ATV

Category: Lajme

  • Kosova ndalon përkohësisht importin e kafshëve të gjalla nga Mali i Zi

    Kosova ndalon përkohësisht importin e kafshëve të gjalla nga Mali i Zi

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Republikës së Kosovës (AUV), ka njoftuar për vendosjen e një mase të përkohshme ndalese për importin e kafshëve të gjalla nga Mali i Zi, pas konfirmimit të rasteve me sëmundjen virale “Gjuha e Kaltër” (Bluetongue – BT).

    Sipas AUV-it, ndalesa përfshin gjedhët, delet dhe dhitë, dhe vlen për të gjithë territorin e Malit të Zi.

    Kjo masë është ndërmarrë si veprim parandalues ndaj përhapjes së sëmundjes në territorin e Kosovës, në përputhje me njoftimet ndërkombëtare nga sistemet ADIS dhe WAHIS.

    “Autoritetet kufitare që veprojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit – Policia e Kosovës, Doganat dhe AUV – obligohen të zbatojnë masa të shtuara kontrolli në të gjitha pikat kufitare, për të parandaluar hyrjen në vend të kafshëve të gjalla të përmendura nga ky shtet”, thuhet në njoftim.

    Çfarë është sëmundja “Gjuha e Kaltër”?

    “Gjuha e Kaltër” është një sëmundje virale që transmetohet nga insektet e llojit Culicoides (mushkonja), e cila prek ruminantët shtëpiak si gjedhët, delet dhe dhitë.

    Delet janë më të ndjeshme ndaj infeksionit, ndërsa gjedhët shërbejnë si bartës të virusit pa shfaqur gjithmonë simptoma të rënda.

    Sëmundja nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.

  • Zgjedhjet e 12 tetorit, Policia: Do të angazhojmë numër të mjaftueshëm të policëve

    Zgjedhjet e 12 tetorit, Policia: Do të angazhojmë numër të mjaftueshëm të policëve

    Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha, është takuar me drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorët rajonalë për të diskutuar planin policor për siguri gjatë zgjedhjeve të 12 tetorit.

    “Në këtë takim morën pjesë stafi i lartë menaxhues, drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorive rajonale, të cilët u njoftuan lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.”

    Hoxha ka thënë se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës. Ai kërkoi që ky plan të zbatohet me profesionalizëm dhe me përkushtim të lartë, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet tjera të përfshira në këtë proces.

    “Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, siç është filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit senzitiv e deri në përfundim të procesit.”

    Policia thotë se do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces.

    “Njëkohësisht nga të pranishmit u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.”

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e një personi, dyshohet për lëndim të rëndë trupor

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për kapjen e një personi, dyshohet për lëndim të rëndë trupor

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personave, që dyshohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

    Në faqen zyrtare të policisë në Facebook, është publikuar fotografia e tij, ku kërkohet informacion për të mundësuar kapjen e tij.

    I dyshuari është Behar Çelaj.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin vendodhjes së tij kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192 ose [email protected].”, thuhet në kërkesën e PK-së.

  • Serbia thotë se ka arrestuar një shtetas shqiptar pasi iu gjetën flamuj të UÇK-së

    Serbia thotë se ka arrestuar një shtetas shqiptar pasi iu gjetën flamuj të UÇK-së

    Autoritetet në Serbi thanë se kanë arrestuar një shtetas të Shqipërisë nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “nxitjes së urrejtjes mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.

    Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se anëtarët e ministrisë që ai drejton në Prokuple, në bashkëpunim me Doganat e Serbisë, arrestuan D.P. (1972) nga Shqipëria.

    Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe më pas Prokuroria e Lartë Publike në Prokuple do të paraqesë aktakuzën ndaj tij, u tha në njoftim.

    Sipas autoriteteve serbe, Policia serbe në pikëkalimin kufitar Merdarë, që lidh Kosovën me Serbinë, gjatë kontrollit të një furgoni që drejtohej nga A.P. nga Kosova, gjeti pesë çanta ku gjendeshin “22 bluza, 244 flamuj, 86 kapela me mbishkrimin UÇK, 65 triko me figurën e Adem Jasharit dhe Agim Ramadanit, 58 shall me stemën e Shqipërisë dhe 92 kapele” me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Dyshohet se këto ishin planifikuar të përdoreshin dhe ekspozoheshin në ndeshjen që do të mbahet në Leskovc mes ekipeve të futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë”, tha Ministria e Brendshme Serbe.

