ATV

Category: Lajme

  • OBSh-ja jep alarmin: Mbi 1 miliard njerëz vuajnë nga probleme të shëndetit mendor

    OBSh-ja jep alarmin: Mbi 1 miliard njerëz vuajnë nga probleme të shëndetit mendor

    Mbi 1 miliard njerëz në mbarë botën vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, veçanërisht ankthi dhe depresioni, të cilat janë çrregullimet më të zakonshme, ndërkohë që shqetësimi mendor është përgjegjës për mbi 700,000 vetëvrasje çdo vit. Pavarësisht kësaj, shpenzimet publike për shëndetin mendor kanë mbetur të qëndrueshme për vite me radhë dhe arrijnë në vetëm 2% të buxheteve totale të shëndetit.

    Këto janë gjetjet e dy raporteve të publikuara sot nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas kreut të së cilës, transformimi i shërbimeve të shëndetit mendor është një nga sfidat më urgjente të shëndetit publik.

    “Çdo qeveri dhe çdo udhëheqës ka përgjegjësinë të veprojë urgjentisht dhe të sigurojë që kujdesi për shëndetin mendor të trajtohet jo si privilegj, por si një e drejtë themelore për të gjithë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një deklaratë.

    Raportet (World Mental Health Today dhe Mental Health Atlas 2024) analizojnë ndikimin e sëmundjeve mendore dhe progresin e bërë nga vendet në zbatimin e shërbimeve të dedikuara për këto gjendje.

    Gratë kanë tendencë të jenë më të prekura (rreth 14.8% e popullsisë femërore vuan nga çrregullime mendore krahasuar me 13% të popullsisë mashkullore). Çrregullimet e ankthit janë më të zakonshmet (që prekin 4.4% të popullsisë); Pas tyre vjen depresioni (4%), problemet që lidhen me aftësinë e kufizuar intelektuale (1.2%) dhe ADHD (1.1%).

    Megjithatë, ka dallime të konsiderueshme midis grupmoshave dhe gjinive: “Çrregullimet depresive dhe të ankthit janë më të zakonshme tek gratë sesa tek burrat gjatë gjithë jetëgjatësisë, ndërsa burrat kanë shumë më tepër gjasa të kenë çrregullime të zhvillimit intelektual (idiopatike), çrregullime të spektrit të autizmit, çrregullime të sjelljes dhe ADHD”, thuhet në raport.

  • Qeveria rrit shpenzimet, për tre muaj i harxhon afro 800 milionë

    Qeveria rrit shpenzimet, për tre muaj i harxhon afro 800 milionë

    Qeveria e Kosovës ka shpenzuar 784.9 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit 2025.

    Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ku poashtu u bë e ditur se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar shpenzimet e ekzekutivit ishin 679.1 milionë euro.

    ASK-ja po ashtu ka treguar se ku janë bërë shpenzimet më të mëdha.

    “Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve (28%); kontributet sociale dhe përfitimet (26%); formimi i kapitalit bruto (15%); dhe konsumi i ndërmjetëm (14%). Ndërsa, pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve”, thuhet në njoftim të kësaj agjencie.

  • Arrestimi për spiunazh i pilotit që shërbeu në Kosovë dhe të dashurës së tij serbe, kryeministri kroat: Do ta mbrojmë sigurinë tonë kombëtare

    Arrestimi për spiunazh i pilotit që shërbeu në Kosovë dhe të dashurës së tij serbe, kryeministri kroat: Do ta mbrojmë sigurinë tonë kombëtare

    Piloti i arrestuar kroat dhe e dashura e tij serbe nga Kosova, të arrestuar nën dyshimet për spiunazh, ka qenë temë diskutimi e kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviq me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë Ushtarake të Kroacisë.

    Piloti dyshohet se ia ka kaluar të dhënat që kishte mbledhur gjatë qëndrimit në Kosovë të dashurës serbe, e cila më pas ua ka kaluar ato udhëheqësve të Listës Serbe në Kosovë, e cila punon ngushtë me qeverinë serbe dhe Aleksandar Vuçiqin.

    “Prita drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë Ushtarake, Gjeneral Major Ivan Turkalj, në lidhje me hetimin që po zhvillohet kundër një oficeri të Forcave të Armatosura të Ushtrisë Kroate dhe një personi tjetër nën dyshimin për kryerjen e krimit të spiunazhit”, shkroi kryeministri kroat në rrjetet sociale, teksa shtoi:

    “VSOA, Zyra e Prokurorit të Shtetit të Republikës së Kroacisë dhe institucione të tjera kompetente po kryejnë të gjitha aktivitetet e nevojshme për të mbrojtur interesat shtetërore dhe sigurinë kombëtare.

