ATV

Category: Lajme

  • ShBA-ja godet Iranin nga ajri për 5 orë pa pushim, hakmarrja vjen me raketa dhe dronë në vendet e Gjirit Persik

    ShBA-ja godet Iranin nga ajri për 5 orë pa pushim, hakmarrja vjen me raketa dhe dronë në vendet e Gjirit Persik

    Kanë zgjatur 5 orë sulmet intensive ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit në natën e sotme, gjatë të cilave avionët amerikanë goditën disa objektiva ushtarake. Sipas raportimeve, ndër zonat e goditura janë përfshirë Bushehr, Chabahar dhe Bandar Abbas.

    residenti amerikan Donald Trump, i cili kishte paralajmëruar më herët mundësinë e ndërmarrjes së këtyre sulmeve, deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se nuk e përjashton mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të re me Teheranin në të ardhmen. Ai gjithashtu u bëri thirrje aleatëve të SHBA-së që të kontribuojnë financiarisht për mbështetjen amerikane, duke deklaruar: “Dua të rimbursohem nga vendet që po ndihmojmë”.

    Ndërkohë, Irani, me mbështetjen e grupeve të armatosura aleate, përfshirë rebelët Houthi në Jemen, ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj vendeve të Gjirit Persik. Raportimet flasin për shpërthime në Arabinë Saudite, Kuvajt dhe Bahrein.

    Po ashtu, sipas burimeve të cituara, dy anije cisterna nafte të Emirateve të Bashkuara Arabe janë goditur teksa po përpiqeshin të kalonin Ngushticën e Hormuzit përgjatë një rruge që autoritetet iraniane e konsideronin të palejuar.

    Në zhvillimet më të fundit, Donald Trump thuhet se ka vendosur një bllokadë të re detare në Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se kontrolli mbi kalimin strategjik do të jetë nën administrimin amerikan dhe se do të vendoset një tarifë për anijet që kalojnë nëpër Gjirin Persik, shkruan Tch.

    Situata në Lindjen e Mesme mbetet tepër e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet që mund të kenë ndikim të gjerë në sigurinë rajonale dhe tregjet globale të energjisë.

  • Ra nga kulmi i shtëpisë, 62-vjeçari gjendet pa shenja jete në Prizren

    Ra nga kulmi i shtëpisë, 62-vjeçari gjendet pa shenja jete në Prizren

    Një 62-vjeçar ka humbur jetën në rrethana tragjike në Prizren, ku dyshohet se ka rënë nga kulmi i shtëpisë së tij.

    Ngjarja është raportuar gjatë ditës së 13 korrikut në rrugën “Kalaja e Krujës”, pasi Emergjenca e Prizrenit ka njoftuar Policinë për një person të gjetur pa shenja jete.

    Siç mësohet dëshmitari B.M. (63 vjeç), i cili ishte duke punuar në shtëpinë e viktimës, e ka gjetur atë të shtrirë në tokë dhe ka njoftuar menjëherë ekipet emergjente.

    Mjeku që ka dalë i pari në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e 62-vjeçarit.

    Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se dyshohet që viktima ka rënë nga kulmi i shtëpisë, nga një lartësi prej rreth 8 deri në 9 metrash.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit e stacionit, Hetimet Rajonale, si dhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

    Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes” dhe mbetet nën hetime.

  • Sot është një “Super e Martë” për zgjerimin e BE-së, Kos: Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë

    Sot është një “Super e Martë” për zgjerimin e BE-së, Kos: Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë

    Sot është një ‘super të martë’. Kështu e ka quajtur 14 korrikun, komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e cila theksoi për herë të parë në më shumë se dy dekada, po mbahen katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë.

    Kos përmes një video në rrjetin social X ka bërë të ditur procesin që po zhvillohet, gjersa Shqipëria do të mbyllë kapitujt e parë të saj.

