ATV

Category: Lajme

  • Tetori nis me reshje të dendura shiu dhe sjell borën e parë, priten vërshime

    Tetori nis me reshje të dendura shiu dhe sjell borën e parë, priten vërshime

    Pas verës me temperatura ekstreme, situata ka ndryshuar përfundimisht që nga fundjava që e lamë pas, e cila u karakterizua me ulje të theksueshme të temperaturave dhe reshje lokale shiu.

    Gjatë kësaj jave, në ditët e fundit të shtatorit, moti do të mbetet i ndryshueshëm. Të hënën pritet të mbajë me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa lokalisht mund të ketë edhe reshje të izoluara shiu.

    Të martën, pas mëngjesit kryesisht të vranët, gjatë ditës do të ketë intervale të gjata me diell. Temperaturat do të lëvizin rreth 20°C.

    Ditët e para të tetorit do të ndikohen nga kushte të paqëndrueshme dhe masa të ftohta ajrore nga Rusia, të cilat do të fuqizohen të enjten dhe të premten, kur edhe pritet kulmi i tyre.

    Paralelisht, një ciklon i fuqishëm nga Deti Mesdhe do të lëvizë drejt Greqisë, duke sjellë reshje të dendura në Ballkanin Lindor dhe Qendror, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Serbinë dhe pjesërisht Shqipërinë.

    Të mërkurën moti do të dominohet nga vranësirat dhe intervalet kohore me diell, me mundësi për reshje të izoluara. Në mbrëmje parashihet shtim i vranësirave dhe intensifikim i reshjeve. Temperaturat do të pësojnë ulje graduale.

    Të enjten dhe të premten pritet mot i vranët dhe me reshje të dendura shiu dhe bore. Fillimisht bora do të shfaqet në zonat malore, ndërsa gjatë ditës së enjte ose të premten pritet të shtrihet edhe në disa zona të ulëta, sidomos në Rrafshin e Kosovës. Temperaturat do të mbesin pak mbi vlerat pozitive.
    Si pasojë e reshjeve të dendura të enjten dhe të premten, priten edhe vërshime lokale.

    Edhe dita e shtunë do të sjellë mot kryesisht të vranët dhe reshje lokale, të cilat do të ndërpriten në pjesën e parë të ditës. Temperaturat do të shënojnë një ngritje të lehtë.

    Të dielën parashihet mot me diell dhe vranësira, ku temperaturat do të arrijnë mbi 10°C.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, ndërsa nga mesi i javës herë pas here do të forcohet me shpejtësi prej 20–50 km/h, e në zona të veçanta edhe deri në 70 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 1 deri në 11°C, ndërsa ato maksimale prej 2 deri në 20°C. Vlerat më të ulëta pritet të regjistrohen të enjten dhe të premten. /MeteoKosova/

  • Qytetarët ankohen për çmimet e larta: Janë të papërballueshme

    Qytetarët ankohen për çmimet e larta: Janë të papërballueshme

    Tashmë çmimet e produkteve bazë për një pjesë të qytetarëve janë bërë të papërballueshme, përfshirë këtu edhe çmimin e energjisë elektrike. Sikur të mos mjaftonin, çmimet kanë shënuar rritje edhe në pjesën e dytë të vitit.

    Njëri nga qytetarët shpreh shqetësimin e tij se çmimi i rrymës do të jetë vështirë i mbulueshëm kur afrohet edhe sezona e dimrit. Tahir Krasniqi për Ekonomia Online tha se edhe ndryshimin e madh mes pensionit që marrin dhe harxhimet që bëjnë.

    “Të ushqimit deri diku po, ndërsa sa i përket rrymës është pak e tepërt, jo pak por mjaft shumë e tepërt se tash sezona e dimrit me këto klima që i kemi Inshallah ia dalim. Çmimet e ushqimeve tash për tash janë të papërballueshme. Ne si pensioner disi po ia dalmi por qysh po ia dalim. Siç thonë amerikanët shqiptarët e kishin pensionin 200 euro e po i harxhojnë 400 euro. Kah 200? Mos me qenë ndihma prej tjetër kah me siguri nuk kishim mujtë me ia dale”, tha ai.

