ATV

Category: Lajme

  • Zelensky kërkon takim ballë për ballë me Putinin për t’i dhënë fund luftës

    Zelensky kërkon takim ballë për ballë me Putinin për t’i dhënë fund luftës

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje të enjten për një takim ballë për ballë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin, për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare.

    Ai e tha këtë një ditë pas takimit që i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, e zhvilloi me Putinin në Moskë.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i quajti bisedimet ndërmjet të dërguarit të tij dhe Putinit, si “shumë frytdhënëse”, por zyrtarët amerikanë prapëseprapë u zotuan të vendosin sanksione ndaj partnerëve tregtarë të Moskës.

    Zelensky tregoi më vonë se kishte folur në telefon me Trumpin, i cili tha se mund të takohet me Putinin “shumë shpejt”.

    “Ne në Ukrainë kemi thënë vazhdimisht se gjetja e zgjidhjeve reale mund të jetë vërtet efektive në nivelin e udhëheqësve”, shkroi Zelensky në rrjete sociale.

    “Është e nevojshme të përcaktohet koha për një format të tillë dhe gamën e çështjeve që do të trajtohen”, shtoi ai.

    Udhëheqësi ukrainas tha të enjten në mëngjes se ka planifikuar t’i zhvillojë “disa” biseda gjatë ditës, përfshirë me kancelarin gjerman Friedrich Merz, si dhe me zyrtarë francezë dhe italianë.

    “Do të ketë gjithashtu komunikim në nivelin e këshilltarëve të sigurisë kombëtare”, shtoi Zelensky.

    “Gjëja kryesore është që Rusia, e cila e filloi këtë luftë, të ndërmarrë hapa të vërtetë për t’i dhënë fund agresionit të saj”, përfundoi ai.

  • KDI: Bllokada në Kuvend ka cenuar rëndë funksionimin institucional dhe rendin kushtetues

    KDI: Bllokada në Kuvend ka cenuar rëndë funksionimin institucional dhe rendin kushtetues

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar sot analizën mbi pasojat e bllokadës në Kuvendin e Kosovës, e cila ka hyrë në muajin e katërt pa një zgjidhje funksionale. Raporti nënvizon se mungesa e konstituimit të Kuvendit nuk është më thjesht një krizë politike pas-zgjedhore, por një çrregullim institucional serioz, me pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë funksionale dhe për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    Gjatë konferencës për media, Eugen Cakolli nga KDI theksoi se moskonstituimi i Kuvendit ka krijuar një vakuum institucional, ku qytetarët janë lënë pa përfaqësim politik, Qeveria në dorëheqje vepron pa mbikëqyrje parlamentare, dhe institucionet e pavarura kanë mbetur jashtë kontrollit demokratik.

    “Kuvendi nuk është thjesht një institucion ligjvënës. Ai është themeli i rendit kushtetues të Kosovës. Pa Kuvend funksional, qytetarët janë përjashtuar nga vendimmarrja dhe shteti ka hyrë në një fazë pauze”, tha Cakolli.

    Sipas analizës së KDI-së, mungesa e Kuvendit ka ndikuar në disa rrafshe të funksionimit të shtetit. Para së gjithash, nuk është respektuar afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e tij, siç e përcaktoi Gjykata Kushtetuese në vendimin KO124/25. Kjo shpërfillje përbën shkelje të qartë të rendit kushtetues dhe minon parimin se vendimet e Gjykatës janë përfundimtare dhe detyruese. Mbi të gjitha, kjo e ka futur vendin në një terren të pashkelur kushtetues, me pasoja të paparashikueshme, që do të duhej të sqaroheshin nga Gjykata Kushtetuese.

    Në këtë periudhë vakuumi, Qeveria në dorëheqje ka ndërmarrë vendime me ndikim të madh politik dhe financiar – përfshirë mbi 70 milionë euro angazhime buxhetore – në mungesë të kontrollit parlamentar dhe jashtë mandatit të kufizuar që përcakton Ligji për Qeverinë.

