ATV

Category: Lajme

  • Johnson & Johnson detyrohet të paguajë 966 milionë dollarë për rastin e kancerit nga talku

    Johnson & Johnson detyrohet të paguajë 966 milionë dollarë për rastin e kancerit nga talku

    Një trup gjykues në Los Angeles të ShBA-së e urdhëroi gjigantin farmaceutik amerikan “Johnson & Johnson” që t’ia paguajë 966 milionë dollarë familjes së një gruaje që ka vdekur nga mesothelioma, duke e cilësuar kompaninë përgjegjëse në rastin më të ri gjyqësor ku dyshohet se produktet e pudrës të kompanisë së njohur po e shkaktojnë kancerin.

    Familja e banores tashmë të ndjerë të Kalifornisë, Mae Moore, e cila vdiq në vitin 2021 në moshën 88-vjeçare, e kishte paditur kompaninë po atë vit, duke pretenduar se produktet e pudrës për foshnja përmbanin fibra asbesti që i shkaktuan asaj një kancer të rrallë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Trupi gjykues e urdhëroi kompaninë që të paguante 16 milionë dollarë si dëmshpërblim, ndërsa 950 milionë dollarë si ndëshkim për dëmin, sipas dokumenteve të gjykatës.

    Shuma e ndëshkimit mund të zvogëlohet përmes apelit, pasi Gjykata Supreme e ShBA-së ka thënë se dënimi për dëme përgjithësisht nuk duhet të jetë më shumë se nëntë fish më i lartë se dënimi për dëmin e shkaktuar.

    Erik Haas, nënpresident i çështjeve ligjore në nivel global i kompanisë “Johnson & Johnson”, tha se kompania planifikon që menjëherë ta apelojë vendimin, duke e quajtur atë “skandaloz dhe jokushtetues”.

    Kompania ka thënë se produktet e saj janë të sigurta, nuk përmbajnë asbest dhe nuk shkaktojnë kancer. Mesothelioma është lidhur me shpërfaqjen ndaj asbestit.

    Trey Branham, njëri nga avokatët që e përfaqësonin familjen e gruas së vdekur, tha pas vendimit të gjykatës se ekipi i tij “shpreson që Johnson & Johnson më në fund do ta pranojë përgjegjësinë për këto vdekje të pandjeshme”.

    “Johnson & Johnson” po ballafaqohet me padi nga më shumë se 67.000 paditës, të cilët thonë se janë diagnostikuar me kancer pas përdorimit të pudrës për foshnja dhe produkte të tjera me asbest, sipas dokumenteve të gjykatave. Shumica e paditeseve pretendojnë se u është shkaktuar kanceri i vezoreve.

  • Sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq, Simiq arrin në gjykatore

    Sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq, Simiq arrin në gjykatore

    Nënkryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe Urosh Vukasinoviq kanë arritur tashmë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, raporton Ekonomia Online.

    Ata do të ulen në bankën e të akuzuarve për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq.

    Seanca për shqyrtimin fillestar ishte paraparë të mbahej me 18 shtator, mirëpo e njëjta ishte shtyrë për sot, pas ankesave të avokatëve të të akuzuarve, të cilët pretenduan se njëri nga klientët nuk ka pranuar fare shkresat nga prokurori, ndërsa tjetri i ka pranuar vetëm pjesërisht.

  • BE-ja pret që zgjedhjet në Kosovë të zhvillohen pa asnjë ndërhyrje nga jashtë

    BE-ja pret që zgjedhjet në Kosovë të zhvillohen pa asnjë ndërhyrje nga jashtë

    Bashkimi Evropian (BE) pret që zgjedhjet lokale në Kosovë të zhvillohen pa asnjë ndërhyrje nga jashtë.

    Një zëdhënës i BE-së ka rikujtuar se misioni vëzhgues evropian kishte konstatuar raste të ndërhyrjeve gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në muajin shkurt.

    “Presim nga të gjitha palët që të përmbahen nga veprime të tilla”, thuhet në reagimin e BE-së.

    Ky prononcim vjen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë është më e rëndë se ajo e Rusisë në Evropë, duke kërkuar nga BE-ja që të dënojë dhe të sanksionojë ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhjet lokale në Kosovë.

    “Të gjithë qytetarët duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm, pa ndërhyrje dhe manipulime nga jashtë”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të Bashkimit Evropian.

    Në përputhje me ftesën e bërë nga presidentja Vjosa Osmani, BE-ja ka dërguar një mision ekspertësh zgjedhor në vend.

    Anëtarët e këtij misioni, siç konfirmohet në Bruksel, tashmë janë në terren për të vëzhguar dhe vlerësuar procesin zgjedhor.