    Çmimet e larta në produktet bazë e kanë shqetësuar edhe qytetarin Bashkim Ademi.

    “Ushqimet kanë fillu ngritje shumë të madhe, përafërsisht po mundemi me ia dalë. Çmimi i energjisë elektrike nuk është i lartë sepse në çfarë mënyre prodhohet se unë vet kam punu, nuk është i lartë. Vjet kam pagu 30 euro po edhe në këtë sezonë njejtë”, tha Ademi.

    Derisa rriten çmimet, rritje nuk ka edhe në paga. Kështu u shpreh qytetari Shaban Shabani.

    “Me zor po mundemi me përballu çmimet e ushqimit se nuk i kemi krejt, pagat e vogla, çmime shumë të shtrenjta, nuk po mundemi veç qështu po shkojmë. Çmimi i energjisë elektrike është i lartë, po diqysh po e përballojmë”, theksoi Shabani për Ekonomia Online.

    Çmimet e produkteve bazike në Kosovë kanë shënuar rritje me ritëm të lartë në pjesën e dytë të vitit. Ani se viti filloi me inflacion prej 1.5 për qind, çmimet shënuan rritje prej 4.5 për qind në gusht.

    E çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë është rritur për rreth 16 për qind në prill të këtij viti, pas vendimit të marrë nga Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

  • BE rikthen sanksionet ndaj Iranit për shkak të shkeljes së marrëveshjes bërthamore

    BE rikthen sanksionet ndaj Iranit për shkak të shkeljes së marrëveshjes bërthamore

    Bashkimi Evropian ka konfirmuar të hënën rikthimin e sanksioneve ndaj Iranit, duke iu bashkuar një vendimi të ngjashëm nga Kombet e Bashkuara për shkak të mosrespektimit të vazhdueshëm të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

    “Sot, BE-ja riktheu sanksionet kundër Iranit në përgjigje të mosrespektimit të vazhdueshëm të marrëveshjes bërthamore. Dera për negociata diplomatike mbetet e hapur”, thuhet në deklaratën zyrtare të presidencës së BE-së.

    Sipas Reuters, sanksionet përfshijnë: Ngrirje të aseteve të Bankës Qendrore të Iranit dhe disa bankave të tjera, Ndalime udhëtimi për zyrtarë iranianë, Ndalim të blerjes dhe transportit të naftës bruto iraniane, Ndalim të shitjes dhe furnizimit me ar dhe pajisje detare.

    Një ditë më parë, Kombet e Bashkuara rikthyen një embargo armësh dhe sanksione shtesë ndaj Teheranit, përmes një procesi të nxitur nga Britania, Franca dhe Gjermania në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për shkak të akuzave se Irani po shkel marrëveshjen bërthamore.

  • Nga 1 tetori nis vaksinimi kundër gripit sezonal

    Nga 1 tetori nis vaksinimi kundër gripit sezonal

    Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ka njoftuar se nga 1 tetori do të fillojë vaksinimin kundër gripit sezonal.

    Sipas njoftimit të QKMF-së, këtë shërbim qytetarët mund ta marrin në QMF-të më të afërta ku ka njësi të vaksinimit.

    “Me vete duhet të keni letërnjoftimin ose certifikatën e lindjes edhe për fëmijët e vegjël, për shkak të regjistrimit të të dhënave në sistem”, thuhet tutje në njoftim.

  • “Kundër padrejtësisë në Hagë”- Më 17 tetor mbahet protestë në Tiranë, njofton OVL-UÇK

    “Kundër padrejtësisë në Hagë”- Më 17 tetor mbahet protestë në Tiranë, njofton OVL-UÇK

    Kryetari i Veteranëve të Luftës së UÇK-së Hysni Gucati, në një konferencë për media të mbajtur në Tiranë, ka njoftuar se protesta e radhës në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë do të mbahet pikërisht në kryeqytetin shqiptar, pas atyre të mbajtur në Prishtinë dhe Hagë.

