ATV

Category: Lajme

  • Zbardhen detajet e vrasjes që gjyqtarit: Detektori e sinjalizoi armën, roja qëndroi në karrige

    Zbardhen detajet e vrasjes që gjyqtarit: Detektori e sinjalizoi armën, roja qëndroi në karrige

    Policia në Tiranë ka dhënë detajet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në moshën 60 vjeçare në Tiranë.

    Aty tregohet se si i dyshuari kaloi nëpër detektor me armë, dhe roja qëndronte ulur në karrigen e tij. Gjithçka thuhet të jetë vërtetuar nga pamjet e kamerave.

    “Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës”, thuhet mes tjerash.

    Njoftimi i plotë:

    Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

    Përmbyllen veprimet hetimore lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 06.10.2025, ku rreth orës 15:35, u vra me armë zjarri gjyqtari A. K., nga shtetasi E. Sh., brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë, zbardhet i plotë mekanizmi i vrasjes.

    Së bashku me  autorin e vënë menjëherë në pranga pas ngjarjes, arrestohen edhe shtetasit G. Sh. dhe B. K.

    Më datë 06.10.2025, rreth orës 15:38, është marrë njoftim në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë se në ambientet e brendshme të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është qëlluar me armë zjarri gjyqtari A. K., i cili po zhvillonte seancë gjyqësore me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, me palë paditëse shtetasin R. K, i shoqëruar nga djali i tij E. K., si dhe palë të paditur përmbaruesi gjyqësor T. M., Zyra Përmbarimore Shkodër, dhe palë të treta shtetasin G. Sh, i shoqëruar nga nipi i tij E. Sh.

    Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbime të shumta policie kanë mbërritur në vendngjarje duke marrë masa për shoqërimin e autorit si dhe të gjithë shtetasve të dyshuar ose që kishin dijeni për ngjarjen.

    Njëkohësisht, grupi hetimor i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar me veprimet hetimore si këqyrja e vendit të ngjarjes, administrimi dhe këqyrja paraprake e pamjeve filmike, marrja e deklarimeve nga dëshmitarët duke bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje, si më poshtë:

    Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit E. Sh. dhe G. Sh. Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi B. K., me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.

    Të dy këta shtetas, E. Sh. dhe G. Sh., qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr. 3). Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari A. K. shpall vendimin, shtetasi E. Sh., që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit A. K., i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

    Njëkohësisht, pas këtij veprimi, shtetasi E. Sh. i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të shtetasve R. K. dhe E. K., duke i plagosur të dy, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

    Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi G. Sh. nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit.

    Pas ngjarjes, shtetasi E. Sh. ka dalë nga salla dhe i ka dorëzuar armën shtetasit B. P., me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. Autori E. Sh., pas daljes në oborr, është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga punonjësit e Policisë.

    Në përfundim të të gjitha veprimeve proceduriale, u bë arrestimi në flagrancë sipas veprave penale si më poshtë:

    •             E. Sh., 30 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

    •             G. Sh., 56 vjeç, si i dyshuar për veprat penale të “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim;

    •             B. K., 63 vjeç, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”;

    Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një armë zjarri pistoletë me tre fishekë, e përdorur nga autori, si dhe prova të tjera materiale të gjetura gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, që i shërbejnë dokumentimit të kësaj ngjarjeje.

    Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

  • Dy persona ndalohen në Prishtinë për falsifikim të parasë – Sekuestrohen 40 mijë euro të falsifikuara

    Dy persona ndalohen në Prishtinë për falsifikim të parasë – Sekuestrohen 40 mijë euro të falsifikuara

    Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, janë ndaluar dy persona të dyshuar për veprën penale “Falsifikim i parasë”.

    Aksioni policor u zhvillua në orët e mbrëmjes të së hënës në Prishtinë, si rezultat i hetimeve disa mujore nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

    Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të këtij operacioni dhe në bashkëpunim me Njësinë e Reagimit të Shpejtë, është ndaluar një veturë në të cilën ndodheshin dy të dyshuarit, me inicialet S.T dhe A.Th. Gjatë kontrollit të veturës, janë zbuluar dhe sekuestruar 40,000 euro të falsifikuara, të cilat pas testimit fillestar rezultuan jo origjinale.

