ATV

Category: Lajme

  • ​Kurti komenton raportin e Bankës Botërore: Nuk ka vend për brengosje

    ​Kurti komenton raportin e Bankës Botërore: Nuk ka vend për brengosje

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka komentuar raportin e fundit të Bankës Botërore për ngadalësim të rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

    Sipas këtij raporti, parashihet rënie e rritjes ekonomike nga 3.6 për qind në vitin 2024, në 3 për qind në vitin këtë vit për shtetet e Ballkanit Përëndimor. Por, rënien më të madhe është parashikuar ta ketë Kosovë.

    Kurti gjatë vizitës në Termocentralin “Kosova B”, ka komentuar këtë raport, ku tha se “Kosova në çerekun e dytë të këtij viti ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV)”.

    “Ne po bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi që t’i ndihmojmë edhe sektorit privat, përveçse edhe ndërmarrjeve publike që t’i ndihmojmë edhe qytetarëve me mbështetje financiare në mënyrë që të rritet kërkesa agregate, po mbështesim eksportin e Kosovës dhe gjithashtu siç e shihni këtu edhe gjenerimin e energjisë elektrike me ç’rast investimi është në rritje të kapacitetit por gjithashtu edhe në siguri e qëndrueshmëri. Lajmi i mirë është që Kosova në çerekun e dytë sivjet ka pasur rritje ekonomike prej 4.58 për qind të Bruto Produktit Vendor dhe mos harroni që shpesh herë për aq shumë indekse edhe të demokracisë edhe të ekonomisë, Kosova është në krye të Ballkanit Perëndimor. Dhe unë besoj që kjo do të vazhdojë edhe më tej”, deklaroi Kurti.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se “shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”, teksa shtoi se në katër vitet e fundit mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind.

    “Në katër vitet e fundit, mesatarja e rritjes ekonomike ka qenë 6 për qind, pa rënë asnjëherë nën 4 për qind. Në çerekun e dytë sivjet është 4.58 për qind. Do të thotë edhe më tutje nuk biem nën 4 për qind, ta shohim tash si do të jetë raporti për çerekun e tretë sivjet. Por deri tash është mirë. Raportet ndërkombëtare neve na përgatisin edhe më shumë por natyrisht që tash për tash shifrat tregojnë se nuk ka vend për brengosje”, shtoi kryeministri në detyrë.

    Sipas Bankës Botërore, vonesat në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në investime dhe të ngadalësojnë progresin në reformat strukturore

  • Dogana ndalon katër tentativa për import të mallrave të falsifikuara

    Dogana ndalon katër tentativa për import të mallrave të falsifikuara

    Dogana ka njoftuar se gjatë muajit shtator, në katër raste të ndara, ka parandaluar tentativat për importimin e mijëra produkteve të falsifikuara.

    Përmes këtyre operacioneve është bllokuar hyrja e mallrave pirate në tregun vendor, duke mbrojtur kështu konsumatorët dhe konkurrencën e ndershme.

    Ndër produktet e sekuestruara përfshihen qindra jelekë dimërorë, atlete dhe veshje tekstili, si dhe mbi pesë mijë palë çorape.

    Këto mallra mbanin logot e falsifikuara të markave të njohura ndërkombëtare si Moncler, Adidas, Nike, Calvin Klein dhe Stone Island.

    Sipas njoftimit zyrtar, këto ndërhyrje janë rezultat i analizës së avancuar të riskut dhe vigjilencës së shtuar të oficerëve doganorë.

  • Kurti takoi komandantin e KFOR-it, flasin për sigurinë në Kosovë

    Kurti takoi komandantin e KFOR-it, flasin për sigurinë në Kosovë

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim mirëseardhës Komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Ozkan Ulutas.

    Në njoftimin e bërë për media thuhet se në takim kanë diskutuar për situatën e sigurisë në vendin tonë.

    “Diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks mbi situatën e sigurisë dhe për rëndësinë e bashkëveprimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë të vendit dhe të misionit të NATO-s në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Duke i uruar mirëseardhje përsëri në Kosovë dhe duke i dëshiruar suksese në mandatin e dytë si komandant i KFOR-it, kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë dhe angazhimin e tij dhe të Qeverisë për bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në të gjithë territorin e vendit.

  • Arrestohen dy persona në Prishtinë, dyshohen për 15 vjedhje

    Arrestohen dy persona në Prishtinë, dyshohen për 15 vjedhje

    Pas një pune hetimore dhe operacionale, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për disa raste të vjedhjeve në kryeqytet.

