ATV

Category: Lajme

  • Të paktën 24 të vrarë nga hedhja e bombave nga parashutisti në festivalin budist në Mianmar

    Të paktën 24 të vrarë nga hedhja e bombave nga parashutisti në festivalin budist në Mianmar

    Një sulm me parashutë gjatë një festivali dhe proteste në Mianmar ka vrarë të paktën 24 persona dhe ka plagosur 47 të tjerë. Lajmi është bërë i ditur për BBC nga një zëdhënës i Qeverisë së Unitetit Kombëtar në mërgim.

    Rreth 100 persona ishin mbledhur në qytezën Chaung U të hënën në mbrëmje për festivalin Thadingyut, një festë kombëtare me rrënjë budiste, kur një parashutë me motor hodhi dy bomba mbi turmën, tha një zyrtar lokal nën Forcën e Mbrojtjes Popullore anti-junta.

    Mianmari ka qenë në luftë civile që prej vitit 2021, kur ushtria mori pushtetin në një grusht shteti. Sipas vlerësimeve të OKB-së, konflikti ka vrarë më shumë se 5 mijë civilë.

    Zyrtari i Forcës së Mbrojtjes Popullore i tha BBC-së se gjatë tubimit të së hënës, ata kishin marrë informacion për një sulm të mundshëm ajror dhe u përpoqën ta përfundonin shpejt protestën, por parashutistët mbërritën më herët se sa pritej.

    “Ata mbërritën dhe e hodhën bombën brenda vetëm shtatë minutash. Kur ra bomba e parë, unë rashë në tokë, por më goditi pjesën e poshtme të gjurit. Kishte njerëz të vrarë pranë meje.”, tha ai.

    Sipas dëshmive vendase, shkatërrimi i shkaktuar nga bombat e bëri të vështirë identifikimin e trupave të pajetë.

    “Fëmijët u bënë copë-copë,” tha për AFP një grua që kishte ndihmuar në organizimin e eventit.

  • 27 vjet nga vrasja e Abedin Rexhës – “Sandokanit”

    27 vjet nga vrasja e Abedin Rexhës – “Sandokanit”

    Abedin Rexha ishte luftëtar i radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, guximtar e sypatrembur deri në vdekje, për çka dhe bashkëluftëtarët e tij e quajtën “Sandokan”.

    Ai u lindi më 8 korrik 1969 në Vajnik, komuna e Skenderajt.

    Në fillim të gushtit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Abedin Rexhën e kishte caktuar Komandant të Brigadës 112 “Arben Haliti” në Zonën Operative të Drenicës.

    Gjatë muajve gusht-shtator 1998, komandant “Sandokani” luftoi pa iu trembur syri në shumë fushëbeteja. Dhe pikërisht në kulmin e ofensivave me përmasa të gjera shfarosëse nga forcat serbe, në të gjitha zonat Operative të UÇK-së, e veçanërisht në ZO të Drenicës më 8 tetor 1998, komandanti Abedin Rexha – “Sandokani”, vritet në pyjet e fshatit Kllodernicë të Skëndarajt.

    Abedin Rexha pas vetes ka lënë bashkëshorten me dy fëmijë: Sokolin dhe Selveten. Heroizmi i tij është përjetësuar në shumë shkrime në shtypin tonë, në këngë e poezi, ndërsa shkolla e Turiçecit mban me krenari emrin e tij.

  • Dhëndri i Trump-it bashkë me të dërguarin amerikan në Egjipt për bisedimet e paqes në Gaza

    Dhëndri i Trump-it bashkë me të dërguarin amerikan në Egjipt për bisedimet e paqes në Gaza

    I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Jared Kushner, do të marrin pjesë në bisedimet për planin e paqes në Gaza midis negociatorëve izraelitë dhe Hamasit në Egjipt këtë të mërkurë.

    Kjo vjen ndërsa dita e dytë e bisedimeve indirekte të martën përfundoi pa rezultate të prekshme, tha për BBC-në një zyrtar i lartë palestinez i njohur me negociatat.

    Trump mbajti një ton pozitiv të martën, ndërsa Izraeli shënoi përvjetorin e dytë të sulmeve të Hamasit më 7 tetor, duke thënë se “ekziston mundësia që të kemi paqe në Lindjen e Mesme”.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk komentoi mbi statusin e bisedimeve, por u tha izraelitëve se ishin në “ditë vendimtare”.

