ATV

Category: Lajme

  • Siguria në Kosovë e rajon, vlerësohet lart roli i Britanisë

    Siguria në Kosovë e rajon, vlerësohet lart roli i Britanisë

    Komandanti i Forcave Paqëruajtëse në Kosovë, Gjeneral Major Ozkan Ulutash, e ka pritur sot në takim përfaqësuesin ushtarak të Britanisë në NATO, Gjenerallejtnant, Sir Ian Cave.

    Në këtë takim, dy gjeneralët diskutuan rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe rajon.

    Po ashtu u theksua roli i KFOR-it në rritjen e stabilitetit rajonal dhe mbështetjen e një dialogu politik konstruktiv.

    “Gjeneral Ulutash shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme dhe të vlefshme të Mbretërisë së Bashkuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në njoftim./ATVLIVE/

  • Osmani e pret aktgjykimin e plotë të Kushtetueses, po shpreson që formimi i institucioneve “do të përmbyllet shpejt”

    Osmani e pret aktgjykimin e plotë të Kushtetueses, po shpreson që formimi i institucioneve “do të përmbyllet shpejt”

    Presidentja Vjosa Osmani pasi mori çmimin “Alumni Nderi i Universitetit të Prishtinës” u pyet nga gazetarët për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe formimin e institucioneve.

    Ajo tha se qëndrimin e saj do ta japë në momentin që aktgjykimi publikohet i plotë.

    “Është ende veç njoftim, momentin që publikohet aktgjykimi i plotë, ju thërrasim prapë. Ne shihemi gati çdo ditë edhe flasim”, tha ajo.

    Ndërkaq, ajo shtoi se është në komunikim me partitë dhe se “shpreson” që formimi i institucioneve do të përmbyllet shpejt.

    “Jemi në komunikim me parti vazhdimisht, do të jemi edhe në të ardhmen dhe po shpresoj që sa më shpejt do të përmbyllet komplet cikli i institucioneve funksionale”.

  • Ndalohen pajisje për transplant të flokëve në Aeroportin ”Adem Jashari”

    Ndalohen pajisje për transplant të flokëve në Aeroportin ”Adem Jashari”

    Dogana e Kosovës njofton se në kuadër të kontrolleve të rregullta në pikëkalimin kufitar të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në zonën e arritjes, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një sasi të konsiderueshme mallrash të padeklaruara, të cilat janë zbuluar gjatë skanimit të bagazheve të një udhëtari që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës.

    Sipas Doganës, mallrat e ndaluara përbëhen nga pajisje për transplant të flokëve.

    “Mallrat në fjalë përbëhen nga pajisje profesionale të përdorura për ndërhyrje estetike në fushën e transplantit të flokëve, duke përfshirë instrumente mjekësore, pajisje ndihmëse, materiale sterile, preparate për trajtim pas ndërhyrjeve dhe mjete të tjera përkatëse”, thuhet në njoftim.

    Dogana bën të ditur se mallrat janë ndaluar përkohësisht, deri në përfundimin e procedurave përkatëse.

    “Dogana e Kosovës rikujton se çdo qytetar dhe udhëtar ka obligim ligjor të deklarojë saktësisht mallrat që bart me vete në hyrje të territorit të Kosovës, ndërsa mosdeklarimi i tyre përbën shkelje të ligjit dhe sjell pasoja ligjore”, thuhet në njoftim.

  • Kërkohet kosovari, i dyshuar për narkotik

    Kërkohet kosovari, i dyshuar për narkotik

    Drejtoria e Hetimit të Trafikimit të Narkotikëve – Njësia Rajonale në Prizren, kërkon ndihmën e qytetarëve në ofrimin e informatave që do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar:

    -Fazli (Shaip) Nrecaj, i lindur më 08.04.1979, banues në fshatin Maqitev – Suharekë, me numër personal 1007968457, shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës.

