ATV

Category: Lajme

  • AUV: Prania e parazitëve në peshk s’është rrezik, asgjësohet gjatë gatimit në 60°C

    AUV: Prania e parazitëve në peshk s’është rrezik, asgjësohet gjatë gatimit në 60°C

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se prania e parazitëve të llojit “Anisakis simplex” në peshkun që importohet në Kosovë nuk e rrezikon shëndetin në rast se është i ngrirë.

    Sipas AUV, peshku i ngrirë është i sigurtë për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60 gradë.

    “Theksojmë qartë: Prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta i ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje. Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm.”, thuhet në njoftimin e AUV-it.

    Agjencia thotë se ndonjë incident mund të paraqitet vetëm në rastin e konsumimit të peshkut të freskët (të pa ngrirë) i cili nuk është trajtuar fare me nxehtësi apo ngrirje, veçanërisht në përgatitje si “crudo”, sushi apo sashimi.

    “Kjo nuk është vetëm praktikë e vendeve të Bashkimit Evropian, SHBA-së apo Kanadasë, por është e përcaktuar qartë edhe në legjislacionin e Kosovës, të harmonizuar me direktivat e BE-së për sigurinë ushqimore. Këto standarde janë të bazuara në studime të shumta shkencore dhe në rekomandimet e institucioneve prestigjioze ndërkombëtare si: EFSA (Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore), FAO (Organizata e OKB për Ushqim dhe Bujqësi)”, thuhet tutje në njofim.

  • Dy policë morën lëndime, katër tifozë u shoqëruan në stacionin policor/ Detaje të reja nga tentim përleshja mes “Plisave” dhe “Ujqve”

    Dy policë morën lëndime, katër tifozë u shoqëruan në stacionin policor/ Detaje të reja nga tentim përleshja mes “Plisave” dhe “Ujqve”

    Tensionet mes tifozëve janë rikthyer në futbollin kosovar, një përleshje të madhe mes “Plisave” të Prishtinës dhe “Ujqve” të Ferizajt, e ka parandaluar sot Policia e Kosovës në qytetin e Ferizajt.

    “Plisat” kanë udhëtuar drejt Ferizajt në përballjen e skuadrës së tyre në kuadër të xhiros së pestë të Superligës së Kosovës, por që me t’iu afruar stadiumet ata kanë tentuar t’i sulmojnë tifozët vendas.

    Pastaj ka pasuar edhe reagime i Policisë së Kosovës, ku meqë rast kanë mbetur të lënduar edhe dy pjesëtar të cilët janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj.

    Katër persona janë shoqëruar në stacion policor të qyteti për intervistim. Këtë e ka konfirmuar për Arbresh.info edhe Kanun Veseli, zëdhënësi i Policsë së Kosovës për rajonin e Ferizajt.

    “Me datën 28.09.2025 pasi ka filluar ndeshja futbollistike për garat e Superligës së Kosovës, në mes të Ferizajt dhe Prishtinës, policia e Ferizajt ka parandaluar një tentim përleshje mes tifozëve jashtë tribunave. Me këtë rast policia ka shoqëruar 4 persona në stacionin policor në Ferizaj për intervistim, ndërsa dy pjesëtarë të policisë kanë pësuar lëndime trupore dhe për ndihmë mjekësore janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Janë marrë masat shtesë nga policia për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje”, tha për Arbresh.info, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    Kujtojmë se kjo ndeshje u ndërpre për disa minuta, pas tensioneve mes tifozëve, pasi u krijuan kushtet për lojë takimi rifilloi dhe kryeqytetasit janë duke fituar pas pjesës së parë me rezultat 0-3.

  • Clinton: Shumë njerëz menduan se isha çmendur kur u angazhova në Kosovë, por e dija se kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë

    Clinton: Shumë njerëz menduan se isha çmendur kur u angazhova në Kosovë, por e dija se kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në një panel së bashku me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton.

    Kjo në panelin e organizuar nga Clinton Global Initiative.

    Clinton në fjalimin e tij kujtoi ndërhyrjen në Kosovë. Ai tha se shumë njerëz e konsideruan të çmendur, për shkak të vendimit për të ndërhyrë në Kosovë. Por, Clinton tha se e bëri, sepse e dinte që kosovarët nuk do të dorëzoheshin kurrë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Shumë menduan se isha çmendur kur u angazhova në Kosovë. Por, unë u thashë: shikoni, ky do të jetë vendi i vetëm në botën moderne ku një luftë do të fitohet përmes fuqisë sonë ajrore, sepse kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë dh në fund do të jetë shumë e kushtueshme për serbët të vazhdojnë të luftojnë dhe do të shpëtojmë më shumë jetë në këtë mënyrë”, tha Clinton.

