ATV

Category: Lajme

  • Dyshimi për varrezë masive në Kozhle, Hoti: Lokacioni është përdorur si deponi mbeturinash

    Dyshimi për varrezë masive në Kozhle, Hoti: Lokacioni është përdorur si deponi mbeturinash

    Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka bërë të ditur se lokacioni në Kozhlje, afër Novi Pazarit, ku dyshohet për një varr masiv, deri më tani është shfrytëzuar si deponi mbeturinash.

    Sipas tij, ky është një nga vendet që është diskutuar disa herë nga Grupi Punues për të Zhdukurit nga lufta, krahas lokacioneve si Batajnica dhe Kozhareva, për të cilat Kosova ka kërkuar vazhdimisht nisjen e hulumtimeve.

    Në këtë zonë sot është deleguar një ekip nga Kosova për të bërë vlerësimin e terrenit dhe për të parë mundësinë e fillimit të punimeve.

    “Ky lokacion ka nisur të vlerësohet që nga viti i kaluar, por më pas është shtyrë nga pala serbe. Vetëm pas presionit të vazhdueshëm, edhe ndërkombëtar, Serbia ka filluar procesin e vlerësimit. Duhet theksuar se kjo po ndodh pas një zjarri që për gati dy muaj ka kapluar atë zonë. Nga Kosova sot është deleguar një ekip i përbërë nga z. Kushtrim Gara, z. Ditor Haliti dhe z. Valon Hyseni. Aktualisht në terren janë të pranishëm edhe ICRC dhe EULEX, krahas palës serbe. Sot po kryhet vlerësimi dhe më pas do të shihet mundësia për fillimin e punimeve.”, ka shkruar Hoti në Facebook.

    Ai ka theksuar se lokacioni është përdorur si deponi mbeturinash që nga viti 1999 dhe për të arritur deri te zona e dyshuar, duhet largimi i tyre deri në një thellësi mbi 15 metra.

    Hoti ka bërë thirrje që Serbia të mos e zvarrisë procesin në Kozhlje dhe të fillojë punimet edhe në vendet e tjera të identifikuara.

    “Ajo që ka rëndësi të veçantë është që të mos lejohet Serbia ta kthejë Kozhljen në një proces të pafund, siç ndodhi me Kizhevakun dhe Rudnicën, duke zvarritur punimet me vite të tëra dhe duke mos dhënë koordinata të sakta. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje Serbisë që të fillojnë punimet edhe në lokacionet tjera për të cilat ka zotime, siç është Batajnica dhe 16 lokacionet tjera të përmendura në raportin e tyre.”, ka shkruar ai.

  • Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, dyshohet se i shkaktuan dëm buxhetit mbi 125 mijë euro

    Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, dyshohet se i shkaktuan dëm buxhetit mbi 125 mijë euro

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës, ish-nënkryetar i Mitrovicës së Jugut, dhe Hysen Muzliukajt, ish-drejtor në këtë komunë.

    Ata akuzohen për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë tejkaluar kompetencat për t’i sjellë përfitim pasuror personave të tretë, duke dëmtuar pronën publike.

    Në prill të vitit 2021, ata i propozuan Kuvendit Komunal këmbimin e një prone, duke e paraqitur rrejshëm si pronë komunale.

    Ky veprim i ka shkaktuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit një dëm prej mbi 125 mijë eurosh.

    Përveç kësaj, Mujka akuzohet edhe për mosraportim të pasurisë.

    Të dy ishin arrestuar në vitin 2023 gjatë një operacioni anti-korrupsion, ku në njërin nga lokacionet ishin sekuestruar edhe 60 mijë euro.

  • Polonia rrëzon disa dronë rusë, BE e quan “të qëllimshme” hyrjen e dronëve rusë në Poloni

    Polonia rrëzon disa dronë rusë, BE e quan “të qëllimshme” hyrjen e dronëve rusë në Poloni

    Polonia ka rrëzuar disa dronë rusë që shkelën hapësirën e saj ajrore të mërkurën. Incidenti ndodhi gjatë një sulmi masiv ajror rus në perëndim të Ukrainës, duke bërë që Varshava të aktivizojë mbrojtjen ajrore.

    Sipas komandës ushtarake polake, radarët gjurmuan më shumë se 10 objekte, ndërsa disa prej tyre u neutralizuan.

    Ndërkohë, një dron rus dëmtoi një ndërtesë banimi në një fshat polak në kufi me Ukrainën, por pa shkaktuar të lënduar. Lidhur me këtë incident diplomatja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka quajtur hyrjen e dronëve rus në territorin polak “të qëllimshme”.

    Si masë sigurie, autoritetet polake mbyllën përkohësisht hapësirën ajrore të aeroportit Chopin në Varshavë.

    Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk ka thirrur një mbledhje urgjente të qeverisë dhe po bashkërendon veprimet me NATO-n, e cila pritet ta diskutojë këtë çështje gjatë ditës.