    Ndeshja futbollistike mes Serbisë dhe Shqipërisë do të mbahet në Leskovc më 11 tetor, duke nisur nga ora 20:45.

    Shqipëria dhe Serbia janë pjesë e Grupit K për ndeshjet kualifikuese në Kampionatin Botëror 2026, së bashku me Letoninë, Andorrën dhe Anglinë.

    Ndeshja e parë, që u luajt në qershor në Arena Kombëtare në Tiranë, përfundoi pa gola.

    Shqipëria aktualisht gjendet në vendin e dytë në tabelë me 8 pikë, ndërkaq Serbia gjendet në vendin e tretë me 7 pikë të grumbulluara.

    Shtetasit e dy vendeve janë të përfshirë në rivalitet të madh, që ka në themel tensionet historike dhe etnike, sidomos lidhur me konfliktin në Kosovë dhe historinë më të gjerë të Ballkanit. Serbia vazhdon të mos njohë shtetësinë e Kosovës.

    Ndeshja e parë në Tiranë kaloi pa ndonjë incident të madh, përveç disa rasteve kur tifozët kanë hedhur gjësende në fushë, por që nuk kanë ndikuar në vazhdimin e lojës./REL

  • ​Zgjedhjet e 12 tetorit, KQZ-ja prezanton raportin për fazën finale të përgatitjeve

    ​Zgjedhjet e 12 tetorit, KQZ-ja prezanton raportin për fazën finale të përgatitjeve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bë mbledhjen e sotme ka prezantuar raportin lidhur me fazën përfundimtare të procesit përgatitor të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

    Sipas raportit, është përmbyllur procesi i trajnimit të anëtarëve të Këshillave të vendvotimit, të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, ndërkaq gjatë ditës së sotme në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë është mbajtur trajnimi me të gjithë administratorët e teknologjisë informative për përdorimin e teknologjisë informative në dorëzim-pranimin e materialeve zgjedhore dhe numërimin e fletëvotimeve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale.

    Në mbledhje u bë e ditur se në kuadër të përgatitjes së procesit zgjedhor, janë shpërndarë pajisjet e teknologjisë informative, si kamerat vëzhguese për vendvotime, QKN dhe materialet tjera.

    Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për deakreditimin e 2 organizatave vëzhguesve Youth Development & Corporation – YDC/ Rinia për Zhvillim dhe Bashkëpunim (12 vëzhgues) si dhe Iniciativa për progres (7 vëzhgues), pasi këto organizata në statutin e tyre nuk i kanë fushëveprim të drejtat e njeriut dhe proceset zgjedhore.

    Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për miratimin e planit operacional për ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025, me anë të të cilit planifikohet organizimi i punës së KQZ-së dhe bashkëpunimit me institucione të ndryshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

    Me qëllim të informimit për ecurinë e procesit të votimit për Zgjedhjet Lokale, KQZ mori vendim për miratimin e planit të konferencave për ditën e zgjedhjeve dhe prezantimin e statistikave të pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje.

    Në ditën e zgjedhjeve, KQZ mban 5 konferenca të rregullta, në këto orare:

    •             08:00 – Konferenca e parë: KQZ njofton për fillimin e procesit të votimit;

    •             11:30 – Konferenca e dytë: KQZ njofton për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në orën 11:00 dhe për ecurinë e procesit zgjedhor;

    •             15:30 – Konferenca e tretë: KQZ njofton për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 dhe për ecurinë e procesit zgjedhor deri në atë kohë;

    •             19:30 – Konferenca e katërt: KQZ njofton për përfundimin e procesit të votimit, ecurinë e përgjithshme të tij, pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe për fillimin e numërimit të fletëvotimeve;

    •             Për kohën e mbajtjes së konferencës së pestë, për publikimin e rezultateve të përmbledhura preliminare të kandidatëve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale, KQZ-ja do të njoftojë me kohë.

