ATV

Category: Lajme

  • Tragjedia në Lisbonë, shkon në 17 numri i të vdekurve, dëshmitarët: Ra si kuti kartoni, nuk kishte frena

    Tragjedia në Lisbonë, shkon në 17 numri i të vdekurve, dëshmitarët: Ra si kuti kartoni, nuk kishte frena

    “Elevador da Glória” doli nga shinat e u përplas, duke i marrë jetën 17 personave. 20 të tjerë mbetën të plagosur; të paktën 5 prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.

    Policia po bashkëpunon me kompaninë që menaxhon tramvajin për të përcaktuar saktë kush ishte në bord, dhe çfarë e shkaktoi përplasjen.

    Në mediat lokale, fokusi është vendosur tek te kablloja që mundëson funksionimin e sistemit të kundërpeshës, dhe që e lejon tramvajin të udhëtojë lart e poshtë kodrës shumë të pjerrët në qendër të Lisbonës. Ky sistem është përdorur që nga viti 1914. Fillimisht funksiononte me bazë ujin, pastaj avullin dhe tani është elektrik.

    Përveç kabllos megjithatë, shtrohet dhe pyetja sesi arriti mjeti të dilte nga shinat dhe përse sistemi i frenimit nuk ka qenë i mjaftueshëm për të bllokuar zbritjen me shpejtësi në këtë shpat shumë të pjerrët. Këtë gjë e vunë re dhe dëshmitarët në vendngjarje.

    “Tramvaji po ecte me shpejtësi të plotë në rrugën e pjerrët dhe goditi një ndërtesë. E pamë që u përplas me forcë brutale dhe u shemb si një kuti kartoni, nuk kishte frena”, u shpreh Carla Gomes, dëshmitare.

    Sipas SIC Notícias, që iu referua operatorit hekurudhor, dyshimi kryesor për shkakun e ngjarjes së rëndë është pikërisht ngecja e frenave, por kjo po verifikohet. Ekspertët insistojnë edhe te rëndësia e shtimit të kontrolleve.

    “Duhet të bëjmë më shumë inspektime dhe të kemi më shumë staf. E kalojmë kohën duke folur për sigurinë, por nga ana tjetër kemi gjithnjë e më shumë aksidente. Unë punoj në një kantier ndërtimi dhe gjithmonë kemi më shumë trajnime mbi sigurinë. Duhet hetim i thelluar për të parë se çfarë shkoi keq dhe për ta parandaluar që të ndodhë përsëri”, shprehet Adriano Santos, elektricist.

    Qeveria portugeze e shpalli këtë të sotmen ditë zie kombëtare, në të gjithë vendin. Besohet se mes viktimave të përplasjes së tramvajit të konsideruar një atraksion i mirëfilltë turistik, ka edhe shtetas të huaj. Ai kishte vend normalisht për rreth 40 pasagjerë, por nuk ishte plotësisht i zënë.

    Një aksident i tillë me tramvajin elektrik nuk kishte ndodhur kurrë më parë në Lisbonë.

  • Erik ten Hag: “Shkarkimi nga Bayer Leverkusen më erdhi si një surprizë e madhe”

    Erik ten Hag: “Shkarkimi nga Bayer Leverkusen më erdhi si një surprizë e madhe”

    Pas shkarkimit nga Bayer Leverkusen, trajneri Eric Ten Hag, për herë të parë ka folur duke treguar se ajo çfarë ka ndodhur është paprecedentë dhe sipas tij duhej t’i jepnin më shumë besim.

    “Vendimi nga menaxhmenti i Bayer Leverkusen për të më vënë në një pushim mungese erdhi si një surprizë e madhe. Të ndash rrugët me një trajner kryesor pas vetëm dy ndeshjeve të ligës është diçka absolutisht e paprecedentë.”

    “Këtë verë, shumë lojtarë kyç që ishin pjesë e sukseseve të kaluara u larguan nga skuadra. Ndërtimi i një ekipi të ri është proces i kujdesshëm që kërkon edhe kohë edhe besim”.

    “Një menaxher i ri meriton hapësirën për të zbatuar vizionin e tij, për të vendosur standardet, për të formësuar skuadrën, për të lënë gjurmën e tij në stilin e lojës”.

