ATV

Category: Lajme

  • Më 11 tetor përfundon afati i votimit me postë nga jashtë Kosovës

    Më 11 tetor përfundon afati i votimit me postë nga jashtë Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur përmes një komunikate për media se më 11 tetor përfundon periudha e votimit jashtë Kosovës për shtetasit e Kosovës, të cilët janë regjistruar për të votuar përmes postës në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

    Kjo periudhë, e cila ka filluar më 17 shtator, vlen vetëm për 43,933 shtetasit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës.

    Deri më 11 tetor 2025, votuesit e regjistruar jashtë Kosovës duhet të dërgojnë pakon e tyre me fletëvotime në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së.

    KQZ njofton se me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanadë, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

  • ​Kurti hesht kur pyetet për mundësinë e formimit të qeverisë së përkohshme

    ​Kurti hesht kur pyetet për mundësinë e formimit të qeverisë së përkohshme

    Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka pranuar të përgjigjet në lidhje me mundësitë e formimit të qeverisë së përkohshme, ide e propozuar nga partnerja e tij e koalicionit, Mimoza Kusari-Lila.

    Kurti heshti derisa u pyet në lidhje edhe me angazhimin e tij për formimit të qeverisë së re. Kosova ende nuk ka themeluar institucionet e reja edhe mbi tetë muaj pas zgjedhjeve të reja.

    Gjykata Kushtetuese më 30 shtator ka dalë me një njoftim ku ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që ka nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.

    Kushtetuesja ka urdhëruar deputetët e Kuvendit të konstituojnë legjislaturën e nëntë brenda afatit 12-ditor prej publikimit të aktgjykimit të plotë, por pa specifikuar pasojat juridike në rast se nuk kompletohen trupat e legjislativit.

    Vendimi i Kushtetueses është pas ankesës së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

  • Vihet në pranga i dyshuari për tentim-vrasje, ishte në kërkim policor që nga 23 prilli

    Vihet në pranga i dyshuari për tentim-vrasje, ishte në kërkim policor që nga 23 prilli

    Një person është arrestuar të martën në Prishtinë në lidhje me një rast të vrasjes në tentativë, që kishte ndodhur disa muaj më parë në kryeqytet..

    Policia ka njoftuar se i dyshuari është një mashkull kosovar, i cili ishte në kërkim nga autoritetet që prej pranverës së këtij viti.

    Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja për të cilën ai dyshohet ka ndodhur në mbrëmjen e 23 prillit në rrugën “Rexhep Krasniqi” në Prishtinë.

    Hetimet intensive të zhvilluara nga njësitet përkatëse policore kanë çuar në identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarit pas më shumë se pesë muajsh.

    Pas ndalimit, i dyshuari është intervistuar në stacionin policor në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit të rastit, ai është dërguar në mbajtje.

  • Presidenti francez nën presion për dorëheqje ose zgjedhje të reja

    Presidenti francez nën presion për dorëheqje ose zgjedhje të reja

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po përballet me presion të madh për të thirrur zgjedhje të parakohshme parlamentare ose për të dhënë dorëheqje, pasi ish-aleatët e tij po i bashkohen kundërshtarëve duke kërkuar që ai të veprojë për t’i dhënë fund krizës politike në rritje në vend, raporton të mërkurën “The Guardian”.

    Kryeministri i parë gjatë mandatit të Macronit, Edouard Philippe, i kërkoi të martën atij të japë dorëheqje, mes shqetësimeve për periudhën më të vështirë të kaosit politik në Francë që nga themelimi i Republikës së Pestë në vitin 1958.

    Philippe, që ka shërbyer si kryeministër nga viti 2017 deri në 2020 dhe tani udhëheq një parti aleate me Macronin, tha se presidenti duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme presidenciale sapo të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm.

    “Nuk do ta zgjasim atë që kemi përjetuar gjatë gjashtë muajve të fundit. Edhe 18 muaj të tjerë janë shumë të gjatë dhe po dëmtojnë Francën. Loja politike që po luajmë sot është shqetësuese”, ka deklaruar Philippe.

    Edhe Gabriel Attal – mandati i shkurtër i të cilit si kryeministri më i ri në historinë e Francës përfundoi vitin e kaluar, kur Macroni shpalli zgjedhjet e parakohshme – tha se nuk i kuptonte më vendimet e presidentit.

    Attal, i cili tani drejton partinë kryesore pro-Macron, u tha mediave franceze se, pasi Franca ka kaluar përmes pesë kryeministrave në më pak se dy vjet, është koha për të provuar diçka tjetër, duke kritikuar atë që e quajti “vendosmëri e Macronit për të mbajtur kontrollin”.

    Thirrjet për dorëheqje apo zgjedhje të reja erdhën pasi kryeministri në largim, Sebastien Lecornu – i emëruar vetëm 28 ditë më parë – dha dorëheqjen të hënën së bashku me kabinetin e tij 14-orësh. Megjithatë, Macroni i kërkoi atij të zhvillojë bisedime të fundit me udhëheqësit e partive për të siguruar mbështetje.

    Franca ka qenë në krizë politike për më shumë se një vit, që nga zgjedhjet e vitit 2024 – të thirrura në përgjigje të sukseseve të ekstremit të djathtë në zgjedhjet parlamentare evropiane – të cilat prodhuan një parlament të ndarë mes tre blloqeve pothuajse të barabarta: të majtës, ekstremit të djathtë dhe aleancës së qendrës së djathtë të Macronit, pa asnjë shumicë.

