ATV

Category: Lajme

  • Kandidatët e PDK-së premtojnë menaxhim të trafikut, mbështetje sociale dhe zhvillim infrastrukturor

    Kandidatët e PDK-së premtojnë menaxhim të trafikut, mbështetje sociale dhe zhvillim infrastrukturor

    Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismajli premton zgjidhje për trafikun brenda 18 muajve, përmes shtimit të semaforëve nga 20 në 80 dhe krijimit të Qendrës së Menaxhimit të Trafikut që do të monitorojë rrugët në kohë reale dhe do të bashkëpunojë me emergjencat për ndërhyrje të shpejtë.
    Në Gjilan, kandidati Riad Rashiti u zotua për mbështetje financiare për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe nënat e tyre, 200 euro për nënat dhe 100 euro shtesë për çdo fëmijë në muaj.

    Arian Tahiri në Mitrovicë premtoi ndërtimin e një çerdheje dhe investime në infrastrukturë për fshatin Kçiq.

    Në Rahovec, Edon Cana tha se pas 10 viteve të humbura, ai sjell një plan të qartë për ujësjellësin, rrugët, kanalizimin dhe zhvillimin rural.

    Në Prizren, Shaqir Totaj, që kërkon një mandat të dytë, premton përkujdesje për lagjen Kurilla dhe përmirësim të infrastrukturës.

    Sami Lushtaku në Skenderaj zhvilloi takime me qytetarë në Runik, duke premtuar realizim të projekteve me mbështetjen e tyre.

    Në Ferizaj, kryetari aktual Agim Aliu, i cili po kërkon një mandat të dytë, ka njoftuar nisjen e asfaltimit të rrugës kryesore në fshatin Surqinë dhe zhvilloi takim me mjekët në pension, duke i quajtur ata “plejadë e artë e shëndetësisë ferizajase”.

    Në Vushtrri, Ferit Idrizi paralajmëroi ndërtimin e një stadiumi modern multifunksional për të kthyer emocionet sportive te rinia.

  • “Mjeshtri i lagjes”, vota e sigurt dhe fuqizimi i grave, PSD me fushatë për ndryshim lokal

    “Mjeshtri i lagjes”, vota e sigurt dhe fuqizimi i grave, PSD me fushatë për ndryshim lokal

    Kandidatja për kryetare të Komunës së Prishtinës nga radhët e PSD-së, Besa Shahini, ka prezantuar iniciativën “Mjeshtri i lagjes”, një model që synon rigjenerimin dhe mirëmbajtjen e përditshme të lagjeve të kryeqytetit.

    Ajo po ashtu ka vënë theksin te programet për pensionistët, duke paralajmëruar krijimin e qendrave komunitare dhe zhvillimin e aktiviteteve ndërbrezore për të luftuar vetminë e moshës së tretë.

    Në Deçan, kandidatja e PSD-së, Natyra Kuçi, po udhëheq një fushatë që thekson ndershmërinë, përkushtimin dhe përfaqësimin e drejtë. Në një thirrje publike, ajo u është drejtuar qytetarëve për mbështetje financiare të drejtpërdrejtë.

    Në Kamenicë, kandidati për kryetar, Qendron Kastrati, ka vendosur fokusin në fuqizimin e grave dhe përfaqësimin e tyre në jetën publike dhe institucionale. Pas një takimi me gra të angazhuara dhe të suksesshme në qytet.

  • Gjenden mbetje mortore në Bjeshkët e Strellcit, dyshohet se janë të viktimave nga lufta

    Gjenden mbetje mortore në Bjeshkët e Strellcit, dyshohet se janë të viktimave nga lufta

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se në lokacionin Lugjet e Nekës, në Bjeshkët e Strellcit, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore që potencialisht u përkasin viktimave të luftës e të cilat ende figurojnë në Listën e Personave të Zhdukur.

    Sipas njoftimit, informatat janë pranuar nga qytetarë dhe më pas janë adresuar te Sektori i Policisë për Personat e Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe me IML-në, me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it.

    “Me urdhër të Prokurorit kompetent, mbetjet mortore u zhvarrosën dhe u dërguan në IML për ekzaminime të mëtejme dhe identifikim përmes analizës së ADN-së”.

    “Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar ndaj zbardhjes së fatit të çdo personi të zhdukur dhe vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. U bëjmë thirrje qytetarëve që të ndajnë çdo informacion të mundshëm që ndihmon në këtë proces”, thuhet në njoftim.

    Tutje, KQPZh tha se për çdo zhvillim të ri, publiku do të informohet menjëherë pas përfundimit të procedurave përkatëse.

  • Dogana kap 33 iPhone të modelit më të ri duke u kontrabanduar në aeroport

    Dogana kap 33 iPhone të modelit më të ri duke u kontrabanduar në aeroport

    Dogana e Kosovës ka njoftuar për 15 raste të kontrabandës në Aeroportin Ndërkombëtar të Kosovës.

    Vlera e përgjithshme e mallrave të identifikuara kap vlerën përtej 60 mijë eurosh, duke përfshirë kryesisht iPhone 17 Pro Max.