    Siç njofton Policia, të dyshuarit janë: B.J., mashkull, 56 vjeçar, shtetas i Kosovës dhe M.C., mashkull, 51 vjeçar, shtetas i Kosovës.

    Pas arrestimit, ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë me vendim të prokurorit të shtetit, ndërsa hetuesit po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale lidhur me të paktën 15 raste vjedhjesh, ku dyshohet se personat e arrestuar janë të përfshirë.

  • Fëmijët pushtojnë sheshin, nis sot edicioni i tretë i Festivalit të Librit për Fëmijë në Prishtinë”

    Fëmijët pushtojnë sheshin, nis sot edicioni i tretë i Festivalit të Librit për Fëmijë në Prishtinë”

    Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, sot në orën 11:00 nis edicioni i tretë i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë, një ngjarje që do të zgjasë deri më 11 tetor 2025.

    Për katër ditë me radhë, nga ora 10:00 deri në 18:00, sheshi kryesor i kryeqytetit do të shndërrohet në një hapësirë të gjallë dhe plot ngjyra, ku librat, lojërat dhe aktivitetet kreative do të bëhen pjesë e përditshme e fëmijëve.

    Në këtë edicion, Biblioteka “Hivzi Sulejmani” do të marrë pjesë me disa veprimtari të veçanta antarësim falas për fëmijët, promovime librash, si dhe shpalljen e lexuesve të vitit një nderim për ata që kanë mbajtur të gjallë dashurinë për leximin.

    Festivali ka për qëllim të kultivojë dashurinë për librin dhe leximin tek brezi i ri, duke krijuar një atmosferë të gëzueshme, edukative dhe frymëzuese për fëmijët e Prishtinës dhe të gjithë Kosovës. Në zemër të qytetit, libri do të bëhet sërish arsye për buzëqeshje, kuriozitet dhe imagjinatë pa kufi.

  • Operacion i madh kundër drogës në Turqi, arrestohen këngëtarë e aktorë të njohur

    Operacion i madh kundër drogës në Turqi, arrestohen këngëtarë e aktorë të njohur

    Në Stamboll, u krye një operacion kundër individëve, përfshirë İrem Derici, Hadise, Demet Evgar, Berrak Tüzünataç dhe Dilan Polat, të cilët u hetuan për përdorim droge ose stimuluesish. 19 figurat e shquara u çuan në Komandën e Xhandarmërisë Provinciale për deklarata dhe për t’u marrë mostra gjaku.

    Si pjesë e hetimit të kryer nga Zyra e Hetimit të Kontrabandës, Narkotikëve dhe Krimeve Ekonomike e Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Stambollit, u krye një operacion kundër individëve të njohur publikisht, të cilët ishin subjekt i ndjekjeve penale për përdorimin e drogës ose stimuluesve, raporton mediumi Hurriyet.

    Nëntëmbëdhjetë persona u çuan në Komandën e Xhandarmërisë Provinciale për të dhënë deklaratë dhe për t’u marrë mostrat e gjakut. U deklarua se nuk kishte urdhër-arrest për figurat e shquara dhe se ata do të liroheshin pasi t’u merreshin deklaratat dhe mostrat e gjakut, përcjell Insajderi.

    Emra të famshëm, deklaratat dhe mostrat e gjakut të të cilëve do të merren janë si më poshtë:

    Birce Akalay, Berrak Tüzünataç, Ceren Moray Orcan, Demet Evgar Babataş, Deren Talu, Derin Talu, Dilan Polat, Duygu Özaslan Mutaf, Engin Polat, Feyza Altun, Hadise Açıkgöz, İrem Derici, Kaan Yıldırıge Me Kubi, Özpirinçci, Zeynep Meriç Aral Keskin, Ziynet Sali.

  • Shembet një ndërtesë 6-katëshe në qendër të Madridit, katër persona humbin jetën

    Shembet një ndërtesë 6-katëshe në qendër të Madridit, katër persona humbin jetën

    Të paktën katër persona kanë vdekur pas shembjes së një ndërtesë 6-katëshe në qendër të Madridit, raportoi të mërkurën Reuters.

    Shërbimet spanjolle të emergjencës kanë nxjerrë trupat e viktimave nën rrënojat e ndërtesës, e cila po rikonstruktohej për t’u kthyer në hotel, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.

    “Me trishtim të thellë konfirmojmë se zjarrfikësit e Madridit kanë gjetur trupat e personave që u zhdukën pas shembjes”, shkroi në platformën X kryebashkiaku Jose Luis Almeida.