    “Sot është një ‘Super e Martë’ për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po mbajmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë…Katër vendet që janë në krye të procesit – Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi – po hedhin të gjitha hapa të rëndësishëm përpara…

    Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë, ndërsa Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapitujt. Tani, ky momentum i krijuar sot duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, shkruan ajo.

    Today is a Super Tuesday for EU enlargement.

    For the first time in over 2 decades, we are holding four accession conferences on the same day.

    Our four front runners Ukraine, Moldova, Albania and Montenegro are all taking major steps forward.

    With Ukraine and Moldova, we are… pic.twitter.com/piUZLMuCYc
    — Marta Kos (@MartaKosEU) July 14, 2026

    Ndryshe, delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, do të formalizojë mbylljen e kapitullit 25 (Shkenca dhe Kërkimi), kapitullit 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe kapitullit 30 (Marrëdhëniet me Jashtë), fusha këto të harmonizuara me standardet e BE-së.

    Konferenca do të nisë në orën 19:00, ndërsa një orë më vonë do të mbahet një konferencë për shtyp mbi ecurinë e procesit të integrimit.

  • Plagosja e një personi në Pejë, arrestohet i dyshuari – dërgohet në mbajtje

    Plagosja e një personi në Pejë, arrestohet i dyshuari – dërgohet në mbajtje

    Prokuroria Themelore në Pejë njofton opinionin publik se lidhur me rastin e të shtënave me armë zjarri që ka ndodhur mbrëmë në qytetin e Pejës, ku si pasojë një person ka mbetur i plagosur, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë personi i dyshuar me inicialet B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë”.

    Sipas një njoftimi për media thuhet se menjëherë pas pranimit të informatës për rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalë Prokurori i Shtetit, njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe ekipet e forenzikës, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale.

    “Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes janë grumbulluar prova materiale që do të shërbejnë në zhvillimin e procedurës penale. Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë në Gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit”, thuhet në njoftim.

    Prokuroria Themelore në Pejë njofton se, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti dhe sigurimit të provave për zhvillimin e mëtejshëm të procedurës penale. /Telegrafi/

  • Macron: Franca do ta lejojë Ukrainën të prodhojë raketa franceze kruiz

    Macron: Franca do ta lejojë Ukrainën të prodhojë raketa franceze kruiz

    Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se Franca do t’i lejojë Ukrainës të prodhojë raketa franceze kruiz, bomba me precizion të lartë dhe raketa interceptuese për mbrojtjen ajrore, pasi Kievi porositi sisteme të reja të mbrojtjes ajrore franko-italiane dhe avionë luftarakë Rafale.

    “Më herët sot, unë dhe Presidenti Zelensky ramë dakord për një plan veprimi midis dy vendeve tona, i cili zbaton atë që u ra dakord në parim nëntorin e kaluar në lidhje me bashkëpunimin tonë dypalësh në mbrojtje ”, tha Macron në një konferencë për shtyp pas një takimi me rreth 25 udhëheqës në Paris, raporton Reuters.

    Prodhimi do të lidhet me bombat ajër-tokë me udhëzim preciz AASM, raketat interceptuese të mbrojtjes ajrore Aster dhe raketat kruz të lëshuara nga ajri me rreze të gjatë veprimi SCALP, të cilat prodhohen gjithashtu nga Britania e Madhe.

    Macron tha gjithashtu se sistemet e radarëve do t’i jepen Ukrainës. Ai deklaroi se Zelensky urdhëroi gjithashtu dorëzimin e sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore SAMP/T, të cilat do të shoqërojnë dorëzimin e versionit më të vjetër të atij sistemi dhe sasive shtesë të raketave.

    Macron tha se 16 avionë luftarakë Rafale do t’i dorëzohen Ukrainës, të cilët duhet të jenë funksionalë në hapësirën ajrore të Ukrainës deri në vitin 2028-2029.

