ATV

Category: Lajme

  • Operacion në Veri – konfiskohen armë dhe municion në kontrollin e një podrumi

    Operacion në Veri – konfiskohen armë dhe municion në kontrollin e një podrumi

    Policia në Mitrovicë të Veriut, në bashkëpunim me zyrtarë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka zhvilluar një aksion këtë të shtunë në afërsi të sheshit “Car Lazar”, pas informacioneve se në një podrum të një ndërtese mund të ndodheshin sende të kundërligjshme.

    Gjatë kontrollit, njësitë policore kanë gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike, një pushkë gjahu, 50 fishekë, një kondak pushke, një palë pranga, një mbajtës pushke, një maskë kundër helmeve me çantën e saj, një këllëf arme si dhe pesë karikatorë të zbrazët.

    Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëruar nisjen e hetimeve nën dyshimin për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

    Policia ka bërë të ditur se nga ky operacion nuk ka të arrestuar, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të identifikuar personat përgjegjës dhe origjinën e armëve të gjetura.

  • Rusia kritikon planet e BE-së për një “mur për dronët”

    Rusia kritikon planet e BE-së për një “mur për dronët”

    Rusia ka kritikuar planet e Bashkimit Evropian për të forcuar mbrojtjen kundër dronëve, duke thënë se përgjigja e bllokut evropian ndaj hyrjeve të dronëve në kufijtë e saj vetëm se do të rrisë tensionet.

    Ministrat e mbrojtjes nga dhjetë vende të BE-së u pajtuan një ditë më parë që ta bënin prioritet të bllokut atë që e quajtën “mur për dronët”, pasi disa shtete anëtare janë përballur me një sërë shkeljesh të hapësirës ajrore javët e fundit, për të cilat kanë fajësuar Rusinë.

    Ministria ruse e Mbrojtjes tha se masat do të çonin “në një rritje të tensioneve politike dhe ushtarake në kontinentin tonë”, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, RIA Novosti.

    Ministria e Jashtme shtoi se planet përbënin “ambicie personale dhe lojëra politike të elitave drejtuese të BE-së”.

    Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte e para që bëri thirrje për një “mur për dronët” gjatë një fjalimi të mbajtur më herët gjatë këtij muaji disa orë pasi NATO-ja rrëzoi dronë rusë në Poloni.

    BE-ja ka thënë po ashtu se duhet të mësojë nga Ukraina e cila përballet çdo ditë me dronë rusë dhe, për rrjedhojë, ka zhvilluar zgjidhje të lira për t’iu kundërvënë sulmeve ruse.

    Moska ka mohuar se ka shkelur hapësirën ajrore të NATO-s dhe e ka cilësuar reagimin e BE-së si “histeri”, duke shtuar se pilotët rusë u përmbahen rregullave ndërkombëtare të aviacionit. Moska po ashtu ka pretenduar se nuk ka dëshmi se dronët që hynë në hapësirën ajrore evropiane ishin rusë./REL

  • Aksidentohet eskorta e Kryetarit të Kuvendit

    Aksidentohet eskorta e Kryetarit të Kuvendit

    Një aksident trafiku ka ndodhur të shtunën në mëngjes në magjistralen Ferizaj-Gjilan, në fshatin Sojevë.

    Në aksident është përfshirë vetura e eskortës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka njoftuar Policia e Kosovës.
    Sipas tyre, automjeti zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme është përplasur me një veturë civile.

    “Në aksident kanë qenë të përfshira një veturë zyrtare e policisë dhe një veturë civile me targa vendore”, tha zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

  • Danimarka thotë se ka detektuar dronë afër objekteve ushtarake

    Danimarka thotë se ka detektuar dronë afër objekteve ushtarake

    Dronë të paidentifikuar janë parë pranë instalimeve ushtarake në Danimarkë gjatë natës, thanë Forcat e Armatosura më 27 shtator.

    Ky njoftim vjen pasi disa inkursione afër aeroporteve dhe instrastrukturës kritike janë regjistruar gjatë kësaj jave në Danimarkë.

    “Mbrojtja daneze mund të konfirmojë se dronët u panë në disa lokacione të mbrojtjes së Danimarkës mbrëmë. Disa kapacitete të mbrojtjes u dislokuan”, tha një zëdhënës i Forcave të Armatosura të Danimarkës.

    Ushtria daneze nuk specifikoi se ku saktësisht u detektuan dronët.

    Policia tha se kishte parë dronë pranë bazës ajrore Karup, në perëndim të Danimarkës, raportoi agjencia e lajmeve Ritzau.

    Ndërkaq, policia norvegjeze tha të shtunën se po heton lëvizjen e mundshme të dronëve pranë bazës ajrore Oerland, që është baza kryesore për avionët luftarakë F-35 të Novergjisë.

    “Rojet në bazë kanë bërë disa vëzhgime në perimetrin jashtë bazës mëngjesin e së shtunës”, thanë Forcat e Armatosura të Norvegjisë për agjencinë Reuters.