    Piloti dhe partnerja e tij u dërguan në paraburgim për shkak të ndikimit të mundshëm mbi dëshmitarët ose për shkak të rrezikut se ata do të shkatërronin, fshihnin ose falsifikonin provat, pra gjurmët e rëndësishme për procedurën e provave, ndërsa ndodhen në liri.

    Dyshohet se piloti ia ka transferuar vajzës të dhënat që ka mbledhur gjatë kohës që ka qenë në Kosovë, dhe ajo ia ka dërguar ato udhëheqësve të Listës Serbe në Kosovë, e cila bashkëpunon ngushtë me qeverinë serbe dhe Aleksandar Vuçiçin . Një nga rastet përfshin zbulimin e informacionit të klasifikuar në lidhje me forcat e KFOR-it në veri të Kosovës, shkruajnë mediat në Kroaci./ATVLIVE/

  • Ambasadori amerikan në NATO: SHBA-ja do stabilitet në Ballkanin Perëndimor

    Ambasadori amerikan në NATO: SHBA-ja do stabilitet në Ballkanin Perëndimor

    Në një nga panelet e Forumit Strategjik të Bledit, ambasadori amerikan në NATO, Matthew G. Whitaker, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër situatën në Serbi dhe në entitetin Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës, me synimin që të mos lejohet asnjë zhvillim që mund të çojë në konflikt rajonal.

    “Po ndjekim me shumë kujdes gjithçka që po ndodh si në Republikën Sërpska, ashtu edhe në Serbi. Aktualisht, jemi të përqendruar që situata të mos shndërrohet në një konflikt të mundshëm rajonal”, tha Whitaker.

    Ai theksoi se SHBA-ja “do stabilitet në Ballkanin Perëndimor” dhe kjo, siç tha, është e rëndësishme edhe për partnerët evropianë brenda NATO-s, të cilët “e kanë detyrim të veprojnë së bashku në situata krize”.

    Serbia ka qenë prej muajsh e përfshirë nga protestat antiqeveritare, të cilat shpesh janë shndërruar në episode dhune, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq, pa asnjë provë, akuzon agjitatorë të huaj për përpjekje për të nxitur revolucion.

    Në Republikën Sërpska, Millorad Dodik sfidon vendimin e Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës për t’ia hequr mandatin presidencial pas një dënimi dhe vazhdimisht kërcënon me ndarjen e këtij entiteti nga pjesa tjetër e Bosnjës.

    I pyetur nëse NATO-ja do të ndërhynte, nëse kriza politike do të përshkallëzohej në një konflikt të armatosur, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë, por edhe në Serbi, Whitaker tha se NATO-ja vepron me unanimitet, por shtoi se “jemi shumë larg diçkaje të tillë”.

    “Nëse NATO-ja do të përfshihet… Rregulli numër 1 në politikë është të mos u përgjigjesh hipotezave. Mendoj se duhet të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, tha Whitaker.

    “Ne do të vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha palët që të punojnë në përputhje me marrëveshjet e Dejtonit”, tha ai, duke iu referuar marrëveshjeve që i dhanë fund luftës në Bosnje në vitet ’90.

    Ambasadori amerikan tha, po ashtu, se “NATO-ja është më e fortë se kurrë” dhe se “kjo duhet të jetë shumë shqetësuese për kundërshtarët tanë”.

    Në pyetjen nëse presidenti amerikan, Donald Trump, mund të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ose me ish-presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, Whitaker tha se për takime të tilla nuk ka asnjë paralajmërim, por se ato mund të diskutohen nëse do të kishte përfitime të qarta për paqen dhe stabilitetin.

    Ai tha se presidenti Trump ka një aftësi të veçantë për të komunikuar me liderë botërorë, për të përdorur ndikimin e presidencës amerikane dhe fuqinë e shtetit, në të mirë të paqes, demokracisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik.

    Ai theksoi se, nëse Trump do të vendoste të takohej me Vuçiqin ose Dodikun, një gjë e tillë nuk do të bëhej për të forcuar pozitën e tyre politike, por vetëm nëse do të shërbente për avancimin e interesave më të gjera të paqes dhe stabilitetit.

    “Sigurisht që nuk do të pranonte një takim që synon forcimin e pozicionit politik të ndonjë udhëheqësi. Kjo nuk është ajo që bën presidenti Trump”, tha ambasadori amerikan.

