ATV

Category: Lajme

  • Erdogan premton se Turqia do të bëjë gjithçka për të parandaluar një gjenocid tjetër si ai i Srebrenicës

    Erdogan premton se Turqia do të bëjë gjithçka për të parandaluar një gjenocid tjetër si ai i Srebrenicës

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Turqia po bën dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e vuajtjeve si gjenocidi i Srebrenicës.

    Duke folur pas kryesimit të një mbledhjeje të kabinetit në kryeqytetin Ankara të hënën, Erdogan tha se Turqia do të vazhdojë të punojë për “një Bosnjë dhe Hercegovinë të qëndrueshme dhe të begatë, ku njerëz me besime, kultura dhe identitete etnike të ndryshme jetojnë së bashku në paqe”.

    Në takimin e NATO-s të 7-8 korrikut në kryeqytetin turk, Erdogan tha se Ankaraja kishte rritur dukshmërinë e saj ndërkombëtare “më shumë se kurrë më parë” duke pritur me sukses një “samit historik”, transmeton Telegrafi.

    Erdogani tha se samiti ishte “një nga samitet e NATO-s më të ndjekura nga media” krahasuar me takimet e mëparshme të aleancës në të cilat ai kishte marrë pjesë, duke shtuar se ai shfaqi “madhështinë e plotë të traditës shtetërore të rrënjosur thellë të Turqisë”.

    Ai tha se në një kohë kur “rendi i vjetër është në kujdes intensiv dhe sistemi i ri po përjeton dhembje lindjeje”, kompleksi presidencial ishte bërë qendra e diplomacisë globale.

  • Rasti në Pediatri, KOMF ngre alarm për kushtet në shërbimet shëndetësore për fëmijët

    Rasti në Pediatri, KOMF ngre alarm për kushtet në shërbimet shëndetësore për fëmijët

    Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka ngritur shqetësime për sfidat me të cilat përballen fëmijët në qasjen dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore në Kosovë, kjo pasi një nënë në Klinikën e Pediatrisë tregoi për kushtet e rënda në këtë klinikë.

    KOMF ka theksuar se ndonëse kujdesi shëndetësor falas për fëmijët garantohet me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, mungesa e personelit, kushtet infrastrukturore, furnizimi i pamjaftueshëm me barna dhe material shpenzues vazhdojnë të ndikojnë në cilësinë e trajtimit.

    KOMF ka kërkuar masa urgjente për përmirësimin e kushteve, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe krijimin e një sistemi të rregullt për monitorimin e përvojës së pacientëve, duke theksuar se zëri i prindërve duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes në shëndetësi.

    Reagimi i plotë:

    E drejta e fëmijës për kujdes shëndetësor është e garantuar me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, Ligjin për Shëndetësi dhe Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës. Neni 42 i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës garanton kujdes shëndetësor falas për fëmijët, duke u mundësuar atyre qasje në shërbime të trajtimit dhe rehabilitimit sipas standardeve të larta. Për garantimin e kësaj të drejte është përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë.

    Megjithatë, fëmijët vazhdojnë të përballen me sfida në qasjen dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Sipas hulumtimit të realizuar nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, organizatë anëtare e KOMF, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit dhe Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit për matjen e kënaqshmërisë dhe përvojave të pacientëve, janë evidentuar mangësi të shumta, veçanërisht në shërbimet shëndetësore për fëmijët. Pacientët e Repartit të Pediatrisë renditen ndër repartet me nivelin më të ulët të kënaqshmërisë krahasuar me pacientët e reparteve të tjera. Në këtë kanë ndikuar faktorë të ndryshëm, si qasja ndaj pacientëve, cilësia e shërbimeve mjekësore, infermierore dhe diagnostike, kushtet infrastrukturore dhe higjiena, furnizimi me barna, cilësia e ushqimit, etj. Të dhënat po ashtu tregojnë se niveli i higjienës në repartet e pediatrisë është më i ulët krahasuar me repartet e tjera, duke ngritur shqetësime serioze për cilësinë dhe sigurinë e kujdesit që u ofrohet fëmijëve.

    Sipas Kartës së Vlerësimit të publikuar nga KOMF, një nga sfidat kryesore në kujdesin sekondar dhe terciar mbetet mungesa e personelit shëndetësorë dhe mbingarkesa e klinikave të pediatrisë. Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës vazhdon të punojë me kapacitete të kufizuara dhe me mbingarkesë të vazhdueshme. Numri i personelit shëndetësor mbetet i pamjaftueshëm në raport me numrin e pacientëve fëmijë, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e ofrimit të shërbimeve.

