ATV

Category: Lajme

  • Gjini pret në një takim ambasadoren e Izraelit në Kosovë

    Gjini pret në një takim ambasadoren e Izraelit në Kosovë

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini ka pritur në takim ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamara Ziv.

    Ai ka thënë se me të kanë biseduar për zhvillimet aktuale në vend dhe për mundësitë e intensifikimit të mëtejmë të raporteve tona bilaterale.

    “Marrëdhëniet me shtetin e Izraelit janë të një rëndësie të veçantë e strategjike për ne. Falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe të përkushtuar për të thelluar këtë partneritet në fusha me interes të përbashkët”, ka shkruar Gjini.

  • Rama: Vazhdojnë punimet për renovimin e QMF-së 5 në lagjen “Dardani”-“Ulpianë”

    Rama: Vazhdojnë punimet për renovimin e QMF-së 5 në lagjen “Dardani”-“Ulpianë”

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për renovimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare 5 në lagjen “Dardani”–”Ulpianë”, në kuadër të projektit për rritjen e efiçiencës energjetike.

    Sipas Ramës, pas përfundimit të zëvendësimit të dritareve, aktualisht po realizohet izolimi i jashtëm i objektit.

    “Po rinovohet Qendra e Mjekësisë Familjare 5 në “Dardani”–”Ulpianë”. Pas zëvendësimit të dritareve, po realizohet izolimi i jashtëm i objektit, në kuadër të projektit me Bashkimin Evropian dhe BERZH-in për rritjen e efiçiencës energjetike”, ka shkruar Rama.

  • Mbi 3 orë pritje në kufirin Kroaci–Serbi, kolona të gjata në pikën Batrovci

    Mbi 3 orë pritje në kufirin Kroaci–Serbi, kolona të gjata në pikën Batrovci

    Pritjet në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë, kanë kaluar mbi 3 orë, duke krijuar vështirësi të mëdha për mërgimtarët dhe udhëtarët që po kthehen apo po udhëtojnë drejt vendeve të Evropës Perëndimore.

    Pamjet live nga vendi i ngjarjes tregojnë kolona të gjata automjetesh dhe pritje të shumta në hyrje-daljet kufitare. Fluksi i lartë i automjeteve po ua vështirëson udhëtimin mërgimtarëve, të cilët po detyrohen të presin për orë të tëra në kufi.

  • BE-ja cakton përfaqësuesin e saj në Kosovë

    BE-ja cakton përfaqësuesin e saj në Kosovë

    Bashkimi Evropian ka njoftuar se e ka caktuar shefin e ri të Zyrës në Kosovë.

    Ai është diplomati gjerman Dirk Schubel, i cili zyrtarisht do ta merr detyrën më 1 shtator duke pasur në këtë pozitë Aivo Oravin.

    Mandat i tij fillestar do të jetë dyvjeçar, njofton BE-ja.

    Mandati i Përfaqësuesit Special të BE-së për Kosovën është i përqendruar në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike, duke mbështetur perspektivën e saj evropiane përmes komunikimit publik dhe angazhimit të synuar me qytetarët.

    Detyrat kryesore përfshijnë monitorimin e progresit në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, kontributin në forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së komuniteteve pakicë, si dhe promovimin e koordinimit politik të Bashkimit Evropian për të siguruar një prani të bashkërenduar dhe të dukshme të BE-së në Kosovë.

    Kush është përfaqësuesi i ri i BE-së në Kosovë?

    Dirk Schubel është diplomat gjerman me përvojë të gjatë në pozita udhëheqëse në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian, si dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Aktualisht, ai shërben si shef i Divizionit për Rusinë në EEAS.

    Më herët, ai ka qenë i Dërguar Special i BE-së për Partneritetin Lindor nga viti 2022 deri në vitin 2024. Gjithashtu, ka drejtuar Delegacionin e Bashkimit Evropian në Bjellorusi nga viti 2019 deri në vitin 2022 dhe Delegacionin e BE-së në Moldavi nga viti 2009 deri në vitin 2013, ku ka luajtur rol kyç në avancimin e angazhimit të BE-së në fqinjësinë lindore.

    Këshilli emëroi Dirk Schubel si Përfaqësuesin e ri Special të Bashkimit Evropian për Kosovën. Ai do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026.

    Mandati i tij përfshin gjithashtu ofrimin e udhëzimeve politike në nivel lokal për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX Kosovo), si dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me synim nxitjen e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

    Përfaqësuesit Specialë të Bashkimit Evropian promovojnë politikat dhe interesat e BE-së në rajone, vende ose çështje me rëndësi të veçantë për Unionin. Ata luajnë rol aktiv në mbështetjen e reformave, forcimin e stabilitetit dhe sundimit të ligjit.

