ATV

Category: Lajme

  • Tetori Rozë – apel për kontrolle të rregullta mjekësore

    Tetori Rozë – apel për kontrolle të rregullta mjekësore

    “Me ty fillon parandalimi” – është motoja e fushatës sensibilizuese kundër kancerit të gjirit.

    Gjatë hapjes së kësaj fushate, kryeministri në detyrë Albin Kurti, apeloi për kontrolle të rregullta, me që zbulimi i hershëm mund ta shpëtojë jetën.

    “Me vetëkontroll dhe kontrolle të rregullta mjekësore, ne bëjmë hapësirën vendimtare të zbulimit të hershëm të sëmundjes dhe shpëtimit të jetës,tha Kurti”.

    Trajtimi i kësaj sëmundjeje sipas ministrit në detyrë të Shëndetësisë, tashmë mund të bëhet më lehtë, meqë janë dyfishuar kapacitetet.

    “Me investimet ne kliniken e onkologjis tashme kapacitet e shtreteve jan dyfyshuar hapsirat jan riorganizuar dhe mordenizuar duke ofruar kushte shume me te mira per pacient jane blere 3 akslerator tw ri, tha Vitia”.

    Por njëjtë nuk po thotë një e mbijetuar e kancerit të gjirit. Sipas Nafije Latifit, një nga telashet që hasin pacientët me këtë sëmundje është mungesa e kujdesit nga stafi mjekësor.

    “Pacientët hasin në kushte të pamjaftueshme trajtimi, mungesë të stafit të mesëm shëndetësor, mungesë të lokacioneve dhe aparaturave të avancuara. Më e dhimbshmja nga të gjitha këto është mungesa e kujdesit paliativ.Kërkojmë që pacienti të vendoset në qendër të çdo politike,tha Latifi”.

    E thirrje publike për kontrolle të rregullta mjekësore, bëri edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila gjatë këtij viti ishte përballur me këtë sëmundje.

    “Edhe pak ditë e kam datëlindjen, në muajin tetor jam diagonostifikuar dhe muajin tetor do e shfrytëzojë që maskimalisht t’iu them të gjithave mos u frikësoni,tha Lila”.

    Me rastin e fillimit të Muajit të Ndërgjegjësimit Kundër Kancerit të Gjirit deri më 31 tetor, Mamografi Mobile do të ketë në disa prej qyteteve të Kosovës./ATV

  • Kosova përfaqësohet nga presidentja Osmani në Samitin e EPC-së

    Kosova përfaqësohet nga presidentja Osmani në Samitin e EPC-së

    Gjatë së enjtes në Danimarkë u mblodhën liderët evropian në samitin e shtatë të Komitetit Politik.

    Kosova në Kopenhagë po përfaqësohet nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, e cila para mediave ndërkombëtare kritikoi shtetet e BE-së për shpërblimet që po ia bëjnë Serbisë, e cila, sipas saj, është pro-ruse.

    “Unë mendoj se ka nevojë për konsistencë nga Bashkimi Evropian në trajtimin e të dy agresorëve, sepse nuk mund ta trajtosh njërin si agresor dhe diktator, ndërsa tjetrin si partner” shtoi Osmani.

    Ajo shtoi se këto dy vende po sjellin rrezik për rajonin.

    “Janë aktualisht dy rreziqe kyç të sigurisë që janë duke ardhur kundër shteteve në kontinentin tonë, një vjen nga Rusia, tjetra veçanërisht në rajonin tonë vjen nga sateliti i Rusisë, zgjatja e Rusisë në rajonin tonë, Serbia” deklaroi ajo

    Ajo ka përmendur rastin e Banjskës dhe ka kritikuar mungesën e përgjegjësisë nga Bashkimi Evropian ndaj agresionit serb në veri të Kosovës.

    Kësisoj ajo kërkoi që zgjerimi të vazhdojë me Ballkanin Perëndimor me ato vende që e meritojnë anëtarësimin.

    E para vendit u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, të cilit ia riafirmoi gatishmërinë e Kosovës për koordinim të rregullt në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe rolin vendimtar të NATO-s në stabilitetin rajonal.

    Osmani gjatë samitit të Liderëve të Komitetit Politik Evropian u mirëprit edhe nga Kryeministrja Daneze  Mette Frederiksen ku diskutuan sfidat e sigurisë dhe thëllimin e bashkëpunimit.

