ATV

Category: Lajme

  • Kurti takon sekretaren britanike: Partneriteti me Britaninë, kyç për mbrojtje nga lufta hibride e Rusisë

    Kurti takon sekretaren britanike: Partneriteti me Britaninë, kyç për mbrojtje nga lufta hibride e Rusisë

    Partneriteti i Kosovës me Britaninë e Madhe është kyç për mbrojtje nga lufta hibride e Rusisë, është thënë në një komunikatë për media nga Zyra e Kryeministrit, pas takimit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti me sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

    Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për temat kryesore të Samitit të Procesit të Berlinit, që do të mbahet gjatë ditës në Londër: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar.

    “Siguria e Kosovës është siguria e kufijve të saj. Partneriteti me Mbretërinë e Bashkuar është kyç për t’u mbrojtur nga lufta hibride e Rusisë dhe influenca e saj në Ballkanin Perëndimor, përfshirë këtu dezinformimin dhe financat e paligjshme,” tha kryeministri.

    Në fushën e mbrojtjes, Kurti theksoi se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Britaninë e Madhe. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e vendit për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë.

    Në komunikatë thuhet se Kurti ka deklaruar që Kosova është vendi më demokratik dhe me zhvillimin ekonomik më të shpejtë në rajon, duke marrë për bazë të dhënat e Gallup dhe Transparency International.

    Kryeministri ka përsëritur se prioritet i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

    “Kryeministri theksoi se përmes partneritetit me Britaninë e Madhe, mund të ecim drejt integrimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, por edhe angazhohemi për njohje të reja,” thuhet në komunikatë.

    Kurti ka përmendur edhe sulmin terrorist në Banjskë dhe lënien në liri të sulmuesve, pavarësisht se Milan Radoiçiq e ka pranuar fajin. “Lënia e tyre të lirë përbën kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës,” thuhet në njoftim.

    Ai ka theksuar se Kosova është shembull në mbrojtjen e të drejtave të pakicave, ndërsa ka përsëritur gatishmërinë e vendit për ta ndihmuar Britaninë e Madhe në çështjen e migrimit.

    “Së bashku po punojmë në forcimin e sigurisë kufitare, si dhe luftimin e krimit të organizuar,” thuhet në fund të komunikatës.

  • Begaj kërkon nga Vietnami njohjen e pavarësisë së Kosovës

    Begaj kërkon nga Vietnami njohjen e pavarësisë së Kosovës

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se do ta mirëprisnin një rishikim të qëndrimit të Vientamit lidhur me njohjen e Kosovës dhe mbështetjen e anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, duke nënvizuar se Kosova është një realitet i pakthyeshëm në Ballkanin Perëndimor.

    Ai kështu është shprehur gjatë pranimit të Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e Republikës Socialiste të Vietnamit në Republikën e Shqipërisë, Pham Thi Thu Huong.

    Begaj vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe tradicionale që ekzistojnë midis dy vendeve tona prej 75 vitesh, duke nënvizuar nevojën për intensifikimin e kontakteve politike, ekonomike dhe kulturore.

  • Parlamenti Evropian miratoi rezolutën më të ashpër ndonjëherë për pushtetin e Vuçiqit në Serbi

    Parlamenti Evropian miratoi rezolutën më të ashpër ndonjëherë për pushtetin e Vuçiqit në Serbi

    Parlamenti Evropian në Strasburg miratoi një rezolutë për Serbinë, që – sipas 31 pikave të raportit – është më e ashpra ndaj regjimit në Serbi.

    Autoritetet serbe u kërkohet të sqarojnë plotësisht rrethanat e rrëzimit të strehës së autobusëve në Novi Sad, të vendosin sanksione ndaj përgjegjësve dhe të japin mbështetje të plotë për studentët.

    Kampi në Parkun “Pionirski” u etiketua si i paligjshëm, ndërsa u shpreh shqetësim për përfshirjen e personave me të kaluar kriminale në organizimin e antiprotesteve nga partia në pushtet.

    Për rezolutën votuan 457 eurodeputetë, 103 ishin kundër, raporton nova.rs.

    Deputetët e Parlamentit Evropian votuan për tekstin e harmonizuar që trajton polarizimin dhe shtimin e represionit në Serbi, një vit pas rrëzimit të strehës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.

    Parlamenti Evropian i bën thirrje autoriteteve serbe që të zbatojnë urgjentisht dhe në mënyrë të plotë të gjitha rekomandimet e OSBE dhe ODIHR për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi.

    Gjatë debatit, eurokomisarja për zgjerim, Marta Kos theksoi se është e pavërtetë që me vendimin e Këshillit të BE-së do të pengohet transferimi i gazit për Serbinë.

