ATV

Category: Lajme

  • Kandidatët e AAK-së me premtimet për infrastrukturë, ekonomi dhe mjedis

    Kandidatët e AAK-së me premtimet për infrastrukturë, ekonomi dhe mjedis

    Në ditën e 27-të të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha është zotuar për ndërtimin e një qendre të specializuar për trajtim dhe rehabilitim për të rinjtë e prekur nga varësia ndaj alkoolit.

    Në Prizren, Besnik Krasniqi ka vlerësuar rolin e prodhuesve vendorë, duke marrë si shembull fabrikën e ëmbëlsirave “LIRI”. Ai është zotuar për mbështetje të pakursyer për bizneset lokale dhe forcimin e ekonomisë prodhuese si themel i zhvillimit të qëndrueshëm të komunës.

    Në Deçan, kryetari aktual Bashkim Ramosaj, kandidat edhe për një mandat ka njoftuar për ndërtimin e urës dhe murit mbrojtës në fshatin Rastavicë, si projekt që synon mbrojtjen nga vërshimet dhe përmirësimin e qarkullimit.

    Në Suharekë, kryetari aktual Bali Muharremaj, kandidat edhe për një mandat ka ndarë pamjet nga ndërtimi I objektit të ri të zjarrfikësve, duke reflektuar angazhimin e tij për vazhdimin e investimeve në këtë sektor.

    Kurse Ardian Gjini në Gjakovë ka ndarë pamjet nga ndërtimi i Stadiumit të Qytetit, si dëshmi të investimeve konkrete në infrastrukturën sportive.

    Në Istog, kandidati Uke Blakaj ka premtuar ndërtimin e një teleferiku për të nxitur zhvillimin rajonal.

    Kurse në Pejë, kandidati Ali Berisha është zotuar për transformimin e qytetit në një hapësirë të pastër dhe të gjelbër.

  • Kandidatët e ALTERNATIVËS premtojnë turizëm të qëndrueshëm dhe inovacion në Prishtinë

    Kandidatët e ALTERNATIVËS premtojnë turizëm të qëndrueshëm dhe inovacion në Prishtinë

    Kandidati për kryetar të komunë së Prishtinës nga radhët e partisë “Alternativa”, Mërkur Beqiri, në një takim me ekipin e Innovation Centre Kosovo (ICK) ka prezantuar planin për krijimin e njësive të posaçme për inovacion brenda komunës.

    Ai zotohet se do të ketë mbështetjen institucionale për ekosistemin e start-up-eve dhe ndërmarrjeve të reja.

    Në Pejë, kandidati për kryetar komune, Reshat Nurboja, ka premtuar ndërtimin e Kampit Botëror të të Rinjve, në zonën malore mbi qytet. Sipas Nurbojës, komuna do të ndajë 5 milionë euro në vitin e parë për ndërtimin e këtij kampi.

    Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e teleferikut dhe përmirësimin e rrugëve lidhëse, me qëllim lehtësimin e qasjes në këtë zonë të veçantë.

    Ndërkohë, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ditën e enjte e kaloi në Prishtinë duke përkrahur kandidaten për asamble komunale Greta Kaçinari, të cilën e ka cilësuar si figurë të veçantë të dijes dhe përkushtimit në fushën e arsimit.

  • Kandidatët e PSD-së zotohen për komuna më të gjelbra dhe me banim të përballueshëm

    Kandidatët e PSD-së zotohen për komuna më të gjelbra dhe me banim të përballueshëm

    Kandidatja e Partisë Socialdemokrate për kryetare të Prishtinës, Besa Shahini gjatë një vizite në lagjen Taukbashqe ka diskutuar me banorët për mungesën e ndriçimit, gjendjen e rrugëve dhe hapësirat publike të lëna pas dore. Sipas saj, Prishtina ka potencial të jashtëzakonshëm, por kërkon kujdes të vazhdueshëm dhe planifikim të përgjegjshëm urban.

    Shahini që ka nisur një peticion për banim të lirë ka falenderuar qytetarët që u ndaluan për të nënshkruar dhe për t’u informuar mbi banesat e zbrazëta.

    Qëndron Kastrati, kandidat për kryetar të Kamenicës ka shprehur mirënjohjen për punëtorët shëndetësorë të komunës, veçanërisht për përkushtimin e tyre gjatë pandemisë, duke premtuar përkrahje dhe kushte më të mira për këtë sektor.

    Në një tjetër video – incizim të mërkurën, Kastrati ka prezantuar projektin për ndërtimin e një parku të madh në zemër të qytetit, me liqen dhe hapësira relaksuese, që synon të transformojë Kamenicën në një destinacion turistik.

  • Prioritetet e kandidatëve të NISMËS Social demokrate në garën lokale

    Prioritetet e kandidatëve të NISMËS Social demokrate në garën lokale

    Kandidatja e NISMËS Socialdemokrate për kryetare të Prizrenit, Albulena Balaj Halimaj, ka premtuar butona për semaforë pranë shkollave.

    “Semaforë me buton pranë shkollave – siguri maksimale për nxënësit”, shkroi ajo.

    Ajo publikoi edhe pamje nga tubimi përmbyllës i së mërkurës, ku për mysafir e pati kryetarin e partisë, Fatmir Limaj.

    Ndërkohë, Xhevahire Izmaku, e cila garon për komunën e Vushtrrisë, zhvilloi takime me miq, gjatë ditës.

    Ajo vizitoi edhe një biznes.

    “Faleminderit për mikpritjen dhe për modelin frymëzues të punës që promovon bashkëpunim, kreativitet dhe rritje”, tha ajo.

    Ndërkaq, Kandidati i NISMËS për Podujevëm, Xhemajl Hasani, shkroi për probleme lokale në llogarinë e tij, duke u ankuar për një gropë.

    “Trotuaret në Podujevë Rrezik për qytetarët. Para pak ditësh, një djalë ka rënë në këtë gropë në një nga trotuaret në qytet dhe është lënduar ka pasur nevojë për trajtim mjekësor. E gjitha kjo ka ndodhur në mes të qytetit, ku duhet të ndihemi më të sigurt si këmbësorë. Por, trotuaret tona janë plot me gropa, dhe shakta të hapura që rrezikojnë çdo kalimtar”, tha Hasani.

  • Kandidatët e LDK-së zotohen për çerdhe, sport dhe zhvillim ekonomik nëpër komuna

    Kandidatët e LDK-së zotohen për çerdhe, sport dhe zhvillim ekonomik nëpër komuna

    Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Përparim Rama, ka theksuar se mandati i tij i parë ka sjellë një vizion të ri në qeverisjen e kryeqytetit. Sipas tij, në vetëm katër vite janë realizuar mbi 1000 projekte që kanë transformuar rrënjësisht qytetin.

    Rama ka premtuar vazhdimin e investimeve në lagjen Dardania.

    Në Gjilan, kandidati Arbër Ismajli premton përmirësim të infrastrukturës në lagjet Rruga e Prishtinës dhe Fidanishtë, përfshirë ndërtim rrugësh, kanalizim dhe një çerdhe të re.

    Në Istog, kryetari aktual Ilir Ferati, që kërkon një mandat të ri, ka vënë theksin te mbështetja e bizneseve lokale dhe promovimi i produkteve “Made in Istog”.

    Në Podujevë, Ekrem Hyseni gjatë vizitës në klubin e futbollit “Llapi” ka premtuar investime në infrastrukturë sportive dhe mbështetje për shkollat e futbollit që veprojnë në komunë.

    Në Prizren, kandidati Driton Selmanaj ka prezantuar programin për infrastrukturën sportive, që përfshin ndërtimin e një salle të re me standarde ndërkombëtare, pishinë olimpike, fusha tenisi dhe një kopsht botanik.

    Në Suharekë, Ardian Shala ka publikuar platformën online për programin e tij, ku çdo qytetar mund të njihet me zotimet e bëra për secilin lokalitet dhe ta mbajë atë përgjegjës për realizimin e tyre.
    Në Ferizaj, kandidati Visar Azemi ka premtuar lehtësira për prodhuesit dhe ndërmarrësit si pjesë e një strategjie më të gjerë për zhvillimin ekonomik të qytetit.

    Kurse, në Vushtrri, kandidati Xhafer Tahiri ka premtuar vendosjen e ashensorëve në banesat e kuqe dhe në ato përballë Kalasë, si pjesë e përmirësimit të kushteve të jetesës në zonat urbane.

  • Kandidatët e PDK-së premtojnë arsim dhe zhvillim ekonomik

    Kandidatët e PDK-së premtojnë arsim dhe zhvillim ekonomik

    Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, është zotuar për arsim cilësor dhe siguri në shkolla.

