ATV

Category: Lajme

  • Sllovakia tërheq veton, BE gati sanksionet ndaj Rusisë

    Sllovakia tërheq veton, BE gati sanksionet ndaj Rusisë

    Sllovakia ka vendosur të tërheqë veton e saj ndaj paketës së 19-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, duke zhbllokuar kështu procesin për miratimin e masave të reja kufizuese.

    Njoftohet se është nisur një procedurë me shkrim dhe, nëse nuk ngrihen kundërshtime, paketa do të miratohet zyrtarisht deri në orën 8:00 të mëngjesit të nesërme.

    Paketa e re synon të shënjestrojë burimet kryesore të të ardhurave të Kremlinit duke futur sanksione të reja në sektorët e energjisë, financave dhe tregtisë.

  • Tragjedi në Kanada: Shqiptarja 29-vjeçare vritet nga bashkëshorti

    Tragjedi në Kanada: Shqiptarja 29-vjeçare vritet nga bashkëshorti

    Një 29-vjeçare shqiptare është qëlluar për vdekje me armë nga bashkëshorti i saj, Anthony Deschepper, 38-vjeç.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Brampton, Kanada, kur burri i Savannah Kullës, nënë e 4 fëmijëve, e ka qëlluar atë në një parking, duke e lënë të vdekur në vend.

    Autori pas krimit ka marrë një prej fëmijëve të tyre dhe ka tentuar që të largohet nga vendi i ngjarjes me automjetin e tij, por është ekzekutuar nga policia, në tentativë për ta arrestuar.

    Ngjarja e rëndë ka tronditur komunitetin e Brampton, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur arsyet që çuan në këtë tragjedi.

  • Përfundon Samiti i Procesit të Berlinit në Londër

    Përfundon Samiti i Procesit të Berlinit në Londër

    Në Londër është përmbyllur Samiti i 12-të i Procesit të Berlinit, ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian diskutuan për sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe përshpejtimin e integrimit të rajonit në BE.
    Në qendër të diskutimeve, Kosova ngriti çështjen e sigurisë dhe përgjegjësisë së Serbisë pas sulmit terrorist në Banjskë, duke kërkuar që Beogradi të mos trajtohet me tolerancë politike.

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se përparimet demokratike në Kosovë po zhvillohen “nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm” nga Serbia, ndërsa kërkoi veprim të prerë ndërkombëtar ndaj atyre që cënojnë stabilitetin e rajonit.

    “Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, sepse kjo dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pa ndëshkuara,” tha Kurti.

    Ai rikujtoi sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës, dhe theksoi se organizatori i njohur i sulmit, Milan Radoiçiq, ende nuk është dorëzuar drejtësisë. Sipas Kurtit, heshtja ndaj këtij rasti “e inkurajon Beogradin të vazhdojë me provokime”.

    Në fjalën e tij, Kurti kërkoi një unitet më të fortë evropian, duke theksuar se Ballkani Perëndimor duhet të bëhet pjesë e plotë e strukturave të sigurisë dhe të BE-së.

    “Ballkani Perëndimor ndodhet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por gjysma e vendeve tona mbeten jashtë këtyre strukturave. Kjo krijon një boshllëk të rrezikshëm që e shfrytëzojnë ndikimet ruse dhe kineze,” tha ai, duke shtuar se Britania e Madhe mund të luajë rol kyç në përmbylljen e këtij boshllëku.

    Në Samit morën pjesë udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina – si dhe përfaqësues të BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
    Kosovën e përfaqësoi kryeministri Kurti, ndërsa Shqipërinë kryeministri Edi Rama, i cili ndau fotografinë familjare të liderëve me mbishkrimin “Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor, Londër 2025”.

    Kryeministri britanik Keir Starmer, nikoqir i takimit, e cilësoi Ballkanin Perëndimor si “pikën ku testohet siguria e Evropës” dhe kërkoi përkushtim të përbashkët në luftën kundër ndikimit rus dhe kontrabandës ndërkufitare.