    “Në total janë evidentuar mbi 15 raste, ku udhëtarët kanë tentuar të fusin në territorin e Republikës së Kosovës mallra të ndryshme pa përmbushur detyrimet ligjore për deklarim. Ndër mallrat më të shpeshta përfshihen:

    – Telefona të llojit iPhone 17 Pro Max, rreth 33 copë;

    – Parfume origjinale të importuara pa deklarim përkatës;

    – Pjesë të ndryshme për automjete, të padeklaruara;

    – Mosdeklarim i mjeteve monetare mbi 10,000 €, ku 25% e shumës është konfiskuar në përputhje me dispozitat ligjore.

    Vlera e përgjithshme e mallrave të identifikuara në këto raste tejkalon shumën prej 60,000 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

  • Kryeministri i Hungarisë: Heqja dorë nga energjia ruse do e rrëzonte ekonominë hungareze

    Kryeministri i Hungarisë: Heqja dorë nga energjia ruse do e rrëzonte ekonominë hungareze

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, deklaroi të premten se vendi i tij do të vazhdojë të blejë naftë dhe gaz natyror nga Rusia, pavarësisht kërkesave nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të ndërprerë bashkëpunimin me Moskën.

    “I thashë presidentit të SHBA-së se, nëse Hungaria shkëputet nga nafta dhe gazi rus, menjëherë, brenda një minute, ekonomia e Hungarisë do të bjerë me katër për qind”, tha Orbán gjatë një interviste për televizionin shtetëror hungarez, raporton AP.

    “Kjo do të ishte katastrofike, ekonomia jonë do të rrëzohej”, shtoi ai.

    Hungaria është një nga vendet e pakta në Evropë që ende blen energji nga Rusia, që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

    Trump kishte kërkuar këtë muaj që të gjitha vendet anëtare të NATO-s, përfshirë Hungarinë, të ndalojnë blerjet e naftës nga Rusia, duke argumentuar se lufta mund të përfundojë nëse ndalohet importi i energjisë ruse.

    Kryeministri hungarez tha se nuk ka nevojë për debate për importet e energjisë të Hungarisë.

    “Është e qartë çfarë është në interesin e Hungarisë dhe ne do të veprojmë në përputhje me këtë”, deklaroi ai.

    Orbán theksoi gjithashtu se Hungaria është një vend sovran dhe nuk ka nevojë të pranojë argumentet apo interesat e të tjerëve.

    Edhe pse Bashkimi Evropian po përpiqet t’i largojë vendet anëtare nga energjia ruse, zyrtarët hungarezë thonë se pozita gjeografike dhe mungesa e infrastrukturës e bëjnë të vështirë kalimin në burime alternative nga Perëndimi.

    Megjithatë, vende të tjera të rajonit, si Republika Çeke, që gjithashtu nuk ka dalje në det, kanë arritur të ndalojnë plotësisht blerjen e naftës ruse që nga fillimi i luftës.

    Sllovakia, fqinji i Hungarisë, vazhdon të blejë energji nga Rusia.

  • Teherani dhe Moska me marrëveshje miliardëshe për ndërtimin e centraleve bërthamore në Iran

    Teherani dhe Moska me marrëveshje miliardëshe për ndërtimin e centraleve bërthamore në Iran

    Irani dhe Rusia kanë nënshkruar një marrëveshje në vlerë prej 25 miliardë dollarësh për ndërtimin e centraleve bërthamore në Republikën Islamike, raportoi media shtetërore iraniane më 26 shtator.

    Ky njoftim vjen para se të rivendosen sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit.

    “Një marrëveshje për ndërtimin e katër centraleve bërthamore në vlerë prej 25 miliardë dollarësh në Sirik, Hormozgan është nënshkruar mes kompanisë së Iranit, Hormoz dhe Rosatom-it”, tha televizioni shtetëror, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Irani ka vetëm një central funksional me energji bërthamore në Bushehr, i cili ka kapacitet prej 1.000 megavatësh – duke mbuluar vetëm një pjesë shumë të vogël të nevojave të shtetit për energji.

    Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, IRNA, çdo centrali i ri që do të ndërtohet do të ketë kapacitet prej 1.225 megavatësh, edhe pse nuk është dhënë ndonjë afat kohor se kur do të ndërtohen.

    Kjo lëvizje vjen në kohën kur priten të rivendosen sanksionet e OKB-së. Shtetet evropiane, që ishin nënshkruese të marrëveshjes bërthamore me Iranin të vitit 2015 kanë aktivizuar mekanizmin për rivendosjen e sanksioneve. Ato priten të rivendosen të shtunën.

    Britania, Franca dhe Gjermania aktivizuan mekanizmin për rivendosjen e sanksioneve muajin e kaluar, duke e akuzuar Iranin se ka shkelur zotimet e marrëveshjes.

    Shtetet perëndimore e akuzojnë Iranin se po synon të ketë armë bërthamore, por Teherani vazhdimisht mohon këtë akuzë, duke thënë se ka të drejtë që të ketë program bërthamor për qëllime civile.

