ATV

Category: Lajme

  • Kurti merr pjesë në ditën e dytë të “KosovaPAR 2025”, thotë se Kosova është rast unik i shtetndërtimit

    Kurti merr pjesë në ditën e dytë të “KosovaPAR 2025”, thotë se Kosova është rast unik i shtetndërtimit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar Kosovën si një rast unik të shtetndërtimit dhe një histori suksesi pas luftës. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë ditës së dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike, “KosovaPAR 2025”.

    Sipas tij, procesi i veçantë i shtetndërtimit në 25 vitet e fundit është vlerësuar edhe nga organizata ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

    Ministria e Punëve të Brendshme, për të tretin vit me radhë, ka organizuar konferencën ndërkombëtare “KosovaPAR 2025”, e cila këtë vit është fokusuar në temën: “Capacity in Public Administration for or through AI?”.

    Kjo temë trajton ndikimin e inteligjencës artificiale në ndërtimin e kapaciteteve në administratën publike.

    Konferenca synon të rrisë ndërgjegjësimin për rolin e Reformës së Administratës Publike si një parakusht për integrimin evropian dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

    Këtë vit, në një kontekst të përshpejtuar digjital, diskutimet lidhen ngushtë me transformimin që sjell inteligjenca artificiale në qeverisje dhe administratë.

    “KosovaPAR 2025”, e cila nisi dje dhe po vazhdon edhe sot, përfshin 14 panele, 2 sesione kryesore dhe një tryezë të rrumbullakët, me pjesëmarrje nga niveli i lartë shtetëror, komuniteti diplomatik, akademikë, zyrtarë publikë, shoqëria civile, si dhe përfaqësues nga rajoni dhe më gjerë.

  • Arrestohet polici i Njësisë Speciale, dyshohet për keqpërdorim të pozitës dhe armëmbajtje pa leje

    Arrestohet polici i Njësisë Speciale, dyshohet për keqpërdorim të pozitës dhe armëmbajtje pa leje

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një zyrtar policor që ushtronte detyrën në Njësinë Speciale Operative, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.

    Arrestimi është bërë mbrëmë, si pjesë e një hetimi të përbashkët nga Departamenti i Hetimeve të IPK-së, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

    Në kuadër të hetimeve, është kryer edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në Vushtrri me autorizim të organeve të drejtësisë.

    Gjatë bastisjes, janë sekuestruar prova që mund të jenë të lidhura me rastin.

    Inspektorati Policor, duke vepruar në përputhje me autorizimet ligjore dhe në interes të hetimit i ka rekomanduar Policisë së Kosovës që ta suspendojë përkohësisht zyrtarin e arrestuar.

    Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar, ndërsa priten veprime të tjera hetimore në koordinim me prokurorin përgjegjës.

  • Vrasja në Lipjan, policia bastis shtëpinë e të dyshuarit Top Kolshi – gjendet një armë

    Vrasja në Lipjan, policia bastis shtëpinë e të dyshuarit Top Kolshi – gjendet një armë

    Një muaj pas vrasjes së Enver Bajraktarit në fshatin Baincë të Lipjanit, Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në shtëpinë e Top Kolshit, i cili dyshohet për kryerjen e krimit dhe groposjen e trupit të viktimës.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, bastisja u realizua më 3 shtator 2025, në orën 12:05, me urdhëresë të Gjykatës.

    Gjatë kontrollit, njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjysmëautomatike.

    Kolshi ndodhet tashmë në paraburgim, me vendim të Gjykatës të marrë më 13 gusht 2025. Sipas arsyetimit të gjykatës, ekziston rreziku që ai të arratiset apo të shmanget nga drejtësia, nëse do të lihej i lirë.

    Hetimet e deritanishme kanë ngritur dyshime se vrasja nuk është kryer vetëm nga Kolshi, por edhe me përfshirjen e personave të tjerë ende të paidentifikuar.

    Në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës thuhet se, gjatë intervistimit, Top Kolshi e ka pranuar se ka kryer veprën penale.

    Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë nga njësitë përkatëse.