    Ndërkaq, presidentja Osmani tha se Kosova ka mësuar se liria nuk duhet marrë si e mirëqenë dhe popujt kanë gjithmonë nevojë për aleanca për të vazhduar përpara.

    “Duke ju dëgjuar në atë që e thashë ma kujtoi miliona njerëz në botë që nga erdhën në ndihmë kur kishim nevojë, por sot mund të flasë si presidente, por vite më parë unë isha ai fëmija që priste në radhë për ushqim. Fëmijët që po ndihmoni sot, gratë që po ndihmoni sot, do të ulen këtu nesër. Ju e thatë që kosovarët nuk do të dorëzohen kurrë, ne nuk do të dorëzoheshim kurrë, sepse jemi popull që kemi qenë në okupim për vite dhe pavarësisht kësaj kurrë nuk e kemi humbur identitetin tonë dhe kurrë nuk jemi dorëzuar. Sot Kosova është demokraci e fortë dhe një shtet që mund të përballet me sfida, por edhe testament se shtetet e vogla mund të kenë ndikim. Sepse nuk mund të definohemi nga gjeografia, por nga historitë që kemi për të treguar”, tha Osmani.

  • Pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-në, Kurti: S’mund të bëj kompromise me sundimin e ligjit në veri

    Pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-në, Kurti: S’mund të bëj kompromise me sundimin e ligjit në veri

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur për pezullimin e dialogut strategjik me SHBA-në.

    Kurti ka thënë se pengesat në raport me Amerikën janë në fushën e diplomacisë. Sipas tij SHBA e konsideron shumë të rëndësishme ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore, sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën.

    Por, ai ka thënë se butësia me autokratët nuk është provuar kurrë të jetë e suksesshme.

    Kurti po ashtu ta se nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit në veri të vendit.

    “Së pari dialogu strategjik nuk është pezulluar, por planifikimi për dialogun strategjik është pezulluar. Kjo është për dy arsye kryesore: E para për shkak të fillimit të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe nuk mund të bëjë kompromise këtu. Nuk mund tia lë këtë problem gjeneratës tuaj. Mendoj se brezi im duhet ta përfundojë këtë. Marrëdhënia jonë me SHB-në është tridimensionale, që do të thotë mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Sinqerisht shtylla e mbrojtjes qëndron më mirë se të tjerat…. Aty ku i kemi disa pengesa është në diplomaci sepse sipas meje SHBA e konsideron shumë të rëndësishme ta ngrenë Serbinë nga hemisfera lindore, sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën.

    Dhe ne, duke qenë të palëkundur me sundimin e ligjit, demokracisë, sovranitetit shtetëror dhe integritet territorial – disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po u ndihmojmë SHBA-ve ta shkëpusin Serbinë nga Federata Ruse, por sinqerisht kjo s’duhet të jetë problemi im. Më falni për sinqeritetin. Ashtu është. Pra unë përfaqësoj interesat e Republikës së Kosovës, dhe nëse jeni pak më të butë Beogradin, kjo nuk është provuar kurrë e dobishme sepse sa më mirë të silleni me ta aq më keq bëhen, sepse autokratët dhe diktatorët, nëse u shfaqë pak bujari, mendojnë se ke frikë nga ta”, ka thënë Kurti.

  • NATO forcon praninë në Baltik pas inkursioneve me dronë

    NATO forcon praninë në Baltik pas inkursioneve me dronë

    NATO ka “rritur vigjilencën” në Baltik, pasi Kopenhaga raportoi për një inkursion me dronë në hapësirën ajrore të Danimarkës, tha një zëdhënës i aleancës ushtarake perëndimore.

    Masat e shtuara përfshijnë “disa platforma të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit dhe të paktën një fregatë kundërajrore” në rajonin në perëndim të Rusisë, tha zëdhënësi i NATO-s, Martin O’Donnell, gjatë një konference për media.

    O’Donnell tha se udhëheqja e NATO-s “ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me udhëheqësit danezë” lidhur me incidentet me dronë, që janë të fundit në një sërë shkeljesh të hapësirave ajrore të shteteve anëtare të aleancës.

    Shfaqjet misterioze të dronëve në Danimarkë dhe Norvegji që nga e hëna kanë detyruar autoritetet të mbyllin disa aeroporte. Danimarka ka lënë të kuptohet se pas dronëve mund të jetë e përfshirë Rusia.

    Disa shtete të NATO-s kanë thënë se avionët luftarakë dhe dronët rusë kanë shkelur hapësirat e tyre ajrore në Evropë gjatë javëve të fundit, duke e akuzuar Moskën se po e teston aleancën.

