ATV

Category: Lajme

  • Dështon seanca ndaj dy ish-policëve serbë të akuzuar për krime lufte

    Dështon seanca ndaj dy ish-policëve serbë të akuzuar për krime lufte

    Seanca gjyqësore në rastin ku dy ish-policët serbë Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq akuzohen për krime lufte ndaj popullatës civile, ka dështuar të mbahet.

    Avokati i të akuzuarit Dragan Milkoviq, Predrag Milkoviq, ka thënë se nuk e kanë pranuar deklaratën e dëshmitarit Naim Haliti, në gjuhën serbe.

    “Nuk jemi gati sepse tani e keni pranuar deklaratën e dëshmitarit të përkthyer, para 10 minutash e kemi pranuar, na nevojitet kohë, më vjen keq që i kemi humbur 20 ditë nga gjykimi i kaluar por mbrojtja nuk pranon që kjo të vazhdohet”, është shprehur ai.

    Prokurorja speciale, Florije Shamolli, ka thënë se e kanë dorëzuar me kohë deklaratën e përkthyer.

    “Ne me kohë kemi dorëzuar këtë deklaratë të përkthyer por për shkak të disa pengesave të kompjuterëve, për të mos e zvarritur këtë procedurë është mirë që dëshmitari të merret në pyetje nga ana e prokurores ndërsa në një seancë tjetër të merret nga pala tjetër”, ka theksuar ajo.

    Avokati Predrag Milkoviq tha se nuk e sheh të udhës që dëshmitarë të merret në pyetje nga prokurorja dhe tha se mbrojtja kundërshton që dëshmitari të dëgjohet në seancën e së premtes.

    Kryetari i trupit gjykues Lutfi Shala, tha se vlerëson nuk ka kushte që të vazhdohet me këtë proces gjyqësor të premten dhe se i jepet kohë mbrojtjes që të lexojë deklaratën e dëshmitarit.

    Miloviq dhe Kostiq akuzohen për krime lufte të kryera gjatë prillit dhe majit të vitit 1999, e që prokuroria synon t’i vërtetojë edhe nëpërmjet 14 dëshmitarëve që i ka propozuar.

    Ata që nga 20 shtatori i vitit 2023, ndodhen në paraburgim. Të dy janë deklaruar të pafajshëm.

  • Trump paralajmëron Izraelin: Mos aneksoni Bregun Perëndimor, ose humbni mbështetjen e SHBA-së

    Trump paralajmëron Izraelin: Mos aneksoni Bregun Perëndimor, ose humbni mbështetjen e SHBA-së

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha për revistën TIME se nuk do të lejojë Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor dhe paralajmëroi se nëse kjo ndodh, Izraeli do të humbasë mbështetjen amerikane.

    “Kjo nuk do të ndodhë sepse u dhashë fjalën vendeve arabe… Izraeli do të humbasë të gjithë mbështetjen e tij nga Shtetet e Bashkuara nëse kjo do të ndodhte,” tha Trump.

    Ligjvënësit izraelitë votuan të mërkurën për të avancuar dy projektligje për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar, por ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, tha të enjten se qeveria nuk do ta çojë votimin përpara në këtë fazë për të mbështetur planin shumëfazor të Trump për Gazën.

    Ndërtimi i vendbanimeve izraelite është zgjeruar që nga viti 2022, nën qeverinë e kryeministrit Netanyahu, e cila përfshin partnerë ultranacionalistë që kërkojnë aneksimin e Bregut Perëndimor dhe Gazës, raporton Reuters.

    Sekretari i Shtetit amerikan dhe ligjvënës të tjerë si Marco Rubio kanë paralajmëruar se çdo përpjekje për aneksim do të rrezikonte marrëveshjen e armëpushimit dhe paqes në rajon.

    Ministria e Jashtme palestineze e dënoi vendimin e Knessetit, duke thënë se Izraeli nuk ka sovranitet mbi tokën palestineze.

  • Tetë të lënduar në aksidentin në Sojevë të Ferizajt

    Tetë të lënduar në aksidentin në Sojevë të Ferizajt

    Tetë persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një aksidenti mes dy veturave në rrugën Gjilan-Ferizaj, saktësisht në fshatin Sojevë.

    Kështu konfirmoi, Kanun Veseli- zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt.