    Funksionalizimi i Spitalit të ri Kirurgjik Pediatrik ka përmirësuar përkujdesjen shëndetësore për fëmijët në nivel terciar, duke integruar shërbimet e emergjencës pediatrike, traumës, rikuperimit, si dhe ambulancat specialistike pediatrike dhe kirurgjike. Megjithatë, një pjesë e madhe e shërbimeve pediatrike vazhdon të operojë në “objektin e vjetër të Klinikës së Pediatrisë, në kushte infrastrukturore absolutisht të pa pranueshme që nuk përmbushin standardet për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe dinjitoze për fëmijët.

    Edhe pse Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës garanton kujdes shëndetësor falas, në vazhdimësi raportohet nga prindërit dhe mediat për mungesë të barnave dhe materialeve shpenzuese në kujdesin parësor shëndetësor, spitalet rajonale dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Mungesa e barnave dhe terapisë së nevojshme mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e fëmijëve, ndërsa në mungesë të tyre, prindërit detyrohen t’i sigurojnë ato me shpenzimet e tyre, edhe kur bëhet fjalë për barna nga Lista Esenciale. Kjo cenon parimin e qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor dhe krijon barrë financiare për familjet.

    Aktualisht institucionet nuk disponojnë të dhëna për nivelin e kënaqshmërisë së pacientëve me shërbimet shëndetësore, pasi nuk ekziston një sistem monitorimi për matjen e përvojës dhe kënaqshmërisë së pacientëve. Përvojat e pacientëve duhet të shërbejne si një burim i rëndësishëm për identifikimin e mangësive dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, ndërsa përjashtimi i tyre nga procesi i vlerësimit është i pa paranueshëm dhe rrezikon që problemet reale të mbeten të padukshme dhe të paadresuara.

    Është e domosdoshme që institucionet shëndetësore të ndërmarrin masa urgjente për përmirësimin e kushteve, rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe garantimin e shërbimeve cilësore me në qendër fëmijën. Zëri i prindërve duhet të jetë pjesë e pandashme e çdo vendimmarrjeje për shëndetësinë.

  • QKUK formon komision për rastin në Pediatri, suspendon punëtorin teknik dhe merr masa ndaj 4 infermierëve

    QKUK formon komision për rastin në Pediatri, suspendon punëtorin teknik dhe merr masa ndaj 4 infermierëve

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se ka formuar një komision ad-hoc për të zhvilluar hetim administrativ lidhur me rastin e raportuar në Klinikën e Pediatrisë, pas shqetësimeve të ngritura publikisht nga një familje për trajtimin e fëmijës së tyre.

    “Drejtori i QKUK-së ka marrë vendim për formimin e një komisioni ad-hoc, i cili po zhvillon një hetim të plotë administrativ për të verifikuar të gjitha rrethanat e rastit. Hetimi do të përfshijë shqyrtimin e pretendimeve lidhur me trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, si dhe çdo lëshim eventual, nga ato menaxheriale deri te ato teknike”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

    QKUK bën të ditur se gjatë verifikimeve fillestare janë konstatuar disa parregullsi, përfshirë edhe ato të pasqyruara në fotografitë e publikuara.

    Për këtë arsye, janë dhënë vërejtje ndaj personave përgjegjës në zinxhirin hierarkik menaxherial, ndërsa është suspenduar përkohësisht një punëtor i shërbimeve teknike.

    “Për të mundësuar zhvillimin e paanshëm të hetimit administrativ lidhur me pretendimet për trajtimin e pacientit, komunikimin dhe sjelljen e stafit, janë ndërmarrë masa të përkohshme administrative ndaj katër (4) infermierëve”, thuhet tutje në njoftim.

    QKUK ka bërë të ditur se, pas përfundimit të hetimit administrativ, do ta njoftojë publikun për gjetjet e komisionit dhe masat që do të ndërmerren, me synim ruajtjen dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike shëndetësore.

  • Policia shkon në Infektivë pas rastit të helmimit të rreth 70 personave

    Policia shkon në Infektivë pas rastit të helmimit të rreth 70 personave

    Policia e Kosovës ka shkuar në Klinikën Infektive në QKUK, lidhur me rastin e helmimit të rreth 70 personave.

    Në Klinikën ku janë shtrirë mbi 20 persona, policët po marrin emrat e pacientëve që janë aty dhe të atyre që janë kontrolluar lidhur me këtë rast.

    Klinika Infektive në QKUK ka njoftuar më herët gjatë ditës se nga e premtja në këtë klinikë janë paraqitur pacientë me simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi.

    Sipas njoftimit, “pacientët kanë kërkuar ndihmë mjekësore me ankesa si ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diare. Sipas anamnezës së marrë, simptomat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit”.

