ATV

Category: Lajme

  • Hyrje-daljet në kufijtë e vendit, pritja deri në 15 minuta

    Hyrje-daljet në kufijtë e vendit, pritja deri në 15 minuta

    Qendra për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat për gjendjen në pikat kufitare, duke njoftuar se mëngjesi i sotëm është karakterizuar nga një situatë e qetë.

    Pika më e ngarkuar për hyrje në Kosovë është ajo e Vërmicës, ku pritjet arrijnë deri në 15 minuta. Ndërkohë, në pikat e Merdarës dhe Muçibabës, pritjet nuk kalojnë 10 minuta.

    Sa i përket daljeve nga Kosova, më e ngarkuara është pika kufitare e Dheu i Bardhë, ku qytetarët duhet të presin deri në 15 minuta.

  • Gjermania paralajmëron sanksione ndaj Izraelit: Gjendja në Gaza është e papranueshme

    Gjermania paralajmëron sanksione ndaj Izraelit: Gjendja në Gaza është e papranueshme

    Qeveria gjermane po shqyrton vendosjen e sanksioneve ndaj Izraelit për shkak të përkeqësimit të situatës humanitare në Rripin e Gazës.

    Kancelari Friedrich Merz deklaroi se një vendim mund të merret në ditët e ardhshme, pasi të pranohet raporti i plotë nga Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul, i cili ndodhet në një vizitë në Lindjen e Mesme për të vlerësuar gjendjen.

    “Gjendja në Gaza është e papranueshme.”, tha Merz, duke theksuar se Gjermania nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj vuajtjeve të civilëve palestinezë.

    Edhe Wadephul paralajmëroi se nëse nuk ka përparim për të ndihmuar popullsinë civile, Izraeli rrezikon izolim ndërkombëtar.

    Për të treguar angazhim humanitar, Gjermania, së bashku me Britaninë dhe Francën, organizuan një urë ajrore për dërgimin e ndihmave emergjente në Gaza. Dy aeroplanë ushtarakë gjermanë hodhën 34 paleta me ushqime, ujë dhe ilaçe.

    Ky vendim i mundshëm për sanksione përbën një ndryshim të madh në politikën tradicionalisht pro-izraelite të Berlinit dhe mund të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve. Zyrtarët gjermanë theksojnë se qëllimi nuk është ndëshkimi, por nxitja e një reagimi më të përgjegjshëm nga qeveria izraelite.

  • Evropa e prekur këtë verë nga thatësira rekord

    Evropa e prekur këtë verë nga thatësira rekord

    Më shumë se gjysma e tokës në vendet europiane, kryesisht në lindje, në fillim të korrikut ishte prekur nga thatësira, rezulton nga një hulumtim i të dhënave të fundit të Observatorit Europian të Thatësirave (EDO).

    Kjo është hapësira më e madhe e prekur prej thatësirës në harkun kohor 1 deri më 10 korrik që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2012.

    Vlera ishte 21 përqind mbi mesataren e viteve 2012 deri në 2014. Krahasur me qershorin, kur 55,5 përqind e sipërfaqes ishte e prekur nga thatësira, vlera ka rënë paksa.

    Hulumtimi i thatësirave nga programi i Observatorit europian Copernicus bazohet në imazhet satelitore dhe tre parametrave që merren parasysh: reshjet, lagështira e tokës dhe gjendja e vegjetacionit.

    Më shumë e prekur nga thatësira lindja e Europës

    Në Serbi, Bullgari dhe Kosovë toka ishte e prekur tërësisht nga thatësira. Edhe në Armeni dhe Turqi sipërfaqe të mëdha – 77 deri në 95 përqind e vendit – janë prekur nga thatësira. Në Turqi thatësira e shoqëruar edhe me erëra të forta ka shkaktuar zjarre, njofton dw.

    Siria ndërkohë është prekur nga thatësira, që po rrezikon të korrat e grurit dhe sipas OKB-së është e rrezikuar garancia për ushqim për 16 milion njerëz. Në Europën perëndimore gjendja ka qenë me dallime, ndërsa në Francë një e treta e tokës u prek nga thatësira, Spanja dhe Portugalia nuk u prekën fort nga thatësira.

