ATV

Category: Lajme

  • Arrestohet një i dyshuar për krime lufte, mori pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në Malishevë

    Arrestohet një i dyshuar për krime lufte, mori pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në Malishevë

    Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes një komunikate të përbashkët, kanë njoftuar se mëngjesin e sotëm në Prishtinë kanë arrestuar R.M. të dyshuar për “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

    Ai dyshohet se gjatë periudhës 29-31 mars 1999 bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës.

    “R.M., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës.”

    Tutje thuhet se gjatë fazës së hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve.

    “Brenda afatit të paraparë ligjor, Prokuroria Speciale do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti Special.”

  • Prokuroria e konfirmon: Xhemajl Nuhiu është i dyshuar për vrasjen në Hajvali, ende në arrati

    Prokuroria e konfirmon: Xhemajl Nuhiu është i dyshuar për vrasjen në Hajvali, ende në arrati

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se me datë 11.08.2025, rreth orës 22:00, një ngjarje tragjike ka ndodhur ne lagjen Hajvali të Prishtinës, ku një person M.M., është qëlluar me armë zjarri.

    Sipas një njoftimi për media viktima u dërgua menjëherë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku mjekët e konstatuan vdekjen e tij pa shenja jete.

    Tutje në njoftim thuhet se menjëherë pas marrjes se informatës, njësitet relevante te Policisë se Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorin e shtetit, kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

    “Si rezultat i veprimeve të deritanishme hetimore, është identifikuar autori i dyshuar, Xhemajl Nuhiu, i cili aktualisht është në arrati dhe po kërkohet nga organet e rendit”, thuhet në njoftim.

    Ndërkaq nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbeten e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe sjelljen para drejtësisë të autorit të kësaj vepre të rëndë penale.

  • Çmimet gjatë korrikut ishin nga 2 % deri në 20 % më të larta

    Çmimet gjatë korrikut ishin nga 2 % deri në 20 % më të larta

    Agjencia e Statistikave të Kosovës vlerëson se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 4,3% në muajin korrik 2025, krahasuar me muajin korrik 2024.

    Kurse, inflacioni mujor ishte 0,2% në muajin korrik 2025.

    Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 4,3%  në muajin korrik 2025, krahasuar me muajin korrik 2024.

    “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë tegrupet dhe nëngrupet e COICOP-it: pushime të organizuara (20,9%), kafe, çaj dhe kakao (16,9%); energjie elektrike (16,6%); mish (12,7%); pemë (12,3%); perime (10,7%); shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (10,4%); mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit (10,2%); vajra dhe yndyra (9,9%); shërbime hoteliere (8,2%); shërbime ambulantore (7,1%); qumësht, djathë dhe vezë (6,5%); gazeta, libra dhe materiale për zyra (6,2%); ujë mineral, pijejoalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (6,2%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (6,1%); pije alkoolike (5,8%); shërbime financiare (5,2%); bukë dhe drithëra (5,0%); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (4,9%); kujdes personal (4,7%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (4,0%); prodhime ushqimore (3,9%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (3,5%); këpucë (3,4%); duhan (3,4%); gjëra personale (3,3%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira3,2%); qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës (2,3%); veshje (2,2%), transport rrugor i pasagjerëve (2,0%); dhe gjëra dhe pajisje të tjera rekreative, kopshte dhe manare (1,1%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 4,9 për qind në IHÇK”, thuhet në njofitm.

  • Çollaku: Pesë të vrarë në pak ditë, alarm për mobilizim të institucioneve

    Çollaku: Pesë të vrarë në pak ditë, alarm për mobilizim të institucioneve

    Profesori universitar i kriminalistikës, Fatmir Çollaku, tha se pesë vrasjet e ndodhura brenda dy-tre ditëve të fundit në Kosovë përbëjnë një shqetësim serioz dhe janë një alarm për mobilizimin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

    Ai tha se çdo humbje jete është e madhe dhe e parandalueshme.

    “Çdo humbje e jetës së një njeriu është humbje e madhe. Është e pakuptimtë që të vriten njerëzit mes veti për motive të ulëta, siç ishte rasti i Prizrenit, që nga një përleshje e qenve ka acaruar, degjeneruar raporti deri te vrasja. Apo te rasti i vrasjes së trefishtë në Gjilan që është tmerr, dukuri e rëndë, sepse dukuria e fajdes është prezente në shumë vende të Kosovës dhe si e tillë është koha e fundit që institucionet t’i thonë stop atyre që për motive pasurore kryejnë këtë veprimtari kriminale të dënuar me ligj”, tha ai.

