ATV

Category: Lajme

  • Ekstradohet Cllevio nga Dubai, akuzohet për përndjekje dhe thyerje të masës së sigurisë

    Ekstradohet Cllevio nga Dubai, akuzohet për përndjekje dhe thyerje të masës së sigurisë

    Policia e Shtetit ka njoftuar se është finalizuar me sukses ekstradimi nga Emiratet e Bashkuara Arabe i reperit shqiptar Kleviol Ahmeti, i njohur për publikun me emrin artistik Cllevio.

    39-vjeçari, me origjinë nga Lushnja, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për përndjekje dhe për thyerje të masës së sigurisë, në lidhje me një konflikt të vazhdueshëm me reperin tjetër Rigels Rajku (Noizy).

    Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit:

    “Në vijim të bashkëpunimit të Drejtorisë së Interpolit, me zyrën e Interpol Abu Dhabit, me objektiv kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, të cilët synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare, duke qëndruar në Dubai, u lokalizua dhe u kap, në kuadër të operacionit ‘The Wanted’, shtetasi K. A., 39 vjeç, i lindur në Lushnjë.”

    Policia sqaron më tej:

    “Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht sepse në vitin 2024, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Përndjekja’, pasi akuzohet se për disa vjet, ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, shtetasin R. R. dhe familjarë të tij.”

    Përveç kësaj, Cllevio rezulton edhe i dënuar nga Gjykata e Fierit, në vitin 2024, me 9 muaj burgim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

    Autoritetet shqiptare kanë falënderuar bashkëpunimin me Interpol Abu Dhabi për realizimin e ekstradimit dhe rikthimin e të kërkuarit në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë.

  • Krasniqi:Prezanton programin me katër objektiva kryesore

    Krasniqi:Prezanton programin me katër objektiva kryesore

    Agim Krasniqi, nga iniciativa “Prishtina në dorën tënde”, ka prezantuar programin e tij qeverisës, i cili është i fokusuar në katër objektiva kryesore.

    Krasniqi tha se prioriteti i tij do të jetë plani urbanistik.

    “Objektivi i parë është plani urbanistik, që ndërlidhet me ndërtimet që po ndodhin në Prishtinë, por njëkohësisht edhe me transportin publik,” tha Krasniqi.

    Prioritet tjetër i iniciativës “Prishtina në dorën tënde” janë edhe hapësirat publike.

    Krasniqi premtoi reforma të thella në arsim dhe shëndetësi.

    “Arsimi dhe shëndetësia, ku parashohim reforma të thella sa i përket organizimit dhe menaxhimit të arsimit, sipas kompetencave që i ka komuna,” deklaroi ai.

    Krasniqi premtoi po ashtu subvencionimin dhe mbështetjen e bizneseve të vogla, për të krijuar mundësi punësimi për të rinjtë dhe kategori të tjera që janë paraparë në program.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Syla:Prishtina me rrugë dykahëshe dhe “Pastrimi” do të kthehet në ndërmarrje komunale

    Syla:Prishtina me rrugë dykahëshe dhe “Pastrimi” do të kthehet në ndërmarrje komunale

    Kandidati tjetër i pavarur për të parin e Prishtinës, Lulzim Syla premtoi se nën qeverisjen e tij të gjitha rrugët e Prishtinës do t’i shndërrojë në rrugë dykahëshe.

    Po ashtu, Syla u zotua se sheshi Xh orxh Bush do të mbetet shesh.

    “Sheshi Xhorxh Bush do të mbetet shesh, me një nënkalim nga Grandi, përgjatë Radio Prishtinës dhe Katedrales, deri te kryqëzimi kryesor,” tha Syla.

    Një zotim tjetër i kandidatit të pavarur është shndërrimi i kompanisë regjionale për menaxhimin e mbeturinave “Pastrimi” në ndërmarrje komunale.

    “Do të përpiqem që t’i blej aksionet e kompanisë ‘Pastrimi’ dhe kompaninë ta kthej 100 për qind në ndërmarrje komunale. Nëse nuk arrij t’i blej, do t’i përdor aksionet e kompanisë dhe do t’i përdori të gjitha shërbimet komunale nga kompania ‘Pastrimi’,” deklaroi Syla.

    Në fokus të tij gjatë mandatit 4-vjeçar, nëse fiton garën, do të jenë edhe shërbimi i ujit, mirëmbajtja e hapësirave publike, arsimi dhe mirëqenia sociale.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Selimi: Do ta decentralizojmë Prishtinën.

    Selimi: Do ta decentralizojmë Prishtinën.

    Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Prishtinës, Fatmir Selimi, ka deklaruar se qasja ndaj kryeqytetit duhet të ndryshojë, duke e trajtuar Prishtinën si një qytet me specifika të veçanta që ndikon në gjithë vendin.

    “Mendoj se qasja jonë duhet të jetë se Prishtina nuk është një qytet i thjeshtë, por është kryeqyteti i Kosovës dhe ka specifikat e veta, të cilat janë ndryshe nga qytetet tjera. Rëndësia e zhvillimit të këtij qyteti ndikon në krejt Kosovën,” deklaroi Selimi.

    Një ndër prioritetet kryesore të tij është decentralizimi i qytetit.

    “Një komunë nuk mund t’i menaxhojë e vetme 230 mijë banorë që figurojnë me letra. Decentralizimi do të mundësojë pjesëmarrje më të drejtpërdrejtë të qytetarëve, në mënyrë që të mos ndërtohen projekte që askush nuk i ka parë ose kërkuar,” tha ai.

    Selimi propozoi që Prishtina të ketë 10 bashkësi lokale, të cilat do të ndihmojnë komunën dhe kryetarin në identifikimin dhe zbatimin e projekteve që janë prioritet për secilën lagje.

    Nëse fiton garën për Prishtinën, ai tha se arsimimi dhe sporti do të jenë fusha të tjera kryesore të fokusit të tij.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Gola: Vizioni për Gjakovën është komplet kombëtar

    Gola: Vizioni për Gjakovën është komplet kombëtar

    Edhe pse mbërriti me mbi 30 minuta vonesë në debat, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Gjakovës, Ardian Gola, gjysmën e 3-minutëshit të dedikuar për prezantimin e programit të tij qeverisës e shfrytëzoi për të kritikuar qeverisjen aktuale.

    “Qeverisjen aktuale 8-vjeçare e konsiderojmë si keqqeverisje, për shkak të mungesës së rendit në prioritete dhe mosrespektimit të nevojave të qytetarëve,” deklaroi Gola.
    Vizioni i tij për Gjakovën, siç u shpreh ai, është komplet kombëtar.

    “Gjakovën e sheh si nyje strategjike që lidh dy vende Shqipërin dhe Kosovën dhe linja hekurudhore përpos peshës dmth simbolike që e ka është një linjë strategjike që e bën gjakovën një qendër ekonomisë,” theksoi Gola.

    Në fokus të programit të tij është edhe zhvillimi i zonës industriale, të cilën e konsideron një hapësirë të përshtatshme për bizneset dhe investimet.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Anton Shala prezanton prioritetet e tij për Gjakovën

    Anton Shala prezanton prioritetet e tij për Gjakovën

    Anton Shala, kandidati i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjakovës, ka prezantuar planprogramin e tij qeverisës, me fokus të veçantë në zhvillimin ekonomik të komunës.

    “Zhvillimi ekonomik është një mundësi dhe potencial real për Gjakovën, falë resurseve natyrore që i posedon. Do të punojmë për të krijuar mundësi reale investimi dhe promovimi në sektorin e turizmit, si dhe për përmirësimin e shërbimeve publike,” deklaroi Shala.

    Ai theksoi se një nga prioritetet e qeverisjes së tij do të jetë edhe trajtim më i mirë i ujërave të zeza, përmirësimi i arsimit, shëndetësisë dhe kulturës në nivel lokal.

    Shala premtoi gjithashtu se buxheti për bujqësinë do të dyfishohet, si një mënyrë për të mbështetur fermerët lokalë dhe për të nxitur zhvillimin rural.

    “Do të hapim një zyrë të veçantë me dy të punësuar, ku do të ofrojmë asistencë të dedikuar për bizneset e vogla dhe për fermerët,” shtoi kandidati i PSHDK-së.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Shabani: Sektori i arsimit do të jetë prioriteti kryesor

    Shabani: Sektori i arsimit do të jetë prioriteti kryesor

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjakovës, Evri Shabani, ka theksuar se sektori i arsimit do të jetë prioriteti kryesor në mandatin e tij, nëse merr besimin e qytetarëve.

    “Do të realizojmë mësimin tërësor ditor për të zgjidhur problemin e klasave të kombinuara dhe numrit të vogël të nxënësve. Do të japim bursa për nxënës dhe studentë në fushat deficitare, për të nxitur profesionet e së ardhmes,” tha Shabani.

    Ai shtoi se, do të organizojë edhe tri shkolla verore për zhvillimin e aftësive shtesë jashtë sistemit formal të shkollimit.

    Në fokus të programit të tij është edhe shëndetësia dhe mirëqenia sociale.

