mbrojtur kriminelët me dëshminë e tyre e duke u munduar që të mohojnë ato që kishin deklaruar me parë”, shkruan Rudari.

    Avokati kërkoi që Prokuroria të hetojë këtë rast, duke shtuar se me hetim do të sigurohen edhe shumë prova për personat që kanë ndihmuar grupin terrorist në Banjskë.

  • Pesë kadetë të FSK-së diplomojnë në Akademinë e Forcave të Armatosura në Shqipëri

    Pesë kadetë të FSK-së diplomojnë në Akademinë e Forcave të Armatosura në Shqipëri

    Në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë u diplomuan këtë të martë, më 29 korrik, 90 studentë, mes tyre edhe pesë nga Kosova, raporton Gazeta Sinjali.

    Ceremonia u zhvillua në kompleksin e ri sportiv të garnizonit “Skënderbej” në Tiranë, me pjesëmarrjen e ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu.

    “Më lejoni të them që është një nder i veçantë që të jem pranë jush sot, sepse është një moment i thellë krenarie institucionale, sepse sa herë një brez vesh uniformën, shteti shqiptar rifillon, forcohet, përtërihet. Kjo nuk është thjesht një ditë gëzimi, por një ditë dëshmie se rruga e duhur sado e vështirë mbetet rruga që formon njerëz të vërtetë”, u shpreh ministri Vengu.

    Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili falënderoi homologun e tij për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional mes dy vendeve.

  • Bizneset paralajmërojnë protesta dhe bllokim të aktiviteteve nëse ZRrE-ja nuk tërhiqet nga vendimi

    Bizneset paralajmërojnë protesta dhe bllokim të aktiviteteve nëse ZRrE-ja nuk tërhiqet nga vendimi

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka paralajmëruar kundërshtime të ashpra ndaj vendimit të ZRrE-së për liberalizimin e tregut të energjisë, duke theksuar se ky proces mund të rrezikojë rëndë stabilitetin financiar të bizneseve dhe të dëmtojë ekzistencën e shumë kompanive.

    Në një postim të shpërndarë për mediat, Dhoma e Tregtisë shprehu shqetësim të thellë për mënyrën e njëanshme dhe të papërgatitur të zbatuarjes së këtij vendimi.

    Bizneset anëtare të Dhomës paralajmërojnë se, nëse ZRrE-ja nuk tërhiqet nga ky vendim, ato do të jenë të detyruara të ndërmarrin masa të forta, përfshirë

    Postimi i plotë:

    Bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës paralajmërojnë veprime të ashpra nëse ZRrE nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.

    Bizneset shprehin shqetësim të thellë për mënyrën e njëanshme dhe të papërgatitur me të cilën po zbatohet ky vendim, i cili rrezikon rëndë stabilitetin e tyre financiar dhe vetë ekzistencën e shumë kompanive në vend.

    Nëse ZRrE nuk merr SOT vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike.

    Kërkesat për dialog dhe rishqyrtim janë shpërfillur sistematikisht nga ZRRE, duke e thelluar pasigurinë në treg dhe duke e rritur barrën financiare mbi sektorin privat, që tashmë po përballet me sfida të rënda.

    Paralajmërojmë se përgjegjësia e plotë për çdo pasojë të kësaj krize bie mbi ZRRE-në dhe institucionet që lejojnë zbatimin e këtij vendimi të padrejtë.

    Andaj edhe njëherë kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të vendimit dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të komunitetit të biznesit në çdo proces që ndikon në funksionimin e tyre.

  • Kryeministri britanik paralajmëroi njohjen e Palestinës, Netanyahu: Po shpërblen terrorizmin e Hamasit

    Kryeministri britanik paralajmëroi njohjen e Palestinës, Netanyahu: Po shpërblen terrorizmin e Hamasit

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kritikuar homologun britanik Sir Keir Starmer për vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për të njohur shtetësinë palestineze në shtator, nëse Izraeli nuk i jep fund luftës në Gaza.