  • Deri në dy orë pritje për të hyrë në Kosovë nga Dheu i Bardhë

    Deri në dy orë pritje për të hyrë në Kosovë nga Dheu i Bardhë

    Po vazhdojnë kolonat dhe pritjet e mërgimtarëve me orë, nëpër pikat kufitare për të hyrë në Kosovë.

    Në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, pritjet arrijnë deri në dy orë, ndërsa në Muçbabë deri në 40 minuta. Në Merdarë dhe Jarinjë, qytetarët presin mesatarisht nga 10 deri në 15 minuta.

    Ndërkohë, në pikat e tjera kufitare, pritjet janë më të shkurtra, duke lëvizur nga 1 deri në 5 minuta.

     

  • 1,100 raste të reja me kancer në një vit, dominon kanceri i gjirit dhe ai i mushkërive

    1,100 raste të reja me kancer në një vit, dominon kanceri i gjirit dhe ai i mushkërive

    Gjatë këtij viti në Kosovë janë regjistruar rreth 1,100 raste të reja me kancer.

    Sipas Klinikës së Onkologjisë në QKUK, kanceri i gjirit mbetet më i shpeshti tek femrat, me 230 raste, ndërsa te meshkujt dominon kanceri i mushkërive.

    Drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi, ka bërë të ditur se grupmoshat më të prekura janë ato nga 50 deri në 60 vjeç, por po vërehet rritje shqetësuese edhe tek personat nën moshën 50 vjeç.

  • Barduani takon zyrtarin amerikan të Mbrojtjes: Rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të ShBA-së në misionin e KFOR-it në Kosovë

    Barduani takon zyrtarin amerikan të Mbrojtjes: Rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të ShBA-së në misionin e KFOR-it në Kosovë

    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, është takuar sot me Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Mbrojtjes për politikën evropiane dhe të NATO-s, David Baker, në selinë e KFOR-it në Prishtinë.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, takimi u cilësua si një mundësi e rëndësishme për të ndarë qëndrime mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe për të diskutuar rrugët më të mira për mbështetjen e një angazhimi të ripërtërirë politik për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

    “Baker rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të SHBA-së në misionin e KFOR-it në Kosovë, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, thuhet më tej në njoftim.

  • 1 gushti, afati i “luftës së tarifave”, rezultatet dhe reagime

    1 gushti, afati i “luftës së tarifave”, rezultatet dhe reagime

    NGA ANASTAS ANGJELI

    Pas muajsh tensionesh dhe presionesh në luftën tregtare për përshkallëzimin e ri tarifor nga Shtetet e Bashkuara, ndaj të gjitha vendeve të tjera të shpallura nga Presidenti Trump, mbërritëm në afatin e fundit të hyrjes në fuqi dhe zbatimit të tyre.

    CILAT JANË REZULTATET?

    SHBA dhe Bashkimi Evropian arritën një marrëveshje tregtare që ndryshon rrënjësisht natyrën e marrëdhënieve ekonomike transatlantike. Kështu, një luftë tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian duket se është shmangur, por BE-ja ka dalë e dëmtuar dhe marrëdhëniet transatlantike mbeten të paparashikueshme. Këto janë përfundimet kryesore pas arritjes së marrëveshjes për një kornizë tregtare ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit, në Skoci, më 27 korrik.

    Kjo marrëveshje, e cila parashikon vendosjen e një tarife të përbashkët 15% për një gamë të gjerë mallrash evropiane që hyjnë në tregun amerikan, u paraqit si një kompromis i dhimbshëm, por i domosdoshëm, për të shmangur tarifat e larta që Presidenti Trump kishte paralajmëruar më herët. Pavarësisht se nga një pjesë e zyrtarëve të lartë të BE-së konsiderohet si një “zgjidhje e balancuar”, ajo dëshmon për një ndryshim strukturor në mënyrën se si konceptohet dhe negociohet tregtia ndërkombëtare në një botë gjithnjë e më të ndarë dhe të paqëndrueshme gjeopolitikisht. Tarifa 15% nuk është vetëm një shifër. Ajo prek sektorë kritikë të ekonomisë evropiane, duke filluar nga industria e automjeteve, tek ajo farmaceutike, e deri tek teknologjitë e avancuara dhe gjysmëpërçuesit. Kjo tarifë do të zbatohet mbi një bazë të gjerë, por përjashton disa kategori strategjike mallrash, si pjesët përbërëse të avionëve, lëndët e para të rralla, pajisjet për prodhimin e mikroçipave dhe disa preparate farmaceutike të domosdoshme për kujdesin shëndetësor bazik. . Çeliku dhe alumini do të vazhdojnë të taksohen me 50%, edhe pse do të vendoset një sistem kuotash që do të lejojë që disa produkte të tregtohen nën nivelin e tarifës.

    Çeliku dhe alumini do të vazhdojnë të taksohen me 50%, edhe pse do të vendoset një sistem kuotash që do të lejojë që disa produkte të tregtohen nën nivelin e tarifës.

    Megjithatë marrëveshja tregtare përfshin përjashtime dhe përkufizime të shumta. Duhet kujtuar se kjo është vetëm një marrëveshje kornizë dhe detajet e saj vendimtare do të negociohen në javët në vijim. Brukseli dhe Uashingtoni kanë rënë tashmë dakord për tarifa zero mbi avionët, gjysmëpërçuesit, lëndët e para kritike, si dhe disa produkte kimike e bujqësore. Pritet që lista e produkteve me përjashtime të zgjerohet edhe më shumë – veçanërisht pas një fushate lobimi të shtuar nga të dy anët e Atlantikut.

    Përjashtimet tregojnë një përpjekje për të ruajtur integritetin e zinxhirëve kritikë të furnizimit mes dy ekonomive më të mëdha të botës, por në të njëjtën kohë shërbejnë si një kujtesë se kjo është një marrëveshje që është sa politike po aq dhe ekonomike.

    BE, për të shmangur tarifa shumë më të mëdha dhe për të ruajtur qasjen në tregun amerikan, ka pranuar një sërë angazhimesh të tjera që shtrihen përtej fushës së tregtisë konvencionale. Në qendër të marrëveshjes qëndron zotimi për të blerë energji amerikane në vlerë prej 750 miliardë dollarësh deri në vitin 2027, (kjo përshtatet plotësisht me nivelet e tanishme të importit, sidomos kur merret në konsideratë qëllimi për të eliminuar blerjet nga Rusia që ende arrijnë në 23 miliardë dollarë në vit.) si dhe për të investuar rreth 600 miliardë dollarë në sektorë të përzgjedhur të ekonomisë amerikane, veçanërisht në infrastrukturën prodhuese, teknologjinë e mbrojtjes dhe sektorët që lidhen me prodhimin strategjik. Këto investime përfshijnë edhe një pjesëmarrje më të theksuar të kapitalit evropian në rindërtimin e industrisë amerikane të mikroteknologjisë, e cila është kthyer në një fushë të luftës gjeopolitike me Kinën.

    MARRËVESHJET E TJERA TË ARRITURA DHE NDËSHKIMET

    Duket se në afatin e vendosur(1 gusht) nuk arrit të realizoheshin marrëveshjet e parashikuara . Ja gjendja e tregtisë globale dhe marrëveshjet:

    Mbretëria e Bashkuar, ishte e para që arriti një marrëveshje tregtare me SHBA-në, duke e mbyllur atë në maj. Korniza përfshin një tarifë bazë prej 10% për mallrat britanike, si dhe kuota dhe përjashtime të ndryshme për produkte të tilla si makinat dhe produktet e hapësirës ajrore. Disa pjesë të marrëveshjes së tyre tregtare mbeten të pasigurta. Kjo përfshin tarifat për çelikun dhe aluminin në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat SHBA-të kanë rënë dakord t’i ulin. Bisedimet mbi taksën e shërbimeve digjitale të Mbretërisë së Bashkuar, të cilën Trump dëshiron ta heqë, duket se po vazhdojnë, gjithashtu.

    Vietnami: Tarifat përgjysmohen. Vietnami ishte i dyti që arriti një marrëveshje me administratën Trump, teksa presidenti amerikan njoftoi një marrëveshjen tregtare më 2 korrik, duke rezultuar në uljen e tarifave të vendosura ndaj Vietnamit nga 46% në 20%. Një pikë tjetër në marrëveshje ishte një tarifë prej 40% për produktet e “transportimit” me origjinë nga një vend tjetër që kalojnë nëpër Vietnam para se të arrijnë në SHBA, por është e paqartë se si do të zbatohet. Trump, gjithashtu, pretendoi se produktet amerikane do të kishin akses të plotë në tregun vietnamez.

    Indonezia: Heqja e barrierave. Norma e tarifave të Indonezisë u ul në 19% nga 32% në marrëveshjen e saj me Trump, e cila u njoftua më 15 korrik. Shtëpia e Bardhë tha se Indonezia do të eliminonte tarifat për më shumë se 99% të produkteve amerikane të eksportuara në Indonezi në të gjithë sektorët, duke përfshirë produktet bujqësore dhe energjinë.

    Filipinet: Ulje minimale. Ndryshe nga partnerët e mësipërm të ASEAN-it që patën ulje të konsiderueshme, Filipinet panë një rënie prej vetëm 1%, nga 20% në 19%, më 22 korrik.

    Japonia: Orizi dhe makinat. Japonia ishte ekonomia e dytë e madhe aziatike që arriti një marrëveshje me SHBA-në pas Kinës, me normën e tarifës të ulur në 15% nga 25% më 23 korrik dhe ishte ekonomia e parë që pa një normë më të ulët tarifore për sektorin e saj kyç të automobilave.

    Koreja e Jugut, gjithashtu, në 15%.Koreja e Jugut është vendi i fundit që arriti një marrëveshje me SHBA-në, të enjten, me kushte disi të ngjashme me ato të vendosura ndaj Japonisë. Vendi do të shohë një tarifë të përgjithshme prej 15% mbi eksportet e tij, ndërsa tarifat e automjeteve gjithashtu ulen në 15%.

    Kina: Bisedimet vazhdojnë. Bisedimet tregtare të administratës Trump me Kinën kanë marrë një rrugë të ndryshme nga pjesa tjetër e botës. Ekonomia e dytë më e madhe në botë ka qenë një objektiv i vazhdueshëm për tregtinë e Trump që kur ai mori detyrën.

    Në vend të një marrëveshjeje, Kina ka pranuar një sërë pezullimesh të tarifës “reciproke”. Fillimisht e vendosur në 34%, përpara se një sërë përshkallëzimesh dypalëshe të arrinin në 145% për importet nga Kina në SHBA dhe 125% për importet amerikane në Kinë.

    Megjithatë, të dy palët ranë dakord për një ulje të tarifave në maj pas takimit në Gjenevë, me një “armëpushim” deri më 12 gusht. Kina tani përballet me një tarifë totale prej 30%, ndërsa SHBA-të po shqyrtojnë tarifat prej 10%.

    Takimi më i fundit i vendeve në Stokholm përfundoi pa një zgjatje të “armëpushimit”, por Sekretari i Thesarit të SHBA-së tha se çdo zgjatje e armëpushimit nuk do të bihet dakord derisa Trump të nënshkruajë planin.

    VENDET PA NJË MARRËVESHJE

    Për vendet pa një marrëveshje, duket se ato do t’i nënshtrohen një tarife bazë globale më të lartë prej rreth 15%-20%, sipas Trump, më e lartë se 10% bazë e njoftuar në “Ditën e Çlirimit”. Vendet me një suficit tregtar me SHBA-në ka të ngjarë të përballen me një normë më të lartë tarifore.

    Kanadaja: Në muajt e fundit, ka pasur një shkëmbim të vazhdueshëm masash midis Kanadasë dhe SHBA-së. Që nga 1 gushti, Kanadaja do përballet me tarifa prej 35% për produkte të ndryshme, ndërsa Trump ka kërcënuar ta rrisë këtë normë në rast hakmarrjeje.

    Tarifa nuk përfshin tarifat individuale sektoriale. Trump ka përmendur vazhdimisht drogën që trafikohet nga Kanadaja në SHBA si arsye për vendosjen e tarifave.

    Kryeministri kanadez Mark Carney tha këtë javë se të dy vendet janë në një “fazë intensive” negociatash, duke treguar se një marrëveshje është e pamundur.

    Meksika: Asnjë shenjë progresi

    Ashtu si Kanadaja, Meksika ka qenë prej kohësh një objektiv i tarifave amerikane, me Trump që përmendi drogën dhe imigracionin e paligjshëm si arsye për vendosjen e tarifave ndaj fqinjit jugor të SHBA-së.

    Presidenti ka thënë se Meksika nuk ka bërë mjaftueshëm për të siguruar kufirin. Meksika pritet të goditet me një tarifë prej 30% dhe në rast hakmarrjeje, SHBA-të po paralajmërojnë për tarifa edhe më të larta. Duket se ne momentin e fundit shtyrja e vendosjes së tarifave ndaj Meksikes do të bëhet edhe për tre muaj të tjera.

    Australia: Australia aktualisht i nënshtrohet tarifës bazë prej 10%, pasi ka një deficit tregtar me SHBA-në. Megjithatë, mund të përballet me një tarifë më të lartë nëse Trump vendos ta rrisë normën bazë në 15%-20%.Nuk dihet nëse Australia është në negociata tregtare me Uashingtonin, ndërsa kryeministri Anthony Albanese raportohet të ketë argumentuar se deficiti dhe marrëveshja tregtare duhet të nënkuptojnë se nuk do të ketë.

    Vendet e BRICS. Presidenti Trump sulmoi vendet e BRICS kur deklaroi se do të “shkatërrojë” vendet anëtare të BRICS dhe vendet mbështetëse të kësaj organizate. Ai ka paralajmëruar tarifa 50% për Brazilin, 100 % për Indinë dhe 100 % për Rusinë nëse nuk arrin marrëveshjen e armëpushimit me Ukrainën.(Edhe pse Presidenti Rus Putin ka reaguar se ekonomia ruse ka fituar imunitet ndaj politikave të sanksioneve, dhe ish-Presidenti Medvedev ka theksuar se Rusia nuk është as Izraeli dhe as Irani, deklarata këto që kanë marrë kundërpërgjigje të ashpra nga Presidenti Trump).

    Po cilat janë reagimet ndaj marrëveshjeve? Reagimet brenda Bashkimit Evropian nuk kanë qenë të njëtrajtshme. Për disa, SHBA-ja ofroi pak ose aspak lëshime në këmbim, duke shkaktuar reagime të ashpra në disa vende evropiane që e quajtën marrëveshjen “dorëzim” dhe “nënshtrim”.

    Gjermania, e cila ka më shumë për të humbur nga një luftë tarifash, pasi është eksportuesi më i madh i automjeteve dhe makinerive në SHBA, e ka përshëndetur marrëveshjen si një kompromis të pashmangshëm. Ministri gjerman i ekonomisë e quajti këtë “një hap përpara në ruajtjen e partneritetit strategjik me SHBA-në dhe mbrojtjen e industrisë sonë eksportuese”. Megjithatë, jo të gjitha shtetet anëtare ndajnë të njëjtën pikëpamje. Franca, që prej kohësh ka qenë promotore e konceptit të “autonomisë strategjike evropiane”, ka kritikuar ashpër marrëveshjen, duke e cilësuar si një “ditë të errët për Evropën”. Për Parisin, kjo marrëveshje përbën një dorëzim të panevojshëm dhe të dëmshëm ndaj kërkesave të Uashingtonit, duke përçuar një sinjal dobësie dhe mungese koherence nga ana e BE-së. “Nuk mbaron këtu.” Më tepër sesa premtim, tingëllon si kërcënim nga presidenti francez Emmanuel Macron që ka shënjestruaar sërish marrëveshjen me SHBA-të për tarifat dhe punën e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, shkruan La Repubblica.

    E vetmja anë pozitive është “qëndrueshmëria dhe parashikueshmëria” e kushteve nën të cilat do të veprojnë kompanitë e eksportit. Qeveria franceze në veçanti po shtyn drejt përjashtimit për mjetet e aviacionit, verën dhe alkoolin nga tarifa e përgjithshme 15%.

    Vendet e tjera si Spanja, Italia nuk janë treguar entuziaste ndërsa vendet e vogla, përfshirë Irlandën dhe Holandën, janë treguar të shqetësuara për ndikimin disproporcional që do të ketë kjo tarifë mbi sektorët e tyre eksportues, ndërsa vende të Evropës Lindore kanë shprehur frikë se kjo marrëveshje thellon varësinë energjetike dhe financiare nga një aleat që nuk heziton të përdorë forcën për të arritur qëllimet e veta.