    Sipas saj, “BE mbështet Serbinë që të diversifikojë të gjitha burimet e furnizimit dhe të integrohet në rrjetet energjetike të BE-së”.

  • Britania e zgjat misionin në KFOR edhe për tre vjet

    Britania e zgjat misionin në KFOR edhe për tre vjet

    Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të vazhdojë të mbështesë misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, edhe për të paktën tre vitet e ardhshme.

    Sipas faqes zyrtare të qeverisë britanike, vendi ka qenë një kontribues kyç i KFOR-it që nga viti 1999 dhe fokusi kryesor është një forcë rezervë prej qindra ushtarësh britanikë që mund të vendosen në Kosovë me njoftim të shkurtër, në rast nevoje. Vendosja më e fundit e madhe ishte në vitin 2023 pas sulmeve kundër policisë në veri të Kosovës.

    Zgjatja e mbështetjes deri në dhjetor 2028 përmbush strategjinë “NATO e para” dhe synon të rrisë sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Njoftimi vjen ndërsa kryeministri britanik Keir Starmer pret sot Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Londër për të diskutuar bashkëpunimin rajonal dhe menaxhimin e migracionit të parregullt.

    Ministri i Forcave të Armatosura, Al Carns, theksoi se qindra misione të kryera gjatë dekadave në mbështetje të KFOR-it kanë kontribuar në stabilitetin e rajonit, ndërsa trajnime të reja për vendet e Ballkanit Perëndimor do të fillojnë vitin e ardhshëm për të ndihmuar në ndërtimin e mirëkuptimit mbi mbrojtjen e jetës së civilëve dhe rolin e grave në siguri.

    KFOR-i, i mbështetur nga më shumë se 30 vende, u krijua pas fushatës ajrore të NATO-s në vitin 1999 për të parandaluar një katastrofë humanitare në Kosovë. Mbretëria e Bashkuar mbetet një aleat kryesor dhe partner i rëndësishëm i Kosovës, e cila u njoh si shtet i pavarur nga Britania në vitin 2008.

  • Një tjetër varr masiv zbulohet në Siri, shumica e viktimave gra dhe fëmijë

    Një tjetër varr masiv zbulohet në Siri, shumica e viktimave gra dhe fëmijë

    Ekipet e mbrojtjes civile siriane nxorën të martën mbetjet e 20 personave nga një varr masiv në lindje të qytetit të Doumës, në periferi të Damaskut.

    Shumica e mbetjeve duket se janë ato të fëmijëve dhe grave, raportoi rrjeti shtetëror, duke shtuar se hetuesit nuk ishin në gjendje të identifikonin viktimat.

    Ekipet e mbrojtjes civile nuk gjetën rroba te viktimat, duke sugjeruar se ato u vranë lakuriq, raportoi Anadolu.

    Që nga përmbysja e regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor 2024, në Siri janë zbuluar varre të shumta masive, më i madhi prej të cilave ishte pranë Damaskut. Një raport i Reuters kishte raportuar se 60,000 deri në 80,000 trupa të viktimave të tij u zhvendosën në një vend sekret nga varret masive përreth Damaskut nën sundimin e Assadit.

  • Në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, Britanisë i rekomandohet të marrë lidership në Ballkan

    Në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, Britanisë i rekomandohet të marrë lidership në Ballkan

    Dyfishimi i përpjekjeve diplomatike për njohjen e Kosovës nga shtetet e Bashkimit Evropian, është një prej tri rekomandimeve të nxjerra për Britaninë e Madhe nga një raport i think-tankut “New Diplomacy Project” me disa autorë, me në krye ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, George Robertson, për “Rivendosjen e lidershipit britanik në Ballkanin Perëndimor”.

    Në prag të organizimit të samitit të Procesit të Berlinit në Londër, raporti nxjerr rekomandime se si duhet të veprojnë Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja për ta stabilizuar rajonin.

    Sipas raportit, të realizuar nga një grup autorësh, me në krye ish-sekretarin e NATO-s, George Robertson, rekomandim i parë është që Britania e Madhe të marrë një rol udhëheqës për Ballkanin Perëndimor. Raporti thekson se Britania duhet të udhëheqë krijimin e Forcës së Përbashkët për Ballkanin, të propozuar së fundmi, e që do të kishte si vende kryesore të vendosjes Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Në rastin e Kosovës, kjo forcë, sipas raportit duhet të shërbejë si përkrahëse e KFOR-it. Me udhëheqjen britanike në Ballkan duhet të ketë edhe rritje të investimeve, sipas raportit.