    “Sot, më datë 23.10.2025, rreth orës 15:00, në rrugën rajonale Gjilan-Ferizaj në fshatin Sojevë ka ndodhur një aksident trafiku me të lënduar, ku janë përfshirë dy automjete me targa vendore. Si pasojë e aksidentit, përveç dëmeve materiale në automjete, lëndime trupore kanë pësuar tetë persona”, tha Veseli.

    Ai shtoi se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të trafikut, ekipet e zjarrfikësve dhe dy autoambulanca, të cilat janë angazhuar në ofrimin e ndihmës së nevojshme për të lënduari.

    Sipas Veselit, hetimet lidhur me shkaqet dhe rrethanat e aksidentit janë duke vazhduar.

  • Sorensen e Ulutas diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë

    Sorensen e Ulutas diskutojnë për situatën e sigurisë në Kosovë

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, gjatë qëndrimit në Kosovë, të mërkurën, ka takuar edhe komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas.

    “Takimi u përqendrua në situatën e sigurisë në Kosovë, stabilitetin rajonal dhe mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, u tha në njoftimin e KFOR-it, të enjten.

    Gjatë takimit Ulutas, ka nënvizuar përkushtimin e gjatë dhe të palëkundur të NATO-s dhe BE-së për të punuar në harmoni me qëllim të konsolidimit të një mjedisi të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal.

    Sorensen, të mërkurën, gjatë qëndrimit në Kosovë takoi edhe zëvendëskryeministrin në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimin, ku ky i fundit i kërkoi diplomatit danez nisjen urgjente të punës së Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur

    “Bislimi theksoi gjithashtu se duhet të trajtohet me urgjencë dhe vëmendjen e merituar çështja e personave të zhdukur me dhunë, në mënyrë që të fillohet edhe me punën e Komisionit të Përbashkët, gjersa e kemi një marrëveshje të dakorduar nga dhjetori i vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Zyrës së Kryeministrit.

    Sorenseni nuk është deklaruar ende për takimin me Bislimi.

    Ndryshe, vizita e Sorensenit vjen pas identifikimit dhe zhvarrimit të mbetjeve mortore të katër personave në varrezat e lagjes Hajvali në Prishtinë, të cilat dyshohen se i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë në vitit 1998-1999./ATVLIVE/

  • Poeti Lulzim Tafa nderohet me çmimin mbarëkombëtar për poezi “At Gjergj Fishta”

    Poeti Lulzim Tafa nderohet me çmimin mbarëkombëtar për poezi “At Gjergj Fishta”

    Në Pallatin e Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë, data 23 tetor u shënua me një ceremoni të veçantë kushtuar letërsisë shqipe. Në këtë ditë të shenjtë, u kujtua lindja e Gjergj Fishtës, një prej figurave më të mëdha të letërsisë kombëtare.

    Në një ambient të ngrohtë kulturor, Shqipëria hapi dyert për të nderuar edhe zërat poetikë, trashëgimtarë të flakës së Fishtës.

    Në mesin e tetëdhjetë poetëve të pranishëm, poeti i njohur kosovar Lulzim Tafa u nderua me çmimin mbarëkombëtar për poezi “At Gjergj Fishta”.

    “Kur një poet vlerësohet me një çmim është gjë e bukur sepse do të thotë se fjala e tij e ka prekur dikë. Unë poezinë kurrë nuk e kam konsideruar arritje, poezinë gjithmonë e kam konsideruar ecje. Ndoshta duke qenë edhe shkollë e Ali Podrimjes, sepse i takoj gjeneratës së poetëve të viteve të 90-ta në Kosovë. Podrimja kishte një varg ku thoshte “poezia më e bukur nuk është shkruar ende” – dhe një gjysmë-vargu tjetër që thoshte “as nuk është shkruar kurrë””, tha Tafa pasi e pranoi çmimin.

    Poeti Tafa theksoi se pavarësisht shumë çmimeve ndërkombëtare që ka marrë, ky i fundit ka një rëndësi të veçantë, të cilin do ta ruajë si një thesar i çmuar në sirtarin e tij.