    “Rajoni është përshkruar si udhëkryq i Evropës, por shpesh ka qenë vendi ku testohet siguria e kontinentit tonë,” tha Starmer në hapje të samitit.

    Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel, synon të forcojë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe t’i afrojë ato drejt Bashkimit Evropian.
    Nga gjashtë vendet e rajonit, vetëm Kosova mbetet ende pa statusin e vendit kandidat për BE, ndërsa institucionet evropiane kanë theksuar nevojën për zbatim të marrëveshjeve ekzistuese dhe forcim të bashkëpunimit rajonal.

    Në komunikatën përfundimtare të Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe u theksua se diskutimet u përqendruan në stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, me theks të veçantë në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe kontrabandës.

  • Kurti takon kryeministrin britanik Starmer pas Samitit në Londër, diskutojnë bashkëpunimin Kosovë–Britani

    Kurti takon kryeministrin britanik Starmer pas Samitit në Londër, diskutojnë bashkëpunimin Kosovë–Britani

    Pas takimit me Sekretaren e Shtetit për Punë të Jashtme, Yvette Cooper, dhe përfundimit të sesioneve të diskutimeve në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

    Gjatë takimit, Kurti shprehu vlerësimin për udhëheqjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe organizimin e Samitit të 12-të të Procesit të Berlinit, që këtë vit po mbahet në Londër për herë të dytë pas vitit 2018.

    Dy kryeministrat diskutuan mbi temat kryesore të Samitit — sigurinë, rritjen ekonomike dhe migracionin — ndërsa Kurti theksoi rëndësinë e rolit të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe paqes.

    Në takim u bisedua edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët si energjia, siguria dhe mbrojtja, infrastruktura dhe arsimi. Kurti veçoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, duke theksuar se Kosova po vazhdon investimet në këtë drejtim.

    Kryeministri Kurti falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për vendimin që Forcat e Armatosura britanike të vazhdojnë mbështetjen për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) edhe për të paktën tre vjet të tjera. Ai gjithashtu vlerësoi qëndrimin e Londrës në seancën e OKB-së, ku u bë thirrje për njohjen e Kosovës nga shtetet anëtare dhe për dorëzimin e terroristit Millan Radoiçiq nga Serbia, i cili mbetet i lirë pas sulmit terrorist në Banjskë, duke paraqitur rrezik për sigurinë në rajon.

  • Parashikimi i motit për të enjten, 23.10.2025

    Parashikimi i motit për të enjten, 23.10.2025

    Të enjten parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell në orët e mëngjesit, ku pritet të ketë edhe mjegull lokalisht nëpër lugina dhe ultësira.
    Gjatë ditës do të ketë intervale më të gjata me diell, ndërsa në orët e mbrëmjes shtim i vranësirave dhe më vonë reshje të pakta lokale shiu.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i jugut dhe jugperëndimit, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme në rajonin e Gjakovës, me shpejtësi prej 15-47 km/h.

    Temperaturat do të shënojnë ngritje, me minimale që do të lëvizin prej 8 deri në 10°C, ndërsa ato maksimale prej 18 deri në 22°C. /MeteoKosova

  • Vdes 51 vjeçarja nga Ferizaj, konsumoi preparate higjienike

    Vdes 51 vjeçarja nga Ferizaj, konsumoi preparate higjienike

    Një grua 51 vjeçare nga fshati Rakaj i Ferizajit ka ndërruar jetë në QKUK ku dhe po trajtohej, pasi që kishte konsumuar preparate higjienike.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajit Kanun Veseli ka konfirmuar për “Indeksonline” se viktima pasi kishte konsumuar preparate higjienike ishte dërguar për trajtim në Qendrën Emergjente në Ferizaj e më pas në QKUK ku dhe ka ndërruar jetë.

    Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Vetëvrasje”, ndërsa trupi i pajetë i është dorëzuar familjarëve për ceremoni mortore.