    Pikë e dytë është vlerësuar avokimi i domosdoshëm i Britanisë për zgjerimin e NATO-s. Aty është theksuar se Britania duhet të avokojë për zgjerim të NATO-s në Ballkan, duke përfshirë Kosovën e Bosnjë-Hercegovinën. Në këtë rast si pengesë për Kosovën janë shtetet mosnjohëse. E raporti thekson nevojën që Britania të rrisë përpjekjet diplomatike dhe të punojë si pjesë e QUINT-it (krahas Gjermanisë, Francës, Italisë dhe SHBA-së) për njohjen e Kosovës, duke marrë për bazë se Spanja, Sllovakia dhe Rumania e njohin shtetin e Palestinës. Po ashtu në këtë aspekt është përmendur edhe një marrëveshje bilaterale e sigurisë mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, si sinjal për të bërë presion për pranimin e dy shteteve në NATO.

    “Britania duhet të veprojë si ndërmjetëse e ndershme në rajon”, është pika e tretë e këshillave në raport. Në këtë pjesë thuhet se Britania duhet të ndërhyjë dhe të ndikojë në zgjidhjen e “dialogut në prag të vdekjes”, Kosovë-Serbi. Aty është theksuar se Britania duhet të bëjë presion agresiv për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe të dyfishojë përpjekjet diplomatike për njohjen nga pesë shtetet e BE-së që refuzojnë njohjen e Kosovës.

    Sfidat kryesore për Ballkanin janë vlerësuar ndikimi rus. Aty është thënë se sa i përket Kosovës, Serbia dhe Rusia kanë bashkëpunuar për të nxitur krizën më të madhe të sigurisë në Evropë jashtë luftës në Ukrainë. Në këtë rast është përmendur sulmi terrorist në Banjskë nga ekstremistë të lidhur me qeverinë e Aleksandar Vuçiqit. Raporti thekson se që nga ajo kohë, Qeveria e Kosovës ka investuar në armatim si përgjigje për kërcënimet. Pavarësisht kësaj, raporti thekson se ka dallim të madh në kapacitetet ushtarake të Kosovën me Serbinë. “Teksa trupat e udhëhequra nga NATO, KFOR-i, ofrojnë shtresë shtesë parandalimi, ekziston paqartësi strategjike sa i përket mënyrës se si misioni do të reagonte ndaj një pushtimi të mundshëm territorial të Mitrovicës së Veriut nga Serbia, e mbështetur nga Rusia. Kjo ndodh sepse vetë Kosova nuk është shtet anëtar i NATO-s dhe, rrjedhimisht, nuk mbrohet nga neni V i Aleancës. Për më tepër, forca paqeruajtëse e KFOR-it nuk ofron mekanizëm parandalues ndaj aktiviteteve nën pragun ushtarak, siç është ndërhyrja zgjedhore nga Serbia përmes mbështetjes aktive që i jep partisë serbe në Kosovë të përkrahur nga Beogradi, Lista Serbe”, thuhet në raport.

    Si sfida në Ballkan janë përmendur edhe ndikimi i Kinës, migrimi ilegal dhe krimi i organizuar dhe humbja e besimit në Evropë.

    Gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor do të takohen të mërkurën në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, që këtë vit mbahet në Londër.

    Në samitin e 12-të me radhë që nga 2014-a pritet që të diskutohet për paqen dhe stabilitetin në rajon, për luftën kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin ekonomik e ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore./Koha

  • Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Londër për Procesin e Berlinit

    Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Londër për Procesin e Berlinit

    Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen sot në Londër për të marrë pjesë në Procesin e Berlinit, së bashku edhe me udhëheqës të disa vendeve të Bashkimit Evropian, për të biseduar për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit.

    Procesi i Berlinit është nismë diplomatike e themeluar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.

    Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, do t’i mirëpresë udhëheqësit nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, dhe Maqedonia e Veriut, si dhe përfaqësues nga Gjermania, Franca dhe anëtarë të tjerë të BE-së.

    osovën e përfaqëson kryeministri në detyrë, Albin Kurti, Shqipërinë kryeministri Edi Rama, Serbinë, kryeministri Gjuro Macut, Malin e Zi kryeministri Millojko Spajiq, Maqedoninë e Veriut kryeministri Hristijan Mickoski, ndërsa Bosnjën kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto.

    Në këtë samit do të marrë pjesë edhe kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz.

    Një ditë para samitit, të martën, Mbreti britanik Charles III e organizoi një pritje për pjesëmarrësit.

    Ministria e Jashtme e Britanisë tha në një komunikatë se udhëheqësit do të bisedojnë për stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, ku lufta kundër migracionit të paligjshëm, veçanërisht në rrugët kryesore të kontrabandës, do të theksohet si temë kyç.