    Në një postim në X, Netanyahu shtoi se Izraeli do të vazhdojë të veprojë për të arritur qëllimet e tij të luftës: “Kthimi i të gjithë të rrëmbyerve, eliminimi i regjimit të Hamasit dhe premtimi se Gaza nuk do të përbëjë më kërcënim për Izraelin”.

    Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdul Rahman Al Thani, i cili shihet si një ndërmjetës kryesor, do t’i bashkohet gjithashtu bisedimeve, tha një zyrtar për agjencinë e lajmeve Reuters.

    Pjesëmarrja e Al Thanit kishte për qëllim “të shtynte përpara planin e armëpushimit në Gaza dhe marrëveshjen për lirimin e pengjeve”, tha zyrtari.

    Ministri i Jashtëm i Katarit dhe kreu i inteligjencës turke pritet t’i bashkohen atij.

  • Moti sot: Vranësira dhe reshje të herëpashershme shiu gjatë ditës

    Moti sot: Vranësira dhe reshje të herëpashershme shiu gjatë ditës

    Sot parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe herë pas here me reshje të pakta lokale shiu. Reshjet më të përqëndruara pritet të jenë kryesisht në zonën lindore.

    Era do të fryjë nga drejtimi i veriut, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme lokalisht, me shpejtësi prej 20-62 km/h, njfoton MeteoKosova.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 7 deri në 9°C, ndërsa ato maksimale prej 9 deri në 13°C.

  • Beci: Vetëgjyqësia, pasojë e humbjes së besimit tek drejtësia

    Beci: Vetëgjyqësia, pasojë e humbjes së besimit tek drejtësia

    Pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së një gjyqtari brenda ambienteve të gjykatës në Shqipëri, avokati Eugen Beci ka reaguar duke theksuar se kjo çështje nuk duhet trajtuar vetëm në aspektin teknik apo të ngushtë të sigurisë, por si pjesë e një problemi më të gjerë shoqëror dhe institucional.

    “Është një çështje e cila duhet trajtuar jo në formën teknike, jo vetëm si çështje sigurie në mënyrën e ngushtë. Siguria është e rëndësishme, është kryesore, por kjo duhet parë në kuadrin më të gjerë të një sistemi që duhet të ofrojë besim te publiku,” tha avokati.

    Ai theksoi se sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë në mënyrë që të përjashtojë vetëgjyqësinë, duke shtuar se ngjarje të tilla tregojnë mungesën e besimit të qytetarëve tek institucionet.
    Sipas tij, vetëgjyqësia është një krim i rëndë që lë pasoja serioze në sistemin e drejtësisë, dhe kërkon një analizë të thellë për shkaqet që e nxisin atë.

    “Të arrish në vetëgjyqësi është një krim i rëndë, i cili patjetër që lë shenjë në atë që quhet sistemi i drejtësisë.Janë disa faktorë të rëndësishëm që duhet të analizohen a mos vallë pa dashje politika, a mos vallë pa dashje disa media që flasin për gjyqësorin kanë nxitur këtë vetëgjyqësi a mos vallë anatonomimi i gjyqtarëve, i prokurorëve dhe i tërë sistemit në përgjithësi po krijon mosbesim tek institucionet,”tha Beci.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Ajeti: Një nivel i lartë i pjekurisë politike është treguar nga politikanët në nivelin lokal

    Ajeti: Një nivel i lartë i pjekurisë politike është treguar nga politikanët në nivelin lokal

    Kandidati i përbashkët i subjekteve politike për komunën me shumicë serbe, Graçanicën, Leutrim Ajeti nga “Aleanca Shqiptare”, ka deklaruar në emisionin Compass se përkrahja e tij nga partitë politike është tregues i një niveli të lartë të pjekurisë politike.

    “Një nivel i lartë i pjekurisë politike është treguar nga politikanët në nivelin lokal,” u shpreh Ajeti, duke vlerësuar konsensusin e arritur mes partive për këtë nismë të rëndësishme.

    Sipas tij, ndryshe nga e kaluara, ku shpeshherë ka pasur kundërshtime ndaj iniciativave të tilla, këtë herë ka pasur unitet të plotë ndërmjet subjekteve politike.