    Kjo protestë do të mbahet në sheshin ‘Skënderbej’ më 17 tetor, me fillim nga ora 17:00, me moton “Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë në Hagë”.

    “Arsyeja tashmë është e qartë. Padrejtësia që po ushtrohet nga Gjykata Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne, bashkëluftëtarët dhe kategoritë e dala nga lufta shprehim mirënjohje të përhershme për shtetin shqiptar, për përkrahjen dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj kësaj çështje madhore kombëtare. Mesazhi ynë është i qartë: Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë që po iu bëhet atyre”, deklaroi Gucati në këtë konferencë.

    “Prandaj sot, nga kjo tryezë, iu drejtohemi të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë e veprojnë, partive politike shqiptare, sidomos në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni: bashkohuni me ne në këtë protestë paqësore në Tiranë. Kjo nuk është çështje e disa individëve, por çështje dinjiteti, sakrifice dhe e së vërtetës sonë historike. Le të ngrihemi të gjithë si një zë i vetëm për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët tanë dhe për t’iu kundërvënë padrejtësisë. Ju mirëpresim të gjithëve në Tiranë”, theksoi ai.

    ““Ne jemi shqiptarë dhe na bashkon një gjuhë e një flamur. Ai flamur është flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në sheshin ‘Skënderbej’, më 17 tetor nga ora 17:00, bashkohemi të gjithë të protestojmë kundër padrejtësisë që po bëhet në Hagë”, tha Gucati.

  • Bislimi takohet me ambasadorin e ri të Sllovenisë në Kosovë

    Bislimi takohet me ambasadorin e ri të Sllovenisë në Kosovë

    Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim ambasadorin e ri të Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj.

    Në njoftimin e zyrës së kryeministrit thuhet të kenë diskutuar për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

    “Zëvendëskryeministri e informoi ambasadorin Blaj edhe mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të nivelit të kryenegociatorëve të zhvilluar në Bruksel më herët gjatë muajit, ku përsëri u pa qartazi destruktiviteti i Serbisë në proces, tërheqja e saj nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Ohrit dhe bllokimi i formimit të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur me dhunë”, thuhet tutje në komunikatën për media.

    Njoftimi i plotë:

    Në vijim diskutuan rreth procesit të integrimit evropian të Kosovës. Zëvendëskryeministri e falënderoi shtetin e Sllovenisë për partneritetin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në këtë rrugëtim, gjersa shprehu se vendi ynë vazhdon të ketë objektiv kryesor dhe të synojë marrjen e statusit të vendit kandidat. Zëvendëskryeministri e informoi ambasadorin Blaj edhe mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të nivelit të kryenegociatorëve të zhvilluar në Bruksel më herët gjatë muajit, ku përsëri u pa qartazi destruktiviteti i Serbisë në proces, tërheqja e saj nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Ohrit dhe bllokimi i formimit të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur me dhunë.

  • Kongresisti Lawler, në këtë takim, e informoi kryeministrin Kurti për vendimin e tij për t’iu bashkuar Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan

    Kongresisti Lawler, në këtë takim, e informoi kryeministrin Kurti për vendimin e tij për t’iu bashkuar Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan

    Në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi kongresistin amerikan nga radhet e Partisë Republikane, Mike Lawler, njëherësh anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Diskutuan për mënyrat se si të thellohet partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë te bashkëpunimi ekonomik, investimet e huaja direkte dhe shkëmbimet tregtare, si dhe për rolin e rëndësishëm të diasporës sonë në këtë drejtim. Kryeministri Kurti e njoftoi kongresistin për zhvillimet e fundit në vend dhe progresin e arritur vitet e fundit në ekonomi, demokraci, siguri dhe sundimin e ligjit.

    Gjithashtu diskutuan edhe për rreziqet dhe sfidat e ndikimit rus në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.