    Viktimat janë identifikuar si tre burra (30 dhe 50 vjeç) nga Ekuadori, Mali dhe Guinea-Konakri, të punësuar si punëtorë ndërtimi, dhe një grua 30-vjeçare, arkitekte e projektit të rinovimit.

    Trupat e tyre u gjetën rreth 15 orë pas shembjes gjatë një operacioni kërkim-shpëtimi ku policia dhe zjarrfikësit përdorën dronë dhe qen. Tre punëtorë të tjerë ndërtimi mbetën të lënduar.

    Një punëtor ndërtimi, Mikhail, i cili po pomponte beton në katet e poshtme të ndërtesës dhe ishte jashtë kur ndodhi shembja, tha se u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes:

    “Isha i pari që ia mbatha, nuk më interesonte asgjë tjetër. Do të shpëtoj jetën time më parë dhe, nëse mundem, do të shpëtoj të tjerët më vonë”, deklaroi ai para gazetarëve të martën.

  • Kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës, ndalohet një shtetas serb në Kamenicë

    Kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës, ndalohet një shtetas serb në Kamenicë

    Një shtetas i Serbisë është ndaluar pasditen e së martës në fshatin Hodonoc të Kamenicës, nën dyshimin se ka hyrë ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës.

    Personi në fjalë po drejtonte një automjet me targa të Serbisë kur është ndaluar nga një patrullë e Policisë.

    Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi i tij është bërë gjatë një patrullimi rutinë në zonën kufitare, ku zyrtarët kanë vërejtur automjetin e dyshimtë.

    Pas ndalimit, shoferi është shoqëruar në stacionin më të afërt policor për t’u intervistuar lidhur me arsyen e kalimit të kufirit jashtë pikave zyrtare.

    Pas përfundimit të intervistimit dhe në konsultim me prokurorin kompetent, i dyshuari është liruar dhe rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.

  • Policia e Kosovës pjesë e garës ‘King Abdullah Special Operations Training Center’ në Jordani, arrin në fazën finale

    Policia e Kosovës pjesë e garës ‘King Abdullah Special Operations Training Center’ në Jordani, arrin në fazën finale

    Policia e Kosovës, përkatësisht zyrtarë policorë të njësive speciale, po marrin pjesë në një garë ndërkombëtare të njësive elitare policore dhe ushtarake nga shtete të ndryshme, raporton Sinjali.

    Këtë vit, pjesëmarrëse janë 38 ekipe nga vende të ndryshme të botës.

    Siç njofton Policia, në këtë garë njësitet elite policore si dhe ato ushtarake po garojnë në disa disiplina me shkallë të lartë të vështirësisë dhe taktikës, si gjuajtje me armë të llojeve të ndryshme, marshime me pesha të rënda dhe pjesë tjera të ushtrimeve të natyrës së kësaj fushe të oprimit policor/ushtarak.

    Tutje bëhet e ditur se njësia elite e PK-së po tregon profesionalizëm dhe rezultate pozitive në fusha të ndryshme, duke u krahasuar me njësitë e shteteve të tjera ndërkombëtare.

  • Mungojnë Faruk Mujka, Hysen Muzliukaj dhe avokatët e tyre, dështon të nisë gjykimi për korrupsion

    Mungojnë Faruk Mujka, Hysen Muzliukaj dhe avokatët e tyre, dështon të nisë gjykimi për korrupsion

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të të akuzuarve: Faruk Mujka- kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” dhe Hysen Muzliukaj- ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë, si dhe mbrojtësve të tyre: avokatëve Xhafer dhe Ahmet Tahiri, ka dështuar të nisë të mërkurën gjykimi për korrupsion.

    Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra tha se i akuzuari Mujka nuk është i pranishëm në seancë edhe pse Gjykata ia ka dërguar ftesën për seancën e sotme, por deri tash nuk ka dëshmi që i njëjti e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.

    Në seancë mungoi edhe mbrojtësi i Mujkës, avokati Xhafer Tahiri, i cili sipas gjykatëses, me anë të e-mailit ka njoftuar Gjykatën se për arsye personale/shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në seancë. Për këtë, ka bashkëngjitur edhe dokumentacionin mjekësor.

    Kurse, për Muzliukajn, gjykatësja tha se Gjykata ia ka dorëzuar ftesën por deri tani s’ka dëshmi nga shërbimi postar se i njëjti e ka pranuar ftesën me rregull.