    “Kjo ka qenë një tentativë më e hershme. Në iniciativat e kaluara gjithmonë një subjekt politik e ka kundërshtuar. Por që nga viti 2017, kur kemi tentuar përsëri, këtë herë nuk ka kundërshtuar askush.” tha Ajeti.

    Ajeti theksoi se çdo subjekt politik ka dërguar nga një anëtar, dhe se trupi është formuar me katër anëtarë nga partitë politike, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga profesionistë të fushave përkatëse.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Sulm i rëndë në Gjermani: Kryebashkiakja plagoset me thikë, ndodhet në gjendje kritike

    Sulm i rëndë në Gjermani: Kryebashkiakja plagoset me thikë, ndodhet në gjendje kritike

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në qytetin Herdecke të Gjermanisë, ku është plagosur rëndë kryebashkiakja e sapozgjedhur, Iris Stalzer, 57 vjeçe, anëtare e Partisë Socialdemokrate (SPD).

    Sipas raportimeve të BILD, Stalzer është gjetur e plagosur rëndë në banesën e saj në zonën Herdecke-Herrentisch, me disa plagë të shkaktuara nga thika. Ngjarja ka ndodhur para shtëpisë së saj, ndërsa rrethanat e sulmit mbeten ende të paqarta.

    Në momentin e incidentit, në banesë ndodheshin edhe dy fëmijët e saj – djali i adoptuar, 15 vjeç, dhe vajza 17 vjeçe – të cilët njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës. Djali ka dëshmuar se nëna e tij është sulmuar nga disa persona në rrugë, por policia po heton për të sqaruar versionet dhe për të përjashtuar mundësinë e një konflikti familjar.

    Mjekët po përpiqen ta mbajnë në jetë politikanen, ndërsa policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor dhe ka shpallur alarmin për kapjen e autorëve.

  • Qeveria s’tregon nëse Kosova rrezikon të humbasë milionat nga plani i rritjes së BE-së

    Qeveria s’tregon nëse Kosova rrezikon të humbasë milionat nga plani i rritjes së BE-së

    Përveç Bosnjës, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkan që nuk ka nisur të përfitojë milionat e parë nga vlera e 882 milionë eurove të Bashkimit Evropian, pjesë e planit të rritjes prej 6 miliardë eurosh deri në vitin 2027.

    Vendi ynë nuk ka Kuvend të konstituuar për të ratifikuar marrëveshjen e nevojshme për përfitimin e këtyre fondeve.

    Ministri në dorëheqje i Financave, Hekuran Murati, të martën nuk tregoi nëse shteti po rrezikon që të mbetet pa këto miliona, kur dihet se Komisioni Evropian ka tërhequr vërejtjen se mekanizmi është i përkohshëm.

    Ai fajësoi partitë e ish-opozitës që nuk po kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje për daljen nga ngërçi.

    “Ne si qeveri kemi bërë një punë të jashtëzakonshme me gjithë ekipet me stafin e administratës për ta përgatitur një paketë reformash që është vlerësuar lartë nga BE jemi të parët që e kemi dorëzu tash situate është tille që nuk ka kuvend nuk mund të marrë vendime” tha Murati

    Nga Bashkimi Evropian kanë deklaruar vazhdimisht se Kosova duhet të formojë sa më shpejt institucionet sepse mekanizëm për lëshimin e tyre është i përkohshëm.

    Besar Gergi nga GLPS tha se Kosova tashme është edhe nën masat e Bashkimit Evropian dhe me marrjen e këtyre fondeve do ishte një rikuperim i dëmit.

    “Dëmi financiar është shumë i qartë tash për tash mbetet me qindra miliona euro ndërsa po ashtu kjo përbën edhe një dëm politik për vendin sepse BE po mere një sinjal që Kosova nuk është një partner serioz nuk është në gjendje ta ratifikojë një marrëveshje të thjeshtë” deklaroi  për ATV-në Gergi

    Plani i rritjes ishte temë qendrore e samitit Bërdo-Brioni, që të hënën u mbajt në Durrës. Veçse, mos ratifikimi i marrëveshjes nga ana e shtetit të Kosovës nuk u përmend askund në deklarimet e Presidentes Osmani, që përfaqësoi Kosovën në ketë samit.

