ATV

Category: Lajme

  • Edhe sot mot i nxehtë, temperaturat maksimale arrijnë deri në 37°C

    Edhe sot mot i nxehtë, temperaturat maksimale arrijnë deri në 37°C

    Sot parashikohet të mbajë mot me diell dhe jashtëzakonisht i nxehtë. Rrezik nga dehidrimi dhe goditja e nxehtësisë nëse qëndroni jashtë për periudha të gjata kohore.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi prej 10-35 km/h, njofton MeteoKosova.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 15 deri në 19°C, ndërsa ato maksimale prej 34 deri në 37°C.

     

  • 20 minuta pritje për hyrje tek Dheu të Bardhë, mbi një orë për dalje

    20 minuta pritje për hyrje tek Dheu të Bardhë, mbi një orë për dalje

    Vazhdojnë pritjet në pikat e kalimit kufitar të Kosovës.

    Sipas Qendrës për Menaxhim Kufitar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për hyrje në Kosovë në pikën kufitare në Dheu i Bardhë, pritjet arrijnë deri në 20 minuta, ndërsa për dalje nga vendi, pritjet shkojnë deri në 90 minuta.

    Në pikën kufitare në Merdarë, pritjet për hyrje janë rreth 10 deri në 15 minuta, kurse për dalje deri në gjysmë ore.

    Ndërkaq, në pikat e tjera kufitare pritjet për hyrje në Kosovë janë nga 3 deri në 5 minuta.

  • Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Murati: Kjo nuk është drejtësi

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Murati: Kjo nuk është drejtësi

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votimit të hapur dhe brenda një afati prej 30 ditësh.

    Në njoftimin e publikuar të premten, thuhet se kandidati për këtë post mund të votohet maksimumi tre herë, ndërsa të gjithë deputetët kanë detyrimin të marrin pjesë në procesin e votimit.

    Po ashtu sipas njoftimit, Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës, transmeton Telegrafi.

    Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe ministri në detyrë i Financave, Hekura Murati, ka kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se kjo gjykatë merr vendime varësisht se cila parti është në pyetje.

    “Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje. Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë”, ka deklaruar ai.

    Reagimi i plotë i Muratit:

    “Në vitin 2014, për ta mbajtur PDK-në me çdo kusht në pushtet, Gjykata Kushtetuese ishte bërë vegël e PDK-së dhe kishte vendosur që:

    1. Qeveria nuk mund të formohej pa fituesin e zgjedhjeve, pra PDK-në. Nëse nuk ishte PDK-ja në Qeveri, vendi duhej të shkonte në zgjedhje.

    2. Pozita e Kryetarit të Kuvendit i takonte fituesit të zgjedhjeve, pra PDK-së, dhe deputetët s’kishin rrugë tjetër pos ta realizonin këtë, qoftë me votim të hapur, të fshehur, apo çfarëdo forme tjetër.

    Në vitin 2020, Gjykata Kushtetuese bëri kthesë dhe e ndryshoi pikën 1, kur i dha të drejtë Presidentit asokohe që të mandatonte një qeveri pa fituesin brenda, sepse fituesi ishte Lëvizja Vetëvendosje.

    Në vitin 2025, kësaj radhe në disa akte, Gjykata Kushtetuese përsëri bëri kthesë edhe për pikën e dytë, ku tash e thotë se vetëm votimi i hapur është i vlefshëm, dhe madje vendos edhe kufizim në vetëm 3 tentime, sepse fituesi është Lëvizja Vetëvendosje.

    Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje.

    Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë.

    E provuan më 2020, kur thanë se populli nuk vendos se kush e udhëheq qeverinë, dhe populli ua dha përgjigjen më 14 shkurt 2021.

    Po dëshirojnë ta provojnë përsëri më 2025, dhe përsëri populli do t’ua japë përgjigjen”.

  • Kushtetuesja vendos për krizën në Kuvend: Votimi për kryetar të bëhet i hapur

    Kushtetuesja vendos për krizën në Kuvend: Votimi për kryetar të bëhet i hapur

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar më 8 gusht aktgjykimin e saj lidhur me krizën institucionale në Kuvendin e Kosovës, duke vendosur se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet përmes votimit të hapur.