    Sipas mediave të huaja, ai thotë se vendimi i kryeministrit britanik “shpërblen terrorizmin monstruoz të Hamasit” dhe “ndëshkon viktimat e tij”.

    “Një shtet xhihadist në kufirin e Izraelit sot, do të kërcënojë Britaninë nesër”, tha më tej Netanyahu, shkruan A2 CNN.

    “Paqësimi ndaj terroristëve xhihadistë dështon gjithmonë. Do t’ju dështojë edhe juve. Nuk do të ndodhë”, përfundoi Netanyahu.

    Kujtojmë se Starmer u zotua të bëjë një vlerësim përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, lidhur me se sa i kanë përmbushur Izraeli dhe Hamasi këto hapa përpara se të marrë një vendim përfundimtar, duke siguruar që asnjëra palë të mos ketë të drejtë veto.

    Pas Francës e Britanisë, edhe Malta thotë se do ta njohë Palestinën

  • Rrëzohet një heliktoper në Gjermani, të paktën dy të vdekur

    Rrëzohet një heliktoper në Gjermani, të paktën dy të vdekur

    Të paktën dy anëtarë të forcës ajrore gjermane u vranë kur një helikopter në të cilin po udhëtonin u rrëzua gjatë një misioni stërvitor në lindje të vendit, tha të martën ministria e mbrojtjes.

    Një zëdhënëse e forcës ajrore gjermane i tha AFP-së se dy nga anëtarët e ekuipazhit që vdiqën ishin “me përvojë”, duke shtuar se po zhvillohej një kërkim për anëtarin e tretë.

    Helikopteri, i cili ishte marrë me qira për qëllime stërvitjeje, u rrëzua për arsye ende të panjohura në Mulde, një lumë pranë Grimma, Saksoni.

    Mjeti, një EC-135 (Helikopterë Airbus), ishte zhdukur që nga mëngjesi i djeshëm. Policia tha se qytetarët që po lundronin me kajak vunë re mbeturina në lumë. Një digë u ngrit në një pjesë të lumit për të kufizuar ndotjen dhe rrjedhjen e vajgurit.

  • Pas Francës e Britanisë, edhe Malta thotë se do ta njohë Palestinën

    Pas Francës e Britanisë, edhe Malta thotë se do ta njohë Palestinën

    Pas paralajmërimeve nga Parisi e Londra për njohjen e një shteti të pavarur palestinez në shtator, një gjë të tillë ka thënë se do ta bëjë edhe Malta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara po atë muaj.

    Njoftimin për këtë vendim e dha të martën në mbrëmje kryeministri i shtetit të vogël ishullor, Robert Abela, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    “Pozicioni ynë e pasqyron përkushtimin tonë ndaj përpjekjeve për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme” – shkroi Abela në rrjetin social “Facebook”.

    Qeveria e Maltës ka qenë nën presion të shtuar brenda rangjeve të veta për të njohur një shtet palestinez dhe opozita e qendrës së djathtë këtë muaj gjithashtu bëri thirrje për njohje të menjëhershme.

    Shteti mesdhetar, anëtar i Bashkimit Evropian, ka një histori të përkrahjes për kauzat palestineze dhe i ka mbështetur përpjekjet për një zgjidhje me dy shtete.

    Abela fillimisht i kishte bërë të ditura planet për njohjen e një shteti palestinez në maj, duke thënë se veprimi do të bëhej në një konferencë të Kombeve të Bashkuara në qershor, por konferenca më vonë ishte shtyrë.

    Irlanda, Norvegjia dhe Spanja e njohën Palestinën si shtet të pavarur në maj.

    Paralajmërimet e Britanisë dhe Francës për njohjen e Palestinës kanë shkaktuar reagime negative nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se vendi i tij nuk planifikon që ta ndjekë shembullin e Londrës.