    Ismaili ftoi qytetarët për pjesëmarrje në tubimin e planifikuar për të premten.

    Ndërsa, Arian Tahiri, i cili garon për Mitrovicën vizitoi një autoservis. Ai tha se “në servis nuk ka arsyetime, por vetëm zgjidhje. Kështu do të jetë edhe për qytetin tonë”.

    Banorëve të Vërrnicës, Tahiri u premtoi infrastrukturë e bujqësi më të zhvilluar si dhe kujdes ndaj të moshuarve.

    Bashkëpartiaku i tij, i cili pretendon edhe një mandat në krye të Prizrenit, Shaqir Totaj, përuroi një terren sportiv në lagjen e trimave.

    Ai ftoi prizrenasit të marrin pjesë në tubimin përmbyllës të fushatës të premten.

    Agim Aliu që synon edhe një mandat në krye të Ferizajt, takoi futbollistët e klubit sportiv të Ferizajt duke thënë se sukseset e tyre po e lartësojnë e po e bëjnë krenar sportin ferizajas.

    Ai po ashtu shkroi për mbështetjen që mori nga banorët e një lagjeje.

    Edon Cana, i cili kërkon të bëhet kryetar i Rahovecit, ndau përvojat e tij jetësore, me mbështetësit.

    Ndërkaq, kandidatit të Partisë për Skënderajn, Sami Lushtaku, i shkuan për vizitë deputetët e PDK-së.

    “Bashkimi, puna dhe energjia e këtij ekipi janë dëshmi se Skenderaj po ecën i bashkuar drejt fitores së thellë më 12 tetor”, shkroi ai.

  • Zotime për zhvillim infrastrukturor e turistik nga kandidatët e vetëvendosjes nëpër komuna

    Zotime për zhvillim infrastrukturor e turistik nga kandidatët e vetëvendosjes nëpër komuna

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku është zotuar për rinovim të infrastrukturës rurale, grante dhe lehtësira për familjet bujqësore si dhe për Itinerare turistike.
    Kurse për fushën e turizmit, Çeku ka premtuar investime në atraksionet kryesore të kryeqytetit, mbështetje për festivalet kulturore dhe gastronomike si dhe krijimin e një Qendre për Vizitorë

    Në Gjilan, kryetari aktual Alban Hyseni, që kërkon një mandat të dytë, është zotuar për zgjidhje moderne në infrastructure dhe jetën urbane, si dhe theksoi përkrahjen e qytetarëve si bazë për një mandat të ri.

    Në Dragash, kandidati Filiz Mustafa ka bërë publike zotimet për përmirësimin e infrastrukturës në fshatin Bellobrad, përfshirë edhe ndërtimin e amfiteatrit të premtuar prej vitesh.

    Në Fushë Kosovë, kandidati Valon Prebreza ka premtuar transformimin urbanistik të rrugës Dardania, nga një zonë me kaos infrastrukturor në një hapësirë funksionale për qytetarët.

    Në Rahovec, kandidati Ali Dula ka zhvilluar takime me gra dhe të rinj të komunës, duke u zotuar për mbështetje të fuqishme për përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe zhvillimin lokal.

    Në Podujevë, kryetari aktual Shpejtim Bulliqi ka njoftuar për vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e Parkut të parë Bujqësor në nivel vendi, një investim në vlerë prej rreth 1.4 milionë euro.
    Kurse në Prizren, kandidati Artan Abrashi ka theksuar dy prioritete kyçe: furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm dhe zgjerimin e impiantit të ujërave të zeza.

    Në Shtime, kryetari aktual Qemajl Aliu, kandidat edhe për një mandat ka premtuar vazhdimin e transformimit urban me ndërtimin e një sheshi të ri, parking nëntokësor dhe pedonale në qendër të qytetit.

    Në Malishevë, kandidati Valon Hoti ka bërë një zotim simbolik dhe me rëndësi kulturore: ndërtimin e Muzeut të Nexhmije Pagarushës. Ky muze do të shërbejë si qendër kulturore dhe turistike, duke nderuar figurën e artistes së njohur dhe duke promovuar trashëgiminë kulturore shqiptare.