    I njëjti kërkohet për përfshirje në veprat penale si më poshtë:
    •Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit – sipas nenit 272 të Kodit Penal të Kosovës (KPK)
    •Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge – sipas nenit 267 të KPK-së
    •Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve – sipas nenit 366 të KPK-së

    “Me qëllim të ndriçimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prizren, kemi marr Autorizimin në pajtim dispozitave të nenit 76 prag 2 të KPPRK-së, për publikimin e fotografive të dyshuarit në mediume televizive dhe media sociale, ku kërkohet bashkëpunim-ndihmë që do të na ndihmonte në arrestimin e të dyshuarit.

    Andaj kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë qytetarët, që nëse kane çfarëdo informate apo din diçka për vendndodhjen e të dyshuarit në foto, të raportojnë policinë në Prizren në numrin 192, në rrjetet sociale, në faqen zyrtare të Facebook-ut të policisë apo në cilin do stacion të policisë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e PK-së.

  • Çmimin Nobel për Fizikë e fitojnë tre shkencëtarë të mekanikës kuantike

    Çmimin Nobel për Fizikë e fitojnë tre shkencëtarë të mekanikës kuantike

    Shkencëtarët me seli në Shtetet e Bashkuara, John Clarke, Michel Devoret dhe John Martinis kanë fituar Çmimin Nobel për Fizikë për shkak të “eksperimenteve që zbuluan fizikën kuantike në veprim”, duke hapur rrugë për zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të teknologjive digjitale.

    “Jam i befasuar. Sigurisht kurrë nuk më ka shkuar ndër mend se kjo mund të më sillte një Çmim Nobel”, tha Clarke përmes telefonit në konferencën për shtyp të Nobelit të martën.

    “Po flas përmes celularit tim dhe besoj se edhe ju po ashtu dhe një nga arsyet themelore pse funksionon telefoni celular është pikërisht e gjithë kjo punë”, tha ai.

    Sjelljet e mekanikës kuantike janë të studiuara mirë në nivel jashtëzakonisht të vogël – të atomeve dhe grimcave nënatomike – por, shpesh konsiderohen bizare dhe jo të kuptueshme në krahasim me fizikën klasike dhe përmasat më të mëdha të saj.

    Fituesit e Nobelit kanë kryer eksperimente në mesin e viteve 1980 me një qark elektronik të ndërtuar nga superpërçues dhe dëshmuan se mekanika kuantike mund të ndikojë edhe në objekte të përditshme, nën kushte të caktuara, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Është e mrekullueshme që mund të festojmë për mënyrën se si mekanika kuantike, edhe pas një shekulli, vazhdon të na ofrojë befasi të reja. Ajo është po ashtu e dobishme pasi mekanika kuantike është themeli i të gjitha teknologjive digjitale”, tha Olle Eriksson, kryetari i Komitetit të Nobelit për Fizikë.

    Teknologjia kuantike është e pranishme kudo, për shembull në transitorët në mikroçipet kompjuterike.

    “Nobeli i këtij viti për Fizikë ka hapur mundësinë për zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të teknologjisë kuantike, përfshirë kriptografinë kuantike, kompjuterët kuantikë dhe sensorët kuantikë”, u tha në një deklaratë të Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, e cila ndan këtë çmim.

    Clark, i lindur në Britani, është profesor në Univeristetin Berkeley të Kalifornisë.

    Devoret, i lindur në Francë, është profesor në Universitetin Yale dhe të Kalifornisë, ku është profesor edhe Martinis.

    Martinis, shkencëtar amerikan, kishte udhëhequr Laboratorin e Google për Inteligjencë Artificiale Kuantike deri më 2020. Në Google ai kishte qenë pjesë e ekipit të hulumtuesve të cilët më 2019 kishin arritur “supermaci kuantike”, përkatësisht kur një kompjuter që shfrytëzoi vetitë e grimcave nënatomike arriti të zgjidhte një moment shumë më shpejt sesa superkompjuteri më i fuqishëm në botë.

    Devoret, përveç punës në universitet, është shef i shkencëtarëve në departamentin për Inteligjencë Artificiale Kuantike në Google.