    Po ashtu, mungoi edhe mbrojtësi i Muzliukajt, avokati Ahmet Tahiri i cili e ka njoftuar Gjykatën se ka seancë te gjyqtari Gëzim Ademi, por deri tani, sipas Namani-Hajrës, i njëjti nuk ka dorëzuar procesverbal apo ftesë se ajo seancë është caktuar më herët.

    Andaj, Gjykata konstatoi se në mungesë të të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre, nuk ka kushte për të vazhduar me shqyrtimin fillestar.

    Gjykatësja tha se për të akuzuarit do të vlerësojë nëse kanë pranuar ftesat dhe do të veprojë sipas dispozitave të procedurës penale, e që nëse është e nevojshme do të lëshohet edhe urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.

    Në seancë e pranishme ishte vetëm përfaqësuesja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Dhurata Bytyqi.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 9 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mujka ngarkohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi.

    Çka thuhet në pikë e parë të aktakuzës?

    Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës dhe Hysen Muzliukaj në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishin tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personat e tretë dhe në dëm të pronës publike.

    Fillimisht, thuhet se Mujka më 25 prill 2021, duke vepruar në emër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Muzliukaj në pozitën e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, i paraqesin Kuvendit Komunal propozim-vendimin për këmbim të pronës së paluajtshme me lokacion në rrugën “Afrim Zhitia” në Mitrovicë (ndërtesë e ish-Bankosit).

    Në aktakuzë thuhet se sipërfaqja e palujatshmërisë ishte 139 metra katror nga sipërfaqja e përgjithshme prej 631 metra katror, të cilën e kishin paraqitur kinse si pronë të Komunës, për këmbim me parcelën me sipërfaqe të përgjithshme prej 102 metra katror në pronësi të personit fizik Besarta Isufi në rrugën “Ali Zeneli” në Mitrovicë.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, Mujka dhe Muzliukaj e kishin ditur se prona e tillë nuk ishte pronë komunale dhe se ekziston proces gjyqësor me padi të iniciuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe Ndërmarrja Shoqërore “Jugobanka” në Mitrovicë, dhe duke qenë në dijeni se Kuvendi Komunal i Mitrovicës kishte marrë dy herë vendim për shpallje me interes të posaçëm publik të objektit të ish-Bankosit ku ndodhej prona në fjalë, më 30 gusht 2012 dhe 23 shkurt 2017, në bazë të së cilit ishte kërkuar nga Bordi i AKP-së që lidhur me pronën e ish-Bankosit t’iu bartej e drejta e shfytëzimit meqenëse prona nuk ishte në pronësi të Komunës.

    Aktakuza thotë se dy të akuzuarit kishin vepruar në dëm të interesi publik dhe në kundërshtim me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës dhe Rregullores për përcaktimin e procedurave për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së Komunës. E që në bazë të këtyre, sipas aktakuzës, ndalohet dhënia në shfrytëzim dhe këmbim i pronës me pronë private.

    Kështu, dy të pandehurit ngarkohen se i shkaktuan dëm të konsiderueshëm APK-së, në vlerën e objektit të tjetërsuar/këmbyer, që ishte llogaritur të jetë 125 mijë e 100 euro.

    Andaj për këto veprime, Mujka dhe Muzliukaj po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar” e paraparë me nenin 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Për çka akuzohet në pikën e dytë të aktakuzës Mujka?

    Në aktakuzë thuhet se Faruk Mujka në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të “Ibër-Lepencit”, i cili sipas Ligjit aktual për deklarim, prejardhje dhe kontroll të pasurisë dhe dhuratave ishte i detyruar të bënte deklarimin e pasurisë, nuk i ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë, pasi nga data e pavërtetuar e deri më 15 korrik 2023, në shtëpinë e tij kishte poseduar shumën prej 60 mijë e 50 euro, shumë kjo e gjetur dhe sekuestruar gjatë zbatimit të urdhërkontrollit të Gjykatës në shtëpinë e tij në Mitrovicë.

    Këtë shumë, sipas aktakuzës, Mujka nuk e kishte paraqitur në formularin për deklarimin e pasurisë së vitit paraprak në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit edhe pse ishte i obliguar sipas ligjit dhe se e ka ditur se në deklaratë duhet të paraqiten edhe shumat kesh.

    Andaj për këto veprime, Mujka po ngarkohet me veprën penale “Mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 i Kodit Penal.

    Detajet rreth deklarimit të dy të akuzuarve në Polici e Prokurori, mund t’i gjeni: KËTU.