ATV

Edukatorja në Pejë po hetohet nëse keqtrajtoi edhe fëmijë tjerë

Foto ilustrim

Written by

in

Një edukatore e një çerdhe private në Pejë është arrestuar pas dyshimeve se ka ushtruar dhunë ndaj një vajze 2-vjeçare. Ngjarja është zbuluar pasi prindërit e fëmijës kërkuan incizimet nga kamerat e sigurisë, ku shihej edukatorja duke e goditur disa herë vogëlushen me dorë në gojë.

Burime nga çerdhja “Shtëpia e Diellit” i kanë thënë ATV-së se incidenti ndodhi pasi e mitura paraprakisht kishte kafshuar dy fëmijë të tjerë, gjë që sipas tyre e kishte nxitur edukatoren të reagonte në mënyrë të dhunshme.

Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar arrestimin e saj.

“Edukatorja është arrestuar me dyshimin se ka përdorur dhunë dhe ka keqtrajtuar fëmijën. Pas analizimit të incizimeve, me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë,” tha zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.

Ai shtoi se hetimet janë zgjeruar për të parë nëse ka pasur edhe raste të tjera të ngjashme.

“Është duke u hetuar nëse ka edhe ndonjë vepër tjetër penale dhe nëse ka edhe fëmijë të tjerë që janë viktimë,” deklaroi Nikçi.

ATV ka tentuar të marrë qëndrim nga drejtoresha e çerdhes, por sipas stafit ajo nuk ishte paraqitur në punë ditën e ngjarjes dhe nuk iu përgjigj as telefonatave.

Rasti ishte raportuar në polici nga prindërit e vajzës më 30 shtator.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *