ATV

Category: Lajme

  • Sulmohet deputeti Adem Hoxha, Policia thotë se i dyshuari është ndaluar për 48 orë

    Sulmohet deputeti Adem Hoxha, Policia thotë se i dyshuari është ndaluar për 48 orë

    Deputeti Adem Hoxha është sulmuar fizikisht të premten në fshatin Zlipotok të Dragashit.

    Rreth orës 18:30, Policia është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare se një person ishte paraqitur me lëndime trupore.

    Sipas zëdhënësit të Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi, viktima ka marrë ndihmën e parë dhe është dërguar më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

    Mjekët kanë konstatuar se ai ka pësuar lëndime të lehta trupore.

    Motivi i sulmit ende nuk dihet. Në koordinim me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

  • Prokuroria Speciale lëshon urdhërarrest ndaj Goran Rakiqit, për shkak se i njëjti tri herë nuk iu është përgjigjur ftesave për intervistim

    Prokuroria Speciale lëshon urdhërarrest ndaj Goran Rakiqit, për shkak se i njëjti tri herë nuk iu është përgjigjur ftesave për intervistim

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Prokuroria Speciale ende është duke e hetuar rastin e vendosjes së barrikadave në rrugët e katër komunave veriore.

    Në këtë drejtim, kishte ftuar për intervistim politikanin serb, Goran Rakiq, i cili aso kohe shpesh paraqitej para kamionëve duke iu prirë protestuesve që ishin të shumtë në numër.

    Por, ish-deputeti dhe ish-kryetari i Listës serbe, nuk iu përgjigj këtyre ftesave, andaj Prokuroria speciale ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij.

    Kjo u konfirmua për ATV-në, pikërisht nga ky institucion.

    “Në kuadër të zhvillimit të këtyre hetimeve, Prokuroria ka ftuar tri herë për intervistim z. Goran Rakic. Mirëpo, i njëjti nuk është paraqitur në PSRK, fillimisht duke arsyetuar mungesën me probleme shëndetësore, ndërsa për dy ftesat e tjera nuk ka dhënë ndonjë arsyetim”, njoftuan nga Prokuroria Speciale.

    Barrikadat rast për të cilin po e heton prokuroria, ishin vendosur më 10 dhjetor të vitit 2022. Aso kohe, kamionët kishin qëndruar në rrugët kryesore që lidhin komunat veriore me njëra-tjetrën, duke mos u larguar për rreth 20 ditë.

    Kështu, nga bllokimi i rrugëve, qytetarët e atyre komunave, kishin mbetur për ditë të tëra me vështirësi në furnizim me gjëra elementare, derisa disa policë kufitarë kishin mbetur të bllokuar në pikën në Bërnjak, derisa ishte intervenuar me helikopterët e KFOR-it.

  • Dyshohet se keqtrajtoi një person gjatë arrestimit, IPK-ja rekomandon suspendimin i një polici

    Dyshohet se keqtrajtoi një person gjatë arrestimit, IPK-ja rekomandon suspendimin i një polici

    Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një zyrtari policor për shkak të një incidenti në Ferizaj.

    Ngjarja ka ndodhur mbrëmë para mesnatës kur disa zyrtarë policorë edhe pse e kishin sinjalizuar ndaljen e një veture, e njëjta nuk ishte ndaluar.

    Pas disa minutash ndjekjeje, policia arriti ta ndalonte veturën ku ndodheshin tre persona. Dyshohet se gjatë arrestimit, ndaj drejtuesit të mjetit, policia kishte përdorur forcë të tepruar, duke shkaktuar lëndime trupore.

    IPK-ja ka nisur hetimet për tejkalim të autorizimeve dhe keqpërdorim të forcës, në bashkëpunim me prokurorinë kompetente.

  • Zv.ndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje vjen në Kosovë, në fokus siguria

    Zv.ndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje vjen në Kosovë, në fokus siguria

    Zëvendësndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje, Politika Evropiane dhe NATO-n, David Baker, ka nisur një vizitë në Kosovë, ka bërë të ditur Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

    Sipas njoftimit, gjatë qëndrimit të tij Baker do të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të institucioneve kosovare, me fokus bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

    “Gjatë vizitës së tij, Baker do të takohet me zyrtarë të lartë të Kosovës për të diskutuar bashkëpunimin e vazhdueshëm SHBA-Kosovë në mbrojtje dhe përpjekjet e përbashkëta për të promovuar sigurinë rajonale”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

    Kjo shënon vizitën e parë të David Bakerit në Kosovë.