    Aktualisht, 11 Përfaqësues Specialë të BE-së mbështesin punën e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas.

  • Jahjaga: Kur je në pushtet, nuk bëhet fjalë për veten – por për shtetin e popullin

    Jahjaga: Kur je në pushtet, nuk bëhet fjalë për veten – por për shtetin e popullin

    Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ndarë përvojën e saj mbi lidershipin, sfidat e udhëheqjes dhe rëndësinë e përfshirjes së grave dhe grupeve të margjinalizuara në vendimmarrje, gjatë një diskutimi të organizuar në kuadër të “Prishtina International Summer University”, raporton Ekonomia Online.

    Ajo rikujtoi rrethanat në të cilat u zgjodh presidente për siç tha ajo në kulmin e një krize të thellë politike.

    “Ishim ndërmjet viteve 2010 dhe 2011, nëse mund ta quaj kështu, në një krizë mjaft të thellë politike. Dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse një president nuk zgjidhet brenda raundit të tretë të votimit, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme. Në atë kohë, brenda një viti, Kosova ishte gati të hynte në raundin e tretë të zgjedhjeve parlamentare dhe ne po përballeshim me një nivel mjaft të polarizuar të skenës politike në Kosovë, gjë që është normale, në kllapa, për pjesën juglindore të Evropës, por momenti i Kosovës në atë kohë ishte paksa ndryshe.

    Ne ishim sapo në vitin e tretë të shpalljes së pavarësisë dhe disa kriza në momente të caktuara nuk mund të përballohen shumë, ose mund të transformohen negativisht për të ardhmen e vendit. Pra, disi në atë kohë elitat politike në vend erdhën me idenë dhe propozimin për të nominuar një kandidat konsensual si kandidat të mundshëm për kreun e shtetit, sepse deri në atë kohë, asnjë nga emrat e rekomanduar ose të propozuar, pavarësisht nëse vinin nga partitë politike apo deri nga akademia, nuk po gjeneronin votat që kërkoheshin, të cilat nevojiten për zgjedhjen e Presidentit. Dhe kështu, vendi ishte disi duke degraduar më tej në një krizë shumë më të thellë”, tha ajo.

    Jahjaga foli për sukseset e saj ndër vite, duke theksuar rëndësinë e të qenurit presidentja e parë femër në Kosovë.

    “Ngadalë, unë u ngrita nëpër detyra dhe, në moshën 30-vjeçare, u bëra gjenerale, një gjenerale me një yll e Policisë së Kosovës, gjë që e bëri Kosovën dhe Policinë e Kosovës në atë kohë vendin e parë në botë që kishte një grua shumë të re që arrinte gradën e gjenerales, pa e ditur se në moshën 34-vjeçare, do të shkruaja një tjetër histori, duke u bërë gjenerale me pesë yje, gruaja më e re që mban atë gradë globalisht. Përsëri, pa e ditur se një vit më vonë, do të bëja një tjetër histori për gratë e Kosovës duke u bërë presidentja e parë e Republikës së Kosovës. Dhe duke iu kthyer pyetjes fillestare, pra, ishte një diskutim mjaft i vështirë; ndoshta një ditë do të mund të shkruaj disa kujtime, ku do t’i ndaj publikisht, por për momentin, për shkak të ndjeshmërisë politike, koha nuk është e duhur për të ndarë disa gjëra që nuk kanë qenë publike dhe ende nuk janë publike. Sepse, doni apo s’doni, kur jeni presidente dhe përfaqësuese e lartë institucionale, keni disa detyrime kushtetuese dhe ligjore, shumë kohë pasi t’ia dorëzoni zyrtarisht detyrën tuaj, dhe veçanërisht në rolin si presidente”, tha ajo.

    Jahjaga poashtu tha se në momentin kur je në pushtet, gjithçka duhet bërë për popullin, për shtetin, e jo për vete.

    “Nuk ka pasur asnjë moment të vetëm që të ketë qenë pyetje për mua, ose që unë të kem ngritur një pyetje për veten time si Atifete Jahjaga, se ku do të jem më pas. Kërkesat e mia të vazhdueshme dhe flamujt që ngrita ishin për shtetin, ishin për popullin, për proceset që kishim, sepse unë jam edukuar kështu gjatë gjithë jetës sime. Sa herë që jeni në një pozitë shumë të lartë, nuk bëhet fjalë për ju. Bëhet fjalë për shtetin, për popullin dhe institucionet të cilat ju po i udhëhiqni ose jeni gati t’i udhëhiqni. Dhe kështu, kufijtë e mospranimit të asaj oferte ishin, më mirë thënë, inekzistente, sepse vendi po shkonte gjithnjë e më thellë në krizën politike të asaj kohe. Dhe kështu, unë e pranova atë ofertë për të qenë kandidatja konsensuale”, u shpreh ajo.