     

  • Osmani takon Prattipatin, flasin për funksionalizimin e institucioneve pas aktgjykimit të fundit të Kushtetueses

    Osmani takon Prattipatin, flasin për funksionalizimin e institucioneve pas aktgjykimit të fundit të Kushtetueses

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.

    Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit dypalësh, si dhe për pritshmëritë rreth funksionalizimit të plotë të institucioneve, pas Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

    “Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati diskutuan gjithashtu për takimet dhe bisedat e zhvilluara me Presidentin e SHBA-ve, Donald J. Trump, dhe me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara, që u mbajt në Nju Jork.”, thuhet në njoftim.

  • S’ka zgjedhje në Tiranë më 9 nëntor, Kushtetuesja pezullon dekretin e presidentit Begaj

    S’ka zgjedhje në Tiranë më 9 nëntor, Kushtetuesja pezullon dekretin e presidentit Begaj

    Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë më 9 nëntor.

    Gjykata Kushtetuese mori vendimin njëzëri që të kalojë çështjen me kërkues Erion Veliaj në seancë plenare publike në datë 31 tetor 2025 dhe të pezullojë dekretin e Presidentit për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë.

    Avokatët e Erion e Veliajt depozituan në Gjykatë Kushtetuese 2 ankime, i pari për rrëzimin e vendimit të Qeverisë për shkarkimin e Veliajt, dhe një ankimim të dytë pas Presidenti Begaj dekretoi 9 nëntorin për zgjedhjet e pjesshme edhe për Tiranën, njofton euronewsalbania.

    Mbledhja e Gjykatës Kushtetuese u mbajt në afatet e fundit, duke marrë parasysh që avokatët e Veliajt e kishin ankimuar të enjten e kaluar dhe afati ishte 10 ditë.

  • Vuçiq: Dërgesa me dronë nga Turqia në Kosovë është e paligjshme

    Vuçiq: Dërgesa me dronë nga Turqia në Kosovë është e paligjshme

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia kërkon nga Turqia që të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe interesat e popullit serb, duke vlerësuar se dërgesa e dronëve nga Turqia në Kosovë është “e paligjshme”.

    Një ditë më parë, autoritetet në Kosovë njoftuan se kanë pranuar kontejnerë me “mijëra dronë” luftarakë kamikazë Skydagger.

    Pas këtij njoftimi të bërë nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, Beogradi kritikoi Ankaranë, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    “Detyra ime është të krijojë marrëdhënie të mira me Turqinë, ashtu si është detyra ime që, kur shoh se populli im është i rrezikuar nga një dërgesë e paligjshme armësh, të qëndroj pranë popullit tim dhe të luftoj për interesat e tij”, tha Vuçiq për gazetarët më 9 tetor.

    Duke theksuar se Serbia dëshiron marrëdhënie “sa më të afërta” me Turqinë, Vuçiq tha se “lutem për respektimin e normave elementare të së drejtës ndërkombëtare publike dhe të interesave elementare të Serbisë dhe popullit serb”.

    “Mund të imagjinoni si do të dukej sikur ne të armatosnim dikë në disa territore që janë problematike për Turqinë, siç është juglindja e Turqisë apo disa territore të tjera për të cilat turqit i pretendojnë”, deklaroi ai.

    Sipas Vuçiqit, sjellja e Turqisë ka rëndësi të madhe për stabilitetin e rajonit.

    Ai njoftoi se do të bisedojë me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, për dërgesën e armëve në Kosovë.

    Vuçiq theksoi se për këtë temë kishte diskutuar po ashtu me Erdoganin vitin e kaluar, kur “i kërkova Turqisë të ndalonte armatosjen e Prishtinës”.

    “Unë përmenda Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara [OKB] dhe akte të tjera, dhe kërkova që kjo të mos ndodhë përsëri”, tha ai.

    “A është kjo një forcë që mund ta mposhtë, frikësojë, kërcënojë Serbinë – jo, por qëllimi për të vazhduar me këtë është shqetësues”, u shpreh Vuçiq sa i përket blerjeve të pajisjeve ushtarake nga Kosova.

    Ai vlerësoi se Kosova po ndan shumë para për të zbatuar planin për tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

    Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, thotë se kjo është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

    Vuçiq përmendi disa shtete nga të cilat Kosova ka blerë armë dhe pajisje ushtarake.