  • Përplaset teleferiku historik në Lisbonë, të paktën 15 të vdekur dhe 18 të lënduar

    Përplaset teleferiku historik në Lisbonë, të paktën 15 të vdekur dhe 18 të lënduar

    Të paktën 15 persona kanë vdekur dhe 18 të tjerë janë plagosur në Lisbonë të Portugalisë, pasi teleferiku historik “Gloria” doli nga shinat mbrëmjen e së mërkurës.

    Autoritetet portugeze konfirmuan se dy prej të lënduarve janë në gjendje kritike për jetën.

    Sipas mediave lokale, aksidenti ndodhi kur një kabllo u lirua, duke bërë që vagoni të humbiste kontrollin dhe të përplasej me një ndërtesë. Shefi i Mbrojtjes Civile tha se ekipet e emergjencës punuan për nxjerrjen e personave që mbetën të bllokuar në vendngjarje.

    Teleferiku “Gloria” është ndërtuar në vitin 1885 dhe konsiderohet një nga simbolet më të njohura të Lisbonës.

    Prej më shumë se një shekulli, ai ka shërbyer si një nga atraksionet kryesore për turistët që vizitojnë kryeqytetin portugez.

  • MAShTI për ndryshimin e çmimeve të librave: Shqetësimet janë adresuar në Inspektoratin e Tregut

    MAShTI për ndryshimin e çmimeve të librave: Shqetësimet janë adresuar në Inspektoratin e Tregut

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka thënë se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe koordinatorët e verifikimit në shkolla, po e monitoron procesin e subvencionimit me tekste dhe materiale shkollore për të gjithë nxënësit.

    MAShTI tha se bazuar në Udhëzimin Administrativ 13/2026, nxënësit nga klasat e 6-ta deri në të 9-ta nuk kanë nevojë të blejnë tekste shkollore, pasi sipas tyre, ato bartën nga gjenerata e kaluar.

    Tutje, MAShTI tha se për sa i përket ndryshimeve të çmimeve të paraqitura në kopertinat e teksteve shkollore, shqetësimet janë adresuar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.

    “Sa i përket ndryshimeve të çmimeve të paraqitura në kopertinat e teksteve shkollore, sqarojmë se MAShTI nuk ka pasur rol në përcaktimin e tyre, pasi nuk ka pasur proces tenderimi dhe rrjedhimisht as negocim të çmimeve. Këto shqetësime tashmë janë adresuar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (në kuadër të MINT) dhe në Autoritetin e Konkurrencës”.

    “Çdo tendencë për manipulim apo përfitim të paligjshëm nga shtëpitë botuese do të trajtohet nga këto organe përkatëse, duke u ndërmarrë masat e nevojshme në kuadër të legjislacionit në fuqi”.

    “Lidhur me furnizimin me tekste shkollore për nxënësit e komuniteteve joshumicë dhe për nxënësit me kujdestar ligjor, theksojmë se, ashtu si në vitet e kaluara, subvencioni është i garantuar për çdo nxënës që ndjek mësimet në institucionet e Republikës së Kosovës. Qëllimi ynë i përbashkët është që të mos mbetet asnjë nxënës pa tekste shkollore”, thuhet tutje në njoftim.

    Kjo ministri tutje u shpreh se këtë vit janë shtuar masat e verifikimit për përfituesit e subvencionimit të teksteve shkollore, duke garantuar, sipas tyre, që askush të mos përfitojë pa u verifikuar.

    “Për vitin aktual, MAShTI ka shtuar masat e verifikimit përmes moduleve shtesë, ku koordinatorët e shkollave inspektojnë dhe verifikojnë secilin nxënës në shkollën përkatëse, duke garantuar që askush të mos përfitojë pa u verifikuar”./ATVLIVE/

  • Kushtetuesja ia nis punës për rastin që ua çoi Lista Srpska, kërkon nga deputetët t’i japin komentet e tyre deri më 9 shtator

    Kushtetuesja ia nis punës për rastin që ua çoi Lista Srpska, kërkon nga deputetët t’i japin komentet e tyre deri më 9 shtator

    Lista Serbe është ankuar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me votimin për nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës. Kjo ankesë ka nisur të trajtohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi kjo e fundit i ka dërguar letër Kuvendit të Republikës së Kosovës që t’i njoftojë deputetët për të paraqitur komentet e tyre, lidhur me këtë ankesë.