    “Nga data 10.07.2026 deri më 13.07.2026, në Klinikën Infektive ndihmë mjekësore kanë kërkuar rreth 70 pacientë. Prej tyre, 22 pacientë janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm. Të gjitha rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), si dhe janë evidentuar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse (SMSN), në përputhje me procedurat në fuqi”, thuhet në njoftimin e Klinikës Infektive.

    Klinika Infektive tha se pacientët e shtruar në spital ishin nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe po merrnin trajtimin e nevojshëm.

    “Aktualisht, gjendja klinike e pacientëve vazhdon të kërkojë trajtim dhe monitorim të vazhdueshëm”, thuhet në fund të atij njoftimi.

  • Trump propozon tarifë 20% për anijet në Ngushticën e Hormuzit: SHBA do të paguhet për mbrojtjen

    Trump propozon tarifë 20% për anijet në Ngushticën e Hormuzit: SHBA do të paguhet për mbrojtjen

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se administrata e tij po shqyrton vendosjen e një tarife prej 20% për mallrat që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke argumentuar se SHBA duhet të kompensohet për garantimin e sigurisë në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

    Në një intervistë për Fox News, Trump u shpreh se SHBA “do të paguhet për ruajtjen” e ngushticës, ndërsa shtoi se Uashingtoni mund të marrë një rol edhe më të madh në administrimin e saj.

    “Ne do ta mbajmë ngushticën dhe ndoshta do ta drejtojmë atë. Nuk mund të pritet që ta bëjmë këtë falas. Për shumë vite e kemi mbrojtur pa pagesë, por tani do të paguhemi për këtë. Bëhet fjalë për shumë para”, deklaroi Trump, shkuan A2CNN.

    Komentet e presidentit amerikan vijnë në një kohë kur tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar sërish, pas shkëmbimeve të reja të sulmeve që kanë dobësuar armëpushimin e përkohshëm të arritur në muajin qershor.

    Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më strategjike të energjisë në botë, pasi përmes saj kalon rreth 20% e tregtisë globale të naftës. Pas deklaratave të Trump, çmimet e naftës shënuan rritje, ndërsa tregjet financiare reaguan me rënie.

  • IKShPK: 63 raste me fruth në Kosovë, 11 të reja gjatë javës së fundit

    IKShPK: 63 raste me fruth në Kosovë, 11 të reja gjatë javës së fundit

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 13 korrik 2026 janë konfirmuar gjithsej 63 raste me fruth në Kosovë.

    Sipas IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar 11 raste të reja, shkruan Klankosova.tv.

    Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë me 19 raste, pasuar nga Ferizaj me 12, Fushë Kosova me 9 dhe Kaçaniku me 8 raste. Lipjani ka regjistruar 3 raste, ndërsa Vushtrria, Shtimja dhe Obiliqi nga 2 raste. Me nga një rast janë raportuar Gjilani, Drenasi, Deçani, Skenderaj, Shtërpca dhe Vitia.

    “Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare. Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, thotë IKShPK në Facebook.

  • Të vjella, diarre dhe ethe – shpërthimi i norovirusit alarmon Portugalinë

    Të vjella, diarre dhe ethe – shpërthimi i norovirusit alarmon Portugalinë

    Departamenti i aksidenteve dhe urgjencës në spitalin Caldas da Rainha në Portugali trajtoi më shumë se 60 persona javën e kaluar me simptoma të ndryshme si të vjella dhe diarre dhe, në disa raste, të përziera, ethe, dhimbje barku dhe dhimbje koke, duke çuar në identifikimin e një shpërthimi të norovirusit.

    Sipas gazetës lokale Jornal das Caldas, këshilli bashkiak ka konfirmuar që atëherë 122 persona të infektuar, pasi ka marrë një raport me rezultatet e testeve laboratorike.

    Shumica e rasteve të identifikuara – rreth 80 – lidhen me një turne ndërkombëtar futbolli për të rinj të organizuar nga kompania Footmania, i mbajtur në komunat Caldas da Rainha dhe Óbidos midis 24 qershorit dhe 8 korrikut.

    Autoritetet e shëndetit publik dhe ASAE (Autoriteti i Sigurisë Ushqimore dhe Ekonomike) kryen teste mbi shërbimin e ushqimit të ofruar nga kompania, duke mbledhur mostra.

    Megjithatë, nuk u gjetën prova që të sugjeronin se ky ishte burimi.

    Raportohet se hetimi po vazhdon për të përcaktuar origjinën e shpërthimit.

    Ndryshe, norovirusi është një nga shkaqet më të zakonshme të gastroenteritit dhe është shumë ngjitës.

    Ai transmetohet nga një person në tjetrin nëpërmjet kontaktit me objekte dhe sipërfaqe të kontaminuara dhe gjithashtu duke konsumuar ujë ose ushqim.

