ATV

Category: Lajme

  • Zhvillimi profesional i stafit, policia nënshkruan marrëveshje me Kolegjin AAB dhe AUK

    Zhvillimi profesional i stafit, policia nënshkruan marrëveshje me Kolegjin AAB dhe AUK

    Policia e Kosovës ka nënshkruar sot marrëveshje të reja bashkëpunimi me dy institucione të arsimit të lartë, Kolegjin AAB dhe Universitetin Amerikan në Kosovë.

    Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është ngritja e mëtejme arsimore dhe zhvillimi profesional i pjesëtarëve të policisë.

    Marrëveshjet u nënshkruan nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, dhe përfaqësues të dy institucioneve arsimore.

    Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit për të zhvilluar kapacitetet dhe burimet njerëzore brenda forcës policore përmes programeve të avancuara arsimore.

  • Trump e vë në rrezik organizimin e Kupës së Botës 2026, mund t’i ndryshojë disa vende pritëse të ndeshjeve

    Trump e vë në rrezik organizimin e Kupës së Botës 2026, mund t’i ndryshojë disa vende pritëse të ndeshjeve

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vënë në diskutim organizimin e Kupës së Botës 2026, duke kërcënuar se mund të zhvendosë ndeshjet nga qytetet që sipas tij drejtohen nga “ekstremistë të krahut të majtë” dhe që ai i konsideron të pasigurta.

    Trump ka lënë të hapur mundësinë që disa ndeshje të Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik, të zhvendosen në qytete të tjera.

    “Këto qytete drejtohen nga ekstremistë të krahut të majtë që nuk dinë çfarë po bëjnë. Ne do të sigurohemi që këto ndeshje të zhvillohen në mënyrë të sigurt. Nëse mendojmë se një qytet mund të jetë sadopak i pasigurt për Kupën e Botës, do ta zhvendosim atë në një qytet tjetër”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke iu përgjigjur pyetjes për ndeshjet e planifikuara në Seattle dhe San Francisco.

    “Kupa e Botës do të jetë e sigurt. Nëse nuk mendoj se është e sigurt, do t’i zhvendosim ndeshjet në qytete të tjera. Por shpresoj që kjo të mos ndodhë”, shtoi ai.

    Trump gjithashtu vuri në dukje se “nëse mendojmë se një qytet do të jetë sadopak i pasigurt për Kupën e Botës ose Lojërat Olimpike (në Los Angeles në 2028), veçanërisht për Kupën e Botës, duke pasur parasysh që gara është e përhapur në kaq shumë qytete, ne nuk do të lejojmë që lojërat të mbahen; ne do t’i shtyjmë ato”.

    Kërcënimi i tij i drejtohet veçanërisht Çikagos, qyteti pritës i Kupës së Botës, i cili ka pasur nivele të larta të kriminalitetit.

    “Tani kemi një Uashington DC të shkëlqyer, siç e dini, por do të shkojmë edhe në Memfis dhe qytete të tjera. Dhe shumë shpejt do të shkojmë në Çikago për ta bërë të sigurt Kupën e Botës”, përfundoi presidenti i SHBA-ve.

  • Paraqitet sëmundja Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, në një fermë dele në Landovicë të Prizrenit

    Paraqitet sëmundja Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, në një fermë dele në Landovicë të Prizrenit

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se pas kontrolleve të vazhdueshme është konfirmuar prania e sëmundjes PPR (Murtaja e Ruminantëve të Vegjël) në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit.

    Në njoftim për media pas hulumtimeve diagnostike në terren dhe zbatimit të masave për kontrollin e sëmundjes, Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar një rast me PPR në një fermë dele në këtë fshat.

    “Kjo sëmundje nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu. Megjithatë, ajo shkakton dëme të mëdha në shëndetin e kafshëve, rrit ngordhshmërinë dhe ka ndikim të rëndë në ekonominë blegtorale”, thuhet në njoftim.

    Tutje, AUV-i njofton se për masat që ka ndërmarrë si: kontrolli dhe mbikëqyrja e vazhdueshme në zonën e prekur, asgjësimi i kafshëve të prekura, kufizimi i lëvizjes së kafshëve në zonat tjera, si dhe njoftimi dhe bashkëpunimi me fermerët lokalë.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) bën thirrje për fermerët dhe qytetarët që të kenë bashkëpunim të ngushtë me shërbimet veterinare.

    “Në momentin që identifikohen shenja klinike si temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda dhe sytë, diarre, pneumoni apo kollitje e vazhdueshme, duhet të raportojnë menjëherë te organet kompetente. Respektoni masat dhe udhëzimet e inspektorëve dhe veterinerëve zyrtarë. Mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

     

  • Kapen në automjet me doza kanabisi gati për shitje, arrestohen dy persona në Korçë

    Kapen në automjet me doza kanabisi gati për shitje, arrestohen dy persona në Korçë

    Policia e Korçës ka arrestuar dy të rinj në qytet, pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin po lëviznin, u gjetën doza kanabisi që dyshohet se ishin për t’u shitur.

    Sipas njoftimit të policisë, në pranga kanë rënë 30-vjeçari E.P. dhe 25-vjeçari S.M., të cilët akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

    “Në momentin e ndalimit, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasve E.P. dhe S.M., si dhe gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, të ndarë në doza, gati për shitje. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E.P., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi tjetër kanabisi, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe një sasi fishekësh për armë gjahu”, thuhet në njoftimin e policisë.

