ATV

Category: Lajme

  • Policia po e interviston qytetarin nga Shqipëria që shkeli me dy këmbë flamurin e Kosovës në Prishtinë

    Policia po e interviston qytetarin nga Shqipëria që shkeli me dy këmbë flamurin e Kosovës në Prishtinë

    Një qytetar nga Shqipëria, i veshur me bluzë kuq e zi dhe me flamurin shqiptar në duar, është filmuar duke shkelur flamurin e Kosovës në sheshin e Prishtinës.

    Pas pak minutash, ai u ndalua nga Ramadan Nishori, i mbijetuar i dhunës seksuale, i cili dëgjohet në video duke i thënë: “Mos ma shkel flamurin e Kosovës”.

    Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, konfirmoi se i dyshuari është nga Fieri dhe po intervistohet nga Policia.

  • E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në LDK, diskutohet bllokada institucionale dhe vendimi nga Kushtetuesja

    E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së në LDK, diskutohet bllokada institucionale dhe vendimi nga Kushtetuesja

    E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka vizituar sot Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku është pritur nga nënkryetarët e kësaj partie, Lutfi Haziri, Hykmete Bajrami dhe deputetja Jehona Lushaku-Sadriu.

    Siç njofton LDK, gjatë takimit u diskutua rreth zhvillimeve të fundit politike në vend, me theks të veçantë situatës së krijuar pas mos-konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

    “Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e trajtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, ku Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar lëndën për interpretim”, thuhet në komunikatë.

    LDK në takim ka thënë se është e rëndësishme që Kushtetuesja të marrë një vendim të drejtë, të bazuar në Kushtetutë dhe në interes të stabilitetit institucional, në mënyrë që vendi të dalë sa më parë nga kriza aktuale politike dhe institucionale.

    “LDK shpreh mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Kosovës në të gjitha fazat shtetformuese; dhe thekson se miqësia dhe partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve mbeten thelbësore për zhvillimin demokratik dhe euroatlantik të vendit”, përfundon komunikata.

  • Pas takimit me Osmanin e Kurtin, Sorensen paralajmëron vonesa në dialog për shkak të situatës politike në Kosovë

    Pas takimit me Osmanin e Kurtin, Sorensen paralajmëron vonesa në dialog për shkak të situatës politike në Kosovë

    Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka thënë se me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti kanë biseduar lidhur me implementimin e marrëveshjeve të arritura nga dialogu Kosovë-Serbi.

    Ai në një adresim për media, pas takimeve, ka deklaruar se për shkak të situatës aktuale politike në Kosovë gjërat mund të marrin më shumë kohë.

    “Sapo pata takim me  kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, jam këtu për shkak të mandatit tim, për të diskutuar se si ta implementojmë Marrëveshjen e Ohrit, sepse situata politike këtu nënkupton që gjërat mund të marrin më shumë kohë. Kështu që ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu”, ka thënë ai.

  • Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Thaçit, Smakajt, Kilajt dhe Fazliut

    Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Thaçit, Smakajt, Kilajt dhe Fazliut

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut, të cilët akuzohen së bashku me ish-ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçin, për akuzat vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

    Sipas gjyqtares së procedurës paraprake, Marjorie Masselot, të akuzuarit duhet të mbesin në paraburgim, me arsyetimin se vendimi është proporcional dhe i nevojshëm.

    Masselot ka vlerësuar se për ish-presidentin Thaçi vazhdon të ekzistojë dyshimi i bazuar se ai ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet, dhe ekziston rreziku që ai të arratiset dhe të pengojë procedurat.

    Në dhjetor, ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit u ngrit aktakuzë e re për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

    Sipas aktakuzës, Thaçi “në periudhën 12 prill 2023 deri më 2 nëntor 2024, gjatë vizitave në paraburgim, u ka dhënë informacione konfidenciale për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit”.

    “Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj, si dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte të Thaçit dhe të tjerëve”.

    Në aktakuzë, të dyshuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin për krimet e pretenduara të luftës ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

  • Tragjedi në Gaza: 20 të vdekur nga përmbysja e një kamioni me ndihma

    Tragjedi në Gaza: 20 të vdekur nga përmbysja e një kamioni me ndihma

    Agjencia e Mbrojtjes Civile në Gaza ka njoftuar se 20 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pasi një kamion që transportonte ndihma humanitare është përmbysur pranë kampit të refugjatëve Nuseirat, në qendër të Rripit të Gazës.

    “Sipas informacioneve tona, rreth mesnatës, një kamion që mbante ndihma u përmbys ndërsa qindra civilë po prisnin për ndihma. Si pasojë, 20 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur,” ka thënë zëdhënësi i agjencisë Mahmud Bassal për agjencinë franceze të lajmeve AFP.

