ATV

Category: Lajme

  • Dy të vdekur dhe dy të plagosur në Gjilan, i dyshuari në arrati

    Dy të vdekur dhe dy të plagosur në Gjilan, i dyshuari në arrati

    Sot rreth orës 12:32 dyshohet se ka ndodhur një rast vrasje dhe plagosje me armë zjarri në Gjilan rr. “Ibrahim Rugova“. Në këtë rast mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e dy personave, dyshohet se edhe dy persona të tjerë janë plagosur dhe u është ofruar ndihmë në qendrën emergjente këtu në Gjilan ka njoftuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

    Sipas Hashanit i dyshimti për rastin është personi mashkull shtetas i Kosovës i njohur për policinë i cili për momentin është në arrati.
    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante dhe prokurori i shtetit.

    Policia e Kosovës Njësitet e hetimeve rajonale në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po i hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë njoftoj Ismet Hashan

  • Ambasadori suedez për krizën politike: Situata mund të shfrytëzohet nga mosnjohësit e pavarësisë

    Ambasadori suedez për krizën politike: Situata mund të shfrytëzohet nga mosnjohësit e pavarësisë

    Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se Kosova ndodhet në një situatë të ndjeshme për shkak të ngërçit politik, të cilën mund ta shfrytëzojnë shtetet që nuk e njohin pavarësinë e saj.

    Westerlund ka kujtuar eksperiencën e Suedisë në vitin 2018, kur formimi i qeverisë zgjati disa muaj, por përmes dialogut dhe kompromisit u arrit një marrëveshje. E sipas tij, në Kosovë nuk po duket se ka dialog mes partive.

    “Siç kam thënë më parë, ka shumë demokraci perëndimore ku formimi i qeverisë zgjat dhe përbën sfidë. Por problemi me Kosovën është se ajo ndodhet në një pozicion shumë të ndjeshëm. Është demokracia më e re në Evropë dhe nuk është anëtare e strukturave euro-atlantike, ndaj është më e cenueshme. Kjo situatë ndikon në disa fusha. Së pari, rrezikohet lidhja mes votuesve dhe udhëheqësve politikë nëse këta të fundit nuk arrijnë të përmbushin premtimet e tyre. Së dyti, funksionimi i shtetit demokratik është në rrezik – aktualisht, rreth 17 institucione nuk po funksionojnë si duhet, dhe kjo është një rrugë shumë e rrezikshme për Kosovën”, ka thënë ai për “Ekonomia Online”. “Sa i përket situatës, ne patëm diçka të ngjashme në Suedi në 2018, ku dy koalicione ishin shumë afër me mandate, por asnjëra nuk kishte shumicën absolute. Na duheshin disa muaj për të gjetur një zgjidhje, por në fund arritëm kompromis. Ajo që bëhej ishte që partitë politike diskutonin vazhdimisht, orë të tëra bisedimesh për të gjetur një platformë të përbashkët dhe zgjidhje. Nuk e di se çfarë ndodh pas skenave këtu, por nuk kam parë kaq shumë dialog mes partive politike për të arritur marrëveshje. Kjo mungon, kompromisi nuk është diçka negative”.

    Teksa ka vlerësuar se Kosova ka arritur shumë, Westerlund ka shtuar se procesi megjithatë s’ka përfunduar. Kur ka përmendur njohjet ndërkombëtare, ai ka thënë se mungesa e tyre e bën situatën të ndjeshme dhe të shfrytëzueshme nga mosmbështetësit e pavarësisë.

    “Do thosha se Kosova është demokracia më e re në Evropë dhe ka arritur shumë që nga lufta, por procesi nuk ka përfunduar ende. Nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të komunitetit ndërkombëtar dhe as nga shumë organizata ndërkombëtare. Pra, është një histori suksesi, por ne ende nuk jemi në një pozicion të stabilizuar. Për këtë arsye, Kosova është në një situatë të ndjeshme tani dhe kjo mund të shfrytëzohet nga ata që nuk e mbështesin pavarësinë e saj. Këtë duhet ta kemi parasysh”, ka përfunduar Westerlund.

    Ngërçi politik në Kuvendin e Kosovës ka hyrë në muajin e gjashtë që prej zgjedhjeve të shkurtit. Deputetët nuk po arrijnë të zgjedhin kryetarin e institucionit më të lartë ligjvënës. Deri tash kanë dështuar më shumë se 50 seanca. Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk ka siguruar asnjëherë 61 vota për emrin e Albulena Haxhiut apo edhe për komisionin për votim të fshehtë. Çështja ka kaluar në Gjykatën Kushtetuese që të premten ka përcaktuar se seanca konstituive duhet të mbyllet për 30 ditë e se partia fituese ka të drejtë që njërin kandidat ta propozojë tri herë. Deputetët janë urdhëruar të votojnë në votim të hapur.