    Çmimi Nobel për Fizikë ndahet nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave që përfshin edhe një shumë prej 1.2 milion dollarësh amerikan.

    Çmimi Nobel u themelua në bazë të testamentit të Alfred Nobel, i cili u pasurua nga shpikja e dinamitit. Që nga viti 1901, me disa ndërprerje, këto çmime çdo vit nderojnë arritjet në shkencë, letërsi dhe paqe. Më vonë është shtuar edhe Çmimi Nobel për Ekonomi.

    Fituesit e mëparshëm të Çmimit Nobel për Fizikë kanë përfshirë edhe disa nga figurat më me ndikim në shkencë, si Albert Einstein, Pierre dhe Marie Curie, Max Planck dhe Niels Bohr. Ky i fundit ishte një prej pionierëve të teorisë kuantike.

    Ky është çmimi i dytë që u nda gjatë javës, pasi dy shkencëtarë amerikanë dhe një japonez fituan Çmimin Nobel për Mjekësi për zbulimet e tyre lidhur me sistemin imunitar. Çmimi Nobel për Kimi do të ndahet të mërkurën.

    Çmimet për shkencë, letërsi dhe ekonomi iu dorëzohen laureatëve nga mbreti suedez në një ceremoni në Stokholm më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit.

    Çmimi për Paqe, që do të shpallet të premten, ndahet në një ceremoni të veçantë në Oslo./rel

  • Kryetarja e bashkisë në Gjermani qëllohet 13 herë me thikë para shtëpisë, në gjendje të rëndë shëndetësore

    Kryetarja e bashkisë në Gjermani qëllohet 13 herë me thikë para shtëpisë, në gjendje të rëndë shëndetësore

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Herdecke, në rajonin e Westfali të Gjermanisë.Kryebashkiakja e Herdecke, Iris Stalzer, e cila sapo ishte zgjedhur, është goditur disa herë me thikë nga disa persona të panjohur dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

    Sipas gazetës Bild, politikania 57-vjeçare është gjetur e gjakosur në shtëpi nga djali i saj. Ajo u ka treguar personave që i dhanë ndihmën e parë se ishte goditur nga disa persona para hyrjes së banesës.

    Iris Stalzer është goditur plot 13 herë në stomak dhe në shpinë, ku 57-vjeçarja iu nënshtrua menjëherë një operacioni urgjent.

  • Ndarja e 100 eurove nga qeveria, Cakolli: Përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale

    Ndarja e 100 eurove nga qeveria, Cakolli: Përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale

    Sot Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka marrë vendim për ndarjen e 100 eurove për studentët.

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se qeveria të cilën ai udhëheq, e ka për bazë interesin e qytetarëve dhe se rritjen ekonomike e ndan me qytetarët.

    Lidhur me këtë vendim ka reaguar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

    Sipas Cakollit, ky vendim përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale.

    Postimi i plotë:

    Ndarja e 100 eurove për studentë nga Qeveria në detyrë, ashtu si edhe masat e tjera financiare, nuk janë aktivitete të domosdoshme, as të parapara me buxhetin vjetor apo planin e punës (i cili as nuk është publik). Rrjedhimisht, vendimet bien ndesh me Ligjin për weverinë dhe kufizimet që ai parasheh për qeverinë në detyrë.

    Në total, vlera financiare e masave të ndërmarra nga qeveria në detyrë tashmë ka kaluar vlerën prej mbi 100 milionë eurosh, që tejkalon kufijtë e vendimmarrjes administrative për “çështje rutinore apo të domosdoshme”, duke hyrë në sferën e vendimeve me ndikim politik dhe elektoral.

    Përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale.

    Një veprim i tillë cenon garën e barabartë zgjedhore, duke krijuar avantazh të padrejtë për kandidatët e subjektit politik që udhëheq qeverinë dhe ndikon në sjelljen e votuesve, sidomos te grupet e ndjeshme si studentët.