    “Me datën 22.10.2025, rreth orës 09:30 kemi pranuar një informatë se në fshatin Rakaj, një femër kishte konsumuar preparate higjienike. Menjëherë, hetuesit rajonalë dhe njësia e Forenzikës Rajonale kanë dalë në vendin e ngjarjes. Viktima fillimisht është dërguar në Qendrën Emergjente të Ferizajt dhe më pas është transportuar në QKUK – Prishtinë për trajtim të mëtejmë mjekësor. Rreth orës 12:45, nga QKUK jemi njoftuar se viktima (51 vjeçe) kishte ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “Vetëvrasje”, ndërsa trupi i pajetë i është dorëzuar familjarëve për ceremoni mortore.”, ka thënë Veseli.

  • Begraca e Kaçanikut pesë ditë në errësirë pas rrëzimit të shtyllave

    Begraca e Kaçanikut pesë ditë në errësirë pas rrëzimit të shtyllave

    Shtyllat e drurit në Begracë të Kaçanikut nuk i përballuan erërat fuqishme, andaj edhe u rrëzuan rreth pesë ditë më parë. Pothuajse kaq është edhe numri i ditëve që banorët e këtij fshati mbetën në errësirë.

    “Rrymë nuk kena pasë që nja 3 ditë ose 4 ditë, shpesh nalet, apet nalet edhe pse na kanë nreq, apet u nalë. Qiky bander me ra mundet me mbyt edhe njerëz, se lëre më që bëhën tjera dame, telat me bo me ra, me i shkel në vend e mbyt” deklaroi Musliu.

    Vetëm pak metra më tej, fqinji i tij, Ramush Luzha tregon se shtyllat e rrëzuar nga era, KEDS i ka ngritur përsëri, duke u vendosur përforcues anësorë nga druri.

    “Janë rrëzu, kanë ra krejt në tokë, çati kushëririt i ka rënë para shtëpisë, fati që s’ka qenë kërkush me i ra e me mbyt” shtoi Luzha.

    Krahas kësaj shtylle të vjetruar, KEDS ka vendosur edhe një tëbetonit, por telat e energjisë elektrike ende nuk janë lidhur në të.

    “Na kanë thanë po vina, po nuk erdhën mo hiç: tha ai.

    KEDS-së nuk ka treguar për ATV se kur do të përfundojnë punimet për funksionalizimin e shtyllave të betonit dhe as kur pritet të kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike në këtë fshatë.

     

     

  • Qytetari nxjerr në hapësirë publike gypin e kanalizimit, kundërmon lagjia

    Qytetari nxjerr në hapësirë publike gypin e kanalizimit, kundërmon lagjia

    Një banor i lagjes Ulpiana, në rrugën “Taulantina” në kryeqytet, kur vendosi ta rinovonte podrumin e banesës së tij, e nxorri në hapësirë publike gypin e kanalizimit.

    Me këtë veprim nuk po pajtohen komshinjtë, të cilët po kërkojnë largimin e tij, për shkak të kundërmimit.

    “Po, kemi erë, po shihet qysh është jashtë pamja edhe nuk është një banesë e jetueshme këtu, tha Brahimi”.

    “Ne jemi banorë këtu, realisht jetoj me qira, por na pengon era. Zakonisht vjen kur është nxehtë, por edhe kur fillon të ftohet kjo kohë. Madje, kur bie shi, vetëm kundërmon keq, tha Xani”.

    ATV-ja mëson se pronari i këtij podrumi nuk jeton në Kosovë, ndërkaq i njëjti është i mbyllur e punime nuk po bëhen.

    Kësisoj banorët po kërkojnë veprim instituciol për ta sanuar këtë problematikë.

    “Kemi bërë ankesa në komunë, kanë ardhur, por nuk kanë marrë asnjë masë. Po këna shumë probleme, por askush nuk po merret me to dhe nuk po dimë më se ku të ankohemi, tha Brahimi”.

    Por, Komuna e Prishtinës në një përgjigje për ATV-në thotë se kjo është përgjegjësi e Kompanisë Rajonale Ujësjellësi “Prishtina”.