    “Nuk ka pasur asnjë leverdi nga republika e Kosovës aty, kapaciteti financiar që u kanë i dedikum për republikën e Kosovës që e rrok përmbi një miliardë që i rrokë të gjitha proceset fondet “IPA” të gjitha mjetet përcjellëse janë të pezulluar në raport me Kosovën” tha Albinot Maloku

    Maqedonia e Veriut, Shqipëria Malit i Zi Serbia dhe Serbia pranuan mjetet e para nga BE-ja, në vlerë prej 51.66 milionë eurosh, qysh në muajin qershor të këtij viti.

    Ky plan mbulon periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027.

  • Drejt fundit gjykimi ndaj Shaqir Kutvijsa, i akuzuar për krime lufte në burgun e Prizrenit

    Drejt fundit gjykimi ndaj Shaqir Kutvijsa, i akuzuar për krime lufte në burgun e Prizrenit

    Shaqir Lutvija, i akuzuar për krime lufte ne burgun e Prizrenit, u soll të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Në gjykimin që po shkon drejt fundit, radha i erdhi vlerësimit të provave nga gjykata.Peshë në vendimmarrje, prokurori Ilir Morina, tha se ka një raport informues i bashkangjitur me një CD, ku i akuzuari dëgjohet duke folur me dikë rreth rastit.

    Trupi gjykues mori vendim që raporti të administrohet si provë, por pa u dëgjuar CD-ja.Ndërsa avokatja e të akuzuarit, Jovana Filipovic, si prova tha se duhet të administrohen tri aktvendime të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, që mbajnë të dhëna të Lutvijas.

    Meqë dokumentet ishin të fotokopjuara dhe pa burime të detajuara, prokurori kishte dyshime se a janë origjinale.
    Në mëdyshje ishte edhe trupi gjykues, andaj vendosi të mos merren parasysh.

    Kërkesë tjetër e saj ishte të konsiderohet provë një postim në rrjete sociale, që dikush e kishte hedhur në kohën kur u arrestua i akuzuari.Avokatja pretendon se fytyra e klientit të saj, u postua për identifikim. As kjo provë, nuk u konsiderua e vlefshme nga gjykata.Në seancën e radhës, Shaqir Lutfija ka në dispozicion kohën të deklarohet për veprën me të cilën akuzohet.

    Lutfija, nga zona e Dragashit, akuzohet nga Prokuroria Speciale se gjatë periudhës 1998-1999 në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje, kishte aplikuar masa represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor ndaj shqiptarëve.

  • Dëshmitarët: Vushtrriasit u masakruan e u vranë nën urdhrat e Kostiqit

    Dëshmitarët: Vushtrriasit u masakruan e u vranë nën urdhrat e Kostiqit

    Serbët njëherë e rrahën para nxënësve, e pastaj e nxorën nga shkolla.

    Arsimtari Habib Mustafa thotë se këtë formë keqtrajtimi e pati gjatë luftës, nga forcat paramilitare serbe, nën urdhrin e të akuzuarit për krime lufte në Vushtrri, Zoran Kostiq.
    Mustafa, i cili të hënën dëshmoi para trupit gjykues, tha se urdhrat që jepte Kostiq për çdo mizori në fshatrat e kësaj ane, i kuptoi kur u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Atë e kishte parë gjatë vëzhgimit me dylbi dhe përmes televizionit.

    Mustafa thotë se i harroi grushtet që i mori, në momentit kur kuptoi se një 12 vjeçar u vra mizorisht rrugës për në shkollë, nën urdhrat e të akuzuarit.
    Përmes dylbive, Kostiqin e kishte identifikuar edhe dëshmitari tjetër, Rrahim Tahiri.

    Kostiqin, thotë se e pa duke i prirë banorëve të fshatrave të Vushtrrisë, pas plaçkitjes e djegies së shtëpive të tyre.
    I akuzuari tjetër, Dragan Miloviq, nuk u përmend asnjëherë gjatë deklarimeve të dëshmitarëve.

    Në seancën e së martës ishte paraparë të dëgjohet edhe dëshmia e Naim Halitit, por mungoi.

    Prokuroria Speciale, Dragan Miloviq dhe Zoran Kostiq, pjesëtarë të forcave policore serbe i bën përgjegjës për krime lufte në Vushtrri gjatë periudhës prill- maj të vitit 1999.