ATV

Category: Lajme

  • Gollopeni: Kosova ka humbur rreth 10% të popullsisë nga viti 2011 deri në vitin 2024

    Gollopeni: Kosova ka humbur rreth 10% të popullsisë nga viti 2011 deri në vitin 2024

    Demografi Besim Gollopeni ka deklaruar se Kosova ka shënuar rënie të ndjeshme të numrit të banorëve gjatë më shumë se një dekade.

    Në emisionin “Info Magazine”, mbrëmë në Klan Kosova, Gollopeni tha se krahasimi mes dy regjistrimeve të popullsisë tregon se Kosova ka humbur të paktën 10% të popullsisë.

    “Pra, nëse e shikojmë dhe bëjmë një krahasim mes pak më shumë se një dekade, po flas mes dy regjistrimeve, nuk po shkojmë më mbrapa. Vetëm nga viti 2011 deri në vitin 2024, Kosova ka humbur të paktën 10% të popullsisë. Pra, përderisa në vitin 2011 ne i kishim 1.8 milion banorë, sot i kemi 1.6 milion banorë. Ky numër mund të jetë edhe më i vogël se kaq, bazuar në bindjen dhe analizat e mia. Çdo vit, Kosova pritet që mesatarisht ta humbë 1% të popullsisë së përgjithshme”, tha Gollopeni në Klan Kosova.

  • Policia shqiptoi 2486 gjoba në trafik brenda 24 orëve

    Policia shqiptoi 2486 gjoba në trafik brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2486 gjoba në trafik.

    Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, ku 27 aksidente kanë qenë me lëndime, ndërsa 39 me dëme materiale.

    Po ashtu, policia njofton se janë arrestuar 12 persona, ndërkaq 10 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

  • Turqia kujton Srebrenicën, thotë se mbetet zë i të shtypurve – edhe i Kosovës

    Turqia kujton Srebrenicën, thotë se mbetet zë i të shtypurve – edhe i Kosovës

    Drejtori i Komunikimeve i Presidencës së Turqisë, Burhanettin Duran, ka përkujtuar 31-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, duke e cilësuar atë si një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit dhe një plagë që vazhdon të mbetet e hapur në ndërgjegjen kolektive.

    Në një deklaratë, Duran tha se masakra, në të cilën u vranë më shumë se 8 mijë myslimanë boshnjakë, mbetet një nga krimet më të rënda të kryera ndonjëherë kundër dinjitetit njerëzor. Ai tha se i kujton me mëshirë viktimat e gjenocidit dhe se ndan me gjithë zemër dhimbjen dhe pikëllimin e popullit të Bosnjë e Hercegovinës, raporton “TRT World”.

    Duran theksoi se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor, si dhe do të mbetet zë i të shtypurve kudo që ndodhin përndjekje, padrejtësi apo tragjedi humanitare – nga Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova, te Kaukazi, Lindja e Mesme, Gaza dhe Afrika.

    Ai rikujtoi fjalët e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, se një botë më e drejtë është e mundur, duke shtuar se Ankaraja do të vazhdojë të punojë për forcimin e ndërgjegjes së përbashkët të njerëzimit dhe për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme.

    Gjenocidi i Srebrenicës ndodhi në korrik të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës, të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiq, pushtuan zonën e shpallur të sigurt nga OKB-ja në Srebrenicë dhe, gjatë disa ditëve, vranë sistematikisht më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.

    Ky krim është njohur nga gjykatat ndërkombëtare si gjenocid dhe konsiderohet mizoria më e rëndë e kryer në tokën evropiane që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

    Ankaraja e ka shfrytëzuar edhe në vitet e kaluara përvjetorin e Srebrenicës për të ripërsëritur thirrjet për llogaridhënie ndërkombëtare dhe për të paralajmëruar kundër përsëritjes së mizorive masive që mbeten pa u trajtuar nga komuniteti ndërkombëtar.

  • Një muaj paraburgim për të miturin që theri me thikë dy persona dhe një polic në Ferizaj

    Një muaj paraburgim për të miturin që theri me thikë dy persona dhe një polic në Ferizaj

    Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të miturit që dyshohet se ka therur dy persona dhe një zyrtar policor në dy ngjarje të ndara të ndodhura më 10 korrik në Ferizaj.

    Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ndërsa i mituri dyshohet për veprat penale “vrasje në tentativë”, “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Sipas dosjes së rastit, ngjarja e parë ka ndodhur më 10 korrik, rreth orës 07:50, në Parkun e Qytetit në Ferizaj.