    Komisioneri i Tregtisë së BE-së, Maroš Šefèoviè, megjithatë, e quajti atë “marrëveshjen më të mirë që mund të kishim arritur në rrethana shumë të vështira”.

    Ndërkohë, nga këndvështrimi amerikan, marrëveshja tarifore me Bashkimin Evropian përfaqëson një sukses strategjik dhe një konfirmim të qasjes të administratës Trump ndaj partnerëve të saj ekonomikë. Shtetet e Bashkuara arritën të ushtrojnë presion të konsiderueshëm mbi BE-në duke kërcënuar me aplikimin e tarifave të ashpra 30% për importet evropiane, kryesisht në sektorët ku eksportet evropiane kishin peshë të lartë si industria automobilistike, pajisjet farmaceutike, makineritë industriale dhe komponentët elektronikë. Kërcënimi për vendosjen e këtyre tarifave, i mbështetur nga një diskurs politik tërheqës për bazën elektorale të Trump u përdor si mjet negociues për të arritur përfitime të qarta për industrinë dhe ekonominë amerikane.

    Administrata amerikane jo vetëm që arriti të reduktonte tarifat nga 30% në 15%, por në fakt e ktheu këtë “ulje” në një shkëmbim të favorshëm: në këmbim të saj BE u angazhua të realizojë blerje masive të energjisë amerikane – kryesisht LNG (gaz natyror i lëngshëm) – në vlerën prej 750 miliardë dollarësh deri në vitin 2027. Kjo jo vetëm që forcon industrinë energjetike amerikane dhe siguron tregje të qëndrueshme për prodhuesit e gazit dhe naftës, por gjithashtu dobëson më tej varësinë e Evropës nga furnizues të tjerë si Rusia, duke i dhënë një dimension gjeopolitik kontrollit të SHBA mbi furnizimet energjetike globale. Përveç kësaj, siç përmenda më sipër, BE ka pranuar të investojë rreth 600 miliardë dollarë në sektorë strategjikë brenda SHBA-së, përfshirë infrastrukturën e avancuar, teknologjinë e mbrojtjes dhe kapacitetet industriale të lidhura me zinxhirët globalë të prodhimit.

    Këto angazhime konsolidojnë rolin e SHBA-së jo vetëm si furnizues global, por edhe si vend pritës i investimeve strategjike nga aleatët e saj, në një kohë kur konkurrenca me Kinën po thellohet dhe kërkesa për shtrirje të ndikimit ekonomik është në rritje. Kjo marrëveshje forcon, gjithashtu, kapacitetin amerikan për të përcaktuar normat e lojës ekonomike. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është se marrëveshja ka një karakter të përkohshëm dhe të kushtëzuar – Presidenti Trump e ka bërë të qartë se çdo devijim i BE nga zotimet për blerje dhe investime mund të sjellë rikthimin automatik të tarifave në nivelin 30%, duke krijuar kështu një mekanizëm presioni të vazhdueshëm që mban Bashkimin Evropian në pozicion mbrojtës dhe të varur nga vullneti politik i Uashingtonit.

    Në këtë mënyrë, marrëveshja është jo vetëm një manovër tregtare, por një instrument i politikës së jashtme amerikane, diplomacisë ekonomike të saj, që synon të forcojë pozitën ekonomike, të rikthejë kontrollin mbi aleatët strategjikë dhe të theksojë rolin e SHBA-së si qendër e rëndesës në rendin ekonomik ndërkombëtar. Pra vështirë se një marrëveshje e tillë mund të konsiderohet si një rikthim te bashkëpunimi klasik transatlantik.