    Megjithatë, Çollaku tha se bazuar në statistikat zyrtare, Kosova ende qëndron më mirë se shumica e vendeve të rajonit për nga numri i vrasjeve.

    “Janë shqetësuese këto të dhëna për numrin e madh të vrasjeve brenda dy-tri ditëve. Megjithatë, unë i referohem statistikave zyrtare si tregues se si qëndron Kosova me dukurinë e vrasjeve. Nga janari deri tani kishim një numër shumë të vogël të vrasjeve, diku shtatë sipas të dhënave zyrtare, tani vetëm në muajin gusht pesë vrasje. Megjithatë, jemi ende në atë nivelin e kënaqshëm sa i përket statistikave, që do të thotë që Kosova në aspektin e sigurisë së brendshme dhe prezencës së dukurive negative nuk qëndron keq në raport me vendet e rajonit”, tha Çollaku.

    Por, këto ngjarje, sipas tij, duhet të shihen si një sinjal i qartë për veprim të koordinuar.

    “Ky është tregues dhe alarmi i fundit që të mobilizohen institucionet, policia, prokuroria, gjykata të kryejnë të gjitha punën e vet si duhet dhe kësisoj të reduktohet, nëse jo të zhduket, sepse është e pamundur të zhduket, të reduktohet kjo kategori e veprave penale”, tha profesori Çollaku.

    Duke komentuar rastin në Gjilan, ai tha se në aspektin procedural-penal, veprimet e deritanishme kanë qenë në përputhje me ligjin.

    “Në aspektin procedural-penal, gjërat janë të qarta sipas ligjit në fuqi. Nga raportimet rezulton se me pëlqimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, gjithçka sipas ligjit, është lënë një dorëzani e madhe në vlerë shumë të madhe dhe ata kanë ndërprerë paraburgimin në atë kohë dhe janë lënë në liri që të zhvillohen procedurat. Asgjë nuk është vepruar joligjore”, tha ai.

    Megjithatë, Çollaku nënvizoi se rastet e përsëritjes nga persona me precedent penal duhet të trajtohen me kujdes më të madh.

    “Te recidivizmi, te rastet e rënda si te personat e dyshuar, pra babai i këtyre fëmijëve që është i dyshuar kryesor me numër shumë të madh të veprave penale, atëherë ndoshta do të duhej që të ketë një qasje më rigoroze organet edhe të drejtësisë edhe këto të hetuesisë, që të mos ja lejojnë rastit fare. Është një parim që vendimet gjyqësore nuk mund të komentohen në kuptimin që gjykata është e fundit, në rastin konkret jemi duke folur për procedura që nuk kanë arritur ende në gjykatë, sepse bëhet fjalë për fazën paraprake ku ata janë lënë të lirë në bazë të dorëzanisë e si e tillë dorëzania njihet me ligj si një nga mënyrat për të pasur personin të qasshëm në procedurë penale,” tha Çollaku.

  • Vrasja dhe groposja e Enver Bajraktarit në Lipjan, arrestohet një i dyshuar

    Vrasja dhe groposja e Enver Bajraktarit në Lipjan, arrestohet një i dyshuar

    Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për vrasjen dhe groposjen e Enver Bajraktarit në fshatin Baicë të Lipjanit.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Sipas saj, i dyshuari është me inicialet T.K shtetas i Kosovës.

    “Si rrjedhojë e angazhimeve intensive hetimore, sot nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme – Prishtinë, është arrestuar një person i dyshuar: T. K, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, për rastin vrasje që ka ndodhur në fshatin Baicë të Lipjanit”, ka thënë Ahmeti.

    Zëdhënësja po ashtu tha se aktualisht hetuesit po kryejnë procedurat e nevojshme policore, në koordinim me prokurorinë.

    Ndryshe, ditë më parë një ngjarje e rëndë kishte ndodhur në fshatin Baicë të Lipjanit, ku një person u gjet i vdekur dhe i varrosur në një arë të këtij fshati.