  • A po humbni shumë flokë? Ja si ta kuptoni sipas shkencës

    A po humbni shumë flokë? Ja si ta kuptoni sipas shkencës

    Rënia e flokëve është një proces natyral që ndodh çdo ditë, por ndonjëherë mund të sinjalizojë një problem më të thellë. Sipas ekspertëve, humbja e 50 deri në 100 fije floku në ditë është normale, veçanërisht kur i shihni në jastëk në mëngjes apo në kulluesen e dushit. Por kur kjo sasi rritet ndjeshëm, është koha të kushtoni vëmendje.

    Faktorët që ndikojnë në rënien e flokëve përfshijnë gjatësinë dhe trashësinë e tyre, llojin e jastëkut, si dhe stilin e jetesës. Jastëkët pambuku, për shembull, thithin lagështinë nga flokët dhe mund t’i bëjnë më të brishtë.

    Një test i thjeshtë për të kuptuar nëse po humbni më shumë flokë sesa duhet është ky: mbështillni rreth 60 qime tek gishti dhe tërhiqni butësisht. Nëse bien vetëm 3 fije, nuk ka arsye për shqetësim. Por nëse numri është më i lartë, mund të jetë shenjë e rrallimit.

    Gjithashtu, kontrolloni kokën për zona pa flokë, vëzhgoni dyshemenë e banjës pas dushit dhe shikoni jastëkun në mëngjes. Nëse shihni më shumë se 20 fije floku, sidomos çdo ditë, mund të jetë koha për të konsultuar një dermatolog.

  • Banka Botërore: Ngadalësohet zhvillimi ekonomik në Kosovë

    Banka Botërore: Ngadalësohet zhvillimi ekonomik në Kosovë

    Banka Botërore ka bërë të ditur që zhvillimi ekonomik në Kosovë, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor sivjet ka pasur ngadalësim dhe se ritmi parashikohet të vazhdojë.

    Sipas raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, të vjeshtës 2025, nga 4.4 për qind sa ka qenë rritja ekonomike më 2024, në vitin 2025 rritja do të jetë 3.8 për qind.

    Në këtë matje për sivjet rënien më të madhe do ta ketë Serbia nga 3.9 për qind në 2.8.

    Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të kenë zhvillim më pozitiv në krahasim me 2024-n.

    Ndërsa në nivel të përgjithshëm, Ballkani Perëndimor do të ketë rritje ekonomike në shkallë prej 3.0 për qind sivjet, në krahasim me 3.6 sa ishte një vit më herët.

    Edhe parashikimet për vitet 2026 dhe 2027 tregojnë se Kosova do të ketë ngadalësim të zhvillimit ekonomik në 3.8 dhe 3.9 për qind.

    Në raport për inflacionin në Kosovë është përmendur edhe vendosja e tarifave energjetike.

  • Bajrami: 26 milionë euro për blerje votash, Prokuroria të veprojë ndaj uzurpatorëve të pushtetit

    Bajrami: 26 milionë euro për blerje votash, Prokuroria të veprojë ndaj uzurpatorëve të pushtetit

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për blerje të votave me para të taksapaguesve, duke e cilësuar këtë veprim si një skemë të pastër të korrupsionit publik.

    Në një reagim publik, Bajrami ka thënë se kostoja e këtyre veprimeve, sipas saj, kap vlerën prej 26 milionë eurosh, të cilat, sipas saj, janë përdorur nga LVV për të siguruar mbështetje elektorale për zgjedhjet lokale që mbahen më 12 tetor.

    “Prokuroria është vonuar t’i nxjerrë nga zyra këta uzurpatorë që blejnë vota me taksat e qytetarëve. Kjo është një skemë e korrupsionit publik,” ka deklaruar Bajrami.

    Deputetja e LDK-së ka paralajmëruar se qytetarët do të reagojnë përmes votës, duke ndëshkuar ata që, sipas saj, kanë keqpërdorur paratë publike për përfitime politike.

    “Qytetarët do t’i ndëshkojnë keqpërdoruesit më 12 tetor,” përfundon deklarata e saj.