    Shabani premtoi se, nëse zgjidhet kryetar, do të angazhohet që qendrat e mjekësisë familjare të punojnë 24 orë në disa fshatra, për të siguruar qasje më të lehtë në shërbime shëndetësore për banorët.

    “Do të mundohemi që në Dushkajë, Rekë të Mirë, Rekë të Keqe dhe në Has, qytetarët të kenë qasje më të lehtë në mjekësinë familjare,” tha ai.

    Një tjetër premtim i Shabanit është ndërtimi i 50 njësive të reja banimi për rastet sociale.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Shehu: Prioritet kryesor – finalizimi i Parkut të Biznesit në Gjakovë

    Shehu: Prioritet kryesor – finalizimi i Parkut të Biznesit në Gjakovë

    Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Komunën e Gjakovës, Shefqet Shehu, ka deklaruar se prioriteti i tij kryesor është finalizimi i Parkut të Biznesit.

    “Do të përkushtohem me gjithë qenien time që Parku i Biznesit të bëhet realitet. Aty duhet të vendosen të gjitha kompanitë, jo vetëm ato gjakovare, por fillimisht duke u dhënë përparësi atyre kompanive që merren me prodhim, përpunim dhe shërbime të tjera,” tha Shehu.

    Sipas tij, Gjakova ka nevojë edhe për ndërtimin e një sheshi të ri.

    “Gjakova ka nevojë për një shesh që nuk e ndalon lëvizjen dhe që do të shfrytëzohet vetëm për raste të veçanta,” shtoi ai.

    Një tjetër projekt i rëndësishëm që Shehu synon të realizojë, nëse fiton zgjedhjet e 12 tetorit, është vendosja e paneleve diellore në të gjitha ambientet publike.

    “Panelet diellore janë një përparësi që ka Gjakova, dhe me këtë rast do të fokusohemi që të gjitha ambientet publike të furnizohen me energji solare,” tha Shehu.

    Përveç kësaj, kandidati i LDK-së premtoi edhe blerjen e 6 autobusëve elektrikë, të cilët do të furnizohen me energji diellore.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Gjini: Planifikojmë të blejmë 27 autobusë në vitin 2027 për trafikun urban në Gjakovë

    Gjini: Planifikojmë të blejmë 27 autobusë në vitin 2027 për trafikun urban në Gjakovë

    27 autobusë planifikohen të blihen në vitin 2027 kandidati për një mandat të ri në krye të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

    Sipas Gjinit, pas finalizimit të projektit për trafikun urban në qytet, do të ketë edhe kategori qytetarësh që do të përfitojnë nga lirimi nga pagesa.

    “Nxënësit, pensionistët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e luftës dhe kategori të tjera do të jenë të liruar nga pagesa”, deklaroi Gjini.

    Një tjetër projekt i rëndësishëm që ai përmendi është ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza në fshatrat e Gjakovës. Ky projekt pritet t’i kushtojë Komunës rreth 15 milionë euro.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Mungojnë Mujka, Muzliukaj dhe mbrojtja, dështon gjykimi për korrupsion

    Mungojnë Mujka, Muzliukaj dhe mbrojtja, dështon gjykimi për korrupsion

    Nën akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, 4 vjet më parë, Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj, ishin thirrur të paraqiteshin në gjykatore, paraditen e së mërkurë.

    Mujka akuzohet se në vitin 2021, si nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, bashkë me Muzliukajn, që ishte drejtori i gjeodezisë, me qëllim të dobisë pasurore, i shkaktuar dëm Agjencisë Kosovare të Privatizimit në vlerë prej 125 mijë euro.
    Mirëpo, për shkak të mungesës së avokatëve të tyre, asnjëri prej tyre nuk erdhi.

    Avokati i Mujkës, Xhafer Tahiri, kishte njoftuar gjykatën se për arsye personale e shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm.Kurse avokati i Muzliukajt, Ahmet Tahiri, kishte një seancë tjetër, po në të njëjtën kohë.

    Si pasojë, seanca u ndërpre dhe u caktua për një datë tjetër.Gjykatësja tha se do të vlerësohet nëse të akuzuarit kanë pranuar ftesat dhe, nëse është e nevojshme, do të lëshohet urdhër për sjellje me detyrim në seancë.

    Në këtë seancë ishin të pranishme prokurorja speciale Ilirijana Qollaku dhe përfaqësuesja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dhurata Bytyqi.

    Faruk Mujka ishte arrestuar në korrik të vitit 2023 dhe gjatë bastisjeve, policia i kishte sekuestruar 60 mijë euro para të gatshme.Mujka, i cili aktualisht është drejtor në ndërmarrjen “Ibër Lepenc”, përballet edhe me një aktakuzë tjetër për mosraportim të pasurisë.