    Në fillim të verës, autoritetet shëndetësore paralajmëruan se “me vapën, ditët më të gjata, vaktet jashtë, festat, plazhet, klubet e pushimeve dhe tubimet familjare” ka një gjasë më të madhe që disa viruse të përhapen.

  • Familja vazhdon të kërkojë ndihmë për gjetjen e 78 vjeçarit

    Familja vazhdon të kërkojë ndihmë për gjetjen e 78 vjeçarit

    Janë bërë 10 ditë që kur 78 vjeçari Xhafer Raqi, është shpallur i zhdukur nga familja.

    Deri më tani nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

    Për kërkimin e tij, ishin angazhuar ekipet e Shoqatës së Kërkim – Shpëtimit, Policisë, Drejtorisë së Emergjencave të Komunës së Prishtinës e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

    Operacioni kryesisht ishte zhvilluar rreth Butovcit, ku ishte gjetur një sandale e cila dyshohet se i takonte atij.

    Por, në mungesë të ndonjë detaji konkret rreth lokacionit se ku mund të jetë ai, kërkimet janë ndërprerë deri në marrjen e një informacioni të ri.

    Ndërkaq, familjarët lusin për ndihmë të gjithë qytetarët për gjetjen e të moshuarit që vuan nga demenca (harresa).

    Krejt ata që kanë informacione për 78 vjeçarin le të lajmërohet në këtë numër telefoni:

    +383 44 737 900

  • Gjobitet me 400 euro personi që i mundësoi një 12-vjeçari të drejtonte automjetin në Malishevë

    Gjobitet me 400 euro personi që i mundësoi një 12-vjeçari të drejtonte automjetin në Malishevë

    Policia Rajonale në Gjakovë ka identifikuar dhe ka ndëshkuar një person i cili i kishte mundësuar një fëmije 12-vjeçar të drejtonte automjetin në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.

    Sipas Policisë, rasti është zbuluar pas një video-incizimi të dërguar nga qytetarët përmes postës elektronike në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ku shihej një person madhor duke e lejuar fëmijën të ulej në ulësen e shoferit dhe të drejtonte automjetin, ndërsa vetë e regjistronte ngjarjen.

    “Si rezultat i bashkëpunimit me qytetarët, më datë 09.07.2026, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka pranuar një video-incizim përmes postës elektronike ku shihej një person madhor në rrugën ‘Ibrahim Mazreku’ në Malishevë, që i kishte mundësuar fëmijës së moshës 12-vjeçare të ulej në ulësen e parë të automjetit, në ulësen e shoferit, për ta drejtuar atë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Pas veprimeve operative dhe hetimore nga Stacioni Policor në Malishevë, personi është identifikuar dhe ndaj tij janë ndërmarrë masa ligjore në bazë të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.

    Policia ka bërë të ditur se ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 400 eurosh, pesë pikë negative dhe masë mbrojtëse me ndalim të drejtës së ngasjes për të gjitha mjetet motorike në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka apeluar te prindërit dhe të gjithë drejtuesit e automjeteve që të tregohen të përgjegjshëm dhe të mos lejojnë personat e mitur apo të paautorizuar të drejtojnë automjete.

    Sipas Policisë, lejimi i ngasjes nga personat pa autorizim nuk përbën vetëm shkelje ligjore, por paraqet rrezik serioz për jetën e tyre dhe për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion.

  • Mbyllet përkohësisht segmenti i dytë i rrugës “Fehmi Lladrovci” në Prishtinë

    Mbyllet përkohësisht segmenti i dytë i rrugës “Fehmi Lladrovci” në Prishtinë

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se do të mbyllet përkohësisht segmenti i dytë i rrugës “Fehmi Lladrovci”, nga Rrethi i Flamurit deri te Rrethi i Spitalit.

    Sipas njoftimit të Komunës në Facebook, mbyllja do të jetë në fuqi nga 13 korriku, në orën 20:00, deri më 16 korrik, në orën 20:00, për shkak të punimeve infrastrukturore që po realizohen nga Drejtoria e Investimeve Kapitale.

    Gjatë kësaj periudhe, qytetarët janë udhëzuar të përdorin rrugët alternative, përfshirë rrugën “Arbnor dhe Astrit Dehari” – Rrugën B – dalje në rrugën “Agim Ramadani”, si dhe rrugën “Mark Dizdari” në drejtim të Fontanës – dalje në rrugën “Agim Ramadani”.

    “Lëvizja e këmbësorëve do të mbetet e mundësuar, ndërsa trafiku do të menaxhohet me sinjalizim dhe personel në terren”, thotë Komuna e Prishtinës.