    “Vendime për ndarjen e subvencioneve, themelimin e komisioneve të përhershme, ose ndryshime kadrovike në borde publike janë marrë, pa asnjë filtër mbikëqyrës apo diskutim institucional”, u tha tutje.

    Sipas kësaj analize, reforma kyçe të paralajmëruara dhe të dakorduara, si Vettingu dhe Kodi Civil, kanë mbetur pezull.

    “Pesë projektligje të reformës në drejtësi janë të bllokuara. Po ashtu, procesi i ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare është ndërprerë plotësisht – përfshirë ato që ndërlidhen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore dhe Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili pritet të sjellë mbi 800 milionë euro për Kosovën. Pa një Kuvend funksional, të gjitha këto partneritete janë të ekspozuara ndaj dështimit, meqenëse që secila prej tyre duhet të procedohet në procedurë parlamentare nga pika zero – një proces që zgjatë mesatarisht 3 deri në 6 muaj”, thuhet në njoftim.

    “Mbi 20 institucione të pavarura, me një buxhet vjetor prej 59 milionë euro, kanë mbetur pa mbikëqyrje. Raportet e tyre për vitin 2024 nuk janë shqyrtuar, ndërsa një pjesë e bordeve vazhdojnë të mbeten jofunksionale. Kjo hap rrugë për ndërhyrje politike, mungesë transparence dhe keqpërdorim të fondeve publike.

    Sferë tjetër e ndikimit të bllokadës institucionale është përjashtimi i qytetarëve nga përfaqësimi demokratik. Prej gati një viti, e sidomos prej tre muajsh, Kosova ka funksionuar efektivisht pa Kuvend – pa përfaqësim, pa kontroll dhe pa zë të qytetarëve brenda institucioneve. Kjo gjendje minon legjitimitetin institucional dhe e dëmton në mënyrë të pakthyeshme besimin publik në sistemin demokratik”, thanë tutje nga KDI.

  • Franca lufton zjarrin më të madh që nga viti 1949

    Franca lufton zjarrin më të madh që nga viti 1949

    Zjarrfikësit francezë po luftojnë për të tretën ditë radhazi për ta vënë nën kontroll zjarrin më të madh në Francë në gati tetë dekada, si pasojë e të cilit janë djegur mbi 16.000 hektarë, ka vdekur një person dhe janë shkatërruar dhjetëra shtëpi.

    Pamjet nga Reuters TV tregojnë shtëllunga tymi që ngrihen mbi zonën pyjore në rajonin Aude, në jug të Francës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Pamjet me dron shfaqin sipërfaqe të mëdha të bimësisë së djegur.

    Një person ka vdekur, tre janë të zhdukur dhe dy të tjerë, përfshirë një zjarrfikës, janë në gjendje të rëndë, thanë autoritetet lokale.

    “Deri tani, zjarri nuk është vënë nën kontroll”, tha të enjten Christophe Magny, një nga zyrtarët që drejton operacionin e shuarjes së zjarreve, për televizionin BFM.

    Ai shtoi se shpreson se flakët të vihen nën kontroll më vonë gjatë ditës.

    Zjarri, rreth 100 kilometra nga kufiri me Spanjën, jo larg Detit Mesdhe, ka nisur të martën dhe është përhapur me shpejtësi.

    Zjarri tashmë ka përfshirë një zonë një herë e gjysmë më të madhe se Parisi. Zyrtarët kanë thënë se është zjarri më i madh në Francë që nga viti 1949.

    Zjarri tani po përhapet më ngadalë, tha ministrja e Mjedisit, Agnes Pannier-Runacher, për radion France Info.

    Shkencëtarët thonë se verërat më të nxehta dhe më të thata në rajonin e Mesdheut e bëjnë atë më të rrezikuar nga zjarret.

    Zyra meteorologjike e Francës ka paralajmëruar për një valë të re të të nxehtit që do të nisë në pjesë të tjera të jugut të Francës të premten dhe pritet të zgjasë disa ditë./REL

  • Presidentja Osmani falënderon Presidentin Trump për përkrahjen ndaj Kosovës – publikon letrën

    Presidentja Osmani falënderon Presidentin Trump për përkrahjen ndaj Kosovës – publikon letrën

    Presidentja e Kosovës ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj Presidentit Donald Trump për përkrahjen dhe fjalët e fuqishme që ai ka dhënë në lidhje me partneritetin me Kosovën.

    Presidentja theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për të qëndruar krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo sfidë dhe sukses.

    Ajo shtoi se mbetet e përkushtuar që të punojë së bashku me Presidentin Trump për thellimin e mëtejshëm të aleancës ndërmjet dy vendeve në vitet në vijim.

  • Tarifat e reja të Trumpit – preket edhe Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor

    Tarifat e reja të Trumpit – preket edhe Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor

    Tarifat e reja gjithëpërfshirëse të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndaj dhjetëra vendeve në mbarë botën, kanë hyrë në fuqi të mërkurën pas mesnatës.

    Pak pas mesnatës, përmes platformës së tij Truth Social, Trump shkroi: “Është mesnatë!!! Miliarda dollarë në tarifa po rrjedhin tani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”

    Shtëpia e Bardhë tha se mallrat nga më shumë se 60 vende dhe nga Bashkimi Evropian do të përballen me tarifa prej 10 për qind ose më të larta.

    Tarifat do të zbatohen edhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas këtyre përqindjeve:

    Serbia 35 për qind, Bosnja e Hercegovina 30 për qind, Maqedonia e Veriut 15 për qind, Kosova 10 për qind dhe Mali i Zi 10 për qind.

    Pjesë e listës është edhe Kroacia, anëtare e Bashkimit Evropian, produktet e së cilës do të tatohen me 15 për qind gjatë importit në Shtetet e Bashkuara.

    Qeveria e Kosovës në detyrë vendosi më 1 gusht ta heqë tarifën doganore prej 10 për qind ndaj mallrave amerikane.

    Produktet nga Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut do të tatohen me 15 për qind, ndërsa importet nga Tajvani, Vietnami dhe Bangladeshi do të tatohen me 20 për qind.

    Kur bëhet fjalë për pjesën tjetër të botës, Brazili po përballet me tarifa më të larta doganore amerikane në botë – një tarifë prej 50 për qind që zbatohet për shumicën e mallrave.

    Edhe India do të preket nga një tarifë prej 50 për qind, e cila hyn në fuqi më 27 gusht.

    Sa i përket Kinës, negociatat janë ende në vazhdim dhe si Uashingtoni, ashtu edhe Pekini janë pajtuar që t’i shtyjnë të gjitha tarifat e reja deri më 12 gusht.

    Meksikos i është dhënë gjithashtu një shtyrje, pasi Trump ka thënë se do të vazhdohet me normat aktuale për edhe 90 ditë, duke shmangur kështu rritjen e kërcënuar në 35 për qind.

    Kanadaja tashmë po përballet me një tarifë prej 35 për qind, që është në fuqi që nga e premtja e kaluar, ndonëse shumica e mallrave janë të përjashtuara në bazë të marrëveshjes tregtare ndërmjet SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë.

    Për vende si BE-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut, Trump gjithashtu pret që ato të investojnë qindra miliarda dollarë në SHBA.

    “Mendoj se rritja do të jetë e paprecedentë”, tha Trump të mërkurën pasdite.

    Ai shtoi se SHBA-ja “po fiton qindra miliarda dollarë nga tarifat”, por dha ndonjë shifër të saktë për të ardhurat, duke thënë se “ne madje nuk e dimë ende numrin përfundimtar” në lidhje me normat e tarifave.

    Pavarësisht pasigurisë, Shtëpia e Bardhë është e bindur se fillimi i këtyre tarifave gjithëpërfshirëse do të sjellë qartësi për rrugën që do ndjekë ekonomia më e madhe në botë.