  • Ali Ahmeti mbështet protestën kundër Speciales: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë

    Ali Ahmeti mbështet protestën kundër Speciales: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë

    Lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, ka shprehur mbështetje për protestën kundër Gjykatës Speciale, e cila do të mbahet më 7 gusht në Prishtinë, duke u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen kësaj nisme.

    Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Ahmeti ka theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe e domosdoshme.

    “Lufta e popullit shqiptar e prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishtë e drejtë, e duhur dhe e përkrahur nga gjithë bota demokratike dhe liridashëse. Që nga paslufta, panumër procese gjyqësore ndërkombëtare e vendore dëshmuan çiltërsinë e luftës sonë për liri, demokraci, pavarësi. Drejtësia për popullin shqiptar nuk mund të bazohet në procese politike të imponuara nga Rusia dhe “dëshmi” të servuara nga Serbia. Unë jam pjesë e pandarë e luftës për liri të kombit tim dhe e mbështes protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. Ju ftoj të gjithëve që të shihemi bashkë më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të lirisë sonë”, ka shkruar Ahmeti.

  • Arrestohen tre persona në Prishtinë për keqpërdorim të kartelave bankare

    Arrestohen tre persona në Prishtinë për keqpërdorim të kartelave bankare

    Tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për përfshirje në veprimtari të paligjshme që lidhen me keqpërdorim të kartelave bankare dhe vjedhje të të dhënave personale.

    Operacioni është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në koordinim me prokurorinë dhe me urdhër të gjykatës, më 31 korrik 2025, në rajonin e Prishtinës.

    Fillimisht janë ndaluar dy persona, të cilët dyshohet se kanë përdorur kartela të bardha bankare (bllanko) dhe përmes rrjete ve sociale kanë shpërndarë video ku shfaqeshin duke tërhequr para në bankomate të ndryshme.

    Po ashtu, sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit kishin hapur edhe faqe në rrjete sociale për të promovuar përdorimin e këtyre kartelave. Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike si dëshmi materiale, përfshirë, dy kompjuterë, një laptop, dy telefona mobil, tri USB dhe një hard-disk (HDD).

    Të dyshuarit akuzohen për vepra penale si: “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit”, “Vjedhje e identitetit dhe kredencialeve”, dhe “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

    Më 1 gusht 2025, policia ka arrestuar edhe personin e tretë, gjithashtu mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e të njëjtit grup kriminal.

    Të tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, me vendim të prokurorit të rastit.

  • Ambasadori britanik: Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë krenare që ta quajnë Dua Lipën të tyren

    Ambasadori britanik: Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë krenare që ta quajnë Dua Lipën të tyren

    Në një ceremoni solemne në Prishtinë, këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, u nderua me shtetësinë e Republikës së Kosovës përmes një dekreti të nënshkruar nga Presidentja Vjosa Osmani.

    Përfaqësuesi diplomatik britanik, Jonathan Hargreaves, ishte gjithashtu i pranishëm dhe shprehu krenarinë që Britania dhe Kosova e konsiderojnë Duan si pjesë të tyre.

    Në një postim në Facebook, ambasadori britanik publikoi disa fotografi nga ceremonia dhe po ashtu pozoi me artisten.

    “Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë të dyja krenare që ta quajnë Dua Lipën të tyren. Faleminderit Presidente Osmani për ftesën në ceremoninë e veçantë ku Dua Lipa u nderua me nënshtetësinë e Republikës së Kosovës. Ishte një nder i madh të takoja Duan dhe të festonim një talent britaniko-kosovar kaq të veçantë.”, ka shkruar ambasadori britanik në Facebook.

  • Gjermania thotë se do të dërgojë sisteme të tjera Patriot në Ukrainë

    Gjermania thotë se do të dërgojë sisteme të tjera Patriot në Ukrainë

    Gjermania tha se së shpejti do të nisë dërgimin e dy sistemeve të tjera të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, teksa Kievi po përballet me intensifikim të sulmeve ruse me dronë dhe raketa.