    Sipas dyshimeve të Prokurorisë, i mituri, i veshur me rroba ushtarake, me dorëza dhe i maskuar, ka sulmuar me thikë dy persona me inicialet I.M. dhe S.H., duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë vitale të trupit.

    Pas sulmit, ai dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Ferizajt.

    Sipas aktvendimit të gjykatës, rreth 20 minuta pas sulmit, i dyshuari është lokalizuar në oborrin e shtëpisë së gjyshes së tij në fshatin Greme të Ferizajt, ku ndodhej edhe nëna e tij dhe ku dyshohet se ishte fshehur pas largimit nga vendi i ngjarjes.

    Gjykata ka bërë të ditur se i mituri ka refuzuar urdhrat e zyrtarëve policorë për t’u dorëzuar dhe për ta hedhur thikën që mbante me vete.

    Gjatë ndërhyrjes së policisë për arrestimin e tij, ai dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë.

    Sipas aktvendimit, njëri nga policët është rrëzuar pasi është tërhequr nga nëna e të miturit, ndërsa i dyshuari ka tentuar ta godasë me thikë.

    Në përpjekje për ta neutralizuar, një major i Policisë së Kosovës ka ndërhyrë, por dyshohet se është goditur me thikë në anën e majtë të qafës nga veprimet e të miturit.

    Po ashtu, sipas gjykatës, i dyshuari ka poseduar pa autorizim një thikë kuzhine në vend publik, e cila më pas është konfiskuar nga Policia e Kosovës.

  • ​KFOR-i amerikan patrullon përgjatë kufirit Kosovë-Serbi

    ​KFOR-i amerikan patrullon përgjatë kufirit Kosovë-Serbi

    Ushtarët amerikanë të KFOR-it, të caktuar në Komandën Rajonale-Lindje (RC-East), në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, po zhvillojnë patrullime të rregullta përgjatë asaj që KFOR-i e quan “Vijë Administrative Kufitare”, përgjatë zonës së tyre të përgjegjësisë që lidhet me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

    KFOR-i, përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, ka bërë të ditur se këto patrullime zhvillohen gjatë gjithë vitit dhe kanë për qëllim ruajtjen e vetëdijes për situatën në terren, mbështetjen e stabilitetit dhe lirisë së lëvizjes, monitorimin e ndryshimeve në mjedisin operacional, si dhe sigurimin e një pranie të dukshme të forcave të sigurisë.

    Sipas KFOR-it, këto aktivitete janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të misionit të NATO-s për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe transparente.

     

  • Kosovarët “pushtojnë” Shqipërinë, mbi 12 mijë qytetarë kaluan kufirin brenda katër orëve

    Kosovarët “pushtojnë” Shqipërinë, mbi 12 mijë qytetarë kaluan kufirin brenda katër orëve

    Gjatë muajve maj dhe qershor është shënuar rekord i hyrje-daljeve në pikat kufitare të qarkut Kukës me Kosovën, ndërsa mijëra qytetarë dhe drejtues mjetesh nga Kosova kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt bregdetit shqiptar, Parkut Kombëtar të Valbonës dhe destinacioneve të tjera turistike për fundjavë dhe pushime verore.

    Sipas drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës, Arben Alika, gjatë këtyre dy muajve janë përpunuar në hyrje dhe dalje mbi 2 milionë shtetas, me një mesatare ditore prej më shumë se 42 mijë personash.

    Pjesa dërrmuese e udhëtarëve kanë qenë shtetas të Kosovës.

    Për të përballuar fluksin në rritje, Policia Kufitare ka shtuar kapacitetet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të qarkut Kukës, duke rritur numrin e sporteleve dhe të efektivëve në shërbim.

    Vëmendja kryesore është përqendruar në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, e cila përballon volumin më të madh të lëvizjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Vetëm gjatë katër orëve të para të kësaj të shtune, përmes Pikës së Kalimit Kufitar Morinë kanë hyrë në Shqipëri 12 mijë e 431 shtetas nga Kosova, me 2 mijë e 879 automjete të vogla dhe autobusë.

  • Italia “e vendosur” për të mbështetur procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

    Italia “e vendosur” për të mbështetur procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, tha se vendi i tij është i vendosur të mbështesë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE).

    Tajani priti në rezidencën shtetërore Villa Madama në Romë takimin e “Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor” me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në takim morën pjesë ministra dhe zëvendësministra nga Austria, Kroacia, Greqia, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia.