    Ndërkaq nga kjo kompani deklarohen se infrastruktura e tyre nuk paraqet ndonjë defekt, dhe se përgjegjësia për këtë problem bie mbi vetë pronarin.

    Rrjeti ynë është në rregull, por këta kanë problem me horizontale që del në kolektorin tonë, e cila bie në përgjegjësi të vetë banorëve. Kjo gjendje ka qenë që më herët.”

    Me këtë problematikë banorët e kësaj zone po përballen tash e disa muaj.

  • “Kuleta dixhitale”, llogaritë e reja s’po hapen

    “Kuleta dixhitale”, llogaritë e reja s’po hapen

    Nga fillimi i tetorit aplikacioni “Kuleta Dixhitale” u lansua që kryeqytasit ta kishin më të lehtë udhëtimin me transportin urban.

    Mirëpo tash e disa ditë në të qytetarët nuk po arrijnë të regjistrohen.

    Për mosfunksionimin e këtij aplikacioni ankesa kanë veçanërisht studentët.

    Në Komunën e Prishtinës arsyetohen se për shkak të kërkesës së lartë për ta shkarkuar aplikacionin dhe për të hapur llogari në të, po shkaktohet kjo problematikë.

    “Për momentin është aplikacioni më i shkarkuar në Republikën e Kosovës. Kërkesat janë të mëdha, sidomos nga të rinjtë që kanë filluar ta shkarkojnë. Duhet të fusin të dhënat personale dhe dokumentet e nevojshme, përndryshe nuk është funksional, tha Bajqinovci”.

    E studentët të cilët nuk kanë arritur ta shkarkojnë “Kuletën Dixhitale” ose të hapin llogari në të, mund të udhëtojnë falas në të gjitha linjat e autobusëve në Prishtinë vetëm me kartelë studentore.

    Veç studentëve, nga 1 tetori nga pagesa janë liruar edhe kategoritë e stafit shëndetësor, arsimor, administrata komunale si dhe nxënësit.

  • Kurti në procesin e Berlinit: Sulmi terrosit në Banjskë s’mund të injorohet

    Kurti në procesin e Berlinit: Sulmi terrosit në Banjskë s’mund të injorohet

    Në kuadër të Samitit të 12 të Procesit të Berlinit, udhëheqësit e Ballkanit Perendimorë së bashku me krerët e disa shteteve të Bashkimit Evropian u mbledhën në kryeqytetin e Britanisë së Madhe në Londër.

    Kosova u përfaqësua nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
    Ai u mirëprit në samit nga sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

    Udhëheqësit biseduan për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit.

    Kryeministri në detyrë i Kosovës menjëherë pas përfundimit të samitit bëri publik fjalimin e tij.

    Kurti bëri thirrje që sulmi terrorist në Banjskë të mos injorohet.

    “Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara,” tha Kurti.

    Kryeministri në detyrë shtoi se gjatë 5 viteve të fundit Kosova ka bërë përparimin më të shpejtë në treguesit demokratikë, ekonomikë dhe të sigurisë.

    “Kemi pasur një mesatare prej 6% rritje ekonomike dhe asnjëherë më pak se 4%. Para tre muajsh, Banka Botërore dhe FMN e hoqën Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prekura nga konfliktet, duke njohur kështu qëndrueshmërinë, stabilitetin dhe qeverisjen e mirë që kemi ndërtuar,”shtoi kryeministri në dorëheqje.

    Në këtë samit merr pjesë për herë të parë edhe kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz.

    Një ditë para samitit, të martën, Mbreti britanik Charles III e organizoi një pritje për pjesëmarrësit.

    Procesi i Berlinit është nismë diplomatike e themeluar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.

    Deri më tani, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së janë takuar 11 herë: katër herë në Berlin dhe nga një herë në Londër, Vjenë, Paris, Trieste, Poznan, Sofje dhe Tiranë.

    Në linkun më poshtë mund të gjeni edicionin lajmeve qendrore të plotë!