    Por, të enjten Moska mohoi çdo sugjerim se ajo qëndronte pas këtyre incidenteve me dronë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, më 27 shtator paralajmëroi NATO-n se do të rrezikonte që të përballej me një “përgjigje vendimtare” nëse do të shfaqte “çfarëdo agresioni ndaj shtetit tim”./REL

  • Dy persona kapen në flagrancë duke tentuar të vjedhin tri tyrbe në Rahovec

    Dy persona kapen në flagrancë duke tentuar të vjedhin tri tyrbe në Rahovec

    Një incident i rëndë është shënuar gjatë natës në Rahovec.

    Me datë 28.09.2025, rreth orës 00:50, dy persona janë kapur në flagrancë nga sigurimi i Qendrës së Regjistrimit Civil, pasi kishin tentuar të kryejnë vjedhje në një objekt pranë vendit të punës së dëshmitarit, në rrugën “Sheh Mihedini”.

    Nga shikimi i kamerave të sigurisë është zbuluar se të njëjtit kishin tentuar të kryejnë vjedhje me mjete të forta edhe në tri objekte fetare (tyrbe) që gjenden në varrezat e qytetit, në rrugën “Fahri Fazliu” në Rahovec.

    Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të arrestuarit janë: L. M. rreth 25-vjeçar, I.H. rreth 15-vjeçar – i mitur.

    Pas intervistimit, në konsultim me Prokurorin e Departamentit të Përgjithshëm dhe atë për të mitur, është vendosur që L.M. të ndalohet për 48 orë, ndërsa i mituri të ndalohet për 24 orë.

    Rasti është duke u hetuar nga Sektori i Hetimeve, raporton Sinjali.

  • Kurti në New York: Ideali i vëllezërve Bytyqi, udhërrëfyes për të ecur përpara

    Kurti në New York: Ideali i vëllezërve Bytyqi, udhërrëfyes për të ecur përpara

    Kryeministri në detyrë, Albi Kurti, ka bërë homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi, Yllit, Agronit e Mehmetit, në New York.

    Në një njoftim të Kryeministrisë të shtunën në mbrëmje, Kurti është cituar të ketë thënë se ideali i vëllezërve që u vranë 26 vjet më parë nga forcat serbe, është udhërrëfyes për të ecur përpara.

    “Duke i kujtuar e përkujtuar dëshmorët e kombit, në këtë rast vëllezërit Bytyqi, ne ia përkujtojmë vetes sonë se sa i lartë ishte çmimi që kemi paguar për lirinë që e gëzojmë dhe popullin që kemi, por njëkohësisht edhe ideali i tyre na shërben si udhërrëfyes për të ecur përpara, në mënyrë që të arrijmë atë çfarë ata e kanë dashur e për të cilën janë flijuar. Yllin, Agronin dhe Mehmetin do t’i kujtojmë përgjithmonë dhe brezi ynë ka për detyrë që këtë ta bëjnë edhe brezat pas nesh”, u shpreh ai.

    Vëllezërit Bytyqi ishin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarë të njësitit të vullnetarëve “Atlantiku”. Më 23 qershor të vitit 1999, pak ditë pas çlirimit të Kosovës, tre vëllezërit shqiptarë kishin ndërmarrë një nismë shumë njerëzore: të përcjellin një familje rome nga Prizreni drejt kufirit me Serbi, që po shkonte drejt Kralevës. Gjatë këtij udhëtimi, ata të tre e kaluan paqëllimshëm kufirin, për çka u arrestuan nga policia serbe dhe u dënuan nga Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple me 15 ditë burgosje. Kur po përfundonin dënimin, tre vëllezërit Bytyqi u dërguan në një bazë trajnimi të policisë serbe, ku u vranë me plumba pas koke dhe ua zhdukën gjurmët. Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001, në një varrezë masive në Petrovo Sello, afër qytezës Kladovo, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

    Në tetor të vitit 2019 dhe në korrik të vitit 2022, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan, ka miratuar dy rezoluta, me anë të të cilave, SHBA-ja i ka kërkuar veprime konkrete Serbisë dhe bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare, për të nxjerrë para drejtësisë personat e përfshirë në këtë krim.

  • Të paktën 39 të vdekur pas një përleshje në një tubim politik në Indi

    Të paktën 39 të vdekur pas një përleshje në një tubim politik në Indi

    Të paktën 39 persona kanë vdekur, përfshirë fëmijë, në një përplasje gjatë një tubimi politik në shtetin jugor indian të Tamil Nadu-së, thanë zyrtarët e shtetit.

    Dhjetëra mijëra njerëz ishin mbledhur të shtunën në një aktivitet fushate për aktorin e shndërruar në politikan Vijay, në distriktin jugor Karur.

