ATV

Category: Lajme

  • Mali i Zi mbyll sot dy kapituj të tjerë negociatash me BE-në

    Mali i Zi mbyll sot dy kapituj të tjerë negociatash me BE-në

    Mali i Zi do të mbyllë përkohësisht dy kapituj të tjerë negociatash sot, në Konferencën Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian në Bruksel – 8 (Konkurrenca) dhe 29 (Bashkimi Doganor) – duke forcuar më tej pozicionin e tij si kandidati më i përparuar për anëtarësim në BE, me 18 nga 33 kapitujt në negociatat me BE-në të mbyllur.

    Përpara konferencës së sotme, Ministri Irlandez për Çështjet Evropiane Thomas Byrne tha në rrjetin social X se ky është një sinjal i rëndësishëm për të gjitha vendet kandidate, duke e quajtur sot “Super Martën”.

    Përveç mbylljes së kapitujve 8 dhe 29 nga Mali i Zi, grupi 6 pritet të hapet sot për Ukrainën dhe Moldavinë, dhe Shqipëria të mbyllë kapitujt 25, 26 dhe 30.

    Byrne theksoi se ky do të jetë numri më i madh i konferencave ndërqeveritare mbi zgjerimin të mbajtura në një ditë që nga viti 2002.

  • “50 mijë euro dorëzani” – Çfarë dihet për kërkesën e Thaçit për lirim me kusht

    “50 mijë euro dorëzani” – Çfarë dihet për kërkesën e Thaçit për lirim me kusht

    Ditë më parë u bë e ditur se mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Gjykata Speciale në Hagë lirimin e tij me kusht, duke ofruar garanci financiare 50 mijë euro, gjersa lidhur me këtë janë deklaruar edhe nga Gjykata Speciale.

    Siç është bërë e ditur në kërkesën e mbrojtjes thuhet se ish-presidenti Thaçi nuk paraqet rrezik të arratisjes dhe se ai ka ofruar garanci financiare 50 mijë euro për të siguruar lirimin e tij.

    Ndër të tjera në kërkesë bëhet e ditur edhe për kushtet të cilat, ish-presidenti, është i gatshëm t’i pranojë.

    Aty, përveç garancisë prej 50 mijë eurosh, thuhet se, Thaçi nuk do të largohet nga territori i Kosovës, dhe se ai, do të dorëzojë pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi.

    Po ashtu, thuhet se, Thaçi do të përmbahet nga bërja e çdo deklarate publike, drejtpërdrejt ose tërthorazi në media dhe, ose në rrjetet sociale, si dhe, ai nuk do të diskutojë përmbajtjen e çështjes së tij me askënd, përveç anëtarëve të caktuar të ekipit të tij mbrojtës.

    Kushtet e publikuara në kërkesë:

    Z. Thaçi është i gatshëm t’u përmbahet kushteve të ngjashme me ato që u janë vendosur bashkë të akuzuarve të tij, të cilat janë cilësuar si “një kornizë e provuar dhe e përshtatshme për lirimin e përkohshëm”,⁵⁵ ose çdo kushti tjetër që Gjyqtari i Vetëm i Gjykimit (GVG) e konsideron të përshtatshëm, përkatësisht:

    a) Z. Thaçi nuk do të largohet nga territori i Kosovës, përveç nëse autorizohet për këtë nga një trup gjykues kompetent i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK);

    b) Z. Thaçi do t’ia dorëzojë Regjistrarit pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi, përfshirë vizat dhe çdo dokument identifikimi që mund të përdoret për udhëtim. Ky detyrim shtrihet edhe mbi çdo pasaportë ose dokument të ri udhëtimi që mund t’i lëshohet nga autoritetet e Kosovës ose autoritete të tjera pas nxjerrjes së këtij vendimi. Nëse prania e z. Thaçi kërkohet në selinë e DhSK-së, Regjistri do t’ia vërë në dispozicion pasaportën vetëm për atë qëllim. Pas kthimit të tij në Kosovë, pasaporta do t’i dorëzohet sërish Regjistrarit;

    c) Z. Thaçi do të japë adresën ku do të banojë në Kosovë gjatë gjithë kohëzgjatjes së procedurës gjyqësore dhe do të kërkojë leje nga DhSK-ja përpara çdo ndryshimi të vendbanimit;

    d) Z. Thaçi do të depozitojë pranë Regjistrarit, si kusht paraprak për lirimin e tij, një garanci financiare në formën e një transferi monetar në shumën prej 50.000 eurosh në llogarinë e Regjistrit;

    e) Z. Thaçi do të përmbahet nga çdo kontakt ose komunikim, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), të çfarëdo lloji dhe me çfarëdo mjeti, me bashkë të akuzuarit e tij (Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi);

    f) Z. Thaçi do të përmbahet nga çdo kontakt ose komunikim, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), të çfarëdo lloji dhe me çfarëdo mjeti, me çdo person për të cilin ai e di se është dëshmitar në këtë ose në ndonjë çështje tjetër para DhSK-së;

    g) Z. Thaçi do të përmbahet nga çdo kontakt ose komunikim, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë (nëpërmjet çdo personi tjetër), me çdo person që në Aktakuzën e Ndryshuar të Konfirmuar pretendohet se ka marrë pjesë ose ka ndihmuar në sjelljen penguese objekt të kësaj çështjeje;