    Marrëveshja BE–SHBA nuk mund të kuptohet plotësisht pa e parë atë në kontekstin më të gjerë gjeopolitik dhe ekonomik. Ajo vjen në një moment kur bota është duke hyrë në një fazë të re fragmentimi ekonomik, ku logjika e sigurisë, e kontrollit teknologjik dhe e aleancave strategjike zëvendëson rregullat multilaterale të tregtisë që kanë qenë në fuqi për dekada. Në sfond qëndron konkurrenca në rritje me Kinën, përplasjet për teknologjitë e reja dhe përpjekja për të rikthyer prodhimin në vendet e origjinës. Bashkimi Evropian gjendet në një pozitë të ndërlikuar: i kapur mes presionit amerikan për të mbështetur industrinë dhe energjinë amerikane, dhe nevojës për të ruajtur unitetin e brendshëm mes shteteve anëtare që kanë interesa të ndryshme ekonomike.

    Në tërësi, marrëveshja e korrikut nuk është vetëm një dokument ekonomik, por një pasqyrim i një epoke të re në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku tregtia nuk është më e ndarë nga gjeopolitika, dhe ku shtetet përdorin tarifat, investimet dhe energjinë si mjete të politikës së jashtme. Bashkimi Evropian përballet me sfidën e përshtatjes në këtë realitet të ri, ndërsa SHBA tregon se është e gatshme të përdorë fuqinë ekonomike për të orientuar aleatët drejt interesave të veta strategjike. Pyetja që mbetet është nëse ky model bashkëpunimi, i ndërtuar mbi presion dhe koncesione, mund të jetë i qëndrueshëm në një botë që kërkon gjithnjë e më shumë stabilitet, drejtësi dhe besim të ndërsjellë.

  • Projekti për rehabilitim e kanalit të Ibër Lepencit është afër përfundimit

    Projekti për rehabilitim e kanalit të Ibër Lepencit është afër përfundimit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për ecurinë e rehabilitimit të kanalit Ibër Lepenc.

    Përmes një postimi në Facebook, ai ka theksuar se po bëhen investime jetike për infrastrukturën kritike, duke shtuar se ky kanal po bëhet më i qëndrueshëm dhe më i sigurt.

    Në të njëjtin postim, Kurti ka shpërndarë njoftimin e ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka bërë të ditur se projekti me vlerë 13 milionë eurosh është drejt përfundimit dhe ka arritur tw realizohet rreth 90 për qind.

    Ajo ka sqaruar se nga 20 kilometrat e pjesës së hapur të kanalit, 10 kilometra, aty ku kishte më shumë nevojë, janë duke u rehabilituar përmes bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe përkrahjen e Qeverisë së Kosovës.

    Ky kanal, me gjatësi prej 49 kilometrash, ka rëndësi jetike për furnizimin me ujë të pijshëm, ujitjen e tokave bujqësore dhe prodhimin e energjisë.

  • Bislimi: BE-ja aprovon aplikimet në programin e Kornizës Investuese, Kosova përfiton mbi 2 milion euro

    Bislimi: BE-ja aprovon aplikimet në programin e Kornizës Investuese, Kosova përfiton mbi 2 milion euro

    Zëvendëskryeministri në dorëheqje, Besnik Bislimi, ka njoftuar se Bashkimi Evropian ka miratuar aplikimet e Kosovës në programin e Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.

    Sipas tij, Kosova do të përfitojë mbi 2 milionë euro për projekte në fushën e energjisë dhe digjitalizimit.

    Ai ka theksuar se aplikimet kishin marrë fillimisht vlerësim pozitiv nga komisioni përkatës dhe tani janë aprovuar zyrtarisht.

    Bislimi ka kujtuar se aplikimet ishin dorëzuar vitin e kaluar, në një periudhë kur Kosova ishte nën masa nga Bashkimi Evropian, të cilat ai i ka cilësuar si të padrejta.

  • Zv.ndihmëssekretari i mbrojtjes i ShBA-së në Kosovë, pasdite takohet me Osmanin e Maqedoncin

    Zv.ndihmëssekretari i mbrojtjes i ShBA-së në Kosovë, pasdite takohet me Osmanin e Maqedoncin

    Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikën Evropiane dhe NATO-n, David Baker, po qëndron për vizitë në Kosovë.

    Pasditen e sotme, ai do të zhvillojë takime me krerët institucionalë të vendit. Fillimisht në orën 15:00 do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, ndërsa në orën 16:00 me ministrin në dorëheqje të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vizita përfaqëson një hap të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

    Edhe Ambasada amerikane ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Kosovë, Baker do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë për të diskutuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.