     

  • Osmani takohet me presidentin e Senegalit, flasin për mundësitë e bashkëpunimit në fusha strategjike

    Osmani takohet me presidentin e Senegalit, flasin për mundësitë e bashkëpunimit në fusha strategjike

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me presidentin e Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, në New York, ku kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha strategjike.

    Përmes një njoftimi në Facebook, Osmani e cilësoi partneritetin mes dy shteteve si një shembull të miqësisë dhe bashkëpunimit.

    “Me Presidentin e Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, zhvilluam një takim në New York për të diskutuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha strategjike. 🇽🇰🇸🇳 Partneriteti ynë i qëndrueshëm përbën një shembull të miqësisë dhe bashkëpunimit, të cilin do të vazhdojmë ta forcojmë”, tha Osmani.

  • I riu nga Pakistani vret familjen pasi humbi në PUBG

    I riu nga Pakistani vret familjen pasi humbi në PUBG

    Në Pakistan, një adoleshent vrau nënën, vëllain dhe dy motrat e tij pasi pësoi një krizë nervore për shkak të lojës PUBG, një lojë në të cilën kaloi ditë të tëra.

    Zain Ali u dënua me katër burgime të përjetshme. Ai u kursye nga dënimi me vdekje për shkak të moshës së tij – ai ishte 14 vjeç në kohën e krimit.

    Zain u tërbua pasi humbi në lojë dhe u qortua nga nëna e tij. Ai mori një pistoletë dhe qëlloi anëtarët e familjes së tij një nga një, pastaj e hodhi armën.

    Një psikolog vuri re çrregullime të mundshme mendore, duke përfshirë probleme me kontrollin e zemërimit dhe depresionin.

  • Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për dy persona të dyshuar për nxitje përçarjeje fetare dhe mbështetje të ISIS-it

    Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për dy persona të dyshuar për nxitje përçarjeje fetare dhe mbështetje të ISIS-it

    Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër D.B dhe E.B për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

    Të pandehurit akuzohen se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve fetare, duke propaganduar ideologji ekstreme fetare dhe duke përkrahur publikisht veprimet e organizatës terrorsite ISIS.

    Sipas aktakuzës, D.B dhe E.B., përmes rrjetit social “Facebook” dhe “Tik –Tok” , kanë shpërndarë postime me përmbajtje nxitëse, me thirrje për t’iu bashkuar luftërave të armatosura dhe luftës për xhihad.

    Ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë vendosur flamuj të ISIS-it mbi kulmin e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafite me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre, me të cilat veprime potencialisht mund të prishet rendi publik.

    D.B., sipas provave ka qenë refuzues ndaj të gjithëve që nuk e praktikojnë fenë sipas mënyrës së tij, dhe ka postuar e shpërndarë materiale me gjuhë fyese ndaj shumicës së hoxhallarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës.

    Prokuroria Speciale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të pandehurit të shpallen fajtorë sipas ligjeve në fuqi, dhe t’iu vazhdohet masa e paraburgimit ndaj D.B. dhe ajo e arrestit shtëpiak ndaj E.B.

  • Akuza për korrupsion, caktohet seanca ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt

    Akuza për korrupsion, caktohet seanca ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar për 8 tetor seancën e shqyrtimit fillestar ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, lidhur me akuzat për korrupsion të ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

    Një gjë e tillë është bërë e ditur nga udhëheqësja e Zyrës për Informim dhe Media të kësaj gjykate, Milinda Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve F.M. dhe H.M. është caktuar të mbahet më 08.10.2025, në ora 09:30”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

    Në këtë seancë, Mujka dhe Muzliukaj pritet të deklarohen lidhur me fajësinë.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, dhe Muzliukaj, në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit, nuk kishte deklaruar shumën prej 60 mijë e 50 euro që iu sekuestruan në shtëpi.

     

  • ​Bërnjak: Policia kontrollon veturën e një personi, gjen sprej dhe shufër metalike

    ​Bërnjak: Policia kontrollon veturën e një personi, gjen sprej dhe shufër metalike

    Policia e Kosovës ka ndaluar një person të dyshuar për mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve, në Bërnjak.

    Sipas Policisë, gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit me shtetësi kosovare, janë gjetur dhe konfiskuar një sprej dhe një shufër metalike.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari lirohet dhe rasti shkon në procedurë të rregullt

  • Shefi i NATO-s ironizon Kremlinin: “Ariu s’ka nevojë të shpallë veten ari”

    Shefi i NATO-s ironizon Kremlinin: “Ariu s’ka nevojë të shpallë veten ari”

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka ironizuar reagimet e Moskës pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, se Rusia është një “tigër prej letre”.

    “Ai që është ari, nuk ka pse të theksojë se është ari – do ta kuptojnë të gjithë vetë. Kjo tregon shumë dobësi nga ana ruse. Është e qartë që presidenti Trump e goditi në pikë”, tha Rutte për Fox News.

    Reagimet e Moskës kishin ardhur pasi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, komentoi fjalët e Trumpit duke thënë se Rusia është ari, jo tigër, dhe se “nuk ekziston ari prej letre”.

    Peskov gjithashtu iu përgjigj pretendimit të Trumpit se Ukraina mund të rikthejë të gjithë territorin e okupuar, duke theksuar se forcat ruse po përparojnë në të gjitha frontet dhe se dinamika e luftës është e dukshme.

    Ai shtoi se një takim midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, pa përgatitje adekuate, do të ishte thjesht një shfaqje propagandistike me fat të parakohshëm dështimi.