ATV

Category: Lajme

  • Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj Kurtit

    Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj Kurtit

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Në njoftimin zyrtar, Prokuroria bën të ditur se aktakuza ndaj F.K. dhe N.S. për veprën penale “Kanosja” është dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    “Sipas aktakuzës, më 29.08.2023, i pandehuri F.K., me qëllim që ta frikësojë dhe ta detyrojë personin zyrtar tani të dëmtuarin A.K., në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e ka kanosur atë përmes profilit të tij personal në rrjetin social ‘Facebook’, duke postuar shkrime me përmbajtje kërcënuese”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Pas reagimeve të opinionit publik për këtë kërcënim, më 30.08.2023, i pandehuri F.K. thuhet se ka përsëritur një postim me përmbajtje të ngjashme, duke theksuar:
    “… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”.

    Ndërkohë, i pandehuri tjetër, N.S., sipas aktakuzës, e ka kanosur me vrasje kryeministrin në detyrë përmes postimeve publike në rrjetin social “Facebook”, “duke iu referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri F.K.”.

  • Osmani për heqjen e tarifave ndaj produkteve amerikane: Kosova është partneri juaj i besueshëm

    Osmani për heqjen e tarifave ndaj produkteve amerikane: Kosova është partneri juaj i besueshëm

    Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nga sot hyn në fuqi vendimi i Kosovës për një tarifë ZERO për të gjitha mallrat amerikane.

    Ajo përmes një shkrimi në llogarinë e saj në X theksoi se është krenare që Kosova është i vendi i parë që propozoi heqjen e saj.

    “Jemi krenarë që kemi qenë vendi i parë që propozoi heqjen e të gjitha barrierave ndaj aleatit tonë më strategjik. Për presidentin amerikan dhe popullin amerikan: Kosova është partneri juaj i besueshëm në përpjekjet tuaja për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë”.

    Qeveria në detyrë mori vendim sot që ta heqë tarifën prej 10 për qind për mallrat nga Amerika.

    Kosova heq tarifën 10 për qind ndaj produkteve amerikane

  • Shemsi Duriqi emërohet Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë

    Shemsi Duriqi emërohet Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë

    Qeveria e Kosovës ka emëruar Zyrtari përgjegjës për informim në AKF, Shemsi Duriqi si Drejtor Ekzekutiv të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë (AKF), raporton Ekonomia Online.

    Propozimi u bë nga ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, i cili njoftoi se janë ndjekur të gjitha procedurat për vlerësimin profesional të kandidatëve.

    Duriqi do ta ushtrojë këtë detyrë për një mandat katërvjeçar.

    “Ministria ka zhvilluar procedurat për këtë pozitë, për zyrtarë publik. Ka kryer vlerësimin profesional të kandidatëve dhe ka rekomanduar kandidatët që plotësojnë kriteret. Propozoj që qeveria të emëroj Shemsi Duriqi të emëroj drejtor ekzektuiv të AKF, për një mandat katër vjeçar”, ka propozuar Sveçla.

  • Kurti: Serbia po vazhdon përpjekjet për destabilizim të vendit tonë

    Kurti: Serbia po vazhdon përpjekjet për destabilizim të vendit tonë

    Qeveria në detyrë është duke mbajtur mbledhjen e radhës. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia po vazhdon përpjekjet për destabilizimin e vendit tonë.

    Kurti foli edhe për arrestimet e fundit të personave të dyshuar për spiunazh, Bojan Jevtiq dhe Igor Popoviq.

    “Serbia po vazhdon përpjekjet për destabilizim të vendit tonë, mirëpo institucionet e sigurisë së inteligjencës në vendin tonë janë duke u kundërvënë suksesshëm ndaj këtyre përpjekjeve. Këtu përfshihen edhe arrestimet e personave përgjegjëse, me dëshmi. Sikurse rasti i fundit, i togerit në Policinë e Kosovës, i arrestuar më 17 korrik, dhe Igor Popoviq”, tha Kurti.

    Tutje në fjalimin e tij, Kurti tha se dënojnë sulmet në Gazë, ku po rezultojnë me vdekjen e civilëve.

  • Kosova heq tarifën 10 për qind ndaj produkteve amerikane

    Kosova heq tarifën 10 për qind ndaj produkteve amerikane

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot se Qeveria ka miratuar vendimin për heqjen e të gjitha tarifave doganore ndaj produkteve me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Gjatë mbledhjes së qeverisë, Kurti theksoi se taksa prej 10 për qind që ishte në fuqi deri më tani do të ulet në zero.

    “Tjetër vendim shumë të rëndësishëm që po marrim sot është largimi i tarifës doganore me ShBA-të,” tha ai. “Kështu që tani e tutje të gjitha produktet me origjinë nga ShBA-të do të kenë tarifë zero për qind.”

    Sipas Kurtit, ky hap do të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike mes dy vendeve.

    “Kosova i mirëpret produktet amerikane në vendin tonë dhe besojmë fuqishëm që kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar si dhe shtimin e investimeve,” theksoi ai.