  • Edukatorja në Pejë po hetohet nëse keqtrajtoi edhe fëmijë tjerë

    Edukatorja në Pejë po hetohet nëse keqtrajtoi edhe fëmijë tjerë

    Një edukatore e një çerdhe private në Pejë është arrestuar pas dyshimeve se ka ushtruar dhunë ndaj një vajze 2-vjeçare. Ngjarja është zbuluar pasi prindërit e fëmijës kërkuan incizimet nga kamerat e sigurisë, ku shihej edukatorja duke e goditur disa herë vogëlushen me dorë në gojë.

    Burime nga çerdhja “Shtëpia e Diellit” i kanë thënë ATV-së se incidenti ndodhi pasi e mitura paraprakisht kishte kafshuar dy fëmijë të tjerë, gjë që sipas tyre e kishte nxitur edukatoren të reagonte në mënyrë të dhunshme.

    Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar arrestimin e saj.

    “Edukatorja është arrestuar me dyshimin se ka përdorur dhunë dhe ka keqtrajtuar fëmijën. Pas analizimit të incizimeve, me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë,” tha zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.

    Ai shtoi se hetimet janë zgjeruar për të parë nëse ka pasur edhe raste të tjera të ngjashme.

    “Është duke u hetuar nëse ka edhe ndonjë vepër tjetër penale dhe nëse ka edhe fëmijë të tjerë që janë viktimë,” deklaroi Nikçi.

    ATV ka tentuar të marrë qëndrim nga drejtoresha e çerdhes, por sipas stafit ajo nuk ishte paraqitur në punë ditën e ngjarjes dhe nuk iu përgjigj as telefonatave.

    Rasti ishte raportuar në polici nga prindërit e vajzës më 30 shtator.

  • KPM merr kryesimin e Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore të Mediave

    KPM merr kryesimin e Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore të Mediave

    Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka marrë kryesimin e Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore të Mediave (MNRA), duke u bërë nikoqir i Asamblesë së 24-të Plenare që po mbahet në Prishtinë.

    Kryetari i KPM-së, Besnik Berisha, tha se rregullimi i mediave është një përgjegjësi e përbashkët, ku të gjithë faktorët shoqërorë duhet të kenë rol aktiv.

    “Qeveritë duhet ta respektojnë dhe mbështesin median, shoqëria civile duhet ta monitorojë, ndërsa qytetarët duhet ta kërkojnë. Vetëm kështu krijohet një mjedis ku liria e medias nuk mbetet një slogan, por bëhet realitet”, u shpreh Berisha.

    Nga ana tjetër, presidenti në largim i MNRA-së, njëherësh kreu i Komisionit për Televizionin dhe Radion e Armenisë, Higran Hakobyan, theksoi se zhvillimi i shpejtë teknologjik po paraqet sfida serioze për mediat tradicionale dhe ato të reja.

    Asambleja e 24-të Plenare po trajton tema kyçe si: mbrojtja e të miturve në platformat online, gazetaria e gjelbër, rregullimi i mediave online, inteligjenca artificiale, barazia gjinore në media, edukimi medial dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes e dezinformimit.

    Rrjeti Mesdhetar i Autoriteteve Rregullatore të Mediave bashkon 27 autoritete nga vende të ndryshme të rajonit të Mesdheut.

  • Kurti: Ulësja për komunitetin serb s’është vetëm për Listën Serbe

    Kurti: Ulësja për komunitetin serb s’është vetëm për Listën Serbe

    Një karrige e zbrazët në kryesinë e Kuvendit po mban pezull konstituimin e legjislaturës së re. Por sipas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kjo ulëse nuk i përket vetëm Listës Serbe, por të gjithë komunitetit serb.

    Ai përmendi Nenad Rashiqin si alternativë përfaqësuese, duke theksuar se ai ka marrë pesë herë më shumë vota se kandidati i Listës Serbe.

    “Mos harroni, serbë nuk janë vetëm ata të Listës Serbe. Serb është edhe Nenad Rashiq. Përfaqësuesi i Listës Serbe mori vetëm 10 vota, kurse Rashiq 56. Vetëm pesë vota t’i jepnin opozitarët, sot nuk do të ishim në këtë situatë”, tha Kurti.