    Macron njoftoi gjithashtu se aleatët e Ukrainës kanë rënë dakord të fillojnë stërvitje ushtarake në vendet që kufizohen me Ukrainën, si pjesë e një plani për të formuar forca shumëkombëshe që do të vendosen pas arritjes së një armëpushimi me Rusinë.

  • Ndodh edhe kjo në Angli: Piloti shkroi “Jam mërzitur” në ajër gjatë një fluturimi provë, shefi i jep ditë pushimi

    Ndodh edhe kjo në Angli: Piloti shkroi “Jam mërzitur” në ajër gjatë një fluturimi provë, shefi i jep ditë pushimi

    Piloti i kompanisë ajrore Ravenair tërhoqi vëmendjen e publikut pasi shkroi fjalinë “I’m bored” (Jam mërzitur) mbi qiejt e Anglisë dhe Uellsit në itinerarin e fluturimit.

    Kjo lëvizje e pazakontë u regjistrua qartë në faqen e njohur të gjurmimit të fluturimeve Flightradar24.

    Siç raportohet nga The Guardian, piloti, një instruktor fluturimi në të njëzetat e tij, fluturoi nga Liverpooli të shtunën me një aeroplan të vogël Piper Tomahawk.

    Linja ajrore tha se ishte një fluturim rutinë testues dy-orësh, qëllimi i të cilit ishte testimi i avionit pas zëvendësimit të njërit prej cilindrave.

    Gjatë fluturimit, pilotit iu deshën 20 minuta për të shkruar mesazhin e tij mbi grykëderdhjen e lumit Dee. Sipas të dhënave, ai ka fluturuar në një lartësi prej 335 metrash, me një shpejtësi prej rreth 100 nyjesh, duke bërë kthesa të ngushta dhe të sakta në mënyrë që shkronjat të dukeshin në radar.

    Wayne Barrett, menaxheri i operacioneve të linjës ajrore, konfirmoi se avioni po funksiononte në mënyrë perfekte dhe theksoi se piloti i ri nuk do të përballet me asnjë sanksion. Për më tepër, ai vlerësoi aftësitë e tij.

    “Unë mendoj se ai ishte fjalë për fjalë pak i mërzitur sepse ishte thjesht një fluturim provë. Ishte fluturim mjaft i aftë, megjithatë. Edhe pse mund të ishte mërzitur në fillim, ai ndoshta duhej të përqendrohej shumë për të nxjerrë fjalët,” tha Barrett.

    Ai gjithashtu shtoi se avioni u kthye i sigurt në hangar, ndërsa pilotit iu dha një ditë pushimi.

  • Arrestohen katër persona për kanosje dhe armbajtje pa leje në Ferizaj

    Arrestohen katër persona për kanosje dhe armbajtje pa leje në Ferizaj

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër persona për kanosje dhe armbëmbajtje pa leje ën Feerizaj gjatë ditës së djeshme.

    Të dyshuarit: H.TH( 50 vjeç), SH.TH(27 vjeç). E.B ( 37 vjeç) dhe E.H (27 vjeç), me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar raste për veprat penale:

    “Kanosja”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

    Postimi i plotë:

    Më datën 13.07.2026, në stacionin policor në Ferizaj është paraqitur një ankues, M.B, i cili ka deklaruar se ishte kanosur nga disa persona.

    Pas ndërmarrjes së veprimeve operative-hetimore nga njësitet reaguese dhe njësia e hetimeve, janë identifikuar dhe lokalizuar personat e dyshuar në një lokal në Ferizaj, ku gjatë kontrollit janë sekuestruar katër armë zjarri dhe sasi municioni.

    Të dyshuarit: H.TH( 50 vjeç), SH.TH(27 vjeç). E.B ( 37 vjeç) dhe E.H (27 vjeç), me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar raste për veprat penale:

    “Kanosja”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe

    “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

  • Investimet e huaja në Ballkan kërkojnë më shumë kapital e krijojnë më pak vende pune, Kosova shënon ngadalësim

    Investimet e huaja në Ballkan kërkojnë më shumë kapital e krijojnë më pak vende pune, Kosova shënon ngadalësim

    Investimet e huaja në Ballkanin Perëndimor po bëhen gjithnjë e më intensive në kapital, ndërsa për çdo shumë të investuar po gjenerohen më pak vende pune se më parë.