    Kongresmeni Lawler, në këtë takim, e informoi kryeministrin Kurti për vendimin e tij për t’iu bashkuar Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan./ATVLIVE/

  • Kongresisti amerikan pas takimit me Kurtin: Kosova është aleate e rëndësishme për paqen dhe demokracinë

    Kongresisti amerikan pas takimit me Kurtin: Kosova është aleate e rëndësishme për paqen dhe demokracinë

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Demokratike, George Latimer.

    Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, si dhe për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dhe partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Kryeministri Kurti informoi kongresistin Latimer mbi përparimin ekonomik të vendit, rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimet në sundimin e ligjit, të cilat janë reflektuar pozitivisht në raportet ndërkombëtare. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen historike dhe të vazhdueshme të SHBA-së ndaj shtetit të Kosovës.

    Në një postim në rrjetet sociale, kongresisti George Latimer u shpreh i nderuar që u takua me Kryeministrin Kurti, duke vlerësuar përparimin e Kosovës si një shtet i ri që ka ngritur standardet e jetesës duke ruajtur parimet demokratike.

    Ai theksoi se ruajtja e lidhjeve të forta me aleatë si Kosova është mënyra më e mirë për të garantuar paqe, mirëqenie dhe demokraci në SHBA dhe jashtë saj.

    “Sot pata nderin të takohesha me Kryeministrin Kurti të Republikës së Kosovës. Si një shtet i ri, Kosova ka shënuar përparim të madh në përmirësimin e standardeve të jetesës, duke ruajtur parimet demokratike. Mbajtja e lidhjeve të forta me aleatë si Kosova është mënyra më e mirë për të ruajtur paqen, mirëqenien dhe demokracinë në Amerikë dhe jashtë saj.”, ka shkruar në postim Latimer.

  • Gjendet pa shenja jete një person në Serbobran të Istogut, dyshohet se kishte vdekur ditë më parë

    Gjendet pa shenja jete një person në Serbobran të Istogut, dyshohet se kishte vdekur ditë më parë

    Një rast i rëndë është zbuluar në fshatin Serbobran të Istogut, ku një i ri është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij.

    Sipas informacioneve, gjatë datave 21–28 shtator 2025, fqinjët kanë njoftuar Policinë se nga shtëpia e viktimës kundërmonte erë e rëndë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, të cilat nga dritarja kanë vërejtur një trup të shtrirë në shtrat, pa shenja jete.

    Në rast janë përfshirë hetuesit rajonalë dhe mjeku kujdestar nga QKMF-Istog, i cili ka konstatuar se viktima Artist Morinaj rreth 28-vjeçar kishte ndërruar jetë disa ditë më parë.

    Sipas fqinjëve, në dy muajt e fundit në atë shtëpi nuk jetonte askush, por viktima ishte parë duke hyrë aty rreth një javë më parë dhe më pas nuk ishte parë më të dilte.

    Me urdhër të prokurores, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion./Sinjali

  • Nesër protestohet për ish-policin, Arbnor Spahiu që u arrestua në Serbi

    Nesër protestohet për ish-policin, Arbnor Spahiu që u arrestua në Serbi

    Të martën me fillim të orës 12:00 në sheshin “Skënderbeu” do të organizohet protestë paqësore në mbështetje të ish-policit, Arbnor Spahiu, i cili po mbahet në paraburgim në Serbi tash e disa muaj.

    Sipas njoftimit, kjo protestë ka për qëllim t’u bëjë thirrje institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare që të ngrisin zërin kundër padrejtësisë me të cilën Arbnori dhe familja e tij po përballen tash e katër muaj.

    Kjo protestë paqësore po organizohet nga familja Spahiu, raporton Klankosova.tv.

    Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale Operative të Kosovës, Arbnor Spahiu ishte ndaluar nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Horgosh, e më pas u dërgua në qendrën e ndalimit në Kanjizë.

    Këtë për Klankosova.tv e kishte konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Zyrtarja për Komunikim, Qëndresa Fazliu, kishte bërë të ditur se ish-polici Spahiu po udhëtonte me autobus së bashku me familjen nga Austria drejt Kosovës, në kohën kur u ndalua nga autoritetet serbe.