    Viktima Enver Bajraktari ishte pikërisht personi për të cilin familjarët kishin raportuar më herët si të zhdukur.

  • Vrasja në Hajvali, Policia në kërkim të të dyshuarit

    Vrasja në Hajvali, Policia në kërkim të të dyshuarit

    Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje të rastit në Hajvali, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person ka vdekur.

    Policia njofton se rasti ka ndodhur në ora 21:46 në Hajvali të Prishtinës.

    “Një i dyshuar mashkull kosovar, dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në drejtim viktimës mashkull kosovar. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK”, thuhet në raportin policor.

    Tutje, bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale është gjetur një gëzhojë e armës së zjarrit.

    I dyshuari pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes dhe i njëjti është në kërkim policor.

    Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente, ndërkaq, me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi.

    Ndryshe, brenda dy ditëve vendi u trondit nga vrasja e katër personave.

    Përveç vrasjes në Hajvali, të dielën e 10 gushtit tre persona u vranë në Gjilan.

  • “Nuk presim asgjë”: Ukrainasit shprehen skeptikë para takimit Trump-Putin

    “Nuk presim asgjë”: Ukrainasit shprehen skeptikë para takimit Trump-Putin

    Kur presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, të takohen këtë javë në Alaskë për të negociuar dhënien fund të luftës në Ukrainë, të shumtë janë ata që presin pakt. Ukrainasit nuk janë në mesin e tyre.

    Pas më shumë se tre vjetësh luftë dhe bisedimeve për paqe që përfundonin ende pa nisur mirë, më pas ultimatumeve të papërfillshme, dhe mijëra të vdekurve, Ukraina tenton t’iu bëjë ballë trupave ushtarake ruse.

    Optimizmi se do të ketë përparim në bisedimet në Alaskë, më 15 gusht, është shumë i zbehtë në Ukrainë – të paktën deri më tani.

    “Nuk ka shumë për të shpresuar për ndonjë zhvillim pozitiv”, ka thënë një burrë në Kiev për televizionin Current Time.

    “Mendoj se është fazë e re në zinxhirin e afateve kohore. Frikësohem se situata do të zvarritet kështu deri në fund të mandatit të presidentit aktual amerikan”.

    Përpara takimit, Uashintoni duket se ka nisur t’i përgatisë Kievin dhe Moskën për kompromise të mëdha, në mënyrë që të përfundojë lufta, pasi nënpresidenti amerikan, JD Vance, ka paralajmëruar se ka mundësi që të dyja palët do të mbesin të pakënaqura nga marrëveshja përfundimtare.

    Rusia e ka injoruar vazhdimisht idenë e takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensly, duke thënë se diçka e tillë mund të ndodhë pasi palët të jenë gati për të nënshkruar marrëveshjen për paqe, dhe jo për një marrëveshje armëpushimi.

    Por, ai moment duket shumë larg, për shkak të dallimeve të thella në qëndrime mes rusëve dhe ukrainasve në shumë aspekte, përfshirë territorin dhe sigurinë, pavarësisht tri rundeve të bisedimeve direkte në Turqi prej mesit të majit.

    Putin e ka refuzuar propozimin e Zelenskyt për t’u takuar ballë për ballë, kur dy shtetet kanë zhvilluar rundin e parë të negociatave në Stamboll.

    Ai ka thënë javën e kaluar se sërish e ka bindjen e njëjtë, dhe që nuk ka asgjë kundër takimit me Zelenskyn, por që fillimisht duhet të “krijohen disa kushte”, dhe që ato momentalisht janë “shumë larg”.

    “Nuk pres asgjë nga takimi. Pres vetëm prej ushtrisë ukrainase”, ka thënë një grua në Kiev.

    Bisedimet zhvillohen në një moment të rëndësishëm, pasi Trumpi duket se është shumë i zemëruar me Putinin. Presidenti rus, në anën tjetër, nuk duket se ka disponim që të heqë dorë prej synimeve fillestare.

    Trump dhe Putin i kanë zhvilluar gjashtë biseda telefonike, ndërsa një zyrtar i lartë amerikan ka urdhëtuar në Moskë të paktën tri herë.

    Vendimi për ta takuar Putinin ballë për ballë – diçka që paraardhësi i Trumpit, Joe Biden, e ka refuzuar me çdo kusht pas nisjes së luftës – reflekton bindjen e presidentit amerikan që marrëdhënia e tij me liderin rus do të rezultojë me marrëveshje për paqe të qëndrueshme.