    Hamasi e ka akuzuar Izraelin se po i detyron shoferët e kamionëve të ndjekin rrugë të pasigurta për të arritur në qendrat e shpërndarjes së ndihmave.

    “Kjo çon shpesh në grumbullimin e turmave të dëshpëruara që rrethojnë kamionët,” është thënë nga zyra mediatike e Hamasit në një deklaratë.

    Ndërkohë, shoferë lokalë kanë konfirmuar për mediat se turma të uritura njerëzish kanë hequr ndihmat nga kamionët në lëvizje, ndërsa disa mjete janë sulmuar nga persona të armatosur të lidhur me banda që më pas i shesin ndihmat në tregjet lokale me çmime shumë të larta.

  • Protesta e nesëme kundër Speciales, OVL-UÇK: Po synohet të rishkruhet historia

    Protesta e nesëme kundër Speciales, OVL-UÇK: Po synohet të rishkruhet historia

    Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) mbajtën një konferencë për media të martën, ku prezantuan detajet për protestën e nesërme, e cila do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

    Gazmend Syla, përfaqësues i këtyre organizatave, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për protestën, duke përfshirë kërkesën për leje nga Komuna e Prishtinës, njoftimin e Policisë së Kosovës dhe angazhimin e ambulancës për çdo nevojë.

    Ai gjithashtu theksoi se protestuesve do t’u ofrohet mundësia të vijnë me autobusë. Si folës për këtë protestë do të jenë profesoresha universitare Nevenka, organizatori Hysni Gucati, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe një djalë dëshmori.

    Syla bëri thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve, duke theksuar se protesta ka për qëllim dërgimin e një mesazhi të fortë edhe te bashkësia ndërkombëtare, duke treguar mbështetje për bashkëluftëtarët dhe duke u angazhuar për drejtësinë për ta.

    “Ne do të dërgojmë një mesazh të qartë për bashkësinë ndërkombëtare se bashkëluftëtarët tanë nuk janë vetëm. Do të jemi të gatshëm t’iu dalim në mbështetje sa herë të jetë nevoja”, tha ai.

    Më tej, Syla theksoi se OVL-UÇK ka zhvilluar një fushatë diplomatike duke shkruar institucioneve ndërkombëtare dhe figurave të njohura botërore, dhe tani ka filluar protestat.

    Ai shtoi se do të vazhdojnë të mbështesin bashkëluftëtarët deri në ditën e gjykimit dhe më pas, duke paralajmëruar mundësinë e protestave të tjera.

    Një tjetër shqetësim i ngritur nga Syla ishte pranimi i dokumenteve nga institucionet serbe si prova në Gjykatën Speciale. Ai e konsideroi këtë një veprim të papranueshëm dhe kërkoi reagim të menjëhershëm nga bashkësia ndërkombëtare.

    “Kategoritë e dala nga lufta e ka marrë me shqetësim të madh që ka ndodh në Gjykatën Speciale, bëhet fjalë për tri organe shtetërore të Serbisë të cilat me veprimtarinë e tyre kriminale kanë kryer krime edhe gjenocid mbi popullin tonë. Prandaj për ne është e papranueshme që sot bashkësia ndërkombëtare në këtë rast Gjykata Speciale i ka pranuar këto prova, sepse ata në një formë po i legjitimojnë këto tri institucione duke pasur parasysh faktin që tre krerët e këtyre tre institucioneve janë gjykuar dhe janë dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi. Për ne është e papranueshme dhe kjo është edhe një motiv shtesë për me dalë në protestë por edhe në protestat tjera që do kemi pas kësaj, për të kërkuar nga faktori ndërkombëtar të mos lejojnë një gjë të tillë pasi aty po synohet të rishkruhet historia jonë, po cenohet të rishkruhet historia e shtetndërtimit tonë që e kemi ndërtuar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, prandaj kjo i lëkund themelet e shtetit tonë. Jemi duke pritur nëse do ketë reagim ndërkombëtar, nëse jo ne do të vazhdojmë prapë me protesta”, përfundoi Syla.

  • KFOR-i italian kryen patrullime në komunën e Istogut

    KFOR-i italian kryen patrullime në komunën e Istogut

    Ushtarët italianë të Komandës Rajonale Perëndim (RC-W) të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë kryer patrullime në komunën e Istogut.

    Kjo është bërë e ditur nga KFOR-i përmes një postimi në “Facebook”.