    Mediat lokale raportuan se u vonua me disa orë. Pamjet e transmetuara në televizion treguan njerëz që po humbnin ndjenjat në turmat e mbushura me njerëz.

    Kryeministri i Tamil Nadu-së, MK Stalin, u tha gazetarëve në Karur se 39 persona kishin vdekur, ndërsa 51 të tjerë po merrnin trajtim.

    Ai tha se numri i të vdekurve përfshinte të paktën 17 gra, 13 burra dhe nëntë fëmijë.

    Një kompensim prej një milion rupish (11,300 dollarë; 8,400 paund) do t’u ofrohet familjeve të të ndjerëve, shtoi Stalini, dhe do të ketë një hetim për incidentin.

    Një burrë, anëtarët e familjes së të cilit ishin në ngjarje, foli për agjencinë indiane të lajmeve ANI nga jashtë një spitali.

    “Dy fëmijët e vëllait tim ishin atje. Dy djem. I madhi vdiq, i vogli mungon. Të afërmit e mi, kunata ime, janë në kujdes intensiv. Çfarë duhet të bëj?” tha ai.

    Në një deklaratë online, Vijay tha se zemra e tij ishte “e thyer” dhe se ai ishte në “dhimbje dhe pikëllim të padurueshëm dhe të papërshkrueshëm”.

    Ai u dërgoi “ngushëllimet e tij më të thella” familjeve të atyre që vdiqën dhe lutje për një “shërim të shpejtë” atyre në spital.

    Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, në një postim në X, tha se incidenti ishte “i pafat” dhe “thellësisht trishtues”.

    Përplasjet vdekjeprurëse nuk janë të rralla në Indi dhe vetëm këtë vit ka pasur disa incidente të ngjashme tragjike, duke përfshirë ato në festivalin e famshëm hindu Kumbh Mela dhe jashtë një stadiumi kriketi.

  • Rritet besueshmëria në Policinë e Kosovës

    Rritet besueshmëria në Policinë e Kosovës

    Nga paraqitja e rastit deri te reagimi i Policisë së Kosovës në Ferizaj, asaj i duhen disa minuta për të arritur në vendin e ngjarjes.

    “Stacioni Policor në Ferizaj ka kohën e reagimit më të shpejtë nga të gjitha stacionet e tjera në nivel Kosove ku koha e reagimit është 13.7 minuta dhe me të pranuar çdo informacion nga qytetarët në stacionin policor menjëherë reagohet patrullat dalin në teren dhe i përgjigjen rastit”, ka thënë Kapiten Nehat Suma -Shef i Operativës në Policës së Kosovës në Ferizaj.

    Ditë më parë, falë reagimit të shpejtë të policisë është arritur të ndalohet një tentim-vetëvrasjeje.

    “Sapo kemi marrë informacionin e kemi përcjellë tek patrullat e cila ka qenë në terren edhe fal intervenimit shumë të shpejtë tyre kemi arritur me kohë atje të depërtoj në lokal edhe është arritur që të shpëtohet jeta e një vajze nga zyrtarët e stacionit policor të Ferizajt”, ka thënë toger Reshat Hyseni.

    Veprimet dhe reagimet e shpejta të policisë në rastet e raportuara po e rrisin besueshmërinë tek ky institucion

    “Besoj që ka pasur ndikim shumë të madh pozitiv në ngritjen e imazhit të Policisë së Kosovës edhe rritjen e besueshmërisë tek zyrtarët policor anembanë Kosovës”, ka thënë Kapiten Nehat Suma -Shef i Operativës në Policës së Kosovës në Ferizaj.

    Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që çdo rast të dyshimtë apo të rrezikshëm ta raportojë sa më parë./rtk

  • Bastiset shtëpia e një personi në Mitrovicë, kapen armë e fishekë

    Bastiset shtëpia e një personi në Mitrovicë, kapen armë e fishekë

    Policia në Mitrovicë ka bastisur shtëpinë e një personi në rrugën “Bislim Bajgora”, me ç’rast ka sekuestruar armë dhe fishekë.

    Sipas raportit 24 orësh, për armën i dyshuari posedonte leje vetëm për përdorim në poligon. I njëjti pas intervistimit është liruar.

    “Njësitë policore, gjatë kontrollit në veturën e të dyshuarit m/k, kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me dy karikatorë dhe 36 fishekë të kalibrit 9×19 mm. Për këtë armë, i dyshuari posedon leje vetëm për përdorim në poligon. Me urdhër të prokurorit, është bastisur edhe shtëpia e tij, ku është gjetur dhe sekuestruar një karikator tjetër me 24 fishekë të njëjtit kalibër. Pas intervistimit, i njëjti është liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit”, thotë policia.