  • Grenell: Trump do të angazhohet hap pas hapi në çështjen e Kosovës

    Grenell: Trump do të angazhohet hap pas hapi në çështjen e Kosovës

    Përfaqësuesi special i presidentit Donald Trump, Richard Grenell, ka treguar për planet e shefit të tij për tu përfshirë në çështjen e Kosovës.

    Në një intervistë për Klan Kosovën, Grenelli tha se administrata Trump do të shkojë hap pas hapi në çështjen e Kosovës.
    “Mendoj se do të shkojmë hap pas hapi. Sigurisht jemi plotësisht të angazhuar në këto çështje, por siç e thashë, po bëjmë zhvillim ekonomik gjithandej botës. Ky është fokusi”, tha Grenell.

    I pyetur nga gazetarja se a e ka ndonjë plan për t’u rikthyer në temat e vjetra si korrigjimi i kufijve, Grenell tha se “nuk ka kthim mbrapa në asgjë”.

    “Mendoj se planet kanë qenë gjithmonë plani ekonomik. Nuk ka kthim mbrapa në asgjë. Ne gjithmonë jemi përqendruar në zhvillim ekonomik si shtytës për zgjidhje të problemeve dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha ai.

  • Rrahje në Përlepnicë të Gjilanit, një person përfundon në QKUK

    Rrahje në Përlepnicë të Gjilanit, një person përfundon në QKUK

    Një person dyshohet se është sulmuar nga dy persona në orët e para të së shtunës pranë Liqenit të fshatit Përlepnicë.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka thënë se personat e dyshuar për sulmin deri tani janë të panjohur.

    “I lënduari fillimisht ka pranuar tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Gjilan e më pas është dërguar në QKUK për trajtim të mëtejmë”, ka thënë ai.

    Hashani ka shtuar se po punohet në ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rasti në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

  • LVV-ja prezanton kandidatët për komunat veriore

    LVV-ja prezanton kandidatët për komunat veriore

    Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar kandidatët për kryetarë të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

    Kandidati për Leposaviqin është Lulzim Hetemi, i cili aktualisht udhëheq komunën dhe për të cilin subjekti politik thotë se ka dëshmuar guxim dhe integritet në terren.

    Në Zveçan, kandidon Fetah Peci, të cilin partia e paraqet si “zëri i bashkimit dhe zhvillimit” me synimin për të “thyer izolimin dhe hapur mundësi të reja për banorët”. E, për Zubin-Potok, kandidati është Vedat Mehmeti.

  • Rasti i Popoviqit, Haxhiu i reagon Serbisë: Republika e Kosovës është vend demokratik, ku sundon drejtësia dhe dinjiteti njerëzor

    Rasti i Popoviqit, Haxhiu i reagon Serbisë: Republika e Kosovës është vend demokratik, ku sundon drejtësia dhe dinjiteti njerëzor

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë sot se shteti i Serbisë jo vetëm që keqpërdor vizitat zyrtare në Kosovë përmes zyrtarëve të saj duke nxitur urrejtje dhe përçarje, por vazhdon propagandën edhe pas marrëveshjeve me institucionet e Republikës së Kosovës për pranim të fajësisë si në rastin e Igor Popoviq.

    Reagimi i ministres Haxhiu vjen sot pasi u raportua se Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka deklaruar se zyrtari i Qeverisë serbe, Igor Popoviq, e nënshkroi “nën presion, dhe jo me vullnetin e tij të lirë” një marrëveshje me prokurorët e Kosovës për ta pranuar fajësinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

    Pas një deklarate të tillë të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu tha se Serbia duhet ta kuptojë se Republika e Kosovës është vend demokratik, ku sundon drejtësia dhe dinjiteti njerëzor janë të garantuara e ku pushtetet janë qartësisht të ndara.

    “Shteti i Serbisë jo vetëm që keqpërdor vizitat zyrtare në vendin tonë përmes zyrtarëve të saj duke nxitur urrejtje dhe përçarje, por vazhdon propagandën e saj edhe pas marrëveshjeve me institucionet e Republikë Kosovës për pranim të fajësisë si në rastin e Igor Popoviq.

    Ministria e Drejtësisë së Serbisë paska dalë me akuzë tjetër të rreme duke thënë se zyrtari i saj Igor Popoviq e ka pranuar fajësinë nën kushte presioni. Por, në videon më poshtë mund ta shihni se jo vetëm i akuzuari Popoviq, por edhe vet avokati i tij theksojnë se me vullnet të plotë është bërë si pranimi i fajësisë ashtu edhe marrëveshja.

    Serbia me kutin e saj gjykon edhe Republikën e Kosovës, por ajo duhet ta kuptojë se Republika e Kosovës është vend demokratik, ku sundon drejtësia dhe dinjiteti njerëzor janë të garantuara e ku pushtetet janë qartësisht të ndara”, shkruan ajo.

    Ndryshe, Igor Popoviqi, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë është shpallur fajtor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe urrejtjes etnike.

    Gjykata ka caktuar dënimin prej 6 muajsh burgim, i cili u zëvendësua me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe dënim plotësues, dëbim nga Kosova për një periudhë prej dy vjetësh.