    Jahjaga tregoi kontributin e saj për gratë, minoritetet, e poashtu për grupet e margjinalizuara.

    “Në një farë mënyre, unë e kam zgjeruar tryezën e vendimmarrjes dhe kam shtuar më shumë karrige për të gjithë ata që për shumë kohë kanë mbetur jashtë procesit të vendimmarrjes, ndonëse ata janë të ndikuar nga procesi ynë i vendimmarrjes. Kam shtuar më shumë karrige për gratë. Kam shtuar më shumë karrige për komunitetet e tjera minoritare, si dhe për komunitetet e margjinalizuara. Doja që të gjithë të ishin pjesë e procesit tim të vendimmarrjes, sepse bëhet fjalë për shtetin, bëhet fjalë për popullin, sepse ne jemi shërbëtorët e tyre dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë si bindje politike, qoftë në Kosovë ose kudo qoftë në botë, ne jemi shërbëtorët tuaj dhe duhet të kuptojmë se cili është shërbimi më i mirë që mund t’i ofrojmë vendit tonë dhe popullit tonë”, u shpreh ajo.

  • Kush është Zejnullah Gashi, i nominuari për Kryeprokuror të Shtetit?

    Kush është Zejnullah Gashi, i nominuari për Kryeprokuror të Shtetit?

    Pas 26 vitesh karrierë në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka arritur në majat e sistemit prokurorial.

    Të hënën, prokurori me origjinë nga Prizreni u nominua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

    Në votimin e fshehtë të zhvilluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ai siguroi pesë vota të anëtarëve, duke u propozuar për këtë post.

    Gashi ka një karrierë të gjatë në institucione. Ai është pjesë e strukturave shtetërore të sigurisë dhe drejtësisë që nga viti 2000.

    Deri në vitin 2010, Zejnullah Gashi punoi në Policinë e Kosovës në Stacionin Policor në Prizren. Aty u gradua deri në pozitën shef i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

    Në vitin 2010, Gashi, jurist me profesion, u dekretua si gjyqtar në sistemin gjyqësor. Shërbeu për pesë vjet si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren.

    Më 2015, u dekretua si prokuror në Prokurorinë Themelore në Prizren. Ushtroi edhe funksionin e zëvendëskryeprokurorit të kësaj Prokurorie. Në të njëjtën kohë, Gashi përfaqësoi Prokurorinë Themelore në Prizren si anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

    Nga viti 2023 deri sot, Gashi vazhdon të ushtrojë pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Disa muaj më parë, më 26 mars të këtij viti, Gashi u shfaqur në shoqërinë e disa funksionarëve të lartë shtetërorë në Bratisllavë të Sllovakisë. Udhëtoi atje për ndeshjen futbollistike mes Sllovakisë dhe Kosovës.

    Një fotografi e realizuar në stadiumin e Bratisllavës, e shfaqte Gashin në shoqërinë e tre kryetarëve të komunave, përfshirë Përparim Ramën e Prishtinës, nënkryetarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca dhe ministrit Blerim Gashani.

    Në fotografi shihet edhe Trim Ademi, djali i kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. I pari i federatës ishte hetuar disa herë penalisht nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilën e udhëheq Gashi.

    Në maj të këtij viti, portali Kallxo.com publikoi një hulumtim për një takim të Zejnullah Gashit me ish-ministren e Drejtësisë, tashmë u.d. presidenten, Albulena Haxhiu. Takimi ishte zhvilluar më 2024.

    Hulumtimi mbështetet në një kallëzim penal të deponuar në Prokurorinë Speciale nga Policia e Kosovës.

    Sipas këtij kallëzimi, Kryeprokurori Gashi i kishte shkuar Haxhiut pa paralajmërim në zyrë në Ministrinë e Drejtësisë. Sipas një deklarate të Haxhiut dhënë hetuesve policorë, Gashi i ishte sqaruar ministres për një rast që po e hetonte Prokuroria Themelore në Prishinë.

    I ndjekur penalisht në këtë rast ishte Lavdim Krasniqi, një kushëri i Alban Krasniqit, bashkëshortit të ish-ministres së Drejtësisë.