  • Protestojnë punëtorët e KOSTT-it, kërkojnë rritje pagash

    Protestojnë punëtorët e KOSTT-it, kërkojnë rritje pagash

    Sindikata e pavarur e Punëtorëve të KOSTT-it ka mbajtur protestë para ndërtesës së KOSTT-it në Prishtinë.

    Protestuesit kërkojnë rritje të pagave, duke e arsyetuar me rritjen e vazhdueshme të kostos së jetesës. Përveç kësaj, ata kanë shprehur një varg shqetësimesh përmes pankartave që mbanin në duar, ku denoncojnë padrejtësi dhe diskriminime brenda kompanisë, mungesë të kompensimit të orëve shtesë, parregullsi në konkurset e brendshme dhe përshkrimet e vendeve të punës.

    Në njoftimin e Sindikatës për këtë protestë, thuhet se ata kërkojnë nga menaxhmenti i KOSTT-it që të rishqyrtojë me urgjencë mundësinë për përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve.

  • Tentim vrasje në Viti, i mituri sulmon me bisht sëpate shokun e tij

    Tentim vrasje në Viti, i mituri sulmon me bisht sëpate shokun e tij

    Një përleshje mes të miturve ka përfunduar me tentativë për vrasjeje mbrëmë në qytetin e Vitisë.

    Ngjarja ndodhi rreth orës 21:40 në rrugën “Adem Jashari”, ku një 17-vjeçar dyshohet se e ka goditur me bisht sëpate në kraharor një të ri 18-vjeçar pas një konflikti verbal.

    Viktima ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ku mjekët kanë konstatuar se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë.

    Policia ka intervistuar të dyshuarin në prani të prindit dhe avokatit, ndërsa viktima është marrë në pyetje në ambientet e emergjencës. Me urdhër të Prokurorit të rastit, i mituri është ndaluar për 24 orë dhe hetimet për rastin janë duke vazhduar.

  • Djali sulmon prindërit në Gllanasellë të Drenasit, Policia e arreston dy ditë pas ngjarjes

    Djali sulmon prindërit në Gllanasellë të Drenasit, Policia e arreston dy ditë pas ngjarjes

    Një rast dhune në familje është raportuar në fshatin Gllanasellë të Drenasit, ku një burrë ka ushtruar dhunë fizike ndaj prindërve të tij dhe është larguar nga vendngjarja.

    Incidenti ka ndodhur më 29 korrik rreth orës 20:40, pas një mosmarrëveshjeje familjare.

    Sipas Policisë, viktimat kanë raportuar se janë sulmuar fizikisht nga djali i tyre, të cilët kanë pësuar lëndime trupore.

    Menjëherë pas ngjarjes, Policia ka nisur hetimet dhe me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar si “dhunë në familje”.

    Pas dy ditësh kërkimesh, dje rreth orës 22:00, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në stacionin policor për intervistim.

    Me vendim të prokurorit të rastit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për të sqaruar motivin e ngjarjes janë duke vazhduar.

  • Rasti i Agon Zejnullahut – Apeli liron pesë zyrtarët policorë nga masa e paraburgimit, do të mbrohen në liri

    Rasti i Agon Zejnullahut – Apeli liron pesë zyrtarët policorë nga masa e paraburgimit, do të mbrohen në liri

    Gjykata e Apelit ka vendosur të lirojë nga paraburgimi pesë zyrtarët policorë që po hetohen për vrasjen nga pakujdesia të të ndjerit Agon Zejnullahut.

    Policët, Ibrahim Nela, Albion Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri do të mbrohen në liri, pasi Apeli e vlerësoi se nuk ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, baza e vetme mbi të cilën ishte vendosur masa e paraburgimit.

    Në aktvendimin e sotëm, Gjykata e Apelit konstatoi se megjithëse ekziston dyshimi i bazuar se veprimet e policëve gjatë arrestimit të Agon Zejnullahut kanë qenë të pakujdesshme dhe potencialisht shkaktuan vdekjen e tij, nuk janë paraqitur rrethana konkrete që do të justifikonin rrezikun e përsëritjes së veprës.

    Gjykata theksoi se të pandehurit janë tashmë të suspenduar nga detyra dhe nuk paraqesin rrezik të tillë.

  • Gjuriq telefonon sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, i kërkon atij lirimin e Popoviqit të arrestuar në Kosovë

    Gjuriq telefonon sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, i kërkon atij lirimin e Popoviqit të arrestuar në Kosovë

    Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, nëpërmjet një bisede telefonike, ka shprehur shqetësimin Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Gueterres, lidhur me arrestimin e zyrtarit serb, Igor Popoviq, në Kosovë.

    Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme serbe thuhet se Gjuriq theksoi se veprime të tilla përfaqësojnë “një përpjekje të rrezikshme për të frikësuar komunitetin serb dhe për të minuar dialogun.

    Gjuriq theksoi se Serbia pret një angazhim të qartë dhe parimor nga ndërkombëtarët, veçanërisht Misionit të OKB-së në Kosovë, “UNMIK”, prania e të cilit mbetet me rëndësi kyçe për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së popullit tonë në terren, njoftoi ministria.

    Popoviq u arrestua në Brnjak për nxitje të urrejtjes pasi e quajti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “terroriste” në një fshat të Rahovecit.