    Në këtë rast, gjykata ka aprovuar marrëveshjen për pranim fajësie mes tij dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    Popoviq ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut dhe akuzohet se më 18 korrik 2025 në Rahovec kishte mbajtur një fjalim publik me përmbajtje nxitëse, duke përhapur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike në Kosovë.

    LEXONI EDHE:

    Serbia pretendon se Popoviqi e pranoi “nën presion” fajësinë në Kosovë për nxitje të përçarjes e mosdurimit

  • 23 vatra zjarri të regjistruara sot në Kosovë, 11 ende aktive

    23 vatra zjarri të regjistruara sot në Kosovë, 11 ende aktive

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se gjatë periudhës nga ora 08:00 deri në ora 14:00 të ditës së sotme janë regjistruar gjithsej 23 vatra zjarri në vend. Nga këto, 11 vatra mbeten aktive, ndërsa 12 të tjera janë lokalizuar.

    Sipas njoftimit, situata po menaxhohet në koordinim të ngushtë me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Qendrat Operative 112 dhe Qendrën Operative të Agjencisë.

    Në një njoftim zyrtar, Agjencia bën thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke kërkuar që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192.

  • Mungoi në protestë, reagon deputetja: Nuk isha e vetmja familjare e personave në Hagë që mungova, por u përmenda unë që të sulmohet LVV

    Mungoi në protestë, reagon deputetja: Nuk isha e vetmja familjare e personave në Hagë që mungova, por u përmenda unë që të sulmohet LVV

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti Selimi, gruaja e Rexhep Selimit i cili është në mesin e personave që janë arrestuar nga Gjykata Speciale ka reaguar sot pasi u raportua se nuk kishe marr pjesë në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës për të kundërshtuar veprimet e Gjykatës Speciale.

    Deputetja Selimi në një postim në Facebook shkruan po të protestën për diçka do të fillonte nga fakti se 82 deputetë kanë votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale.

    Ajo tutje thekson se nuk ishte familjarja e vetme që mungoi në protestë, por emri i saj u përmend vetëm që të sulmohet Lëvizja Vetëvendosje.

    Lexoni të plotë postimin e saj:

    Po të protestoja për diçka, do të filloja nga ky fakt:

    82 deputetë votuan pro themelimit të Gjykatës Speciale:

    30 nga PDK

    34 nga LDK

    18 nga partitë e komuniteteve pakicë.

    Jam e sigurt se ndonjëri prej tyre ka qenë në protestë, duke protestuar ashpër kundër asaj që vetë e ka votuar.

    E deri te padrejtësitë e fundit që po ndodhin aktualisht në Hagë, të cilat janë pasojë direkte e asaj vendimmarrjeje.

    Nuk isha unë familjarja e vetme që mungova në protestë, por nga portalet u përmend vetëm emri im që të sulmohet Lëvizja VETËVENDOSJE!.

  • Sulmet izraelite në Rripin e Gazës shkaktojnë vdekjen e të paktën 10 palestinezëve

    Sulmet izraelite në Rripin e Gazës shkaktojnë vdekjen e të paktën 10 palestinezëve

    Të paktën 10 palestinezë, përfshirë civilë që prisnin ndihmat humanitare, kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve ushtarake izraelite përgjatë Rripit të Gazës të shtunën, njofton agjencia për mbrojtjen civile të territorit.

    Zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Bassal, i ka thënë AFP-së se të paktën 6 persona janë vrarë dhe 30 të tjerë janë plagosur, pasi forcat ushtarake izraelite goditën civilët që po mblidheshin pranë një pike ndihmash në Gazë.

    Këto sulme vijnë një ditë pas miratimit nga kabineti i sigurisë së Izraelit të planeve për të zgjeruar ofensivën ushtarake në enklavën palestineze, me synimin e kontrollit të plotë mbi qytetin e Gazës.

  • Zgjedhjet lokale, KQZ: Më 13 gusht përfundon afati për aplikim online për certifikimin e kandidatëve

    Zgjedhjet lokale, KQZ: Më 13 gusht përfundon afati për aplikim online për certifikimin e kandidatëve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se më 13 gusht përfundon afati për aplikimin online për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor.

    Ky afat për aplikim online është hapur që nga data 26 qershor.

    “Me qëllim të lehtësimit të aplikimit, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike https://apliko.kqz-ks.org, e cila do t’iu shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre online,” thuhet në njoftim.

    KQZ-ja ka sqaruar edhe hapat që duhet të ndiqen për aplikim:

    “Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i subjektit politik (iniciativës qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën: https://apliko.kqz-ks.org. Partive politike të regjistruara dhe koalicioneve, u janë krijuar dhe dërguar ‘userët’ dhe prej tyre nuk kërkohet të ndjekin këtë hap.

    Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP do t’i përcjellë përmes e-mailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online dhe për të paraqitur aplikimin.”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.