    Për Putinin, takimi me Trumpin – pa prezencën e Zelenskyt apo ndonjë zyrtari tjetër ukrainas – është fitore e vogël, dhe reflekton pozicionin e Putinit se Zelensky është lider jolegjitim dhe që marrëveshja për përfundim të luftës mund të arrihet vetëm me Shtetet e Bashkuara.

    Udhëtimi në Shtetet e Bashkuara përbën një tjetër fitore për Putinin, ndaj të cilit ekziston fletarrestim i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, nën dyshimet se ka kryer krime lufte.

    Vetëm vendet anëtare të gjykatës janë të obliguara që ta ndalojnë atë, ndërsa administrata Trump ka qasje armiqësore ndaj tribunalit të Hagës.

    Megjithatë, një grua ukrainase i ka thënë televizionit Current Time se ndonëse nuk pret përparim si rezultat i takimit, ndoshta Trump do të mund ta shtyjë Putinin në rrugën e paqes.

    “Nuk pres më asgjë”, ka thënë ajo. “Por, në fakt shpresoj për diçka, edhe miqtë e mi njëjtë, që Trumpi do të bëjë diçka”.

  • Kallas bën thirrje për ‘unitet transatlantik’ për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

    Kallas bën thirrje për ‘unitet transatlantik’ për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

    Ministrat e jashtëm evropianë kanë bërë thirrje për “unitet transatlantik” për të ndihmuar në përfundimin e luftës në Ukrainë.

    Kaja Kallas, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, ka zhvilluar takime virtuale me ministrat e jashtëm sot.

    Ajo tha se BE-ja do të punojë për më shumë sanksione kundër Rusisë, më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe procesin e pranimit të Ukrainës në bllok.

    “Uniteti transatlantik, mbështetja për Ukrainën dhe presioni ndaj Rusisë janë mënyra se si do ta përfundojmë këtë luftë dhe do të parandalojmë agresionin e ardhshëm rus në Evropë”, tha ajo në një postim në X.

  • Sekuestrohet kokainë në vlerë 300 mijë euro, Policia arreston të dyshuarin në Prizren

    Sekuestrohet kokainë në vlerë 300 mijë euro, Policia arreston të dyshuarin në Prizren

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person H.K (1994) në Prizren për posedim të substancave narkotike, të llojit kokainë, në vlerë 300 mijë euro.

    Në njoftimin për media të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se i arrestuar është shtetas i Kosovës.

    “Më datë 11 gusht 2025, në rrugën ‘Viljam Voker’ në Prizren, është arrestuar i dyshuari me iniciale H.K. (1994) shtetas i Republikës së Kosovës.

    Gjatë kontrollit të realizuar në dy lokacione me urdhër të prokurorit kompetent, në njërën nga lokacionet janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale: substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë totale 4 kg e 440 gramë”, thuhet në njoftim.

    Policia po ashtu bën të ditur se ka sekuestruar dy peshore elektronike, para në vlerë prej 260 euro, një  pajisje për vakuumim të qeseve plastike, një motoçikletë Piaggio Vespa, një telefon mobil iPhone 15 Pro Max, një skalper dhe sasi e konsiderueshme e qeseve plastike për paketim.

    Sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e substancës narkotike, në tregun ilegal, mund të kapë vlerën deri në treqind mijë euro.

    I dyshuari është shoqëruar në Polici, ku është intervistuar në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.

    Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar nga ana e Njësisë së antidrogës në Prizren në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër narkotikëve dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë, duke raportuar çdo informacion të dyshimtë tek organet e rendit.

  • Vrasje në Hajvali, Policia zbardh detajet e fundit për rastin

    Vrasje në Hajvali, Policia zbardh detajet e fundit për rastin

    Policia e Kosovës ka konfirmuar se një person është vrarë në mbrëmjen e së hënës në Prishtinë.

    “Sot rreth orës 22:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në Hajvali, ku është vrarë një person. Vdekja e viktimës mashkull është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK”, ka thënë zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti në përgjigje.

    Ajo ka treguar se policia i ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit, edhe është në kërkim të personit të dyshuar, i cili tashmë është identifikuar.