    Në fjalimin e tij në hapje të takimit, Tajani theksoi se zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor është “prioritet absolut politik” për Italinë, raporton Anadolu – transmeton Sinjali.

    Ministri italian bëri të ditur se në takimin e sotëm do të miratojnë një dokument politik që do t’i paraqitet Brukselit me synim përshpejtimin e procesit të zgjerimit.

    Tajani tha se duhet të forcojnë më tej bashkëpunimin dhe harmonizimin mes BE-së dhe Ballkanit në fushat e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.

    Pas fotografisë familjare me pjesëmarrësit, Tajani u tha gazetarëve pas takimit: “Italia është e vendosur të mbështesë rrugën e këtyre vendeve drejt BE-së. Disa prej tyre, si Mali i Zi dhe madje Shqipëria, janë gati për anëtarësim”.

    Tajani tha se Italia gjithashtu mbështet anëtarësimin e Ukrainës në BE, por theksoi se përparësi kanë vendet e Ballkanit, duke shtuar se këto vende nuk duhet ta humbasin besimin.

  • Gjithçka që u diskutua në takimet e Kurtit me Hamzën dhe Abdixhikun për formimin e institucioneve

    Gjithçka që u diskutua në takimet e Kurtit me Hamzën dhe Abdixhikun për formimin e institucioneve

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka nisur konsultimet politike për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare, duke zhvilluar takime me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

    Kurti u takua fillimisht me Hamzën në orën 09:00, ndërsa pasditen e së premtes, në orën 18:00, zhvilloi takim me Abdixhikun, i cili ishte i shoqëruar edhe nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

    Pas takimit me kreun e PDK-së, Kurti e cilësoi bisedën si konstruktive, por bëri të ditur se nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.

    “Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret apo ndonjë të arritur, por uroj që kjo frymë konstruktiviteti të mbizotërojë dhe, në përputhje me afatet kushtetuese, të arrijmë t’i konstituojmë institucionet dhe vendit t’i japim kryetarin e Kuvendit, kryeministrin dhe presidentin e ri”, u shpreh ai.

    Kurti bëri të ditur se konsultimet do të vazhdojnë edhe me subjektet e tjera politike, ndërsa njoftoi se do të takohej edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

    “Duhet të jemi optimistë në rrugën përpara. Sot pasdite do ta takoj edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, dhe shpresoj që tri partitë t’i mbledhim deputetët dhe t’i konstituojmë të gjitha institucionet e legjislaturës së 11-të”, tha ai.

    Sipas Kurtit, për zgjedhjen e presidentit nevojitet mbështetja e 80 deputetëve, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011. Ai vlerësoi se LVV-ja, PDK-ja dhe LDK-ja së bashku kanë numra të mjaftueshëm për ta realizuar këtë proces.

    Ai shprehu keqardhje për refuzimin e një takimi nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.

    “Kur i mblodha numrat e deputetëve nuk thashë plus shtatë, pasi kryetari i Aleancës nuk e ka parë të domosdoshme dhe të rëndësishme të takohet me mua. Mendoj që do të duhej të takohej. Nuk është në rregull që një parti e respektuar si AAK të mos takohet me mua. Andaj më duhet të them 93 në vend që të them 100 deputetë”, deklaroi Kurti.

    Kreu i LVV-së theksoi se përgjegjësia për formimin e Qeverisë i takon partisë fituese, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet një dakordim më i gjerë politik.

    “Nëse unë, si fitues i zgjedhjeve, kam përgjegjësi për formimin e Qeverisë, zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese, por është menduar të ndodhë në bashkëpunim me të tjerët. Prandaj, si pikënisje do të kishim një figurë konsensuale, dikë që nuk është pjesë e asnjë partie politike dhe që ka vlera të dëshmuara kombëtare dhe institucionale. Për qeverisjen përgjegjësia bie mbi ne, ndërsa për presidentin përgjegjësia bie mbi të gjithë ne”, theksoi ai.

    Pas takimit me Kurtin, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se partia e tij do të qëndrojë në opozitë gjatë këtij mandati.

    Hamza tha se takimi u zhvillua në një atmosferë korrekte, ndërsa rikujtoi se PDK në zgjedhje ka garuar me një program të fokusuar në ekonomi, mirëqenie sociale, energji dhe infrastrukturë.

