ATV

Category: Lajme

  • Franca kërkon përjashtimin e verërave dhe pijeve alkoolike nga tarifat e Trumpit

    Franca kërkon përjashtimin e verërave dhe pijeve alkoolike nga tarifat e Trumpit

    Parisi po kërkon përjashtimin e sektorit të verës dhe pijeve alkoolike nga tarifat e reja amerikane, bëri të ditur të mërkurën Ministri i Tregtisë së Jashtme të Francës, Laurent Saint-Martin, pas arritjes së një marrëveshjeje tregtare midis SHBA-së dhe BE-së.

    “Ajo që po kërkojmë shumë qartë është një përjashtim për sektorin e verës dhe pijeve alkoolike, përveç sektorit të aeronautikës”, tha Saint-Martin pas një takimi me përfaqësues të industrive të prekura nga marrëveshja, e cila parashikon tarifa 15% për shumicën e produkteve evropiane të eksportuara në SHBA që nga 1 gushti.

    Franca eksporton çdo vit verëra dhe pije alkoolike në Shtetet e Bashkuara me një vlerë rreth 4 miliardë euro.

    “Shpresoj që tarifa të mos kalojë nivelin 15%, që është një kufi real, dhe që për disa sektorë ajo të jetë zero. Mendoj veçanërisht për sektorin e verës, i cili po përballet me probleme të mëdha për shkak të uljes së prodhimit dhe rënies së konsumit”, deklaroi Ministrja Franceze e Bujqësisë, Anne Genevard.

  • Ekstradohet nga Shqipëria një person që kërkohej nga autoritetet kosovare

    Ekstradohet nga Shqipëria një person që kërkohej nga autoritetet kosovare

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është ekstraduar nga Shqipëria.

    Pasi që i njëjti po kërkohej nga autoritetet kosovare.

    Në raportin e policisë, thuhet se i dyshuari u ekstradua përmes pikëkalimit kufitar në Vërmicë, aty ku arriti rreth orës 13:00, nën shoqërimin e autoriteteve shqiptare të sigurisë.

    “I njëjti pas kryerjes së procedurave është marrë nga Njësia e Mbrojtjes së Afërt për procedura të mëtutjeshme”.

  • Publikoi video duke shtënë me armë, arrestohet i dyshuari në Drenas

    Publikoi video duke shtënë me armë, arrestohet i dyshuari në Drenas

    Një person është arrestuar të mërkurën në fshatin Vërboc të Drenasit nën dyshimet se i njëjti ishte parë në një video në rrjete sociale duke shtënë me armë.

    Raportohet se të shtënat kishin ndodhur mbrëmjen e 29 korrikut.

    “ Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmë automatike dhe 5 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton policia në raportin 24-orësh.

  • Korriku, muaji i kobshëm për punëtorët e ndërtimtarisë në Kosovë

    Korriku, muaji i kobshëm për punëtorët e ndërtimtarisë në Kosovë

    Muaji korrik ka qenë tragjik për punëtorët e ndërtimtarisë në Kosovë. Pesë punëtorë të këtij sektori kanë vdekur gjatë këtij muaji Kosovë. Rasti i fundit ishte dje kur një punëtor ka vdekur pasi ka rënë nga ndërtesa ku po punonte.

    Viktima ishte rreth 40 vjeç. Policia ka thënë se dy persona janë intervistuar si të dyshuar për rastin e më pas janë ndaluar për 48 orë.

    “Me datë 30.07.2025, rreth orës 12:45, në qytetin e Prizrenit, është raportuar një incident në vendin e punës ku viktima N.XH., mashkull rreth 40 vjeç, nga Drenasi, gjatë kryerjes së punimeve në një kulm, ka rënë nga lartësia dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. I njëjti është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku më vonë, sipas informatave zyrtare nga emergjenca, është konfirmuar se ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra. Policia menjëherë i është përgjigjur rastit dhe ka marrë dëshmi nga personat e pranishëm në vendngjarje”, ka thënë Policia rajonale e Prizrenit.

    Të ndaluarit nga Policia janë mbikëqyrësi dhe investitori i punimeve.

    Më 21 korrik, tre punëtorë vdiqën si pasojë e lëndimeve të marra në vendpunishte, dy prej të cilëve ishin në rajonin e Gjakovës dhe njëri në atë të Istogut. Ndërkohë tragjeditë vazhduan. Më 27 korrik një tjetër punëtor në Ferizaj vdiq pas rrëzimit të autovinçit.

