ATV

Category: Lajme

  • Refuzohet kërkesa e minatorëve për pagesën e trustit pensional

    Refuzohet kërkesa e minatorëve për pagesën e trustit pensional

    Gjykata Themelore në Mitrovicë ka filluar të shqyrtojë lëndët e minatorëve lidhur me mos-pagesën e trustit pensional, por ka refuzuar kërkesat e tyre, duke argumentuar se ata nuk kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje gjyqësore për këto pagesa.

    Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës në reagimin e tyre kanë pohuar se kanë shpresuar se kjo çështje do të zgjidhet në favorin e tyre.

    “Por nga informatat zyrtare që kemi gjykata është duke i refuzuar kërkesat tona, me arsyetimin se ne nuk kemi të drejt me kërku mbrojtje gjyqësore për realizimin e kërkesave tona për pagesën e kontributit pensional nga punëdhënësi !Shumat që ndërmarrja i ka borxh minatorëve tashmë kanë kaluar në miliona euro. Përveç mungesës së kontributeve, jemi dëmtuar edhe nga humbja e fitimeve vjetore që Trusti do t’i kishte realizuar përmes investimeve ndërkombëtare. Është për të ardhur keq që statusi i minatorit në Kosovë mbetet i rëndë”, thuhet në reagim.

    Reagimi i plotë:

    “Ju njoftojmë se lëndët e iniciuara në Gjykatën Themelore – Dega në Mitrovicë, lidhur me mos-pagesën e trustit pensional nga ndërmarrja jonë, tashmë kanë filluar të shqyrtohen. Kemi pasur shpresë se këto çështje do të zgjidheshin në favorin tonë, meqë e drejta është në anën e punëtorëve që tash e gjashtë vite janë dëmtuar nga mos-pagesa e trustit.

    Por nga informatat zyrtare që kemi gjykata është duke i refuzuar kërkesat tona, me arsyetimin se ne nuk kemi të drejt me kërku mbrojtje gjyqesore për realizimin e kërkesave tona për pagesen e kontributit pensional nga punëdhënësi!Shumat që ndërmarrja i ka borxh minatorëve tashmë kanë kaluar në miliona euro.

    Përveç mungesës së kontributeve, jemi dëmtuar edhe nga humbja e fitimeve vjetore që Trusti do t’i kishte realizuar përmes investimeve ndërkombëtare.

    Është për të ardhur keq që statusi i minatorit në Kosovë mbetet i rëndë. Pas dekadash pune të vështira dhe profesioneve me rrezik të lartë, shumë prej jush përballeni me pensione minimale, ndërsa edhe mjetet që u takojnë nga trusti ju mungojnë, duke e vështirësuar edhe më shumë jetesën.

    Ne vazhdojmë të kemi besim në drejtësi, por në këtë rast, mendojmë se gjykata nuk i ka vlerësuar mjaftueshëm dëmet e shkaktuara minatorëve.

    Vendimet e deritanishme kanë përcaktuar se është detyrë e ATK-së të detyrojë ndërmarrjet për këto pagesa, por tash e gjashtë vite ATK nuk ka ndërmarrë asnjë veprim serioz ndaj Trepçës sh.a., e cila vazhdon të mos i përmbushë obligimet e saj.

    Për njoftimin tuaj të nderuar minator, ndërmarrja për të cilën ne derdhim djers e mund, jo vetëm që është duke i kundërshtuar kërkesat tona në gjykatë për pagesën e kontributeve pensionale, por edhe është duke kërkuar nga gjykata që e njëjta të na obligoj neve si palë në procedurë që ti paguajmë të gjitha shpenzimet gjyqësore!!!I bëjmë thirrje menaxhmentit të Trepça sh.a. që menjëherë nga ky muaj të fillojë pagesën mujore të trustit pensional dhe urgjentisht të hapë dialog me Sindikatën dhe përfaqësuesit e minatorëve për një marrëveshje të drejtë dhe të qëndrueshme.

    Ndërsa nga gjykata kërkojmë mbrojtje ligjore dhe njëherit të na e lejoj të drejtën tonë për qasje në gjykatë, si e drejt bazike për shqyrtimin e kërkesave tona në rrugë gjyqësore!

    Në të kundërtën, Sindikata e Minatorëve do të ndërmarrë hapat e nevojshëm sindikal për mbrojtjen e të drejtave tuaja”.