    Sipas Haxhiut, Gashi i ishte sqaruar asaj se nuk ishte duke e hetuar Lavdim Krasniqin për hakmarrje politike. /Paparaci.com

  • Shifrat shqetësuese në Ferizaj: 15 vjedhje dhe 26 persona të arrestuar në vetëm një javë

    Shifrat shqetësuese në Ferizaj: 15 vjedhje dhe 26 persona të arrestuar në vetëm një javë

    Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë një sërë masash operative për parandalimin dhe trajtimin e incidenteve, ndërsa ka publikuar të dhënat për periudhën 06–12 korrik.

    Sipas Policisë, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 15 raste të vjedhjeve, të kategorizuara si vepra penale kundër pasurisë. Prej tyre, 12 raste kanë ndodhur në territorin e Ferizajt, ndërsa 3 raste janë raportuar në komunën e Kaçanikut.

    Po ashtu, në rajonin e Ferizajt është raportuar edhe një rast i dhunës në familje, i cili ka ndodhur në komunën e Kaçanikut.

    Në kuadër të zbatimit të urdhëresave të gjykatave kompetente, Policia ka arrestuar 26 persona të kërkuar për vepra të ndryshme penale dhe kundërvajtëse.

    Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj në parandalimin e veprave penale, rritjen e sigurisë publike dhe zbatimin e urdhëresave të institucioneve të drejtësisë.

  • Gjenerali Bashkim Jashari pret delegacionin gjerman, riafirmohet mbështetja për zhvillimin e FSK-së

    Gjenerali Bashkim Jashari pret delegacionin gjerman, riafirmohet mbështetja për zhvillimin e FSK-së

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Böttcher, si dhe Tilmann Scherf nga Zyra e Jashtme Federale Gjermane.

    Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimit gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Republika Federale e Gjermanisë i ka dhënë Kosovës, me theks të veçantë në ngritjen dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga themelimi i saj.

    Në takim u diskutua për zhvillimet aktuale në FSK, prioritetet dhe nevojat e saj, si dhe për procesin e planifikimit për të ardhmen. Gjithashtu, palët shkëmbyen qëndrime lidhur me situatën aktuale të sigurisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit në përballimin e sfidave të përbashkëta.

    Në përmbyllje të takimit, gjenerali Jashari falënderoi edhe një herë delegacionin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e kapaciteteve të FSK-së. Të dyja palët u pajtuan për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve bilaterale ushtarake ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

  • Trusti: 312 milionë euro kthim bruto nga investimet në gjashtëmujorin e parë

    Trusti: 312 milionë euro kthim bruto nga investimet në gjashtëmujorin e parë

    Gjysma e parë e vitit 2026 ka rezultuar periudha më e suksesshme ndonjëherë për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) sa i përket performancës së investimeve.

    Fondi ka bërë të ditur se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit ka realizuar rreth 312 milionë euro kthim bruto nga investimet, duke vendosur rekord të ri në historinë e tij.

    FKPK njofton se ky është kthimi më i lartë i arritur ndonjëherë brenda një periudhe gjashtëmujore.

    Ndërkaq, duke e përfshirë edhe kthimin bruto prej 644 milionë eurosh të realizuar gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025, rezulton se për periudhën 1 janar 2023 – 30 qershor 2026, FKPK-ja ka akumuluar rreth 956 milionë euro kthim bruto nga investimet.

    Sipas fondit, këto rezultate pasqyrojnë performancën e investimeve të kursimeve pensionale përgjatë viteve të fundit.

  • Gjendet trupi i Erkin Likës pasi ra në lumin Mat gjatë ngjitjes me litar

    Gjendet trupi i Erkin Likës pasi ra në lumin Mat gjatë ngjitjes me litar

    Është gjetur trupi i pajetë i 33-vjeçarit Erkin Lika, i cili humbi jetën pasi ra në lumin Mat gjatë një ngjitjeje me litar në zonën e Urës së Vashës, në Klos. Trupi u nxor nga ujërat e lumit pas disa ditësh kërkime nga palombarët.

    Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës, kur 33-vjeçari ishte duke kryer ngjitje me litar pranë Urës së Vashës.

    Sipas dyshimeve paraprake, ai ka rënë në një gropë thithëse në lumin Mat dhe nuk ka mundur të dalë në sipërfaqe.

    Pas disa ditësh kërkime, ekipet e palombarëve arritën të lokalizojnë dhe të nxjerrin trupin e pajetë nga ujërat e lumit.

    Autoritetet po vijojnë veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.