    “Ky çmim më bën nder për disa arsye. E para, sepse ndahet nga një juri profesionale dhe shumë kompetente. Pastaj, sepse më jepet në një qytet historik. Kur një poet merr një çmim që mban emrin e një poeti, një shkrimtari që ka lënë gjurmë në ndërgjegjen dhe ndjeshmëritë e kombit, atëherë ai nder bëhet edhe përgjegjësi”, shtoi Tafa.

    Në këtë organizim u ndanë edhe dy çmime tjera mbarëkombëtare. Çmimi për roman iu dha Ermal Hasimjës, kurse asi për përkthim, Milena Selimit.

    Ceremonia, herë pas here shoqërohej me pika muzikore të gërshetuara nga veprat e Fishtës.

    Juria, e përbërë nga emra të njohur të letërsisë, me kryetar Rudolf Markun, si dhe anëtarët tjerë Bajram Kosumin e Renestina Halilin, vlerësoi me kujdes të madh përzgjedhjen e fituesve, duke theksuar nivelin e lartë të krijimtarisë së tyre.

    Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerrin Ndreu, u shpreh krenar që kjo ceremoni u mbajt siç tha, në tokën e begatë të letërsisë.

    “Duke qenë se Lezha quhet qyteti i muzës, ku në fakt letërsia këtu ka një shenjë shumë të madhe, ka autorë të jashtëzakonshëm”, u shpreh Ndreu.

    Për të pestin vit me radhë, Lezha vazhdon traditën e organizimit të kësaj ceremonie përkujtimore në nder të Gjergj Fishtës dhe për të mbështetur poetët që vazhdojnë të kontribuojnë në letërsinë shqipe.

    Letërsia, siç u theksua, mbetet një pasuri e përhershme e një dritë që ndriçon kombin.

  • Aksident trafiku në fshatin Sojevë të Ferizajt – tetë persona të lënduar

    Aksident trafiku në fshatin Sojevë të Ferizajt – tetë persona të lënduar

    Në rrugën rajonale Gjilan–Ferizaj, në fshatin Sojevë, sot rreth orës 15:00, ka ndodhur një aksident trafiku me të lënduar, ku janë përfshirë dy automjete me targa vendore.

    Sipas informatave nga Policia e Kosovës, si pasojë e aksidentit tetë persona kanë pësuar lëndime trupore, ndërsa automjetet janë dëmtuar materialisht.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të trafikut, ekipet e zjarrfikësve dhe dy autoambulanca, të cilat kanë ofruar ndihmën e nevojshme për të lënduarit.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se hetimet lidhur me shkaqet dhe rrethanat e aksidentit po vazhdojnë.

  • Dronët rusë vrasin dy gazetarë në lindje të Ukrainës

    Dronët rusë vrasin dy gazetarë në lindje të Ukrainës

    Kjo media, që publikon lajme në gjuhën ruse, tha se gazetarët e vrarë ishin Olena Gramova, 43-vjeçare nga rajoni i Donjeckut dhe Yevgen Karmazin, 33 vjeç nga Kramatorsku. Ndërkaq, gazetari Alexander Kolychev është dërguar në spital për trajtim.

    “Këto nuk janë aksidente apo gabime, por një strategji e qëllimshme ruse për të heshtur të gjitha zërat e pavarur që raportojnë për krimet e luftës së Rusisë në Ukrainë”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.

    Sulmi i së enjtes ndodhi pasi një korrespondent i një media shtetërore ruse u vra në një sulm me dron ukrainas në pjesën e rajonit të Zaporizhjës, të pushtuar nga Moska.

    Më herët këtë muaj, fotoreporteri francez Antoni Lallican u vra gjatë raportimit afër vijës së frontit në rajonin e Donjeckut.

    Që kur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës më 2022, disa gazetarë janë vrarë teksa kanë qenë duke mbuluar luftën, megjithëse numri i saktë i viktimave ndryshon në varësi të organizatave monitorues.

    Reporterët pa Kufij thanë se Lallican ishte gazetari i 14-të i vrarë nga ushtria ruse, ndërsa UNESCO njoftoi se ai ishte të paktën punonjësi i 23-të i mediave që ishte vrarë gjatë zbulimit të luftës në dy anët e frontit./REL/

  • Ministria e Financave ka njoftuar se pagesat prej 100 euro për studentët do të ekzekutohen së shpejti, duke bërë të ditur afatin e realizimit

    Ministria e Financave ka njoftuar se pagesat prej 100 euro për studentët do të ekzekutohen së shpejti, duke bërë të ditur afatin e realizimit

    Më 7 tetor, Qeveria në detyrë e drejtuar nga Albin Kurti ka vendosur t’ua ndajë nga 100 euro të gjithë studentëve.