    “E fillova këtë punë me bindje dhe energji të plotë, por fatkeqësisht menaxhmenti nuk ishte i gatshëm të më jepte kohën dhe besimin që më duhej, gjë për të cilën jam penduar thellë. Ndjej se kjo nuk ishte kurrë marrëdhënie e bazuar në besimin e ndërsjellë”.

    “Gjatë gjithë karrierës sime, çdo sezon që kam qenë në gjendje të shoh deri në fund si trajner ka sjellë sukses. Klubet që vendosën besimin e tyre tek unë janë shpërblyer me sukses dhe trofe”.

    “Në fund, dua të falënderoj mbështetësit e Leverkusen për ngrohtësinë dhe pasionin e tyre dhe kështu i uroj skuadrës dhe stafit çdo sukses për pjesën e mbetur të sezonit”.

  • Ushtria e Kosovës pjesë e ushtrimit të NATO-s në Gjermani

    Ushtria e Kosovës pjesë e ushtrimit të NATO-s në Gjermani

    Me ftesë të ushtrisë amerikane, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) i është bashkuar ushtrimit të përbashkët ushtarak “Saber Junction 25”, që po zhvillohet në Hohenfels të Gjermanisë.

    FSK po merr pjesë në këtë ushtrim ndërkombëtar me një Kompani të Këmbësorisë dhe një skuadër të specializuar për materie të rrezikshme (CBRN), me qëllim të demonstrimit të profesionalizmit dhe ndërveprueshmërisë me ushtritë partnere të ShBA-së dhe vendeve të tjera aleate.

    “Saber Junction 25” është një stërvitje fushore e dizajnuar për të testuar gatishmërinë e njësive luftarake dhe për të vlerësuar kapacitetet e tyre për operacione të përbashkëta, veçanërisht në kontekstin e rotacionit për misionin e KFOR-it në Kosovë.

    Pjesëmarrja e FSK-së në këtë ushtrim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përforcimit të rolit të saj në sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin ushtarak ndërkombëtar.

  • Bislimi: Kosova meriton të avancojë në rrugën e saj drejt BE-së

    Bislimi: Kosova meriton të avancojë në rrugën e saj drejt BE-së

    Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Kosova meriton të avancojë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Gjatë vizitës së tij në Danimarkë, ai tha se hapi i radhës duhet të jetë marrja e statusit të vendit kandidat.

    Sipas tij, ky ishte një rast për të thelluar diskutimet mbi të ardhmen evropiane të vendit dhe për të kërkuar pranimin e pyetësorit nga Komisioni Evropian.

    Gjatë qëndrimit në Kopenhagë, zëvendëskryeministri zhvilloi takime dypalëshe me homologë nga Franca, Finlanda e Kroacia, si dhe me deputetë të parlamentit danez.

    Në këto takime, ai theksoi përkushtimin për të siguruar mbështetje për të ardhmen evropiane të Kosovës.

  • I çonte informacione BIA’s, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për spiunazh ndaj ish-zyrtares së OSBE’së

    I çonte informacione BIA’s, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për spiunazh ndaj ish-zyrtares së OSBE’së

    Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër ish-zyrtares së OSBE’së për veprën penale “Spiunazh”, e cila ishte arrestuar në mars të këtij viti.

    J.GJ. akuzohet se nga data e pacaktuar, e deri në momentin e arrestimit më 28.02.2025, në cilësinë e zyrtares të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije dhe me dashje ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë.E pandehura, e cila mbante pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cënuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë”, thuhet në njoftim.Sipas Prokurorisë, J.GJ.nga pozita e saj në OSBE, dhe udhëzimeve që kishte marrë nga tani i dënuari për spiunazh A.V., gjatë takimeve zyrtare dhe përpilimit të raporteve të OSBE-së, për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë, poashtu ka kontribuar në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës.

    “Sipas provave të siguruara gjatë hetimeve, informacionet e siguruara nga J.GJ, janë transmetuar tek zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për Rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtari L.B., ku me këtë të fundit, e pandehura në disaraste edhe është takuar në Beograd të Serbisë”, thuhet tutje në njoftim.

    Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës vazhdimin e masës së paraburgimit, dhe pas shqyrtimit gjyqësor, e pandehura të shpallet fajtore për veprën penale që i vihen në barrë dhe ndaj saj të shqiptohet dënim konform ligjeve në fuqi./ATVLIVE/

     

  • Osmani ngushëllon liderët dhe popullin portugez për tragjedinë në Lisbonë

    Osmani ngushëllon liderët dhe popullin portugez për tragjedinë në Lisbonë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka shprehur ngushëllime udhëheqësve dhe popullit të Portugalisë pas ngjarjes tragjike në Lisbonë të mërkurën, kur një tramvaj elektrik ka dalë nga shinat duke lënë të vdekur të paktën 17 persona.

    Osmani ka shkruar në X se populli i Kosovës qëndron me miqtë e saj portugezë.

    “Shprehim solidaritetin me presidentin Marcelo Nuno Duarte Rebelo de Sousa, kryeministrin Luís Montenegro dhe popullin e Portugalisë, pas aksidentit tragjik me trenin Gloria në Lisbonë. Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve të viktimave dhe u uroj shërim të shpejtë të lënduarve. Ne qëndrojmë me miqtë tanë portugezë”, ka shkruar Osmani.

    Aksidenti tragjik ka lënë edhe më shumë se 20 të lënduar, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.

  • Kurti pyetet për mandatarin, thotë se të dielën kanë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm

    Kurti pyetet për mandatarin, thotë se të dielën kanë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u pyet sot nëse partia e tij do të dërgojë mandatarin për kryeministër te presidentja, por ai u përgjigj shkurt, duke thënë se të dielën kanë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm.

    “Kemi mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të dielën”, tha Kurti.

    Ai këto deklarata i bëri në ditën e dytë të Konferencës Ndërkombëtare për Administratë Publike – KosovaPAR2025./EO

  • Hamasi gati për marrëveshje me Izraelin, kërkon tërheqje trupave izraelite nga Gaza

    Hamasi gati për marrëveshje me Izraelin, kërkon tërheqje trupave izraelite nga Gaza

    Grupi i armatosur Hamas ka shprehur gatishmërinë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund luftës me Izraelin.

    Në një deklaratë zyrtare, grupi ka listuar disa kushte, përfshirë tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Rripi i Gazës.

    Përveç tërheqjes, Hamasi kërkon hapjen e pikave kufitare, nisjen e procesit të rindërtimit dhe shkëmbimin e të gjithë të burgosurve.

    Marrëveshja, sipas tyre, duhet të përfshijë edhe formimin e një administrate kombëtare të teknokratëve për të menaxhuar rajonin.

    Në deklaratë, Hamasi akuzon Izraelin për krime lufte dhe shkatërrim sistematik të qytetit të Gazës.

    Përveç kësaj, grupi i ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara të ndërmarrin veprime urgjente për të ndaluar, siç e quajnë ata, gjenocidin dhe dëbimin e popullsisë

  • Aksident mes një autobusi dhe një veture në Prishtinë, katër të lënduar pranojnë trajtim mjekësor

    Aksident mes një autobusi dhe një veture në Prishtinë, katër të lënduar pranojnë trajtim mjekësor

    Katër persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku mes një autobusi dhe një veture.

    Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 07:30 në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana. Ai bëri të ditur se të gjithë të lënduarit kanë pranuar trajtimin e nevojshëm mjekësor.

    Pllana ka thënë se, me hetimin e rrethanave të këtij aksidenti po merret Njësia e Trafikut të Kryeqytetit.

  • Rrahje mes tri grave në Pejë, njëra merr ndihmë mjekësore

    Rrahje mes tri grave në Pejë, njëra merr ndihmë mjekësore

    Policia e Kosovës ka raportuar për një rast të dhunës në familje në Pejë, ku janë përfshirë tri gra.

    Ngjarja ka ndodhur të mërkurën pasdite, ku si pasojë e rrahjes, njëra prej tyre ka pësuar lëndime.

    Sipas raportit të policisë, dy gra kanë njoftuar se janë sulmuar fizikisht nga një grua tjetër pas një mosmarrëveshjeje.

    Më tej, bëhet e ditur se njëra nga viktimat ka pranuar trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve të marra.

    lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori kompetent, i cili ka urdhëruar fillimin e hetimeve, duke hapur rast për “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.