  • Dibran Hoxha – Kobra dënohet me 24 vjet burgim për vrasjen e Visar Cengut në lokalin ‘Cobra City’

    Dibran Hoxha – Kobra dënohet me 24 vjet burgim për vrasjen e Visar Cengut në lokalin ‘Cobra City’

    Dibran Hoxha i njohur si Kobra është dënuar me 24 vjet burg për vrasjen e rëndë në “Cobra City”.

    Rasti kishte ndodhur në Prizren, në muajin janar 2023.

    Kobra u dënua për veprën penale vrasje e rëndë.

    Dibran Hoxha është dënuar me 23 vite burgim për veprën e vrasjes së personit nga Kukësi që ndodhi në klub, ndërsa për armëmbajtje pa leje është dënuar me 2 vite burg. Në total, ai do të vuajë një dënim unik prej 24 vjetësh në burg.

    Ndërkaq, i akuzuari tjetër, Roland Susuri, është dënuar me 7 vite burgim për tre vepra penale të ndryshme. Ai ka marrë 1 vit e 6 muaj për pjesëmarrje në rrahje, 4 vite e 6 muaj për manipulim me prova dhe 1 vit e 6 muaj për armëmbajtje pa leje.

    Kujtojmë se më 09.09.2025 i akuzuari Dibran Hoxha ka dhënë mbrojtjen.

    Për dallim prej të akuzuarit Dibran Hoxha, të akuzuarit e tjerë kanë zgjedhur të drejtën e tyre që të mbrohen në heshtje.

    Kjo çështje penale është duke u trajtuar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët: Kujtim Krasniqi (kryetar i trupit gjykues), Ngadhnjim Arrni e Vesel Ismaili (anëtarë).

    Ndryshe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 07.03.2024, të akuzuarit nuk e kishin pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë.

  • Trump beson se mund të ndalë edhe luftën mes Rusisë dhe Ukrainës

    Trump beson se mund të ndalë edhe luftën mes Rusisë dhe Ukrainës

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se është i bindur që do të ketë sukses në zgjidhjen e luftës që Rusia po zhvillon kundër Ukrainës.

    Trump u mburr edhe një herë se kishte “zgjidhur shtatë luftëra” dhe shtoi se “jemi afër zgjidhjes së një të tete”.

    “Mendoj se do të përfundojmë duke zgjidhur situatën e Rusisë [luftën në shkallë të plotë të Rusisë kundër Ukrainës], e cila është e tmerrshme. Shtatë mijë njerëz vdiqën javën e kaluar, meqë ra fjala, midis Rusisë dhe Ukrainës. Mendoj se do ta zgjidhim këtë”, tha Trump.

    Ai theksoi se nuk beson se “dikush në histori ka zgjidhur kaq shumë”.

    Trump tha së fundmi se zgjidhja e luftës së nisur nga Rusia kundër Ukrainës ka rezultuar të jetë më e vështirë sesa arritja e paqes në Lindjen e Mesme.

    Ai gjithashtu vuri në dukje se tarifat janë një pjesë e rëndësishme e aftësisë së tij për të bërë marrëveshje paqeje.

  • “Ishte veç shaka”, por 13-vjeçari përfundon në pranga pas pyetjes drejtuar ChatGPT

    “Ishte veç shaka”, por 13-vjeçari përfundon në pranga pas pyetjes drejtuar ChatGPT

    Arrestohet 13-vjeçari në SHBA pasi pyeti ChatGPT si të vriste shokun e klasës

    Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në një shkollë të mesme në SHBA, ku një 13-vjeçar është arrestuar pasi i kërkoi ChatGPT mënyra për të vrarë shokun e tij të klasës – në mes të orës së mësimit.

    Adoleshenti e bëri kërkimin në laptopin e shkollës, por sistemi i monitorimit “Gaggle” e zbuloi menjëherë dhe njoftoi autoritetet. Oficeri i sigurisë e përballi nxënësin në vend, ndërsa ai u justifikua duke thënë se “ishte thjesht një shaka”. Pavarësisht kësaj, policia e arrestoi dhe e dërgoi në komisariatin lokal.

    Pamjet e momentit kur i mituri shoqërohet me pranga janë bërë virale në rrjetet sociale.

    “Një tjetër ‘shaka’ që përfundon në emergjencë. Prindër, flisni me fëmijët tuaj që të mos bëjnë të njëjtin gabim,” tha Zyra e sherifit për median amerikane WFLA.

    Opinioni publik është ndarë më dysh. Disa e mbështetën reagimin e autoriteteve duke theksuar se “është më mirë të parandalosh sesa të pendohesh”, ndërsa të tjerë e cilësuan arrestimin si të ekzagjeruar, duke shtuar se “bëhej fjalë për një shaka pa qëllim të keq”.