    Ndër opsionet e mundshme, Macroni mund të riemërojë Lecornun, të zgjedhë një kryeministër tjetër të ri – i cili do të ishte i teti në radhë – ose të shpërndajë sërish parlamentin dhe të mbajë zgjedhje të reja parlamentare.

  • Pejë: Djali rrah dhe ofendon nënën e tij, dërgohet në psikiatri

    Pejë: Djali rrah dhe ofendon nënën e tij, dërgohet në psikiatri

    Një person është arrestuar në Pejë pasi që e ka ofenduar dhe sulmuar fizikisht nënën e tij.

    Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 7 tetor rreth orës 23:30. Viktima ka pranuar tretman mjekësor për lëndimet e marra gjatë sulmit.

    Në deklaratën e saj, viktima ka raportuar se i biri vuan nga çrregullime mendore. Bazuar në këtë informacion dhe me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në Repartin e Psikiatrisë për trajtim të mëtejshëm.

    Policia po vazhdon hetimet lidhur me rastin.

  • Përleshje mes të miturve në Prizren, dy të arrestuar

    Përleshje mes të miturve në Prizren, dy të arrestuar

    Një përleshje fizike mes tetë të miturve ka ndodhur dje në qytetin e Prizrenit, ku si pasojë tre prej tyre kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar ndihmë mjekësore.

    Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 7 tetor rreth orës 09:50, pas një mosmarrëveshjeje mes të dyshuarve. Të gjithë të miturit janë intervistuar nga autoritetet.

    Me vendim të prokurorit, dy prej tyre janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.

    Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

  • Zyrtari policor kanoset nga një i mitur në Kaçanik

    Zyrtari policor kanoset nga një i mitur në Kaçanik

    Një person i mitur është ndaluar në Kaçanik pasi i njëjti sipas raportit të Policisë së Kosovës ka kanosur një zyrtar policor.

    Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 16:45.

    I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    “Rr. Agim Bajrami, Kaçanik 07.10.2025-16:45. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i mitur, pasi që i njëjti ka kanosur zyrtarin policor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari lirohet në procedurë të rregull”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • Prishtinë: Djali sulmon fizikisht nënën e tij

    Prishtinë: Djali sulmon fizikisht nënën e tij

    Një rast i dhunës në familje ka ndodhur dje në Prishtinë.

    Sipas raportit të Policisë së Kosovës, viktima femër kosovare ka raportuar se ka pësuar dhunë fizike nga djali i saj’.

    Nuk raportohet për të arrestuar.

    “Prishtinë 07.10.2025-17:10. Raportohet se viktima femër kosovare, ka pësuar dhunë fizike nga djali i saj. Nuk raportohet për të arrestuar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

  • Osmani pret në takim komandantin e KFOR-it, diskutohet për sigurinë në Kosovë dhe rajon

    Osmani pret në takim komandantin e KFOR-it, diskutohet për sigurinë në Kosovë dhe rajon

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur të martën në takim komandantin e KFOR-it në Kosovë, Ozkan Ulutas e ku është diskutuar për sigurinë dhe paqen e vendit.

    Ky takim erdhi pasi me 3 tetor, Ulutas u rikthye në komandën e KFOR-it.

    “Dje mirëprita gjeneralmajorin Özkan Ulutaş dhe e urova për rimarrjen e detyrës së komandantit të KFOR. Shpreha besimin e plotë për vazhdim të bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Osmani.

  • Izraeli ndalon 3 anije me ndihma humanitare që po shkonin në Gaza mes kritikave për trajtimin e aktivistëve

    Izraeli ndalon 3 anije me ndihma humanitare që po shkonin në Gaza mes kritikave për trajtimin e aktivistëve

    Një flotilje e re ndihmash me destinacion Gazën është ndaluar nga ushtria izraelite, vetëm disa ditë pasi ndalimi i aktivistëve në anijet që po shkonin drejt territorit të shkatërruar nga lufta shkaktoi zemërim ndërkombëtar dhe protesta të gjera.

    Sipas Koalicionit të Flotiljes së Lirisë, ushtria izraelite po bllokonte sinjalet me të paktën dy anije që po hipnin në bord.

    “Ushtria izraelite nuk ka juridiksion ligjor mbi ujërat ndërkombëtare,” thuhej në një postim të koalicionit në Instagram. “Flotilja jonë nuk përbën asnjë dëm.”

    Organizatorët njoftuan se “tre anije – Gaza Sunbirds, Alaa Al-Najjar dhe Anas Al-Sharif – janë sulmuar dhe janë ndaluar në mënyrë të paligjshme nga ushtria izraelite” herët në mëngjes, 220 kilometra larg bregdetit të Gazës. Ata shtuan se një anije tjetër, Conscience, ishte gjithashtu “nën sulm”.

    Ministria e Jashtme izraelite konfirmoi se kishte ndaluar anijet që po përpiqeshin të arrinin në Gaza dhe se personat në bord do të transferoheshin në një port izraelit ku do të deportoheshin.

    “Një tjetër përpjekje e kotë për të shkelur bllokadën ligjore detare dhe për të hyrë në një zonë luftimi përfundoi pa asgjë,” tha ministria në një postim online.