    Në letrën e plotë, të cilën e ka siguruar Gazeta Express, bëhet e ditur se deputetet kanë të drejtë të japin komentet e tyre deri më 9 shtator.

    Kjo kopje, është kërkuar të shpërndahet tek deputetët e Kuvendit.

  • Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur sot stërvitjen e fundit para nisjes për në Bazel të Zvicrës

    Kombëtarja e Kosovës ka mbajtur sot stërvitjen e fundit para nisjes për në Bazel të Zvicrës

    Kombëtarja e Kosovës në futboll ka mbajtur sot seancën e fundit stërvitore para nisjes për në Bazel të Zvicrës.

    Atmosfera shihet fantastike në grupin e “Dardanëve” para ndeshjes së rëndësishme.

    Franco Foda sot mbajti seancën e fundit, kurse nesër ekipi i Kosovës pritet të udhëtojë drejt Zvicrës.

    Të premten nga ora 20:45, zhvillohet ndeshja kundër “helvetikëve”, e vlefshme për kualifikim në Kupën e Botës 2026. /ATVLIVE.TV

  • Zyrtarët italianë që punojnë në Kosovë mblidhen për të analizuar situatën në Kosovë

    Zyrtarët italianë që punojnë në Kosovë mblidhen për të analizuar situatën në Kosovë

    Ambasada e Italisë organizoi dje një takim me zyrtarët italianë të angazhuar në Kosovë pranë organizatave ndërkombëtare, si mundësi për të shkëmbyer pikëpamje mbi situatën në Kosovë nga perspektiva të ndryshme.

    Ky takim, që sipas njoftimit të Ambasadës italiane pritet të përsëritet edhe në të ardhmen, vlerësohet si një rast i rëndësishëm për të konfirmuar rolin strategjik të zyrtarëve italianë në organizatat ndërkombëtare, sidomos në një kohë kur sfidat për multikulturalizmin në nivel global janë në rritje.

    “Një falënderim i sinqertë Komandantit Barduani për kontributin e tij autoritativ dhe për analizën e ofruar mbi misionin KFOR”, thuhet në njoftimin e Ambasadës./ATVLIVE/

  • Paraqitja e Kurtit në Gjykatë, zëdhënësi i Qeverisë: Hetuesit e intervistuan në zyrën e tij në qershor për rastin e kanosjes

    Paraqitja e Kurtit në Gjykatë, zëdhënësi i Qeverisë: Hetuesit e intervistuan në zyrën e tij në qershor për rastin e kanosjes

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u kritikua pasi u paraqit në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin në të cilin ish-udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, akuzohet për kanosje ndaj tij.

    Kurti u paraqit në Gjykatë, ndërsa pati reagime të shumta për faktin se ai po refuzon të dëshmojë në Prokurori për rastin e rezervave shtetërore.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, në një reagim ka thënë se paraqitja e kryeministrit Kurti në Gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale.

    Kryeziu ka përsëritur se në rastin e rezervave shtetërore, Kurti kishte shprehur gatishmëri që të intervistohet në zyrën e tij. Ai ka bërë të ditur se në rastin e kanosjes, Kurti është intervistuar nga zyrtarë hetues të autorizuar nga Prokuroria, pikërisht në zyrën e tij. Kryziu ka bërë të ditur se intervistimi ka ndodhur më 10 qershor.

    Paraqitja e kryeministrit Kurti në Gjykatë për rastin e kanosjes ndaj tij nuk është kurrfarë standardi i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale.
    Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë.
    Ndërkaq në lidhje me rastin e kanosjes, zyrtarët hetues të autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar kryeministrin Kurti pikërisht në zyrën e tij më 10 qershor 2025. Sot ai u paraqit në gjykatë si palë e dëmtuar./ATVLIVE/

  • Deklarohen të pafajshëm Klinaku e Selmani për kanosjen e Albin Kurtit

    Deklarohen të pafajshëm Klinaku e Selmani për kanosjen e Albin Kurtit

    Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani janë deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku po akuzohen për kanosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Kurti ka thënë se nuk do të parashtrojë kërkesë pasurore-juridike.