    Hetuesit kanë kryer gjithashtu kontrolle në dy lokacione të tjera, përkatësisht në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve.

    Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës, po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

    Rasti mbetet në hetim.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuare për shpërdorim të pasurisë së huaj

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuare për shpërdorim të pasurisë së huaj

    Policia e Kosovës, Njësiti i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin e personit që shihet në fotografi.

    Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se e dyshuara kërkohet për përfshirje në veprën “Shpërdorim i pasurisë së huaj”.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e saj, ju lusim të kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose përmes emailit: [email protected]”, thuhet në njoftim.

  • Një grua raporton se është dhunuar në Podujevë – Rasti nën hetim nga policia

    Një grua raporton se është dhunuar në Podujevë – Rasti nën hetim nga policia

    Një grua në Podujevë ka raportuar në polici se është viktimë e një rasti dhunimi.

    Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 6 tetor 2025, ndërsa për rastin tashmë është informuar edhe prokurori kompetent.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima – një femër kosovare – ka deklaruar se është dhunuar nga një mashkull kosovar, i identifikuar si i dyshuar në këtë rast.

    Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme, ndërsa në raport thuhet se hetimet janë duke vazhduar.

  • Policia heton zhdukjen e një burri në Malishevë

    Policia heton zhdukjen e një burri në Malishevë

    Një burrë është raportuar si i zhdukur në fshatin Janqisht të Komunës së Malishevës, pasi ka dalë nga shtëpia në orët e paradites së së dielës dhe nuk është kthyer më.

    Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh, ku thuhet se rasti është raportuar nga bashkëshortja e tij.

    “Sipas ankueses, viktima – një mashkull kosovar – është larguar nga banesa dhe që nga ajo kohë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Autoritetet janë duke hetuar rastin dhe kanë nisur kërkimet për gjetjen e personit të zhdukur. Deri më tani nuk janë dhënë detaje të tjera rreth identitetit të tij apo rrethanave të mundshme të zhdukjes.

    Policia u bën thirrje qytetarëve që nëse kanë ndonjë informacion, të lajmërojnë organet kompetente sa më shpejt.

  • Marrëveshja për burgje – Osmani do takohet sot me dy ministre të qeverisë belge

    Marrëveshja për burgje – Osmani do takohet sot me dy ministre të qeverisë belge

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret sot në takim Ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden si dhe Ministren e Azilit dhe Migracionit, si dhe e Integrimit Social, Anneleen Van Bossuyt.

    Ndryshe Ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden, dhe ministrja për Azil dhe Migracion, Anneleen Van Bossuyt, nisën një vizitë tre-ditore diplomatike në Kosovë e Shqipëri. Vizita ka për qëllim diskutimin e trajtimit të mbipopullimit të burgjeve dhe luftën kundër krimit të organizuar.

    Për të lehtësuar mbipopullimin kronik të burgjeve belge, qeveria po shqyrton mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimit të një burgu jashtë vendit për personat e dënuar që nuk janë rezidentë në Belgjikë. Gjatë vizitës në Shqipëri dhe Kosovë, ministrat do të zhvillojnë bisedime eksploruese për këtë ide, raporton Belga News Agency.

    Vizita përfshin edhe diskutime mbi një letër qëllimi për ndarjen e aseteve, e cila do të lejonte që një pjesë e të ardhurave kriminale të konfiskuara në Shqipëri ose Kosovë si rezultat i hetimeve të udhëhequra nga Belgjika, të kthehen në thesarin belg.

    Në Kosovë, delegacioni do të diskutojë gjithashtu një traktat dypalësh për ndihmë të ndërsjellë ligjore, me synim forcimin e bashkëpunimit afatgjatë gjyqësor.

  • Gjendet i vdekur një burrë në Lipjan

    Gjendet i vdekur një burrë në Lipjan

    Një burrë është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij të hënën në Lipjan.

    Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor të cilët e kanë konstatuar vdekjen.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Punonjësi i emergjencës sulmohet fizikisht pas një fjalosjeje me pacientin në Mitrovicë

    Punonjësi i emergjencës sulmohet fizikisht pas një fjalosjeje me pacientin në Mitrovicë

    Një punonjës në emergjencën në qytetin e Mitrovicës ka raportuar në Polici se është sulmuar fizikisht nga një person, pas një fjalosje rreth një tretmani mjekësor

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 19:30 në rrugën “Bislim Bajgora”, në këtë qytet.

    Tutje bëhet e ditur se viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    “Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se deri sa ishte në vendin e punës në emergjencën e qytetit, një i dyshuar mashkull kosovar, pasi kishin një fjalosje rreth një tretmani mjekësor, ka sulmuar fizikisht viktimën. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Norvegjia ndalon me ligj përdorimin e photoshop, shkak krijimi i pasigurisë sociale

    Norvegjia ndalon me ligj përdorimin e photoshop, shkak krijimi i pasigurisë sociale

    Norvegjia ka njoftuar rregullore të reja sa i përket përdorimit të fotoshopit nga influencuesit. Ligji i ri kërkon nga inflencuesit dhe reklamuesit të qartësojnë nëse imazhet janë fotoshopuar ose kanë filtra.

    Ligji i ri vjen pas shumë kohësh që grupet e të rinjve dhe Ministria Norvegjeze e Fëmijëve dhe Çështjeve të Familjes kanë kërkuar masa më të rrepta sa u përket shqetësimeve në rritje rreth imazhit të trupit dhe shëndetit mendor. Në vlerësimin e situatës aktuale, departamenti shprehu
    shqetësime në lidhje me një kulturë që po krijonte “pasiguri sociale” duke kontribuar në vetëvlerësim të ulët.

    Ligji që do të prezantohet së shpejti do të kërkojë që reklamat dhe postimet e sponsorizuara ku “forma, madhësia ose lëkura e një trupi është ndryshuar nga fotoshopi ose manipulime të tjera” të deklarohen në mënyrë të qartë se janë redaktuar. Mosrespektimi do të gjobitet.

    Hulumtimi paraprak i paraqitur nga Ministria e Fëmijëve dhe Çështjeve të Familjes pretendoi se më shumë se gjysma e vajzave të klasës së 10-të në Shkollën e Oslos po luftonin me shëndetin mendor dhe se anoreksia ishte shkaku i tretë më i zakonshëm i vdekjes te vajzat e reja.

    “Të rinjtë janë të ekspozuar ndaj një presioni masiv për t’u dukur mirë, përveç të tjerash, përmes reklamave dhe mediave sociale, edhe modelet që shfaqen shpesh retushohen dixhitalisht. Kjo i ekspozon të rinjtë ndaj një ideali bukurie që është e pamundur të arrihet”, tha departamenti në propozimin e tij.

  • U vra pasi dha vendimin kundër familjes Shkambi, kjo është prona që “i mori” jetën gjyqtarit Astrit Kalaja

    U vra pasi dha vendimin kundër familjes Shkambi, kjo është prona që “i mori” jetën gjyqtarit Astrit Kalaja

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje pasdite në Gjykatën e Apelit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit.

    Autori i vrasjes së gjyqtarit të Apelit të Tiranës, është Elvis Shkambi, i cili u fut në ambientet e sallës së gjyqit me armën me vete, e cila nuk u pikas as nga detektori metalik, dhe as nga kontrolli fizik.

    30-vjeçari më pas është kthyer nga kundërshtarët e tij në proces Ervis dhe Rakip Kurtaj duke hapur zjarr edhe në drejtim të tyre. Të dy mbetën të plagosur dhe u përcollën me urgjencë drejt spitalit ku ndodhen në gjendje të stabilizuar.

    Para bluve 30-vjeçari ka qëndruar i qetë dhe i pa penduar duke pranuar autorësinë e krimit të rëndë me pretendimin se reagoi ndaj padrejtësisë së kryer. Sipas tij familja e kishte trashëguar atë pronë e cila në komunizëm u shtetëzua dhe bashkia ua ka kaluar dhjetëra familjeve. Prona për të cilën bëhet fjalë, është godina që shihni në video, ku stresohen 31 familje në nevojë, me vendim të bashkisë, si pronë shtetërore.