    Në vendimin e saj, Kushtetuesja thekson se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në përputhje me aktgjykimin e datës 26 qershor, i cili përcaktonte qartë procedurat që duhej të ndiqeshin për konstituimin e Kuvendit.

    Në vendimin e Kushtetueses konstatohet se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.

    Gjykata, vendosi:

    TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;

    TË KONSTATOJË, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme;

    TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

    TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë;

    TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë;

    TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;

    TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;

    T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;

    TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;

    TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve.

  • Vasfije Krasniqi i bashkohet protestës: Kam dalë për të mbrojtur vlerat e UÇK-së

    Vasfije Krasniqi i bashkohet protestës: Kam dalë për të mbrojtur vlerat e UÇK-së

    Vasfije Krasniqi ka marrë pjesë në protestën e organizuar në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale.

    Në një deklaratë para protestuesve, ajo theksoi se pjesëmarrja e saj nuk është për individë të caktuar, por për mbrojtjen e vlerave kolektive që përfaqëson Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

    “Unë sot kam dalë për të mbrojtur vlerat kolektive. Nuk kam dalë për të mbrojtur individë. Është me vonesë, por shpresoj që të jetë një proces i fuqishëm për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së. UÇK-ja ka qenë një ushtri që ka luftuar për të drejtat tona, dhe vlerësimi im për të nuk ka ndryshuar kurrë,” tha ajo.

  • Bllokuan dy shiritat e rrugës për dasmë në Prizren, përgjegjësi gjobitet me 300 euro

    Bllokuan dy shiritat e rrugës për dasmë në Prizren, përgjegjësi gjobitet me 300 euro

    Një rrugë në Prizren është bllokuar tërësisht për shkak të një gazmendi familjar, duke penguar qarkullimin normal të automjeteve. Ngjarja ka ndodhur më 6 gusht rreth orës 16:40 në rrugën “Alush Kryeziu”, ku qytetarët kanë raportuar në Polici për pengesën në të dy shiritat e komunikacionit.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, njësiti patrullues i Stacionit Policor në Prizren ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka identifikuar personin përgjegjës.

    Ky i fundit kishte prezantuar një leje komunale për përdorim të njërës korsi të rrugës, por vetëm për një orar të caktuar – nga ora 09:30 deri në 10:30.

    Megjithatë, rruga ishte bllokuar në tërësi dhe jashtë afatit të përcaktuar me leje.

    Si pasojë, policia ka shqiptuar një gjobë prej 300 eurosh ndaj organizatorit, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe ka ndërmarrë masat për lirimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit.

  • Ambasada britanike: Pavarësia dhe vendimet e Kushtetueses duhet të respektohen

    Ambasada britanike: Pavarësia dhe vendimet e Kushtetueses duhet të respektohen

    Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka bërë thirrje që pavarësia dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë të respektohen.

    “Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj. Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët dhe vendimet e Gjykatës të respektohen dhe zbatohen”, thuhet në një reagim të publikuar nga kjo ambasadë në Facebook të enjten.

    Ky reagim vjen pas konferencës nga presidentja Osmani, dhe pak kohë para vendimit të Kushtetueses lidhur me bllokadën.

    Të premten, më 8 gusht, merr fund masa e përkohshme e vënë nga Gjykata Kushtetuese, me të cilën u është ndaluar deputetëve çfarëdo vendimi apo veprimi për konstituimin e Kuvendit.

    Të martën Presidentja Vjosa Osmani e tërhoqi kërkesën e saj rreth ngërçit, me arsyetimin se gjyqtar raportues për lëndën ishte caktuar Radomir Laban

  • Pritje të gjata për dalje nga Kosova – deri në dy orë në Merdarë

    Pritje të gjata për dalje nga Kosova – deri në dy orë në Merdarë

    Qytetarët që po dalin nga Kosova përmes pikës kufitare në Merdarë po përballen me pritje deri në dy orë.

    Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritje të konsiderueshme janë regjistruar edhe në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, ku ato shkojnë deri në 90 minuta.

    Situata paraqitet më e lehtë në Jarinjë, ku qytetarët po presin nga 20 deri në 40 minuta për të kaluar kufirin. Në pikat tjera kufitare, pritjet variojnë nga 5 deri në 10 minuta.

  • Mjekët pa Kufij: Shpërndarja e ndihmave në Gaza është kthyer në vrasje të organizuar

    Mjekët pa Kufij: Shpërndarja e ndihmave në Gaza është kthyer në vrasje të organizuar

    Organizata “Mjekët pa Kufij” (MSF) ka dënuar ashpër skemën e shpërndarjes së ushqimeve të kontrolluar nga ushtria izraelite në Gaza, duke e cilësuar si një formë të “urrejtjes së institucionalizuar” dhe “vrasjeje të organizuar”.

    Në një raport të titulluar “Kjo nuk është ndihmë. Kjo është vrasje e organizuar”, MSF kërkon ndalimin e menjëhershëm të këtij procesi.

    Sipas raportit, dy qendra të shpërndarjes së ndihmave në Rafah, në jug të Gazës, janë kthyer në skena kaosi, me përplasje të dhunshme, turma të frikshme dhe përdorim vdekjeprurës të forcës nga trupat izraelite dhe kontraktorët privatë amerikanë.

    “Në asnjë konflikt tjetër ku operojmë nuk është parë një nivel i tillë dhune ndaj civilëve që kërkojnë ndihmë”, thuhet në deklaratë.

    Klinikat e MSF janë shndërruar në qendra për të plagosur në masë. Gjatë qershorit dhe korrikut, në vetëm dy klinika janë pranuar 1 mijë e 380 të plagosur dhe 28 trupa të pajetë.

    Shumë prej tyre kanë plagë me armë zjarri, ndërsa organizata thotë se vendndodhja e plagëve, kryesisht në gjymtyrët e poshtme, tregon për qëllimshmëri në shënjestërzim.

    MSF raporton gjithashtu raste të shumta dhune fizike, përdorim të gazit lotsjellës dhe spërkatje me piper ndaj njerëzve që kërkojnë ndihmë.

    “Njerëzit po qëllohen si kafshë”, deklaroi një nga koordinatorët e organizatës.

    “Ata nuk janë të armatosur, nuk janë ushtarë. Janë civilë që mbajnë qese plastike, duke shpresuar të marrin pak miell ose makarona”.

  • E zuri gjumi në punë, punëtori i Trepçës dënohet me 30 për qind të pagës për pesë muaj

    E zuri gjumi në punë, punëtori i Trepçës dënohet me 30 për qind të pagës për pesë muaj

    Një punëtor i ndërmarrjes publike Trepça Sh.A. është ndëshkuar me ulje të pagës mujore pasi është kapur në flagrancë duke fjetur gjatë orarit të punës.

    Sipas njoftimit të bërë publik nga vetë ndërmarrja në Facebook, më 6 gusht 2025 është mbajtur një shqyrtim publik nga Komisioni Disiplinor, ku është konstatuar se punëtori A.A. ka kryer një shkelje të rëndë të detyrave të punës, në përputhje me rregulloret e brendshme të kompanisë.

    Në vendimin e komisionit thuhet se është shkelur neni që ndalon “fjetjen në vendin e punës gjatë orarit të punës”.

    Fillimisht, komisioni kishte rekomanduar një ulje të pagës prej 30 për qind për gjashtë muaj, por më 7 gusht, kryeshefi ekzekutiv i Trepçës ka miratuar vendimin final që parasheh ulje të përkohshme të pagës për pesë muaj.

    “Në përputhje me Rregulloren për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A”, theksohet në njoftim, ku gjithashtu thuhet se ky dënim është marrë për të ruajtur disiplinën dhe përgjegjësinë në vendin e punës.