    Aeroporti në Kopenhagë u mbyll për disa orë të hënën pasi disa dronë u panë në hapësirën ajrore. Pesë aeroporte të tjera, civile dhe ushtarake, po ashtu u mbyllën përkohësisht në ditët pasuese.

    Autoritetet daneze i ka quajtur inkursionet sulme hibride dhe kryeministri, Mette Frederiksen, ka thënë më herët gjatë kësaj jave se ishin “sulmet më serioze ndaj infrastrukturës kritike daneze deri më tani”.

  • Osmani para ushtarëve amerikanë: Në orët më të errëta, ShBA-ja qëndroi me Kosovën

    Osmani para ushtarëve amerikanë: Në orët më të errëta, ShBA-ja qëndroi me Kosovën

    Presidentja Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalim në Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane, për rrugëtimin e Kosovës nga mbijetesa në liri, për kontributin e ushtarëve amerikanë dhe për aleancën historike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

    Gjatë fjalimit të saj, Osmani tha se ishte Amerika dhe NATO, ato që Kosovën e çuan në liri dhe në një shtet të sigurt.

    “Isha një vajzë e re kur Kosova po përballej me një luftë gjenocidale të Millosheviqit. Ishte një kohë kur ne po detyroheshim të largoheshim nga shtëpitë tona, kur më të dashurit tanë po vriteshin para syve tanë, dhe kur fëmijëria jonë ishte thjesht në luftë dhe konflikt”, u shpreh Osmani.

    “Në orët më të errëta, Amerika qëndroi me ne. Ishin ushtarët amerikanë bashkë me vendet aleate të NATO-s, që dëshpërimin në Kosovë e kthyen në shpresë, frikën në siguri dhe okupimin në liri”, tha tutje Osmani.

    E para e vendit shprehur edhe një herë falënderimin e saj ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen që ia jep Kosovës.

  • Sot përfundon afati për aplikimin online për akreditimin e vëzhguevse

    Sot përfundon afati për aplikimin online për akreditimin e vëzhguevse

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se po vazhdon periudha e aplikimit online për akreditimin e vëzhguesve për monitorimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, që do të mbahen më 12 tetor 2025.

    Afati për dorëzimin e kërkesave online për akreditimin e akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore, organizatave qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatave ndërkombëtare si dhe përfaqësuesve të vendeve të huaja, i cili ka filluar më 1 korrik, do të përmbyllet më 27 shtator 2025.

    Si bëhet aplikimi për akreditim?

    Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i organizatës (qoftë organizatë joqeveritare, qeveritare/ndërqeveritare, organizatë ndërkombëtare e specializuar në fushën e zgjedhjeve dhe të drejtave të njeriut, apo përfaqësues i një shteti të huaj) duhet të plotësojë të dhënat e kërkuara në platformën online: https://apliko.kqz-ks.org

    Hapi i dytë: Pas dorëzimit të kërkesës, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë atë dhe do të marrë vendim për miratimin ose refuzimin e saj. Në rast të miratimit, ZRCKFSP do të dërgojë përmes e-mailit kredencialet për qasjen në platformën online, të cilat i mundësojnë përfaqësuesit të autorizuar që të plotësojë edhe të dhënat për personat e organizatës/media që kërkohen të akreditohen.

    Në platformën elektronike online https://apliko.kqz-ks.org është ngarkuar video që shpjegon të gjithë hapat e aplikimit.

    Informacione shtesë:

    · Për më shumë informacione dhe sqarime, mund të kontaktoni Zyrën përmes e-mailit në adresën: [email protected], apo përmes telefonit në numrin +383 38 200 81 010. Zyra është e qasshme nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

    · Vetëm vëzhguesit e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kenë të drejtë të vëzhgojnë Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, si dhe aktivitetet tjera që do të zhvillohen në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

  • Dy persona humbin jetën gjatë një përpjekjeje për të kaluar Kanalin Anglez

    Dy persona humbin jetën gjatë një përpjekjeje për të kaluar Kanalin Anglez

    Dy persona kanë vdekur duke u përpjekur të kalojnë Kanalin Anglez të shtunën në mëngjes, thanë zyrtarët francezë për agjencinë e lajmeve AFP.

    Incidenti ndodhi gjatë natës në brigjet e Francës veriore, kur rreth 100 persona u nisën me një varkë për të shkuar në Mbretërinë e Bashkuar, thanë autoritetet.

    60 persona nga kjo përpjekje u shpëtuan dhe “aktualisht po kujdesen nga mbrojtja civile”, sipas zyrtares franceze, Isabelle Fradin-Thirode.

    Një çift dhe fëmija i tyre që vuante nga hipotermia u dërguan me urgjencë në një spital në Boulogne, shtoi ajo.

  • Lajm i mirë për shqiptarët: Lumi Vjosa zyrtarisht në UNESCO

    Lajm i mirë për shqiptarët: Lumi Vjosa zyrtarisht në UNESCO

    Lumi i Vjosës është përfshirë zyrtarisht në listën e pasurive të mbrojtura nga UNESCO. Lajmin e ka dhënë sot në mëngjes Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, e cila e konsideron një krenari për gjithë shqiptarët, dhe kurorëzim i ëndërruar i një pune katër vjeçare në krye të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

    Nuk mund të ishte më e bukur kjo e shtunë se sa me lajmin që vjen UNESCO duke kurorëzuar siç e ëndërronim një punë 4-vjeçare, ku Vjosa është përfshirë zyrtarisht në programin “Njeriu dhe Biosfera”, duke u bërë pjesë e listës së trashëgimisë botërore.