    Ai e përshkroi Trumpin si “paqebërës”, duke theksuar se politika e tij fokusohet në rezultate dhe në krijimin e mundësive për përparim./REL/

     

  • Apeli i Speciales ia rrëzon kërkesën, Isni Kilaj mbetet në paraburgim

    Apeli i Speciales ia rrëzon kërkesën, Isni Kilaj mbetet në paraburgim

    Gjykata e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka rrëzuar kërkesën e fundit të Isni Kilajt kundër masës së paraburgimit.

    Vendimi është marrë më 1 shtator 2025 nga gjyqtarja Michele Picard, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ky është apelimi i katërt i Kilajt kundër masës së paraburgimit dhe ngjashëm si të tri vendimet paraprake, edhe kësaj radhe u vendos që kërkesa e tij të rrëzohet në tërësi.

    Apeli ka konstatuar se vendimi i gjyqtares së procedurës paraprake, Marjorie Masselot, për rrezikun e pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të mëtejshme, është i bazuar në prova të mjaftueshme dhe të arsyeshme.

    Sipas Apelit, nuk ka ndonjë tregues se gjyqtarja ka bërë ndonjë gabim të dukshëm faktik lidhur me këtë pjesë.

    Po ashtu, Apeli në vendim ka theksuar se gjyqtarja e procedurës paraprake ka shqyrtuar periudhën e kaluar në paraburgim, duke e balancuar me seriozitetin e akuzave dhe rreziqevet e identifikuara.

    Si rrjedhojë, Apeli i Speciales ka qëndruar në linjë me vendimin e gjyqtares së procedurës paraprake se paraburgimi nuk është masë e rëndë dhe mbetet masë e nevojshme.

    Sipas Apelit, janë marrë parasysh të gjitha masat alternative të propozuara nga mbrojtja, derisa gjyqtarja e procedurës paraprake ka shpjeguar qartë se pse ato nuk janë të mjaftueshme për të adresuar rreziqet përkatëse.

    Apeli thekson se ky vlerësim është në përputhje me jursprudencën e mëparshme dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

    “Si rrjedhojë, Dhoma e Apelit konkludon se Gjykata e Shkallës së Parë nuk ka gabuar në vlerësimin e saj dhe se vazhdimi i paraburgimit për z. Kilaj është i justifikuar”, thuhet në vendim.

    Pra, kërkesa e Kilajt u rrëzua në tërësi si dhe u konfirmua vendimi i gjyqtares së procedurës paraprake për vazhdimin e paraburgimit. Veç kësaj, u tha se vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë.

    Kilaj kishte argumentuar se gjyqtarja e procedurës paraprake kishte përdorur një metodologji të gabuar për vlerësimin e rrethanave që i paraprijnë paraburgimit duke cenuar të drejtën për liri.

    Veç kësaj, Kilaj pretendon se gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot vazhdimisht ka përsëritur gjetjet e mëparshme të vendimeve të saj dhe se duhet të bëhet gjithmonë vlerësim i ri.

    Ndërsa, Prokuroria ka thënë se Kilajt i është respektuar e drejta për liri dhe se gjyqtarja e procedurës paraprake ka vendosur drejt.

    Ndryshe, lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • Aksident mes dy veturave në Bresje, lëndohen katër persona

    Aksident mes dy veturave në Bresje, lëndohen katër persona

    Në orët e para të mëngjesit të së martës një aksident trafiku mes dy veturave ka ndodhur në fshatin Bresje.

    Lajmin e ka konfirmuar Flora Ahmeti, zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës.

    “Sot rreth orës 05:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Pejë-Prishtinë, saktësisht në fshatin Bresje,ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime”.

    “Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e aksidentit janë lënduar katër persona. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal”.

  • Osmani takoi komandantin e KFOR-it, shprehu mirënjohje për angazhimin e ushtarëve

    Osmani takoi komandantin e KFOR-it, shprehu mirënjohje për angazhimin e ushtarëve

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi mbrëmë një darkë pune me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, me të cilin bisedoi për zhvillimet më të fundit të sigurisë në vendin tonë.

    Në vazhdë të takimeve të rregullta me komandantin e KFOR-it, si dhe në prag të përfundimit të mandatit të tij, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për angazhimin e pandërprerë të tij dhe të ushtarëve të KFOR-it në mirëmbajtjen e paqes dhe të sigurisë në Kosovë në bashkëpunim me institucionet e sigurisë në Kosovë.