    Ngjarja ka hapur një debat të gjerë në SHBA për kufirin mes sigurisë dhe privatësisë së nxënësve në epokën e inteligjencës artificiale.

  • Caktohet vazhdimi i seancës konstituive

    Caktohet vazhdimi i seancës konstituive

    Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se vazhdimi i seancës konstituive do të bëhet të premten (10 tetor) me fillim nga ora 10:00.

    Seanca do ta ketë një pikë të vetme, zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radha e komunitetit serb.

    Kujtojmë se që nga dje ka nisur afati 12-ditor për konstituim të Kuvendit, sipas aktgjykimit që lëshoi Gjykata Kushtetuese. Por, gjykata nuk ka treguar edhe se cilat janë pasojat nëse këtë nuk e bëjnë deputetët brenda afatit.

    Gjykata kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë, në të cilin vlerëson se votimi ndaras për komunitetet pakicë, mund të bëhet edhe ndaras, dhe në rastin konkret nuk kishte shkelje kushtetuese, ani pse praktika parlamentare që nga 2011-ta ishte që komunitete të votoheshin në pako.

    “Duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve. Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”, njoftoi Kushtetuesja.

    Kësisoj gjykata e merr si të mirëqenë edhe zgjedhjen e Emilja Rexhepit si nënkryetare nga komunitete pakicë joserbe.

    Kushtetuesja hodhi poshtë ankesën e Listës Serbe për përzgjedhjen me short të nënkryetarëve për votim, për çka konstatoi se praktika e ndjekur në këtë rast ishte në përputhje me kushtetutën.

    Megjithëse shumica e deputetëve serb kanë konsumuar të drejtën e propozimit tri herë për votim, gjykata nuk e cilëson pengesë për konstituim të kuvendit.

    Gjithashtu gjykata obligon deputetët që të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë pro, kundër apo abstenim, në afat prej 12 ditësh.

    LAJMI NË PËRDITESIM…

  • Nuk u mbijetoi plagëve të marra dy javë më parë, vdes i lënduari nga aksidenti në Gjakovë

    Nuk u mbijetoi plagëve të marra dy javë më parë, vdes i lënduari nga aksidenti në Gjakovë

    Një person ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident trafiku që kishte ndodhur më 24 shtator në rrugën “Martirët e Kombit” në Gjakovë.

    Sipas njoftimit të policisë, vdekja e tij është konstatuar të mërkurën, rreth orës 14:20, si pasojë e drejtpërdrejtë e lëndimeve të marra nga aksidenti tragjik kishte ndodhur dy javë më parë në qytetin e Gjakovës.

    Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për rrethanat e aksidentit janë në vazhdim.

  • Burri sulmon bashkëshorten në Kaçanik, i dyshuari dërgohet në qendrën e mbajtjes

    Burri sulmon bashkëshorten në Kaçanik, i dyshuari dërgohet në qendrën e mbajtjes

    Ndërkohë, një rast tjetër dhune në familje është regjistruar të mërkurën pasdite në Kaçanik, ku një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

    Incidenti ka ndodhur rreth orës 16:00 dhe raportohet se ka ardhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje paraprake mes çiftit.

    Sipas raportit të Policisë, gruaja ka pësuar lëndime trupore dhe pranuar tretmanin e nevojshëm mjekësor.

    I dyshuari është arrestuar nga njësitet policore dhe është shoqëruar në stacion për intervistim.

    Pas përfundimit të procedurave fillestare, prokurori kompetent ka hapur rast për veprën penale “dhunë në familje” dhe ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë.

  • Tri raste dhune në familje në Prishtinë – Dy të dyshuar në arrati, njëri lirohet në procedurë të rregullt

    Tri raste dhune në familje në Prishtinë – Dy të dyshuar në arrati, njëri lirohet në procedurë të rregullt

    Policia ka trajtuar tri raste të ndara të dhunës në familje në Prishtinë brenda pak orësh, ku tri gra kanë raportuar se janë sulmuar fizikisht nga bashkëshortët e tyre.

    Në njërin nga rastet, viktima ka arritur të ikë nga banesa pas dhunës së ushtruar nga partneri, ndërsa në një rast tjetër, gruaja e sulmuar ka pranuar tretman mjekësor për shkak të lëndimeve të marra.

    Si rezultat i veprimeve policore, njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kompetent, është liruar në procedurë të rregullt.

    Ndërkohë, dy të dyshuarit e tjerë gjenden në arrati dhe janë shpallur në kërkim nga autoritetet policore.