    Lajmi i bukur për të gjithë Shqiptarët u dha nga Kina, në Kongresin Botëror mbi Rezervat e Biosferës, ku jam shumë e lumtur që flamurin shqiptar atje e ngrenë disa prej kryetarëve të bashkive buzë Vjosës dhe Drejtuesja e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës, që jetojnë çdo ditë pranë lumit dhe kujdesen për të. Mirënjohje me gjithë zemër skuadrës së Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura me të cilët bëmë një punë shumë intensive dhe voluminoze, si edhe ekspertëve të UNESCO-s, Drejtoreshës së Përgjithshme Audrey Azoulay me të cilën vizituam të gjithë luginën e Vjosës në vitin 2023, duke krijuar një tjetër krenari botërore për gjithë Shqiptarët!”, shkruan Mirela Kumbaro, duke publikuar edhe dokumentin e nënshkruar sot nga Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO Audrey Azoulay.

    Ky vendim u mor në Kongresin Botëror mbi Rezervat e Biosferës dhe Këshillit Ndërkombëtar të Koordinimit të programit “Njeriu dhe Biosfera”.

  • Kosova rrezikon krizë buxhetore nëse komunat dhe Kuvendi nuk miratojnë projektet për vitin 2026

    Kosova rrezikon krizë buxhetore nëse komunat dhe Kuvendi nuk miratojnë projektet për vitin 2026

    Kosova tash e disa muaj vazhdon të ballafaqohet me mungesën e institucioneve. E nëse deri në dhjetor Kuvendi i Kosovës, nuk arrin që ta miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm, atëherë vendi rrezikon të përballet me një krizë financiare.

    Ndërkohë që disa komuna, nuk po arrijnë që t’i miratojnë buxhetet në Kuvendet Komunale të tyre, kjo edhe si shkak i zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor.

    Megjithëse, Komunat duhej t’i dorëzonin projektbuxhetet deri më 1 shtator dhe t’i miratonin deri më 30 shtator, përndryshe Ministria e Financave mund të hartojë buxhet të përkohshëm. Nëse Kuvendi i Kosovës nuk funksionalizohet deri në fund të dhjetorit, vendi do të ketë buxhet vetëm për muajin janar të vitit 2026.

    Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi në një intervistë për Ekonomia Online tregoi kërkesën që kanë bërë në adresën e Ministrisë së Financave.

    “Ne si bord i asociacionit kemi kërkuar nga Ministria e Financave që t’iu lejohet komunave miratimi i buxhetit pas afatit ligjor… sepse do të ishte shumë më mirë që kryetarët e ardhshëm dhe anëtarët e kuvendeve komunale të miratojnë buxhetet dhe të punojnë me ato buxhete vitin e ardhshëm,” deklaroi ai, duke shtuar se deri tani “ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga Ministria e Financave”, tha Ibrahimi për Ekonomia Online.

    Ibrahimi paralajmëroi se mosmiratimi i buxheteve në kohë sjell pasoja ligjore dhe financiare.

    “Nëse kuvendet komunale nuk arrijnë që deri më 30 shtator t’i miratojnë buxhetet e tyre, ministri e ka të drejtën ta hartojë një buxhet për ato komuna duke u bazuar në shpenzimet e vitit të kaluar, mirëpo kjo nuk do të thotë që mund të mbarojë gjithçka,” theksoi ai për EO.

    Ai shtoi se rreziku më i madh lidhet me buxhetin e përgjithshëm të Kosovës.

    “Nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrinë që deri në fund të dhjetorit ta miratojë buxhetin e Republikës për vitin e ardhshëm, Kosova ka buxhet vetëm për janarin e vitit 2026… në të kundërtën, që nga 1 marsi Kosova do të ketë krizë financiare të jashtëzakonshme që nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovën e pasluftës,” paralajmëroi Ibrahimi.

    Ndërkaq disa komuna ende nuk e kanë miratuar buxhetin për vitin 2026. Në mesin e tyre janë Prishtina, Gjilani dhe Zveçani. Komuna e Rahovecit gjithashtu ka njoftuar se ka shtyrë miratimin e buxhetit për 2026, duke argumentuar se do ta diskutojnë pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

  • Për 24 orë, Policia shqipton mbi dy mijë gjoba trafiku

    Për 24 orë, Policia shqipton mbi dy mijë gjoba trafiku

    Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë shqiptuar 2 mijë 390 tiketa trafiku.

    Policia e Kosovës në raportin 24 orësh bën të ditur se gjatë kësaj kohë ndodhi një aksident trafiku me fatalitet.

    Bazuar në statistika, u arrestuan 24 persona, 10 prej të cilëve u dërguan në mbajtje.