    Sistemet Patriot janë të prodhimit amerikan, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Pas arritjes së një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara, ushtria gjermane do të dorëzojë lëshues shtesë të sistemit Patriot gjatë ditëve në vijim dhe do të furnizojë me komponentë të tjerë në dy-tre muajt e ardhshëm, tha Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi.

    Në këmbim, Gjermania është pajtuar me Departamentin amerikan të Mbrojtjes që të jetë “shteti i parë” që do të marrë me përparësi sistemet Patriot të gjeneratës më të re.

    Berlini aktualisht ka nëntë sisteme Patriot, teksa që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës i ka dërguar Kievit tri sisteme të tilla.

    Dy Patriot të Gjermanisë momentalisht janë të stacionuar në juglindje të Polonisë, ndërkaq një tjetër po përdoret për të trajnuar ushtarët ukrainas.

    Gjermania është mbështetësja e dytë, pas SHBA-së, sa i përket ndihmës ushtarake për Ukrainën.

    Sistemet Patriot prodhohen nga kompania amerikane e mbrojtjes, Raytheon dhe konsiderohen se janë një nga sistemet më efektive për rrëzimin e dronëve dhe raketave.

    Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se njoftimi i së premtes “tregon edhe një herë se Gjermania është mbështetësja më e fuqishme e Ukrainës sa i përket mbrojtjes ajrore”.

    Njoftimi vjen teksa javën e kaluar presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se shteti i tij po punon që të sigurojë financimin për 10 sisteme Patriot, pas marrëveshjes së arritur me SHBA-në, sipas së cilës, shtetet evropiane do të blejnë armatim amerikan dhe më pas do t’ia japin Kievit.

    Përveç Gjermanisë, Norvegjia, Holanda, Danimarka dhe Suedia kanë shprehur vullnet që të financojnë blerjen e këtij sistemi në bazë të marrëveshjes me Uashingtonin./REL

  • Heqja e tarifave doganore për produktet amerikane, OEA: Forcon partneritetin politik Kosovë–SHBA

    Heqja e tarifave doganore për produktet amerikane, OEA: Forcon partneritetin politik Kosovë–SHBA

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr tarifat doganore për të gjitha mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

    Në njoftimin e saj, Oda thekson se ky vendim pasqyron një angazhim strategjik për avancimin e marrëdhënieve tregtare me partnerin më të ngushtë politik dhe ekonomik të Kosovës.

    “Duke hequr tarifat doganore për mallrat amerikane, Kosova jo vetëm që forcon atraktivitetin e saj si një partner i besueshëm dhe i hapur për bizneset amerikane, por gjithashtu krijon mundësi të reja për konsumatorët dhe kompanitë vendase për plasim më të madh të produkteve cilësore amerikane, e me çmime më konkurruese. Në të njëjtën kohë, kjo masë hap rrugën për rritjen e flukseve tregtare, shkëmbimin teknologjik dhe investimet në sektorët kryesorë, të cilat do të përfitojnë ekonomitë e të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

    Sipas Odës, ky vendim i Qeverisë është gjithashtu një përgjigje ndaj thirrjeve të bëra më herët nga kjo organizatë për krijimin e një marrëdhënieje preferenciale tregtare, e cila mund të hapë rrugën për një marrëveshje të ardhshme të tregtisë së lirë me SHBA-të.

  • Aktakuzë ndaj Faton Klinakut për kanosje ndaj Kurtit – reagon Klinaku

    Aktakuzë ndaj Faton Klinakut për kanosje ndaj Kurtit – reagon Klinaku

    Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një aktakuzë ndaj Faton Klinakut dhe N.S., nën dyshimin për kanosje ndaj kryeministrit Albin Kurti gjatë vitit 2023, përmes komenteve në Facebook.

    Lidhur me këtë, ka reaguar vetë Klinaku, i cili tha se për aktakuzën është informuar përmes mediave dhe se as ai e as avokati i tij nuk janë njoftuar zyrtarisht.

    “Mezi po pres të ballafaqohem me A.K., të cilin edhe do ta ftoj si dëshmitar në gjykatë”, ka deklaruar ai.

    LEXONI EDHE:

    Ngrihet aktakuzë ndaj dy personave për kanosje ndaj Kurtit