    “Aktivitete të tilla, që zhvillohen rregullisht, rrisin sigurinë për të gjitha komunitetet brenda Zonës së Përgjegjësisë së RC-W dhe dëshmojnë përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të garantuar paqe dhe siguri të qëndrueshme për të gjitha etnitë në Kosovë”, thuhet në postim.

  • Pas takimit me Sorensen, Osmani kërkon nga BE-ja heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës

    Pas takimit me Sorensen, Osmani kërkon nga BE-ja heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen.

    Në këtë takim, Presidentja Osmani theksoi nevojën e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe rëndësinë e largimit të masave të padrejta, të cilat po prekin më së shumti qytetarët e Kosovës.

    Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë që ka funksionimi demokratik i institucioneve të Kosovës për të avancuar objektivat e përbashkëta, duke përfshirë procesin e konstituimit të Kuvendit.

    Presidentja trajtoi gjithashtu çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, duke kërkuar angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare për të ndaluar këto veprime të paligjshme.

    Ajo theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe orientuar drejt reformave demokratike, të cilat duhet të shpërblehen me hapa konkret nga Bashkimi Evropian.

    Presidentja Osmani nënvizoi gjithashtu rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera të rëndësishme.

    “Ndërlidhur me Dialogun, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi. Ajo e falënderoi z. Sørensen për rolin dhe angazhimin e tij të deritanishëm për një dialog parimor dhe të bazuar në trajtimin e barabartë të palëve.”, thuhet tutje në njoftimin e saj.

  • Gazetar pa pagë, demokraci pa zë”: Punëtorët e RTK-së protestojnë për shkak të mosalokimit të buxhetit

    Gazetar pa pagë, demokraci pa zë”: Punëtorët e RTK-së protestojnë për shkak të mosalokimit të buxhetit

    “Gazetar pa pagë, demokraci pa zë”, “Buxhet për RTK-në – jo heshtje për të vërtetën”, “Mos na e fikni zërin publik”, ishin vetëm disa nga mesazhet që u panë në protestën e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës para Qeverisë së Kosovës më 6 gusht.

    Më shumë se 700 punonjës të transmetuesit të vetëm publik në Kosovë kanë mbetur pa paga për muajin korrik, për shkak se RTK-së nuk i është alokuar pjesa e dytë e buxhetit për këtë vit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Buxheti vjetor i RTK-së kap vlerën e 8.9 milionë eurove.

    Kriza financiare në RTK është shkaktuar për shkak të moskonsitituimit të Kuvendit të Kosovës dhe mungesës së themelimit të Komisionit parlamentar për buxhet, ka thënë më herët transmetuesi publik.

    Gazetari Gëzim Bimbashi tha se protesta e sotme është për mbrojtjen e RTK-së si mediumi i vetëm publik në Kosovë, për mbrojtjen e dinjitetit të gazetarëve dhe ky tubim “nuk ka asnjë ngjyrim politik”, teksa renditi kërkesat që ka sindikata.

    “Alokimi i menjëhershëm i buxhetit për RTK-në, kompletimi i Bordit të RTK-së nga Kuvendi i ri, shpallja e konkursit për drejtor të përgjithshëm me respektim të procedurave, mbështetje serioze dhe e qëndrueshme për RTK-në nga Kuvendi si themelues i RTK-së, rritja e buxhetit për vitin 2026, përfshirë rritja e pagave për punëtorët”, tha Bimbashi.

    Sipas Bimbashit, punëtorët e RTK-së po vazhdojnë punën edhe pa paga, por theksoi se “e drejta për pagë është e garantuar me ligj dhe mund të jetë çështje vullneti apo vonesash politike”.

    Ai kërkoi nga menaxhmenti i RTK-së që të gjejë një zgjidhje për situatën e krijuar, teksa shtoi se nuk përjashtohen grevat e punëtorëve, bojkotimi i ngjarjeve politike dhe që protesta të zhvendoset para ambienteve të RTK-së.

    Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, tha se ky asociacion mbështet plotësisht punonjësit e transmetuesit publik, duke i bërë thirrje Qeverisë që të ndajë buxhetin, duke thënë se kjo situatë ka qenë e shmangshme.

    “AGK beson se kjo krizë ka qenë e shmangshme dhe fatkeqësisht ka mbetur vetëm pjesë e vullnetit politik që buxheti të ndahet. Kemi precedent në të kaluarën dhe thirrja jonë është ekskluzivisht për Qeverinë e Kosovës që e ka në dorë që të alokojë buxhetin për RTK-në për gjashtë muajt e ardhshëm, në mënyrë që punonjësit të marrin paga dhe të vazhdojnë punën e tyre të papenguar”, tha Rexha.