    Që nga marrja e këtij vendimi, ende asnjë studentë nuk është pajisur me mjetet e ndara nga Qeveria në detyre.

    Se kur pritët të dalin këto shtesa, nga Ministria e Financave kanë dhënë detaje.

    Afati për aplikimin e studentëve për shtesën prej 100 euro mbetet i hapur deri më 31 tetor, ka bërë të ditur për “Front Online” Ministria e Financave.

    “Aplikimi për përfitimin e shtesave prej 100 euro për studentë është i hapur deri më 31 tetor, në mënyrë që të gjithë studentët që plotësojnë kriteret të kenë mundësinë të aplikojnë”, thuhet në përgjigje për Front Online.

    Nga kjo ministri është bërë e ditur se komisioni tashmë po shqyrton aplikimet e pranuara, e pagesat do të realizohen me faza pas përfundimit të procesit.

    “Komisioni është në proces të shqyrtimit të aplikimeve dhe mjetet do të ekzekutohen me faza pas shqyrtimit”, thuhet në përgjigjen e MF-së.

    Sipas vendimit të kabinetit qeveritar, 20 milionë euro janë ndarë për mbështetjen e studentëve bazuar në distancën nga vendi i banimit tek ai ku studiojnë. Ndërsa 6 milionë euro të tjera janë ndarë për një shtesë prej 100 eurosh për të gjithë studentët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.

  • Osmani në Berlin: E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE

    Osmani në Berlin: E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE

    Presidentja Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës së saj në Berlin, të enjten qëndroi në Aspen Institute. Osmani tha se aty foli për aspiratat e Kosovës dhe se një gjë mbetet e palëkundur, që e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE.

    “Në Aspen Institute në Berlin, fola për Kosovën tonë si një shtet që, në vetë thelbin e ndërtimit të së ardhmes, ka përqafuar reformën dhe zbatimin e saj si rrugën e vetme drejt zhvillimit dhe konsolidimit demokratik. Por një gjë mbetet e palëkundur: e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kjo nuk është vetëm një aspiratë e paluhatur e jona, por një interes strategjik për të gjithë rajonin dhe për vetë aleancën euroatlantike”, shkroi Osmani në Facebook.

    Presidentja Vjosa Osmani, gjendet në Gjermani, ku do të mbajë një fjalim në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Berlinit. Osmani para studentëve dë të flasë për mbrojtjen e demokracisë. Në këtë universitet po zhvillohet “Java e Takimeve me Personalitete Evropiane”.

  • Franca lëshon urdhërarrest për Bashar al-Assadin për krime kundër njerëzimit

    Franca lëshon urdhërarrest për Bashar al-Assadin për krime kundër njerëzimit

    Franca ka lëshuar një urdhër të ri ndërkombëtar arresti për presidentin e rrëzuar sirian Bashar al-Assad, duke e mbajtur përgjegjës për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës civile në Siri.

    Urdhërarresti, i nënshkruar më 29 korrik, e lidh Assadin me sulmet kimike të vitit 2013, të cilat goditën Adra dhe Douma më 5 gusht, ku u plagosën rreth 450 persona, si dhe Ghoutën Lindore më 21 gusht, ku sipas inteligjencës amerikane, gazi helmues vrau mbi 1,000 civilë.

    Ky është urdhërarresti i tretë që autoritetet franceze lëshojnë ndaj Assadit.

    Më herët, gjykatat franceze kishin vepruar për bombardimin e një qendre shtypi në Homs (2012) – ku u vranë gazetarja amerikane Marie Colvin dhe fotografi francez Remi Ochlik – si dhe për bombardimin e Deraa-s (2017), ku u vranë civilë.

    Assad, që kishte udhëhequr Sirinë për gati 25 vjet, iku në Rusi në dhjetor të kaluar, duke i dhënë fund regjimit të partisë Baath, në pushtet që nga viti 1963.

    Në janar u formua administrata e presidentit të përkohshëm Ahmad Sharaa.