    Britania pret që samiti ta forcojë bashkëpunimin e saj me partnerët evropianë për të zbatuar strategjinë e Qeverisë për t’i forcuar kufijtë, për t’i goditur bandat dhe për t’i kthyer ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vendet e tyre të origjinës.

    Gjithashtu, ajo theksoi se Mbretëria e Bashkuar po kërkon të rindërtojë marrëdhënien e saj me BE-në.

    Deri më tani, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së janë takuar 11 herë: katër herë në Berlin dhe nga një herë në Londër, Vjenë, Paris, Trieste, Poznan, Sofje dhe Tiranë.

  • Të shtëna, zjarr dhe arrestime para Kuvendit të Serbisë në Beograd

    Të shtëna, zjarr dhe arrestime para Kuvendit të Serbisë në Beograd

    Pak pas orës 10:00 të mëngjesit, në të ashtuquajturin “Çacilend”, përpara Kuvendit të Serbisë, shpërtheu zjarr që përfshiu disa tenda. Në pamjet që u publikuan në rrjete sociale dëgjoheshin edhe të shtëna me armë. Një person mbeti i plagosur dhe një tjetër u arrestua.

    Presidenti Aleksandar Vuçiq më vonë bëri publik emrin e sulmuesit, duke thënë se bëhet fjalë për një pensionist 70-vjeçar, ish-punonjës i Shërbimit të Sigurisë (DB). Gjatë konferencës së tij u transmetuan edhe pamje nga marrja në pyetje e të arrestuarit nga policia.

    Zjarrfikësit ndërhynë shpejt dhe zjarri u vu nën kontroll. Ministri i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar, deklaroi se personi i plagosur – banor i “Çacilendit” – është në gjendje kritike për jetën dhe pritet t’i nënshtrohet një operacioni urgjent.

    Një numër i madh forcash policore ndodhen ende përreth kampit të tendave dhe ndërtesës së Kuvendit të Serbisë. Ndërkohë, seanca e Kuvendit është zhvilluar pa ndërprerje dhe ka përfunduar rreth orës 12:00.

  • Helmohen disa nxënës në Vitomiricë të Pejës, Policia dhe Prokuroria nisin hetimet

    Helmohen disa nxënës në Vitomiricë të Pejës, Policia dhe Prokuroria nisin hetimet

    Disa nxënës të shkollës së mesme “7 shtatori” në fshatin Vitomiricë në Pejë dyshohet se janë helmuar.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka thënë se rasti dyshohet të ketë ndodhur pasditen e së martës.

    “Policia e ka marrë dje informatën. Disa nxënës dje masdite kanë kërkuar ndihmë në QMF në Vitomiricë, pasi dyshohet se kanë ngrënë në afërsi të një furre pranë shkollës. Nxënësit kanë pasur dhimbje barku. Kemi kontaktuar me Drejtorin dhe ai ka lajmëruar DKA-në. Është lajmëruar edhe Prokurori dhe ka caktuar hetuesit që ta hetojnë rastin”, tha Gashi.
    Ekipi i ATV-së është në terren dhe do të sjellë informata të përditësuara në edicionet e lajmeve.

  • Anulohen seancat e javës së ardhshme në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Anulohen seancat e javës së ardhshme në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës janë anuluar seancat e planifikuara për javën e ardhshme në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Sipas njoftimit të “Betimi për Drejtësi”, seancat e datave 27, 28, 29 dhe 30 tetor 2025 nuk do të zhvillohen, ndërsa gjykimi do të vazhdojë më 3 nëntor. Ndërkohë, janë shtuar seanca shtesë për periudhën 17 nëntor – 11 dhjetor 2025.

    Nga ana tjetër, mbrojtja e Hashim Thaçit, përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, ka njoftuar se nuk do të mbështetet në dëshminë e tre dëshmitarëve të saj – 1DW-002, 1DW-010 dhe W04174. Po ashtu, është bërë e ditur se autorizimi për dëshmitarin 1DW-007 është vonuar për shkak të mbylljes së përkohshme të Qeverisë së SHBA-së, por pritet që ky dëshmitar të jetë i fundit që do të paraqitet nga mbrojtja.

    Procesi i mbrojtjes ka nisur më 15 shtator 2025 me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin, e më pas kanë dëshmuar edhe Paul Williams, John Stewart Duncan dhe James Peter Covey.

    Më 14 shtator u mbajt një protestë e madhe në Hagë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.

    Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklaratat e viktimave pritet të dorëzohen deri më 22 dhjetor.

    Në prill të këtij viti, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave të saj, ndërsa aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, e konfirmuar më 26 tetor 2020, ngarkon ish-krerët e UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në disa lokacione në Kosovë.