    Megjithatë, kompani dhe grupe të industrisë paralajmërojnë se tarifat e reja do të dëmtojnë rëndë bizneset e vogla amerikane.

    Ekonomistët gjithashtu paralajmërojnë se ato mund të nxisin inflacionin dhe të rëndojnë rritjen ekonomike në një afat më të gjatë.

    Vala e fundit e tarifave “reciproke”, të cilat synojnë të adresojnë praktikat tregtare që Uashingtoni i konsideron të padrejta, zgjerojnë masat që Trump ka ndërmarrë që kur është rikthyer në presidencë.

    Megjithatë, këto tarifa më të larta nuk zbatohen për importet specifike për sektorë të caktuar që janë objekt më vete, si çeliku, automjetet, barnat dhe çipat elektronikë.

    Trump tha të mërkurën se planifikon një tarifë prej 100% për gjysmëpërçuesit – megjithëse Taipei deklaroi se gjiganti i prodhimit të çipave, TSMC, do të përjashtohet nga tarifat, pasi ka fabrika në SHBA.

  • OVL-UÇK me video të veçantë: UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë

    OVL-UÇK me video të veçantë: UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë

    Organizata e Veteranëve të UÇK-së ka vazhduar thirrjet për protestën e sotme, e cila do të mbahet në ora 17:00 në sheshin “Skënderbe” në Prishtinë.

    Në profilin e saj në “Facebook”, kjo organizatë ka shpërndarë një video ku tregohen qëllimet e kësaj proteste.

    Në këtë video shfaqet parulla se “UÇK-ja është lavdi, jo aktakuzë”.

    Më pas, në këtë video shfaqet edhe ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë.

  • Dodik i kërkon gjykatës në Bosnje t’ia zëvendësojë me gjobë dënimin me burgim

    Dodik i kërkon gjykatës në Bosnje t’ia zëvendësojë me gjobë dënimin me burgim

    Millorad Dodik, presidenti i entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, i ka kërkuar formalisht Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës të mërkurën t’ia zëvendësojë me gjobë dënimin prej një viti burgim.

    Dodik u dënua në shkurt me një vit burgim dhe iu ndalua ushtrimi i detyrës për gjashtë vjet. Gjykata e Apelit e mbajti në fuqi dënimin ndaj tij këtë muaj.

    Dënimi me një vit burgim mund të zëvendësohet me gjobë sipas sistemit ligjor të Bosnjës.

    Sipas Kodit Penal të Bosnjës, një ditë burg kushton 50 euro. Dodik do të paguajë rreth 18.000 euro për një vit.

    Megjithëse Dodik ka deklaruar vazhdimisht se nuk e pranon vendimin e gjykatës, kërkesa e tij për ta shndërruar dënimin në gjobë tregon se, në fakt, ai e ka pranuar atë.

    Dodik u dënua për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë.

    Pasi dënimi i tij u vërtetua, të mërkurën Komisioni Qendror Zgjedhor ia hoqi atij mandatin e presidentit të entitetit serb, duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme për president të Republikës Sërpska.

    Dodiku, i cili ka mbështetjen e Moskës, iu përgjigj Komisionit Qendror duke thënë se do të mbajë referendum në Republikën Sërpska për mandatin e tij, edhe pse Kushtetuta e Bosnjës nuk parashikon mundësinë e mbajtjes së referendumeve në entitete, njofton REL.

    Ndërkohë, më 7 gusht në orën 21:00, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë konsultime të mbyllura lidhur me situatën në Bosnje dhe Hercegovinë. Nga Misioni i Panamasë, e cila aktualisht kryeson Këshillin, është thënë për agjencinë ruse RIA Novosti se Rusia ka kërkuar mbajtjen e këtij takimi.

    Në të njëjtën kohë, Ambasada e Rusisë ka deklaruar se për Bosnje dhe Hercegovinën “ka ardhur momenti i së vërtetës”, pas të cilit “mund të vijë pika pa kthim”.