    “Posa e përfunduam takimin me Kurtin. PDK në këto zgjedhje ka garuar me program dhe me prioritete që kanë të bëjnë me fushën e ekonomisë, mirëqenies sociale, si dhe me projekte në energji dhe infrastrukturë. Për t’i zbatuar këto prioritete, PDK nuk ka vija të kuqe dhe është e hapur për të biseduar për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike”, tha Hamza.

    Megjithatë, ai theksoi se qëndrimi i partisë mbetet i pandryshuar.

    “Bazuar në bisedat që i kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK në këtë mandat është e gatshme të jetë në opozitë dhe i dëshirojmë sukses Kurtit”, u shpreh ai.

    Hamza tha se për zgjedhjen e presidentit nevojitet bashkëpunim mes partive.

    “Të gjitha partitë tjera nuk mund ta zgjedhin presidentin pa LVV-në. LVV-ja duhet të gjejë partnerë sipas nevojave dhe kritereve të tyre për t’i dhënë vendit institucione”, deklaroi ai.

    Takimi me Abdixhikun dhe Osmanin

    Në orët e pasdites, Kurti zhvilloi takimin e dytë konsultativ, këtë herë me liderin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, i shoqëruar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

    Pas takimit, Abdixhiku tha se diskutimet u fokusuan në stabilitetin institucional dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

    “Folëm për stabilitetin institucional dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve. Në këtë fazë u dakorduam që t’i vazhdojmë bisedimet”, deklaroi ai.

    Sipas tij, palët kanë diskutuar për parime dhe jo për emra konkretë.

    “Ne biseduam për parime dhe, për LDK-në, këto parime kërkojnë balancën demokratike në vend. Në këtë balancë duhet të kontribuojnë të gjitha palët. Nuk kemi arritur të flasim për emra të përveçëm”, tha Abdixhiku.

    Ai e cilësoi takimin si një hap pozitiv për vazhdimin e komunikimit.

    “Në këtë takim ishte e pamundur të flasim për të gjitha temat, por ishte hap i mirë për të vazhduar tutje në bisedime. I kemi 30 ditë kohë për konstituimin e Kuvendit dhe 60 ditë për zgjedhjen e presidentit. E rëndësishme është që po flasim para se të merren hapa të njëanshëm. Kjo jep shpresë”, u shpreh ai.

    Abdixhiku shtoi se ende nuk është arritur konsensus për parimet, por bisedimet do të vazhdojnë.

    “Ende nuk kemi arritur konsensus rreth parimeve, por po bisedojmë”, deklaroi kreu i LDK-së.

    Pas takimit, Kurti tha se është ende herët për të vlerësuar rezultatin e diskutimeve, por u shpreh optimist për vazhdimin e tyre.

    “I kemi edhe katër javë përpara deri në fillimin e seancës konstituive. Nuk ka temë që s’e kemi diskutuar, por ende nuk kemi ndonjë konkluzion për ta ndarë me ju”, u shpreh ai.

    Kurti tha se bisedimet kanë përfshirë të gjitha çështjet kryesore politike.

    “Jam optimist për racionalitetin që po mbizotëron nga këto takime. Është një ndërmarrje që kërkon besim dhe kohë për rezultate. E kemi edhe konfidencialitetin e këtyre bisedave. Kemi diskutuar për qeverinë dhe Kuvendin, por edhe për presidentin, ndërsa fokusi ka qenë te zhvillimet aktuale politike”, deklaroi ai.

    Ai theksoi se synimi i LVV-së është arritja e një marrëveshjeje politike që do të shmangte zgjedhjet e reja.

    “Ne jemi të interesuar për marrëveshje që të mos kemi zgjedhje. Synimi i përbashkët është që të shmangen zgjedhjet. Ne synojmë marrëveshje politike, pasi jemi subjekte politike”, tha Kurti.

  • Raporti i OBSh-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën

    Raporti i OBSh-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën

    Numri i rasteve me kancer në botë pritet të rritet nga rreth 20.6 milionë në afro 35 milionë në vit deri në vitin 2050, ndërsa një në pesë persona do të diagnostikohet me këtë sëmundje gjatë jetës, paralajmëron një raport i ri i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka raportuar The Guardian.

    Sipas raportit, 92 për qind e njerëzve do të preken nga kanceri, qoftë përmes një diagnoze personale ose të një familjari apo personi të afërt.

    “Për vite me radhë kemi folur për përparimin shkencor, teknologjitë e reja dhe trajtimet që japin shpresë. Kjo është e vërtetë, por nuk është e gjithë historia”, ka thënë doktori Andre Ilbawi nga OBSH.