  • Gjatë rigjykimit, dy ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës u shpallën të pafajshëm për akuzat e korrupsionit

    Gjatë rigjykimit, dy ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës u shpallën të pafajshëm për akuzat e korrupsionit

    Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykim ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri, lidhur me akuzën për korrupsion.

    Akgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Gjykatësja Dermaku tha se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Keqpërdormi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    E dëmtuara- Ministria e Infrastrukturës për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzua në kontest civil.

    Shpenzimet e procedurës bien në barrë të gjykatës. Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda afatit ligjor.

    Ndryshe, të akuzuarit nuk ishin të pranishëm në shpallje të aktgjykimit.

    Fillimisht, dy të akuzuarit, më 6 gusht 2021 nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishin dënuar me nga 3 vjet burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

    Mirëpo, pas ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve dhe sipas detyrës zyrtare, Gjykata e Apelit, aktgjykimin e shkallës së parë e ka anuluar dhe çështjen ia ka kthyer të njëjtës në rigjykim dhe rivendosje.

    Më pas, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 tetor 2022 kishte shpallur aktgjykim dënues, ku ndaj Bekteshit ishte shqiptuar dënim prej 2 vjetësh burgim, kurse ndaj Tahirit 3 vjet burgim, për veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Por, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim që Tahiri të dënohet me dy vjet burgim, kurse Xhelilit ia ishte vërtetuar dënimi me dy vjet burgim. Ndaj këtij vendimi, mbrojtja e të akuzuarve ka ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme. E më pas, kjo e fundit vendosi që rasti ndaj dy të akuzuarve të kthehet në rigjykim.

    Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “falsifikim i dokumentit”.

    Në këtë rast, Naim Sallahu kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që ky dënim i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore e Prishtinës ngarkonte Xhelil Bekteshin se në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ndërsa njëjtë akuzohej se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit në divizionin e prokurimit në këtë ministri.

    Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Bekteshi, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

    Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i rrugës nacionale N-9” segmenti Gjurgjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin më 23 maj 2016 në vend të datës reale 26 qershor 2016.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991 mijë e 418 euro e 19 centë, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

    I pandehuri Tahiri akuzohej se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në Divizionin e prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që ajo ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

    Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqesë kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të lartë.

    Ndërsa, i pandehuri Naim Sallahu, si pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ngarkohej me veprën penale “Falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

    Sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Sallahu e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtetë. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë.

    Ndryshe, Tahiri është i akuzuar edhe në rastin e njohur si “53-milionëshi”, meqë rast është dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, gjithashtu për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

  • Vrasja e Pëllumb Metës, burgim të përjetshëm djalit – dënohen dhe anëtarët e familjes

    Vrasja e Pëllumb Metës, burgim të përjetshëm djalit – dënohen dhe anëtarët e familjes

    Gjykata e Durrësit ka dënuar me burgim të përjetshëm Hysen Metën, i shpallur fajtor për vrasjen e babait të tij, Pëllumb Metës, në një ngjarje që ndodhi më 10 shkurt 2024 në Shënavlash.

    Sipas hetimeve, Hysen Meta qëlloi me armë zjarri për vdekje babain e tij pas një konflikti familjar dhe më pas, me ndihmën e të afërmve, fshehu kufomën në një stallë pranë banesës.

    Në të njëjtën çështje, Gjykata ka dënuar edhe: Hygerta Metën me 8 vite burg, e shpallur e pafajshme për vrasje, por fajtorë për ndihmë pas krimit; Amarildo Metën me 5 vite burg si dhe Blerina Metën, nënën e tyre, me 3 vite burg.

    Mbrojtja kërkoi lehtësim të dënimeve dhe ndryshim të kualifikimit ligjor, por gjykata i rrëzoi këto kërkesa, duke konfirmuar vrasjen si “vrasje të qëllimshme për shkak të marrëdhënieve familjare”. /Euronews/

  • Trupat e KFOR-it po zhvillojnë operacione në pjesën veriore të Kosovës

    Trupat e KFOR-it po zhvillojnë operacione në pjesën veriore të Kosovës

    Ushtarë Amerikanë, Letonezë, Polakë, Turq dhe Gjermanë nga batalioni manovrues Komanda Rajonale-Lindje i misionit të KFOR-it, kanë kryer misione të futjes ajrore mbi veriun e Kosovës.

    Të kryera si ditën ashtu edhe natën me njësitë e aviacionit, KFOR-i thotë se këto aktivitete lejojnë patrullat të arrijnë në zonat kyçe përgjatë kufirit duke forcuar ndërveprimin, koordinimin dhe gatishmërinë operacionale ndërmjet forcave të misionit në rajon.