    Në deklaratën e publikuar më 7 gusht thuhet se “ose Bosnja dhe Hercegovina do të dëshmojë se është vërtet një shtet juridik dhe demokratik, duke e hedhur poshtë aktgjykimin e politizuar ndaj presidentit Dodik – i cili u imponua nën presionin perëndimor – ose do të rreshtohet krah Moldavisë, Rumanisë, Francës, Gjermanisë, Austrisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në thelb gjithë Perëndimit kolektiv, ku në mënyrë hipokrite dhe arrogante përdoren agjencitë ligjzbatuese për të shkatërruar kundërshtarët politikë”.

  • Djali i Jakup Krasniqit me mesazh emocional para protestës: Protestoni sot, bashkë me ne

    Djali i Jakup Krasniqit me mesazh emocional para protestës: Protestoni sot, bashkë me ne

    Djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, ka bërë thirrje për protestën e sotme, e cila do të mbahet në ora 17:00.

    Ai ka bërë me dije se kjo protestë nuk është për disa individët, por për luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se kjo protestë është kundër politikave të Beogradit, që kanë për qëllim ta barazojnë viktimën me agresorin.

     

  • Arrestohet një 20-vjeçar në Prishtinë, dyshohet për “keqpërdorim të fëmijëve në pornografi”

    Arrestohet një 20-vjeçar në Prishtinë, dyshohet për “keqpërdorim të fëmijëve në pornografi”

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar për veprën penale “Keqpërdorim i Fëmijëve në Pornografi”.

    I dyshuari është arrestuar mbrëmë.

    “Në kontekstin e kësaj nga veprimet e marra nga njësitë e Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit, mbrëmë është arritur arrestimi i personit të kërkuar: B.B.C, 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i dënuar me 2.6 vite burgim për veprën penale ‘Keqpërdorim i Fëmijëve në Pornografi’. I njëjti pas arrestimit nga ana e policisë është dërguar në vuajtje të dënimit”, thuhet në njoftim.

  • Kushtetuesja: Llaban u emërua gjyqtar pasi iu nënshtrua procedurave kushtetuese e ligjore

    Kushtetuesja: Llaban u emërua gjyqtar pasi iu nënshtrua procedurave kushtetuese e ligjore

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se gjyqtari i saj, Radomir Llaban, u emërua më 2018 pasi i ishte nënshtruar “të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore”, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretimit nga presidenti i Kosovës.

    Në një reagim për media të mërkurën, Kushtetuesja tha se Llaban ka qenë i punësuar në gjykatën më të lartë të vendit nga viti 2011, fillimisht si këshilltar juridik, para se të emërohej gjyqtar më 9 gusht 2018.

    Ky reagim vjen një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se, për shkak Llabanit, ka tërhequr një kërkesë drejtuar Kushtetueses në korrik, përmes së cilës kërkoi sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi. Llaban ishte caktuar si gjyqtar raportues për këtë lëndë.

    Sipas saj, institucionet e sigurisë më 2018, 2021 dhe 2024 kanë dorëzuar informacione lidhur me “veprimtarinë e rrezikshme” të Llabanit.

    Osmani tha se, sipas informatave “të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

    Shefja e shtetit nuk tregoi se çfarë rreziku përbën Llaban për sigurinë kombëtare të Kosovës, duke argumentuar se ky është vlerësim i klasifikuar i institucioneve të sigurisë.

    Kushtetuesja tha se është e drejtë e palëve para gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, “të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës”.

    Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e Kosovës kishte refuzuar ta emëronteLlabanin për noter, pas pranimit të informacioneve nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) lidhur me integritetin e tij.

    Kush është Radomir Llaban?

    Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

    Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

    Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.

    Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

    Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.

    Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

    Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.

    Shkarkimin e një gjykatësi të Kushtetueses e bën presidenti i Kosovës.

    Por, propozimi për shkarkimin e tij paraprakisht duhet të bëhet nga dy e treta e gjyqtarëve të Kushtetueses – që ka gjithsej nëntë gjykatës – dhe kjo kërkesë t’i dërgohet Presidencës.