    Ai shtoi se votimi për nënkryetaren Emilja Rexhepi nuk mund të anulohet, pasi Kuvendi tashmë ka zgjedhur kryetarin dhe katër nënkryetarët.

    Kurti megjithatë nuk tregoi se si do të veprojnë tutje, duke thënë se do ta presin aktvendimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet brenda një jave. Sipas tij, vonesat në konstituimin e Kuvendit janë humbje kohe që shteti nuk mund ta përballojë.

  • Mbrojtja e thaçit kërkon zgjatje të afatit për t’i përfunduar dëshmitë

    Mbrojtja e thaçit kërkon zgjatje të afatit për t’i përfunduar dëshmitë

    Me përfundimin e dëshmisë së James Peter Covey, Mbrojtjes së Hashim Thaçit, i kanë mbetur edhe tre dëshmitarë të tjerë për ta përfunduar çështjen e tyre në procesin në Gjykatën Speciale.

    Por, dëshmitë e këtyre që kanë mbetur, sipas Avokatit Luka Mishetiq, nuk do jetë e mundur të përfundojnë brenda afatit të caktuar nga gjykata.

    Andaj, ky vlerëson se duhet afat shtesë.

    “Nuk do të jetë e mundur që të përfundojmë me datën 14 dhe për të dërguar mocionet e tjera që na duhen, e po ashtu edhe dosjen përfundimtare të datës 22 dhjetor”, u shpreh Luka Mishetiq.

    Kësaj, kërkese iu bashkëngjit edhe avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon.

    “Janë edhe një numër apelesh të cilat duhet të merren parasysh në kuadrin e provave të përbashkëta dhe në kuadër të asaj që do pranohet në prova”, deklaroi Dixon, avokat i Kadri Veselit.

    Andaj, këta paralajmëruan që së bashku, ta dorëzojnë edhe në formë të shkruar, kërkesën për zgjatje të afatit.

    “Pra, ne presim që ta bëjmë një kërkesë të përbashkët për ta shtyrë këtë afat përpara se ta bëjmë këtë kemi folur me Prokurorinë dhe do të komunikojmë me palët e interesit për të arritur një marrëveshje përpara se të vijmë me kërkesën tonë për këtë shtyrje afati”, tha Luka Mishetiq.

    Këtë çështje, Mishetiq e ngriti, pas deklarimit të gjykatësit Smith të mërkurën, i cili tha se deri më 14 nëntor duhet dhe është e mundshme të përfundojnë të gjithë dëshmitarët, përfshirë edhe ata të Jakup Krasniqit.

  • “GUXO” premton drejtësi dhe barazi në zgjedhjet e 12 tetorit

    “GUXO” premton drejtësi dhe barazi në zgjedhjet e 12 tetorit

    Kandidati i partisë GUXO, Valon Krasniqi për kryetar të Malishevës, po premton drejtësi dhe barazi për qytetarët e komunës.

    Krasniqi thotë nëse merr besimin me votë nga qytetarët, ai do t’i largojë të punësuarit në komunë, institucione arsimore e shëndetësore që nuk kanë kontratë.

    Ai premton edhe reformim të listës të skemës sociale.

    GUXO në Malishevë, premton edhe angazhim për arsimin.

    Ardian Bytyqi, që garon për Lipjanin, takoi biznese gjatë ditës.

    “Përkushtimi ynë si GUXO ndaj këtij biznesi dhe bizneseve lipjanase na ka bërë që të bëhemi pionierë, duke vendosur vazhdimisht prodhuesin dhe cilësinë në rendin e parë.

    Zonat ekonomike që ne do ti bëjmë për fabrikat e prodhimit më të avancuara, e të konceptuara janë pjesë e programit tonë mbi zhvillimin e ekonomisë së Lipjanit”, shkroi ai.

    Të mërkurën ai e pati për mysafire në Lipjan, lideren e partisë, Donika Gërvalla.

    Aty takuan një grup të rinjësh, ku edhe shpalosën programin për rininë.

    Partia GUXO ka numrin 118 për zgjedhjet e 12 tetorit.

  • Macron kërkon rritje të presionit ndaj “flotës në hije” të Rusisë

    Macron kërkon rritje të presionit ndaj “flotës në hije” të Rusisë

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje Evropës që të ndërmarrë veprime të koordinuara ndaj të ashtuquajturës “flotë në hije” të Rusisë dhe të ndjekë shembullin e Francës për të penguar këto anije që përdoren për të shmangur sanksionet perëndimore.

    Franca aktualisht po heton një anije, të regjistruar në Benin, që dyshohet se është pjesë e qindra cisternave të vjetra, të futura në listën e sanksioneve nga Bashkimi Evropian nën akuza se po ndihmojnë Moskën për shmangien e kufizimeve për eksportet e naftës pas pushtimit të Ukrainës më 2022.

    “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të rritet presioni për këtë ‘flotë në hije’, sepse qartësisht do të reduktonte kapacitetin financiar për këtë luftë”, tha Macron para udhëheqësve të mbledhur në Danimarkë.

    Udhëheqësi francez sugjeroi që shtetet evropiane që janë pjesë e “koalicionit të vullnetit” – për mbështetjen e Kievit – duhet të koordinohen me NATO-n “për një veprim të përbashkët” sa i përket kësaj çështjeje.

    Autoritetet franceze kanë arrestuar dy pjesëtarë të Boracay, anijes që gjendet në pjesën perëndimore të brigjeve të Francës, dhe nisën hetimin mbi “dështimin e ekuipazhit për të justifikuar nacionalitetin e anijes dhe refuzimit për të bashkëpunuar”.

    Të dhënat nga gjurmimi i anijeve tregojnë se cisterna ka qenë pranë bregut danez muajin e kaluar, kur kishte fluturime misterioze të dronëve që rritën shqetësimet për sigurinë dhe detyruan autoritetet e Danimarkës që të mbyllnin aeroporte.

    Mediat e kanë lidhur veprimin e Francës me fluturimet e dronëve, por kjo nuk është konfirmuar nga Parisi.

    Macron tha se, përveç sigurimit që anijet të respektojnë rregullat ndërkombëtare, ndalime të tilla janë “shumë të rëndësishme” për të rritur presionin ndaj Moskës, për të goditur të ardhurat që i përdorë për luftën kundër Ukrainës dhe për ta detyruar që të negociojë.

    “Flota në hije”, që besohet se përfshin deri në 1.000 anije, përfaqëson “dhjetëra miliarda euro të buxhetit të Rusisë” dhe “përbën 40 për qind të përpjekjes së saj luftarake”, tha udhëheqësi francez.

  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë për Kosovën më 21 tetor

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të diskutojë për Kosovën më 21 tetor

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një seancë më 21 tetor për të shqyrtuar situatën në Kosovë, është bërë e ditur përmes faqes zyrtare të organizatës.

    Në këtë seancë, Këshilli do të diskutojë raportin më të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili pritet të publikohet në ditët e ardhshme.

    Ky debat vjen gjashtë muaj pas diskutimit të fundit në prill, ku vendet anëtare fokusuan diskutimin tek e ardhmja e UNMIK-ut në Kosovë, mision i cili filloi në qershor të vitit 1999 pas miratimit të Rezolutës 1244 të KS-së.

    Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kërkuan ndërprerjen e mandatit të UNMIK-ut, ndërsa Franca, Rusia dhe Kina mbështetën vazhdimin e misionit.

  • Merret vendimi nga Gjykata e Lartë, Erion Veliaj mbetet në burg

    Merret vendimi nga Gjykata e Lartë, Erion Veliaj mbetet në burg

    Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga avokatët mbrojtës të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku kërkohej lirimi nga paraburgimi.

    “Vendosi: Mospranimin e rekursit te paraqitur nga personi nën hetim Erion Veliaj, kundër vendimit nr. 130 (87- 025-191), datë 09.06.2025, te Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.

    Veliaj kërkoi shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest me burg” duke paraqitur edhe një memo, ku i bëhej me dije Gjykatës së Lartë se ai nuk është më kryebashkiak i Tiranës.

    Duke cituar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Veliajt, avokatët i kërkuan Gjykatës së Lartë të marrë në konsideratë faktin se në këto kushte ai nuk mund të ndikojë mbi dëshmitarët dhe vendosë në rrezik asnjë provë.

    Ndërkohë, SPAK kërkoi vijimin e arrestit me burg për Veliaj, duke pretenduar se ai ka qenë zyrtar i lartë dhe për këtë arsye ka mundësi që të intimidojë dëshmitarët e çështjes.