    “Aktivitete të tilla janë thelbësore për ruajtjen e kohezionit dhe gatishmërisë së njësive, ndërsa sigurojnë efektivitetin e vazhdueshëm të KFOR-it në mbështetjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit në mbarë Kosovën”, thuhet tutje në njoftim.

  • Osmani priti delegacionin britanez të iniciativës për parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës

    Osmani priti delegacionin britanez të iniciativës për parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës

    Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, priti në Prishtinë delegacionin e Bordit Këshillues të Qeverisë britaneze për Iniciativën e Parandalimit të Dhunës Seksuale gjatë Luftës.

    Sipas njoftimit të Presidencës në Facebook, delegacioni përfshinte të mbijetuar nga vende të ndryshme të botës, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe historitë e guximit.

    ‘Storjet mbi dhimbjen, gjetjen e forcës për ta tejkaluar atë dhe sukseset e të mbijetuarve të pranishëm, po aq sa na frymëzuan, krijuan diskutime dhe shkëmbim të ideve të reja për bashkëpunim.

    Zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale është jetik për dizajnim të politikave të qëndrueshme dhe efektive, në mënyrë që të sigurojmë mirëqenie të plotë për të gjithë dhe hapa konkret drejt realizimit të drejtësisë”, shkroi Presidenca.

  • Aktakuzë ndaj shtetasit turk në Prizren – Prokuroria jep detaje të rastit

    Aktakuzë ndaj shtetasit turk në Prizren – Prokuroria jep detaje të rastit

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.G., (shtetas turk), për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ai ka kryer veprën penale: “Vrasje e rëndë” nga neni 173 par.1 nënpar. 1.3 e lidhur me pikën 1.11, sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    Sipas aktakuzës, më 06 maj 2025, rreth orës 05:30 të mëngjesit, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, në banesën ku i pandehuri jetonte bashkë me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, me dashje e privon nga jeta anëtarin e familjes, përkatësisht vajzën e tij, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit, menjëherë pas kryerjes së ritualit të faljes së namazit, i pandehuri me dashje ka marrë një thikë kuzhine me gjatësi të tehut rreth 23 centimetra, të cilën familja e përdorte për prerjen e mishit dhe niset në drejtim të sallonit të banesës, ku ishin duke fjetur vajzat e tij, viktima SH.G., dhe e dëmtuara A.R.

    I pandehuri, duke shfrytëzuar momentin kur vajzat ishin në gjumë, afrohet pranë shtratit dhe e sulmon me thikë viktimën Sh.G., duke e prerë në qafë.

    Në momentin kur viktima SH.G., fillon të bërtasë zgjohet nga gjumi e dëmtuara -vajza tjetër A.G., e cila tenton ta pengojë të pandehurin në veprimet e tij. I pandehuri më pas e godet edhe atë me të njëjtën thikë, duke i shkaktuar plagë prerëse dhe shpuese në të dy anët e qafës. Nga klithmat e vajzave zgjohet edhe bashkëshortja e tij, R.G., e cila hynë në sallon dhe tenton ta ndalojë të pandehurin, gjatë së cilës pëson lëndime në fytyrë dhe në dorën e majtë.

    Pas një përleshjeje të shkurtër, e dëmtuara R.G., ka arrinë ta shtyjë të pandehurin në dhomën e gjumit, ku e mbyll dhe bllokon derën me orendi, duke siguruar kështu mundësinë për të telefonuar për ndihmë.

    Ndërkaq, si pasojë e plagëve të marra, viktima SH.G., ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

    Me këto veprime, i pandehuri M.G., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

  • Seanca për rastin e drogës në Lipjan është shtyrë për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

    Seanca për rastin e drogës në Lipjan është shtyrë për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

    Ndonëse ishte paraparë të fillonte në orën 09:30, megjithatë seanca për 400 kg kokainë është shtyrë për në ora 13:15.

    Kjo për shkak të ndërprerjes së herë pas hershme të energjisë elektrike që ndodhi në Pallatin e Drejtësisë.

    Në këtë rast, të akuzuar janë Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyçi. Prokuroria i akuzon ata se përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importin e produkteve të mishit të pulës së ngrirë, por në këto produkte ishin vendosur substanca narkotike.

    Në këtë seancë pritet të japë dëshminë e tij Izet Sheqiri, pronar i kompanisë “MC FOOD”.