    Banka Botërore në raportin e fundit Rajonal vuri në dukje se investimet e huaja direkte për çdo vend pune janë rritur në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit gjatë periudhës 2021–2025, krahasuar me vitet 2016–2020. Treguesi mat raportin ndërmjet vlerës së investimit dhe numrit të vendeve të punës që krijohen. Rritja e tij do të thotë se projektet e reja kërkojnë më shumë kapital për çdo vend pune të hapur, duke sinjalizuar një zhvendosje drejt investimeve më të mëdha, më të kushtueshme dhe më pak intensive në punësim.

    Shuma e investuar për një vend pune pas pandemisë shënoi rritjen më të fortë në Shqipëri me mbi 300% në krahasim me periudhën 2016-2020, ndërsa Serbia u rendit e dyta, me rreth 190%. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut shënuan rritje më të moderuara, në intervalin rreth 80–90%.

    Në Bosnjë-Hercegovinë, shpenzimi kapital për vend pune mbeti pothuajse i pandryshuar, duke treguar se struktura e projekteve të investimeve nuk ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me periudhën e mëparshme. Kosova paraqiti një ecuri të ndryshme, pasi në periudhën 2021–2025 investimet e huaja për një vend pune u ngadalësuan.

    Madhësia e projekteve të investimeve u rrit në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndërmjet viteve 2010 dhe 2025, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi.

    Rritja u bë më e dukshme në Shqipëri pas vitit 2020, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë kishte nisur që prej vitit 2018. Në vlerë absolute, projektet më të mëdha u regjistruan në Mal të Zi, e ndjekur nga Serbia.

    Kjo prirje tregon se investimet e huaja po orientohen më shumë drejt projekteve që kërkojnë shuma të mëdha për ndërtesa, pajisje, teknologji dhe infrastrukturë, por që nuk po krijojnë një numër të lartë vendesh pune. Për rrjedhojë kapitali i investuar po rritet më shpejt se punësimi i gjeneruar prej tij.

    Rritja e shpenzimeve kapitale për vend pune mund të ketë edhe efekte pozitive, nëse lidhet me teknologji më të avancuar, automatizim dhe rritje të produktivitetit. Por në rastin e vendeve të Ballkanit treguesi nuk provon se projektet janë më produktive apo se po krijojnë vende pune më cilësore. Investimet në sektorin e energjisë sidomos parqet fotovoltaike, prodhim energjie apo në pasuri të paluajtshme, gjenerojnë kapital por jo punësim.

  • Parashikimi i motit për të martën

    Parashikimi i motit për të martën

    Të martën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, me shpejtësi prej 12-35 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 12 deri në 16°C, ndërsa ato maksimale prej 27 deri në 31°C. /MeteoKosova/

  • Skandal, Ministrja në Qeverinë e Serbisë: Po të kisha qenë në vend të Millosheviqit, do e kisha pastruar etnikisht Kosovën

    Skandal, Ministrja në Qeverinë e Serbisë: Po të kisha qenë në vend të Millosheviqit, do e kisha pastruar etnikisht Kosovën

    Ministrja në Qeverinë e Serbisë, Snežana Paunović, ka shkaktuar reagime me një deklaratë të bërë gjatë një interviste për mediat serbe, ku ka folur për ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, dhe luftën në Kosovë.

    “Po të isha unë Sllobodan Millosheviq do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, një deklaratë skandaloze për shkak të referimit ndaj spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës gjatë periudhës së luftës së viteve 1998–1999.

    Për deklaratën skandalzoe ka pasur shumë reagime.