    Sipas të dhënave nga Sektori i Punëtorëve të Sektorit Privat, vetëm në vitin 2025, 18 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, e ka cilësuar situatën alarmante dhe tejet shqetësuese.

    Azemi ditë më parë ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë për të ndalur këtë zinxhir tragjedish në vendin e punës.

    “Prokuroria ka për obligim të marrë veprime, Policia dhe Inspektorati i Punës po ashtu. Ky vit ka nis si vit i kobshëm,” ka thënë ai.

  • Administrata Trump miraton vazhdimin e Kompaktit të MCC për Kosovën

    Administrata Trump miraton vazhdimin e Kompaktit të MCC për Kosovën

    Lajmi është konfirmuar nga Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, gjatë komunikimeve zyrtare me Presidenten Osmani, e cila e cilësoi këtë zhvillim si një “lajm të shkëlqyeshëm për Kosovën”.

    “Kjo është një mbështetje me ndikim transformues për sektorin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Mirënjohje e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Osmani në deklaratën e saj publike.

    Kompakti i MCC pritet të sjellë investime strategjike në infrastrukturën energjetike, duke ndihmuar Kosovën në forcimin e sigurisë energjetike, rritjen e kapaciteteve për energji të pastër dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik.

    Ky vendim nënvizon edhe një herë partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, dhe vjen në një moment kyç për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe forcimin e institucioneve të vendit.

  • AUV: Ndalohet importi i kafshëve të gjalla nga Serbia

    AUV: Ndalohet importi i kafshëve të gjalla nga Serbia

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar ndalimin e përkohshëm të importit të kafshëve të gjalla dhe produkteve të derrit nga Serbia, pas konfirmimit të rasteve me sëmundjet “Gjuha e Kaltër” dhe “Murtaja Afrikane e Derrit” në këtë shtet.

    Sipas AUV-së, ndalimi përfshin gjedhet, delet, dhitë dhe derrat, si dhe çdo produkt me origjinë nga derri, përfshirë edhe ushqimet në bagazhet personale.

    Qëllimi i masës është të parandalohet përhapja e këtyre sëmundjeve virale në territorin e Kosovës.

    Për këtë arsye, autoritetet kufitare janë udhëzuar të shtojnë kontrollet në të gjitha pikat hyrëse, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje që ta respektojnë vendimin dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit të kafshëve.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për sulm ndaj KFOR-it e Policisë së Kosovës

    Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për sulm ndaj KFOR-it e Policisë së Kosovës

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj M.A për përfshirje në sulmin e dhunshëm të 29 majit 2023 në komunën e Zveçanit, ku u lënduan dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.

    Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, M.A akuzohet për katër vepra penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale – huliganizëm”, “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Posedim i paautorizuar i armëve”.

    Ngjarja, që ndodhi në afërsi të ndërtesës komunale në Zveçan, përshkallëzoi në dhunë serioze, ku M.A , së bashku me të pandehur të tjerë, sipas Prokurorisë, ka përdorur shufra, kokteje molotovi, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri për të sulmuar forcat e sigurisë, duke mos iu bindur urdhrave të KFOR-it për shpërndarje paqësore të turmës.

    Si pasojë, janë lënduar të paktën 30 ushtarë të KFOR-it dhe disa zyrtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, përfshirë automjete të policisë dhe të gazetarëve që mbulonin protestën.

    Gjatë hetimeve, ndaj të pandehurit janë sekuestruar armë zjarri dhe substanca narkotike, për të cilat Prokuroria ka kërkuar konfiskim dhe shkatërrim ligjor.

    PSRK gjithashtu ka propozuar që të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj M.A deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, për shkak të natyrës së rëndë të veprave dhe rrezikut të përsëritjes së tyre.

  • Në Brekoc të Gjakovës gjenden mbetje mortore, dyshohet se janë nga lufta e fundit

    Në Brekoc të Gjakovës gjenden mbetje mortore, dyshohet se janë nga lufta e fundit

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka konfirmuar të mërkurën gjetjen e mbetjeve mortore në fshatin Brekoc të Gjakovës, gjatë gërmimeve që po realizohen në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Policinë e Kosovës.

    Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, gjetja e eshtrave dyshohet të jetë e lidhur me personat që ende figurojnë të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

    “Pas vazhdimit të gërmimeve dhe vlerësimeve në këtë lokacion, ekipet tona kanë gjetur eshtra”, thuhet në komunikatë.

    Tani, mbetjet e gjetura do t’i nënshtrohen analizave antropologjike dhe identifikimit përmes ADN-së. Pasi të përfundojnë procedurat laboratorike, familjet e viktimave do të njoftohen për rezultatet dhe identitetin e mbetjeve.

    “Komisioni dhe partnerët institucional janë të përkushtuar për trajtimin me prioritet dhe kujdes të posaçëm të kësaj çështjeje, në shërbim të familjeve të viktimave dhe për të vënë drejtësinë në vend.”, thuhet tutje në njoftim.

  • Bastisje në burgun e Dubravës, kapen lëndë narkotike e telefona

    Bastisje në burgun e Dubravës, kapen lëndë narkotike e telefona

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka ndërmarrë një aksion të suksesshëm parandalues kundër një tentative për futje të kontrabandës në zonën sterile të Qendrës Korrektuese në Dubravë.

    Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se pas pranimit të informacioneve proaktive dhe organizimit operativ në bashkëpunim me Njësinë e Inteligjencës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, në koordinim dhe nen organizimin e Departamentit për Siguri të Qendrës Korrektuese të Dubravës, është realizuar një bastisje e menjëhershme.

    Tutje në postim thuhet se gjatë kontrollit janë zbuluar pesë qese të zeza, të mbështjella dhe të izoluara me izolir të tejdukshëm.

    “Qeset janë lokalizuar dhe brenda tyre janë gjetur: lëndë e dyshuar narkotike e ndarë në disa njësi, me peshë të përgjithshme prej 98 gramësh (me mbështjellës); pesë telefona të markës Samsung, prej të cilëve njëri kishte SIM kartelë të vendosur të operatorit IPKO, si dhe dy SIM kartela të papërdorura të të njëjtit operator”, thuhet në postim.

    Po ashtu siç bëhet e ditur në postim ky operacion është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Njësisë së Inteligjencës, Departamentit të Sigurisë së QK Dubravë dhe zyrtarëve përgjegjës të sigurisë, dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës për të parandaluar çdo përpjekje për futjen e kontrabandës dhe për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të kontrolluar brenda institucioneve korrektuese.

  • Hawaii dhe Japonia ulin alarmin për cunami pas tërmetit 8.8 ballësh në lindjen e largët të Rusisë

    Hawaii dhe Japonia ulin alarmin për cunami pas tërmetit 8.8 ballësh në lindjen e largët të Rusisë

    Hawaii dhe disa pjesë të Japonisë kanë ulur nivelin e alarmit për cunami në nivele këshilluese, pasi njëri nga tërmetet më të forta të regjistruara ndonjëherë goditi lindjen e largët të Rusisë në orët e hershme të së mërkurës, raporton AP.

    Tërmeti me magnitudë 8.8 shkaktoi valë cunami që arritën deri në Japoni, Hawaii dhe në disa pjesë të Oqeanit Paqësor. Deri më tani, nuk është raportuar për dëme të mëdha, por autoritetet paralajmërojnë qytetarët të qëndrojnë larg vijave bregdetare, duke theksuar se rreziku mund të zgjasë më shumë se një ditë.

    Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka njoftuar se paralajmërimi për cunami është ulur në bregun jugor të Paqësorit pranë Fukushimës, ndërsa mbetet në fuqi në pjesën veriore.

    Shefi i Departamentit të Mbrojtjes së Hawaiit, Gjeneralmajor Stephen Logan, ka sqaruar se niveli këshillues nënkupton mundësinë e rrymave të forta dhe valëve të rrezikshme, si dhe përmbytjeve në plazhe dhe porte.

    “Urdhri për evakuim është pezulluar dhe është konstatuar se situata është e sigurt për banorët që të kthehen në zonat përkatëse”, bëri të ditur Logan.

    Ndërkohë, fluturimet janë rifilluar në aeroportin ndërkombëtar të Honolulut, ndërsa Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave e Hawaiit njoftoi se portet tregtare do të rihapen.