    Pesë të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale që u vihen në barrë nga Prokuroria, ndërsa Izet Sheqiri kishte deklaruar se ndihet fajtor vetëm për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”.

     

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit në bashkëpunim me persona nga Brazili, përmes kompanisë “MC FOOD”, kanë lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importimin e produkteve të pulës së ngrirë, në brendi të të cilave ishte vendosur substancë narkotike të llojit kokainë.

    Kjo sasi prej 400 kilogramësh kokainë ishte gjetur më 17 maj 2021.

  • Mbarëvajtja e zgjedhjeve shihet në BE si mundësi për heqjen e masave

    Mbarëvajtja e zgjedhjeve shihet në BE si mundësi për heqjen e masave

    Mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë shihet në Bashkimin Evropian si një hap i mirë drejt mundësisë së heqjes së masave të vendosura që nga viti 2023.

    Duke iu referuar vizitës së fundit të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Kosovë, një zëdhënës i BE-së ka theksuar se ajo është inkurajuar nga raundi i parë paqësor, konkurrues dhe gjithëpërfshirës i zgjedhjeve lokale, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve.

    “Ky ishte një sinjal i rëndësishëm i deeskalimit në veri, që do të merret në konsideratë në kontekstin e heqjes së mëtejshme të masave,” ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së në një përgjigje me shkrim për RTK-në.

    Javën e kaluar, gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë, von der Leyen pati – siç thuhet – diskutime konstruktive si me Presidenten Vjosa Osmani, ashtu edhe me Kryeministrin Albin Kurti.

    Sipas të njëjtit burim, Bashkimi Evropian pret që edhe raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të zhvillohet në të njëjtën mënyrë, si dhe një tranzicion të rregullt të qeverisjes lokale.

  • Elezi: Në balotazh të drejtë vote jashtë Kosovës do ta kenë vetëm votuesit që janë regjistruar për rundin e parë

    Elezi: Në balotazh të drejtë vote jashtë Kosovës do ta kenë vetëm votuesit që janë regjistruar për rundin e parë

    Për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të Komunave, i cili pritet të mbahet më 9 nëntor, nuk do të ketë një proces të ri të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës. Votimi përmes postës do të organizohet vetëm për ata shtetas që janë regjistruar nga 23 korriku deri më 29 gusht.

    Sipas të dhënave jopërfundimtare, rundi i dytë do të zhvillohet në 18 komuna, ndërsa numri i votuesve jashtë Kosovës të këtyre komunave është 29,712.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se votuesit e regjistruar tashmë do të marrin përmes postës pakon me fletëvotim. Detyrë e tyre është të dërgojnë fletëvotimin në kutitë postare të vendosura në 22 shtete, përfshirë Australi, Gjermani, SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Kanada, Shqipëri e Kosovë.

    Numri i votuesve jashtë Kosovës për komunat e rundit të dytë është si më poshtë: Gjakovë (3,150), Gjilan (2,066), Dragash (2,776), Kaçanik (1,149), Klinë (2,229), Fushë Kosovë (490), Mitrovicë e Jugut (1,186), Obiliq (221), Rahovec (1,902), Pejë (1,897), Prishtinë (1,715), Prizren (2,866), Suharekë (3,325), Viti (1,980), Vushtrri (1,020), Junik (1,344), Mamushë (357) dhe Kllokot (39).

  • Dënohet me 1 vit e 4 muaj burgim mësuesi që akuzohej se ngacmoi nxënëset në Vushtrri

    Dënohet me 1 vit e 4 muaj burgim mësuesi që akuzohej se ngacmoi nxënëset në Vushtrri

    Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, të martën ka shpallur aktgjykimin ndaj ish mësimdhënësit Faik Kadriu që akuzohej se ka ngacmuar seksualisht nxënëset në Vushtrri.

    Gjykata në Mitroivcë ka thënë për Express se Kadriu është dënuar më 1 vit e 4 muaj burgim për veprat penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Ngacmim seksual”.

    “Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, me datë 21.10.2025 ka bërë shpalljen e aktgjykimit ndaj të pandehurit F.K., duke i shqiptuar denim unik për burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) vit e 4 (katër ) muaj, për kryerjen e veprave penale: “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së“, “Ngacmim seksual” nga neni 183 par.3 lidhur me par.1 e lidhur me nenin 77 të KPRK-së.”, thuhet në përgjigje.