    Raporti thekson se pabarazitë në qasjen ndaj parandalimit, diagnostikimit dhe trajtimit të kancerit vazhdojnë të jenë të mëdha, sidomos mes vendeve të pasura dhe atyre me të ardhura të ulëta.

    Në vendet e pasura, 85 për qind e pacientëve me kancer gjiri ose kancer te fëmijët, mbijetojnë të paktën pesë vjet, ndërsa në vendet më të varfra kjo përqindje bie në më pak se 30 për qind. Në 23 shtete mungojnë plotësisht pajisjet për radioterapi.

    Raporti zbulon gjithashtu se kostoja e lartë e trajtimit detyron deri në 90 për qind të pacientëve në disa vende ta ndërpresin terapinë, ndërsa shumë familje përballen me vështirësi të mëdha financiare dhe psikologjike.

    “Kam parë prindër që detyroheshin të zgjidhnin mes pagesës së trajtimit dhe mbajtjes së fëmijëve në shkollë. Kam parë edhe fëmijë që ndërprisnin arsimin sepse të gjitha kursimet e familjes shkonin për kujdesin ndaj kancerit”, ka thënë Abigail Simon-Hart, e mbijetuar nga kanceri i gjirit dhe aktiviste nga Nigeria

    Ajo ka shtuar se në disa vende stigma ndaj kancerit është aq e fortë, sa disa gra kanë zgjedhur të humbin jetën në vend që t’i nënshtrohen një operimi për heqjen e gjirit që mund t’u shpëtonte jetën.

    Megjithatë, raporti sjell edhe lajme pozitive.

    Sipas ekspertëve, katër në dhjetë raste të reja me kancer lidhen me faktorë rreziku që mund të parandalohen, si duhani, alkooli, infeksionet dhe mbipesha.

    “Katër në dhjetë raste të reja të kancerit lidhen me faktorë rreziku që ne tashmë dimë si t’i parandalojmë”, ka thënë doktoresha Isabelle Soerjomataram nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin.

    OBSH u bën thirrje qeverive që të investojnë më shumë në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit, duke i kushtuar kujdesit ndaj pacientëve të njëjtën rëndësi si zhvillimit të kurave të reja.

  • Kanye West sot në Tiranë, Rama: Gati stadiumi i koncertit që do të fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale

    Kanye West sot në Tiranë, Rama: Gati stadiumi i koncertit që do të fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se është gjithcka gati sa i përket organizimit të sotëm ku do të mbahet koncerti i Kany West në Kashar të Tiranës.

    Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook tha se ky koncert do ta fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale, atë të komunitetit botëror të amatorëve të muzikës.

    “Gati stadiumi i koncertit që do të fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale, atë të komunitetit botëror të amatorëve të muzikës, të cilët falë ngjarjes muzikore të mbrëmjes së sotme do të bëjnë atë që bëjnë kudo shkon Kanye West: Do të vijnë të vizitojnë Shqipërinë. Disa vazhdojnë të flasin për 4 milionë euro shpenzim për një natë, por vetëm kush nuk do s’e kupton që ato 4 milionë janë një INVESTIM, i cili do të rikthehet nga mijëra vizitorët që në 48 orët e fundit janë shtuar në hotelet, apartamentet, restorantet, baret, dyqanet, taksitë. Më shumë se sa 4 milionë do të jenë të ardhurat që do të rikthehen edhe në vetë arkën e shtetit, nga rritja e konsumit – është vërtetë gjynah që rrimë bëjmë këtë bisedë, në një ditë të shënuar kulturore si kjo për Shqipërinë”, ka shkruar Rama.

    Tutje ai tha se: “Një koncert i kësaj përmase dhe i këtij artisti, nuk është thjesht një ngjarje artistike. Është MARKETING GLOBAL PËR SHQIPËRINË, një reklamë që do të kushtonte shumë më tepër po të blihej me fushata tradicionale. Dhe kjo nuk është një shpikje shqiptare. Është mënyra se si veprojnë vendet më të zhvilluara të Europës. Kush kujton se kultura është luks duhet ta rishikojë këtë opinion të gabuar. ‘S’kemi bukë, s’na duhet kultura’? Gabim, kultura nuk është vetëm ushqim shpirtëror, po edhe ekonomi, turizëm, zhvillim. Bukë! (Nga koncerti Kanye Ëest pak javë më parë, Stambolli pati mbi 100 milionë euro vlerë të shtuar)”, ka shkruar Rama.