    Ajo ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve tona të sigurisë dhe KFOR-it, si garanci për stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

  • Putin dhe Xi nisin bisedimet dypalëshe në Pekin

    Putin dhe Xi nisin bisedimet dypalëshe në Pekin

    Presidenti kinez, Xi Jinping, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, kanë nisur bisedimet dypalëshe në Pekin, në prag të paradës ushtarake që do të mbahet në kryeqytetin kinez. 

    Putini vlerësoi marrëdhëniet midis vendeve, duke thënë se ato ishin në një “nivel të paparë”.

    Putini do të marrë pjesë në paradën ushtarake të mërkurën në Pekin, e cila shënon 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ka raportuar AP.

    Në paradë do të jenë të pranishëm udhëheqës të huaj nga vende të ndryshme, të cilët kërkojnë të përmirësojnë ose të ruajnë marrëdhëniet me qeverinë në Pekin.

    Në maj presidenti kinez vizitoi Moskën për festimet e Rusisë për të shënuar disfatën e nazistëve.

    Takimet e kësaj jave vijnë në një kohë kur Xi kërkon të projektojë fuqinë e Pekinit në skenën ndërkombëtare – jo vetëm si ekonomia e dytë më e madhe në botë, por edhe si një peshë e rëndë diplomatike.

  • Parandalohet hyrja e 7,500 produkteve të falsifikuara në Kosovë – Dogana sekuestron ngarkesën në Portin e Durrësit

    Parandalohet hyrja e 7,500 produkteve të falsifikuara në Kosovë – Dogana sekuestron ngarkesën në Portin e Durrësit

    Dogana e Kosovës ka parandaluar hyrjen në vend të një sasie të konsiderueshme mallrash të dyshuara si të falsifikuara, në kuadër të një kontrolli të kryer mbi një ngarkesë të paraqitur për import përmes Portit të Durrësit.

    Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ekzaminimit të ngarkesës janë identifikuar gjithsej 7,500 produkte, të cilat mbanin shenja të një marke të njohur tregtare duke ngritur dyshime të forta për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.

    Produktet e sekuestruara përfshijnë: 1,250 mbushës telefoni, 5,750 koka mbushës telefoni dhe 500 kufje dhe dëgjues me bluetooth.

    Dogana bën të ditur se mallrat ishin të ambalazhuara në mënyrë që nuk tregonin përmbajtjen e saktë në paketimin e jashtëm, por pas hapjes u konstatua se ato përmbanin produkte të dyshuara si të falsifikuara.

    “Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e tregut dhe konsumatorëve nga mallrat e falsifikuara dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në përputhje me kompetencat e saj”, thuhet në komunikatë.

  • Shtyhet seanca gjyqësore për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend

    Shtyhet seanca gjyqësore për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend

    Seanca gjyqësore për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës ndaj të akuzuarve që ishin deputetë në atë kohë, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Pal Lekaj, Besa Baftiu është shtyrë për një datë tjetër.

    Shtyrjen e seancës së sotme për rastin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës e ka konfirmuar edhe avokati i Pal Lekaj, Musa Damati i cili tha se përmes telefonit janë njoftuar se seanca nuk mbahet sot.

    Ai theksoi se për këtë çështje gjyqësore deri në fund të vitit do të arrij parashkrimi i saj.

    “Seanca e sotme e planifikuar që të mbahet në rastin e njohur të gazit – lotsjellës është shtyrë për arsye të disa prej zyrtarëve të cilët kanë deklaruar me parashtresë me shkrim se janë të angazhuar me agjendën tyre të punës. Sa i përket klienti tim Pal Leka i njëjti gjendet në Kroaci dhe i njëjti ka prenotuar biletën e kthimit për të qenë pjesëmarrës në këtë seancë por që jemi njoftuar përmes telefonit që seanca për arsye të tjera është shtyrë. Ajo që është relevante në këtë çështje është te theksohet se nw raport me klientin tim por edhe të tjerët nuk ekzistojnë prova relevante që mund ta konfirmoj konsituimin e figurës së posaçme të veprës penale me të cilën ngarkohen. Një çështje them me interes është që të theksohet se instituti i të drejtës penale, instituti i parashkrimit absolut do të arrije në këtë çështje deri në fund të këtij viti”, tha ai.

    Siç mëson KosovaPress ish-deputetja, Besa Baftiu ka bërë kërkesë për shtyrje të seancës për shkak të një udhëtimi jashtë vendit.

    Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj akuzohen se në shkurt të 2016-tës kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, kështu duke e kryer veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

    Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për Demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë-Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe./KP/