    SHBA-ja ishte tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin më 2018 dhe kishte rivendosur sanksionet dhe më pas Teherani nisi që të shkelte pikat e marrëveshjes./REL

  • FSK trajnon pjesëtarët për shpëtimin e jetës në fushëbetejë

    FSK trajnon pjesëtarët për shpëtimin e jetës në fushëbetejë

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Ferizaj është realizuar kursi “Reaguesit e parë – Shpëtimi i jetës në fushëbetejë”.

    Sipas njoftimit, ky kurs ka për qëllim ofrimin e njohurive për vetëpërkujdesje shëndetësore.

    Po ashtu, kursi synon të pajisë pjesëmarrësit me aftësi për dhënien e ndihmës së parë në rast të lëndimeve ose sëmundjeve të papritura gjatë operacioneve në mjedise taktike dhe luftarake.

  • Flota me ndihma për Gazën do të niset drejt lindjes nga Greqia

    Flota me ndihma për Gazën do të niset drejt lindjes nga Greqia

    Një flotë anijesh ndërkombëtare me ndihma humanitare pritet të niset nga ujërat greke drejt Rripit të Gazës të premten, thanë organizatorët.

    Ata i kanë shpërfillur paralajmërimet nga Izraeli se autoritetet izraelite do ta përdorin çdo mjet për t’ia ndaluar hyrjen anijeve në enklavën e shkatërruar nga lufta.

    Flota Globale Sumud, e cila përbëhet nga rreth 50 anije civile, synon ta thyejë bllokadën detare të Izraelit ndaj Gazës, një përpjekje të cilën Izraeli e kundërshton fuqishëm.

    Shumë juristë, parlamentarë dhe aktivistë, përfshirë aktivisten suedeze të klimës, Greta Thunberg, janë duke udhëtuar në këto anije, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Kalimi i flotës përmes Mesdheut ka rritur tensionet ndërkombëtare, sidomos pasi ajo njoftoi këtë javë se ishte sulmuar nga dronët.

    Nuk pati të lënduar në ato sulme, por Italia dhe Spanja kanë dërguar anije luftarake për të ofruar ndihmë për shtetasit e tyre dhe ata evropianë që ndodhen në flotë.

    Greqia tha se do të garantojë lundrim të sigurt të flotës në ujërat e saj, por nisja e së premtes do ta çojë atë sërish në ujërat ndërkombëtare të Mesdheut lindor. Organizatorët thanë se anijet synojnë të mbërrijnë në fillim të javës së ardhshme.

    Izraeli, i cili ka vendosur një bllokadë detare ndaj Gazës, tha se flota nuk do të lejohet të kalojë dhe se projekti do të ndihmonte vetëm Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

    Flota ka fajësuar Izraelin për një sulm me dronë. Ministria e Jashtme izraelite nuk është përgjigjur për këto akuza, por e ftoi flotën që të dorëzojë ndihmat humanitare tek Izraeli, në mënyrë që të dërgohen në Gazë, në të kundërtën do të përballet me pasoja.

    “Ne nuk po dërgojmë vetëm ndihmë humanitare. Po tentojmë të dërgojmë shpresë dhe solidaritet, të dërgojmë një mesazh të fuqishëm që bota qëndron me Palestinën”, tha Thunberg teksa qëndronte në bordin e anijes që gjendej në Kretë të enjten.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

    Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 65.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë – shifra që konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara./REL

  • KFOR: Nuk kemi identifikuar shkelje përmes dronëve që mund ta cenojnë sigurinë në Kosovë

    KFOR: Nuk kemi identifikuar shkelje përmes dronëve që mund ta cenojnë sigurinë në Kosovë

    KFOR-i ka deklaruar se nuk ka identifikuar asnjë shkelje të hapësirës ajrore të Kosovës përmes përdorimit të dronëve që do të përbënin rrezik për sigurinë në vend.

    Në një përgjigje zyrtare, misioni i NATO-s në Kosovë thekson se çdo aktivitet ajror koordinohet me KFOR-in me qëllim që të shmangen tensionet dhe të garantohet siguria.

    “Ne nuk kemi identifikuar shkelje përmes dronëve që mund ta cenojnë sigurinë në Kosovë. Komandanti i KFOR-it ka autoritet mbi hapësirën ajrore të Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, prandaj KFOR-i monitoron rregullisht hapësirën ajrore të Kosovës, përmes të gjitha mjeteve dhe kapaciteteve që ka në dispozicion”, thuhet në njoftim.

    KFOR-i gjithashtu ka theksuar se mbetet në kontakt të ngushtë me institucionet e sigurisë së Kosovës dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë, në funksion të ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë në rajon.

  • Aksident tragjik në Pejë: Një i vdekur dhe një i lënduar

    Aksident tragjik në Pejë: Një i vdekur dhe një i lënduar

    Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot rreth orës 14:00 në fshatin Qungur të Pejës.

    Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një katërçikletë.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se menjëherë pas marrjes së informatës, njësitë përkatëse dhe autoambulanca kanë dalë në vendin e ngjarjes.

    Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e njërit prej të përfshirëve, ndërsa personi tjetër ka marrë lëndime dhe është dërguar për trajtim në QKUK.

    Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Identiteti i viktimës nuk është bërë ende i ditur.