    Rexha tha se transmetuesi publik është përballur “me presion politik” për vite me radhë, por sipas tij, tani po përballet me “presion financiar” që shtoi se është “formë e re e presionit politik”.

    Organizata vendore dhe ndërkombëtare që merren me të drejtat e gazetarëve, por edhe Bashkimi Evropian së voni u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të gjejnë një zgjidhje për krizën financiare në RTK.

    BE-ja më 24 korrik u bëri thirrje autoriteteve kompetente që të sigurojnë financim të qëndrueshëm dhe afatgjatë për RTK-në si dhe të mundësojnë funksionimin e papenguar të transmetuesit publik.

    Teksa RTK-ja po përballet me krizë financiare, deputetët e legjislaturës së re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit janë në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me konstituimin e Kuvendit, pasi paraprakisht ata nuk arritën që deri më 26 korrik – afat i vendosur nga Kushtetuesja – të konstituojnë organin ligjvënës.

    Më pas, Kushtetuesja u tha deputetëve që nga 27 korriku deri më 8 gusht të mos ndërmarrin asnjë veprim dhe vendim lidhur me konstituimin e Kuvendit, teksa gjykata po trajton dy lëndë të dërguara për këtë çështje nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës./REL

  • KQZ në Bosnje e Hercegovinë i heq mandatin Dodikut

    KQZ në Bosnje e Hercegovinë i heq mandatin Dodikut

    Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnje dhe Hercegovinës gjatë një mbledhjeje të mbajtur në Sarajevë ka miratuar vendimin për t’ia hequr mandatin presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

    Heqja e mandatit vjen pasi Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e ka dënuar me vendim të formës së prerë Dodikun me një vit burg, si dhe me ndalim të ushtrimit të kësaj dhe funksioneve të tjera politike në vend për gjashtë vitet e ardhshme, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Mandati do të hiqet Dodikut pas skadimit të afatit për ankesë.

    Ankesë për këtë vendim mund dorëzohet në Departamentin e Apelit të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës brenda dy ditëve nga dita e pranimit të vendimit, përmes Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnje dhe Hercegovinës, në përputhje me Ligjin Zgjedhor të Bosnjës.

    Pas kësaj pritet të shpallen zgjedhjet e parakohshme për presidentin e entitetit Republika Sërpska, të cilat duhet të mbahen brenda 90 ditësh.

    Zgjedhjet e rregullta të përgjithshme janë planifikuar për tetor të vitit 2026.

    Sipas Ligjit Zgjedhor të Bosnje e Hercegovinës, një zyrtari të zgjedhur i përfundon mandati “ditën kur një aktgjykim bëhet në formë të prerë, përmes së cilit është dënuar me burgim prej gjashtë muajsh ose më shumë!.

    Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Bosnjës, Dodik nuk do të ketë të drejtë të garojë për asnjë funksion politik deri në përfundim të ndalesës gjashtëvjeçare.

    Më herët, Dodik ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga posti i presidentit të RS-së, pavarësisht vendimit të formës së prerë.

    Dodik, si dhe partia e tij, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD), e kanë kundërshtuar aktgjykimin dhe kanë ftuar opozitën për të formuar një “qeveri të unitetit kombëtar” në Republikën Sërpska, si dhe për veprim të përbashkët në institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës deri në kthimin e statusit të RS-së në “kornizat e garantuara kushtetuese”.

    Mbrojtja e Dodikut ka paralajmëruar apel në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës, me qëllim që të kontestojë aktgjykimin.

    Edhe Qeveria e RS-së ka njoftuar se nuk e pranojnë vendimin e shkallës së dytë të gjyqësorit në Bosnje.

    Nga ky ekzekutiv e kanë vlerësuar vendimin si “juridikisht të pavlefshëm, jokushtetues dhe të motivuar politikisht”.

    Në një sërë përfundimesh të miratuara në një seancë të jashtëzakonshme në Banjallukë, të martën më 5 gusht, ndër të tjera u tha se “Gjykata dhe Prokuroria e Bosnjës janë jokushtetuese dhe kanë zhvilluar një proces të montuar politikisht kundër presidentit”, i cili, sipas tyre, ka vepruar vetëm në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore.

    Dodik u shpall fajtor për nënshkrimin e dekretit për shpalljen e ligjeve që më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

    Përmes atyre ligjeve, organet legjislative në RS ishin përpjekur të pengonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit të Lartë në territorin e këtij entiteti të Bosnjës.

    I akuzuari tjetër në këtë rast, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, Milosh Llukiq, është liruar nga akuzat./REL