    Siç tha ai, prokurimi i sistemeve komplekse luftarake po intensifikohet dhe Turqia po udhëheq në furnizimin e Kosovës me këto sisteme.

    “Ne kërkojmë nga Kombet e Bashkuara të reagojnë, të respektojnë rezolutat e miratuara nga OKB-ja. Nuk duam përshkallëzim, do ta ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha udhëheqësi serb./REL

  • Drejtori i Policisë pret në takim shefin e EULEX-it, diskutojnë për sigurinë në vend

    Drejtori i Policisë pret në takim shefin e EULEX-it, diskutojnë për sigurinë në vend

    Më 9 tetor 2025, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, priti në një takim zyrtar shefin e misionit të EULEX-it në Republikën e Kosovës, z. Giovanni Pietro Barbano.

    Sipas një njoftimi zyrtar nga Policia e Kosovës, gjatë këtij takimi u diskutua për gjendjen aktuale të sigurisë në vend, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve dhe përgatitjet policore për procesin zgjedhor.

    “Me datën 09.10.2025 drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha me bashkëpunëtorë priti në një takim shefin e misionit të EULEX-it në Republikën e Kosovës z. Giovanni Pietro Barbano. Gjatë këtij takimi u diskutua rreth gjendjes aktuale të sigurisë në vend, si dhe për ngritjen e mëtejme të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, për ta pasur një ambient sa më të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Ndër temat e diskutuara ishte edhe ajo për planifikimin dhe angazhimin policor në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ku tanimë Policia e Kosovës veçse ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore në aspektin e sigurisë.”

  • Von der Leyen i mbijeton votëbesimit në Parlamentin Evropian

    Von der Leyen i mbijeton votëbesimit në Parlamentin Evropian

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka mbijetuar me lehtësi dy mocioneve të votëbesimit në Parlamentin Evropian të enjten, pasi deputetët kundërshtuan përpjekjet e grupeve të ekstremit të djathtë dhe të majtë për ta shkarkuar atë.

    Ajo e fitoi votëbesimin e ligjvënësve të BE-së në Parlamentin me 720 ulëse. Von der Leyen e mori mbështetjen e 378 ligjvënësve në votimin e parë, si dhe të 383 të tjerëve në të dytin.

    Von der Leyen tha në një postim në X se e vlerëson thellësisht mbështetjen dhe se ekipi i saj i komisionarëve do të punojë ngushtë me Parlamentin për t’u përballur me sfidat e Evropës.

    Këto rezultatet ishin pak më të mira për shefen e ekzekutivit të BE-së sesa ato në korrik, kur 360 ligjvënës votuan kundër një mocioni të ngritur kryesisht nga deputetë të ekstremit të djathtë, pak më pak se 401 votat që mori ajo i mori për t’u rizgjedhur për një mandat të dytë në korrik 2024.

    Edhe pse mocionet e votëbesimit kishin shumë pak gjasa të arrinin shumicën prej dy të tretash të nevojshme për ta rrëzuar von der Leyenin, disa ligjvënës thanë se ato mund të nxjerrin në pah pakënaqësinë e përgjithshme ndaj udhëheqjes të saj dhe ta destabilizojnë Parlamentin e BE-së, mbështetja e të cilit është e nevojshme për miratimin e ligjeve.

    Partitë jashtë rrymave kryesore kanë kuptuar se mocionet e votëbesimit – që dikur përdoreshin rrallë – janë të lehta për t’u ngritur pas zgjedhjeve të vitit 2024, të cilat e rritën numrin e deputetëve të ekstremit të djathtë në mbi 100, ndërsa nevojiten vetëm 72 për të mbështetur një mocion të tillë.

    Të dy mocionet kritikuan von der Leyenin për pranimin e një marrëveshjeje të pabalancuar tarifash me Shtetet e Bashkuara dhe për propozimin e një marrëveshjeje tregtare me bllokun e Amerikës së Jugut, Mercosur, që kritikët thonë se kërcënon bujqit dhe mjedisin.

    Marrëveshjet me SHBA-në dhe Mercosurin do t’i nënshtrohen votimeve në Parlamentin Evropian në muajt e ardhshëm.