  • Vdes njëri nga të goditurit me veturë të hënën në Viti, ngjarja ri-kualifikohet si “vrasje e rëndë”

    Vdes njëri nga të goditurit me veturë të hënën në Viti, ngjarja ri-kualifikohet si “vrasje e rëndë”

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në qytetin e Vitisë, kur një veturë ka goditur disa të rinj që po qëndronin në parkun “Bafti Haxhiu”.

    Sipas Policisë, 21-vjeçari me inicialet E.Sh., duke drejtuar një veturë të tipit “Opel Insignia”, fillimisht ka goditur disa karrige e më pas pesë persona.

    Katër nga të rinjtë e lënduar ndodhen jashtë rrezikut për jetë, ndërsa njëri prej tyre, viktima me inicialet A.F., kishte pësuar lëndime të rënda dhe ishte transferuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ka vdekur më mëngjesin e sotëm, rreth orës 01:15.

    Pas rastit tragjik, Prokuroria e Shtetit e ka ri-kualifikuar ngjarjen si “Vrasje e rëndë”.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave janë duke vazhduar.

  • IKD: Qeverisja “Kurti II” e kundërligjshme, ministrat mbajtën dy pozita, vendimet e tyre të kundërligjshme

    IKD: Qeverisja “Kurti II” e kundërligjshme, ministrat mbajtën dy pozita, vendimet e tyre të kundërligjshme

    Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar një raport ku thekson se Qeverisja “Kurti II” ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme.

    Sipas IKD-së, ministrat kanë mbajtur njëkohësisht postin e deputetit, ndërsa shumë institucione janë udhëhequr nga ushtrues detyre.

    Raporti thekson se mbajtja e dy pozitave shkel Kushtetutën, një praktikë që u vlerësua e kundërligjshme edhe nga Gjykata Supreme.

    Përveç kësaj, IKD ka gjetur se mbajtja e pozitave me ushtrues detyre përtej afateve ligjore ka dëmtuar meritokracinë dhe ka paralizuar institucionet.

    Lidhur me mbajtjen e dy pozitave nga ministrat, rasti tashmë po trajtohet edhe nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

     

  • MPJD konfirmon arrestimin e shtetasit të Kosovës në Serbi, thotë se janë njoftuar përfaqësuesit e BE-së dhe QUINT-it

    MPJD konfirmon arrestimin e shtetasit të Kosovës në Serbi, thotë se janë njoftuar përfaqësuesit e BE-së dhe QUINT-it

    Ministria e Punëve të Jashtme ka konfirmuar arrestimin e një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe.

    Sipas ministrisë, Hazir Haziri është ndaluar të martën në pikën kufitare në Merdarë, teksa po udhëtonte me automjetin e tij privat në drejtim të Serbisë.

    Për këtë rast thuhet se angazhuar menjëherë zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Beograd, ku ka kërkuar sqarime zyrtare për arsyet e ndalimit.

    Për rastin, Ministria e Jashtme ka njoftuar edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të vendeve anëtare të QUINT-it.

    Këto ndalime nga autoritetet serbe, Ministria e Jahste i ka cilësuar si shkelje të marrëveshjeve të dialogut dhe ka kërkuar reagim të menjëhershëm ndërkombëtar.

    Për shkak të rritjes së rasteve, ministria u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë për arsye sigurie.

  • Shefja e Komisionit Evropian kërkon sanksione dhe pezullim të pjesshëm të tregtisë më Izraelin

    Shefja e Komisionit Evropian kërkon sanksione dhe pezullim të pjesshëm të tregtisë më Izraelin

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi të mërkurën do të kërkojë sanksione dhe pezullim të pjesshëm të tregtisë më Izraelit për shkak të luftës në Rripin e Gazës.

    Bashkimi Evropian, i cila ka 27 vende anëtare, është thellësisht i ndarë mbi qasjen ndaj Izraelit dhe palestinezëve, dhe nuk është e qartë nëse do të gjendet një shumicë e nevojshme për t’i mbështetur sanksionet dhe masat tregtare kundër Izraelit.

    “Ajo që po ndodh në Gazë ka tronditur ndërgjegjen e botës”, tha von der Leyen në një fjalim para Parlamentit Evropian në Strasburg, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Von der Leyen shtoi se komisioni “do të krijojë muajin e ardhshëm një grup donatorësh për palestinezët” një pjesë e të cilit do të përqendrohet në rindërtimin e ardhshëm të Gazës.

    “Uria e shkaktuar nga dora e njeriut nuk mund të jetë kurrë armë lufte. Për hir të fëmijëve, për hir të njerëzimit. Kjo duhet të ndalet”, shtoi ajo, duke marrë duartrokitje në Parlament.

    Fjalimi i saj erdhi një ditë pasi ushtria izraelite i paralajmëroi banorët e Qytetit të Gazës të evakuohen, para se ta nisë ofensivën e gjerë për ta marrë nën kontroll qytetin, i cili thuhet të jetë bastioni i fundit i Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Izraeli i bëri këtë paralajmërim të martën para një sulmi ndaj liderëve të Hamasit në Katar, ku negociatat për përfundimin e luftës në Gazë dukej se kishin ngecur.

    Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi rrëmbyen 251 njerëz më 7 tetor të vitit 2023 dhe i vranë rreth 1.200 të tjerë, kryesisht civilë izraelitë.

    Në Gazë po mbahen edhe 48 pengje, rreth 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

    Lufta hakmarrëse e Izraelit ka vrarë mbi 64.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë dhe rrënuar pjesën më të madhe të territorit.

    Shumë pjesë të qyteteve kryesore janë shkatërruar plotësisht dhe rreth 90% e rreth 2 milionë palestinezëve janë zhvendosur brenda vendit./REL

  • Kusari-Lila në “Context”: Nisma refuzoi ofertën për nënkryetar të Kuvendit

    Kusari-Lila në “Context”: Nisma refuzoi ofertën për nënkryetar të Kuvendit

    Kryetarja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se Nisma Socialdemokrate ka refuzuar ofertën për të propozuar një nënkryetar të Kuvendit.

    Duke folur mbrëmë në emisionin “Context” në ATV, ajo theksoi se oferta ishte bërë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, e cila përcakton balancën gjinore në kryesi: “Nëse kryetari është burrë, atëherë një nga nënkryetarët duhet të jetë grua – dhe anasjelltas. Pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar, Nisma nuk e ka shfrytëzuar mundësinë për të propozuar njërën nga dy deputetet e saj për pozitën e nënkryetares.”

    Në anën tjetër, deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, ka theksuar se posti i nënkryetarit nuk ka qenë prioritet për partinë e saj. Sipas saj, Nisma mbetet e hapur për marrëveshje politike që garantojnë shumicë të qëndrueshme dhe qeverisje funksionale, ndërsa në mungesë të kësaj, “zgjidhja e vetme mbetet rikthimi tek qytetarët përmes zgjedhjeve të reja.”

  • Kushtetuesja e shpall të papranueshme ankesën e Ramës kundër rregullores së mbeturinave

    Kushtetuesja e shpall të papranueshme ankesën e Ramës kundër rregullores së mbeturinave

    Gjykata Kushtetuese ka refuzuar si të papranueshme ankesën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ndaj rregullores për menaxhimin e mbeturinave, të miratuar më 5 dhjetor 2024 nga Kuvendi Komunal.

    Në arsyetimin e saj, Kushtetuesja ka theksuar se kjo rregullore nuk është as ligj i Kuvendit të Kosovës dhe as akt i Qeverisë, por një akt nënligjor komunal, i cili nuk hyn në fushën e kompetencës së saj.

    Megjithatë, me autorizim të kryetarit Rama, Zyra Ligjore e Komunës kishte vendosur që nga shkurti 2025 të mos e zbatojë këtë rregullore. Si rezultat, faturat e mbeturinave janë arkëtuar drejtpërdrejt nga Komuna e Prishtinës, ndërsa shërbimi i grumbullimit është deleguar tek gjashtë kompani private.

    Ndërkohë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e ka vlerësuar rregulloren si të ligjshme, ndërsa Gjykata Supreme ka urdhëruar Komunën që të kthejë kompanisë publike “Pastrimi” të hyrat e mbledhura për gjashtë muaj.

    Vendimi i Kushtetueses e konsolidon pozitën e “Pastrimit” si operator publik në këtë sektor, por njëkohësisht mban të hapur debatin politik e juridik mbi mënyrën se si Komuna e Prishtinës ka menaxhuar një shërbim thelbësor për qytetarët.

    Burime brenda “Pastrimit” konfirmojnë se edhe këtë muaj pagat e punëtorëve janë shpërndarë me vonesë, për shkak të mosshlyerjes së borxhit prej 2.5 milionë eurosh nga ana e Komunës së Prishtinës.

  • Kallas e quan “të qëllimshme” hyrjen e dronëve rusë në Poloni

    Kallas e quan “të qëllimshme” hyrjen e dronëve rusë në Poloni

    Diplomatja më e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se teguesit e hershëm sugjerojnë se hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore evropiane ishte e qëllimshme, jo aksidentale.

    Ajo ka shkruar të mërkurën në X se lufta e Rusisë po vazhdon të përshkallëzohet.

    “Ne duhet të rrisim koston për Moskën, të forcojmë mbështetjen për Ukrainën dhe të investojmë në mbrojtjen e Evropës. BE-ja luan një rol të madh dhe ne do të mbështesim iniciativa si linja mbrojtëse e kufirit lindor”, ka shkruar Kallas.
    Ajo e ka përshkruar sulmin rus, ku dronët hynë në hapësirën ajrore polake, si “shkeljen më serioze të hapësirës ajrore evropiane nga Rusia që nga fillimi i luftës”.

    Kallas ka shtuar se është në kontakt me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe zëvendëskryeministrin e Polonisë, Radosłaë Sikorski.

    “BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Poloninë”, ka thënë Kallas.