  • Sekuestrohen tableta, telefona dhe medikamente në Morinë me vlerë mbi 500 mijë euro

    Sekuestrohen tableta, telefona dhe medikamente në Morinë me vlerë mbi 500 mijë euro

    Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Tarifa”, duke parandaluar një tentativë për kontrabandimin e mallrave të akcizës drejt Kosovës.

    Në njoftimin për media, Policia bën të ditur se gjatë operacionit janë sekuestruar mallra të ndryshme me një vlerë totale prej rreth 54.350.000 lekësh, si dhe dy automjete që u përdorën për transportimin e tyre.

    Po ashtu, janë arrestuar në flagrancë dy drejtuesit e mjeteve të përfshira në aktivitetin e paligjshëm.

    “Gjatë operacionit, në dalje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë kaluan në vijë të dytë për kontroll të detajuar automjetin furgon me drejtues shtetasin B. L., dhe automjetin tip ‘Volkswagen’, me drejtues shtetasin F. M.,” – thuhet në njoftimin e Policisë.

    Sipas të njëjtit burim, gjatë kontrollit të automjeteve janë zbuluar sasi të konsiderueshme mallrash të ndaluara për tregtim:

    Në automjetin “Volkswagen” me drejtues F. M. u gjetën 1006 kuti me medikamente mjekësore, disa arka me 41.000 tableta dhe 2.194 celularë.

    Në furgonin e drejtuar nga B. L. u gjetën 62 thasë me duhan, me peshë totale 930 kilogramë.

    Të gjitha mallrat, me vlerë totale prej 54.350.000 lekësh, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me dy automjetet.

    Hetimet po vijojnë për të zbuluar rrjetin e plotë të përfshirë në këtë rast kontrabande./ATVLIVE/

  • Enver Hoxhaj i nënshtrohet një operacioni urgjent

    Enver Hoxhaj i nënshtrohet një operacioni urgjent

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj është operuar pas një lëndimi në këmbë.

    Në një postim në rrjetet sociale, Enver Hoxhaj ka bërë të ditur se ditët e fundit kanë qenë një periudhë e vështirë për të dhe familjen e tij, por se tashmë po rikuperohet gradualisht.

    “Pas një lëndimi të rëndë në këmbë, për të cilin u desh të operohesha, ditët e fundit kanë qenë një periudhë jo e lehtë për mua dhe familjen time. Për fat të mirë, gjithçka shkoi mirë dhe po rikuperohem gradualisht”, ka shkruar Hoxhaj.

    Ai ka shprehur mirënjohje për kujdesin dhe mbështetjen që ka marrë nga qytetarët, miqtë dhe kolegët, duke falënderuar gjithashtu mjekët dhe stafin shëndetësor për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre.

    “Faleminderit nga zemra secilit prej jush për afërsinë dhe përkujdesjen që keni treguar”, ka përfunduar Hoxhaj.

  • Hapet aplikimi për mbështetjen e studentëve me nga 100 euro

    Hapet aplikimi për mbështetjen e studentëve me nga 100 euro

    Aplikimi për mbështetjen e studentëve tashmë është i hapur në eKosova, tek shërbimi Familja për shtesën e njëhershme 100 euro.

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se të drejtë aplikimi kanë studentët aktivë të të gjitha niveleve (Bachelor, Master, Doktoratë) që studiojnë në ndonjërin nga universitetet e akredituara në Kosovë, publike dhe private.

    “Sigurohuni që i plotësoni të gjitha fushat saktë dhe pa gabime. Nëse ka gabime, aplikimi refuzohet. Afati për aplikim është deri në fund të muajit tetor, kurse pagesat do të kryhet me grupe, sipas radhës së aplikimit”, shkruan Murati.

    Murati edhe për Bursën e Mobilitetit të Studentëve ka dhënë detaje.

    “Të drejtë aplikimi kanë studentët e nivelit Bachelor, shtetas të Kosovës, që studiojnë në ndonjërin nga universitetet e akredituara në Kosovë. Kusht për përfitimin e Bursës së Mobilitetit është që familja e studentit/studentes të ketë të ardhura vjetore bruto jo më shumë se 12,000 euro. Sigurohuni që i plotësoni të gjitha fushat saktë dhe pa gabime. Nëse ka gabime, aplikimi refuzohet”, shkruan ai.

    Dy ditë më parë qeveria në detyrë mori vendim që shuma e përgjithshme për përkrahjen e studentëve është raportuar të jetë 26 milionë euro.