    h) Z. Thaçi nuk do të diskutojë përmbajtjen e çështjes së tij me askënd, përveç anëtarëve të caktuar të ekipit të tij mbrojtës, përfshirë edhe anëtarët e ngushtë të familjes, dhe do t’i informojë çdo personi që bën pyetje lidhur me çështjen e tij se ai i nënshtrohet një ndalimi të tillë nga DhSK-ja;

    i) Z. Thaçi do të përmbahet nga bërja e çdo deklarate publike, drejtpërdrejt ose tërthorazi (për shembull, nëpërmjet anëtarëve të familjes), në media dhe/ose në rrjetet sociale lidhur me DhSK-në, Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe/ose çdo procedurë para DhSK-së;

    j) Z. Thaçi do të paraqitet për një verifikim javor pranë Policisë së Kosovës, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Regjistrari;

    k) Z. Thaçi do të dorëzohet në paraburgimin e DhSK-së, nëse urdhërohet për këtë, dhe do të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore sipas kërkesës së DhSK-së. Çdo mosparaqitje para DhSK-së, sipas urdhrit, do të sjellë konfiskimin e garancisë financiare të parashikuar në nënparagrafin (d), si dhe lëshimin e menjëhershëm të një urdhër-arresti;

    l) Z. Thaçi do ta njoftojë Regjistrarin për adresën ku do të qëndrojë gjatë kohës që ndodhet në territorin e Shtetit Pritës për të marrë pjesë në seancat gjyqësore dhe do t’u përmbahet çdo kufizimi të lëvizjes në territorin e Shtetit Pritës që mund t’i vendoset gjatë periudhës së qëndrimit të tij atje;

    m) Z. Thaçi do ta respektojë klasifikimin konfidencial të vendimit për lirimin e tij dhe nuk do ta publikojë, zbulojë apo diskutojë në çfarëdo mënyre përmbajtjen e tij, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me asnjë person, përfshirë çdo të akuzuar në Objektin e Paraburgimit dhe anëtarët e familjes së tij, me përjashtim të avokatit të tij dhe anëtarëve të caktuar të ekipit mbrojtës, derisa vendimi të bëhet publik me urdhër të GVG-së; dhe

    n) Z. Thaçi do t’i përmbahet çdo vendimi, urdhri ose udhëzimi tjetër të Gjyqtarit të Vetëm të Gjykimit dhe të Regjistrarit.

    Specialja flet për dorëzaninë e Hashim Thaçit

    Nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë bëhet e ditur se trupi gjykues do të marrim vendimin në kohën e duhur, lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për lirim me kusht dhe ofrim të disa garancive përfshirë edhe dorëzanin prej 50 mijë euro.

    “Trupi Gjykues do të nxjerrë një vendim lidhur me këtë kërkesë në kohën e duhur”, ka deklaruar për Radio Dukagjinin, zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle.

    Kërkesën për lirim me kusht të ish-presidentit, Hashim Thaçi mbrojtja e tij e ka parashtrua më 6 korrik të këtij viti dhe brenda një afati të arsyeshëm trupi gjykues duhet të kthej një përgjigje.

    Përveç garancisë prej 50 mijë eurosh, thuhet se Thaçi nuk do të largohet nga territori i Kosovës, dhe se ai do të dorëzojë pasaportën dhe çdo dokument tjetër udhëtimi.

    Po ashtu, thuhet se, Thaçi do të përmbahet nga bërja e çdo deklarate publike, drejtpërdrejt ose tërthorazi në media dhe, ose në rrjetet sociale, si dhe, ai nuk do të diskutojë përmbajtjen e çështjes së tij me askënd, përveç anëtarëve të caktuar të ekipit të tij mbrojtës. /Telegrafi

  • Gjendet shëndoshë e mirë 44-vjeçari nga Kaçaniku që ishte raportuar i zhdukur

    Gjendet shëndoshë e mirë 44-vjeçari nga Kaçaniku që ishte raportuar i zhdukur

    Milazim Jaha, 44-vjeçar nga fshati Stagovë i Kaçanikut, i cili ishte raportuar i zhdukur, është gjetur.

    Lajmi për Klankosova është konfirmuar nga rrethi i ngushtë familjar i tij, të cilët kanë bërë të ditur se 44-vjeçari është gjetur dhe është në gjendje të mirë.

    Më herët, familjarët kishin kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tij, ndërsa për rastin ishte deklaruar edhe Policia Rajonale e Ferizajt.

  • Më 21 korrik ankandi i pestë i letrave me vlerë për 2026-në, në shumë prej 20 milionë euro

    Më 21 korrik ankandi i pestë i letrave me vlerë për 2026-në, në shumë prej 20 milionë euro

    Ministria e Financave njofton se më 21 korrik 2026 do të mbahet ankandi i pestë për vitin 2026.

    Në njoftim bëhet e ditur se në këtë ankand do të emetohen Obligacione me maturitet 3 vjeçar në shumën prej 20.00 milionë euro.

    “Investimi në Obligacione është investim i sigurt, i garantuar me Ligjin për Borxhin Shtetëror dhe Garancitë Shtetërore, ku interesi i përcaktuar nga tregu ju garantohet për të gjithë kohëzgjatjen 3 vjet dhe është tërësisht i liruar nga tatimi. Për detaje rreth pjesëmarrjes në ankande për blerjen e letrave me vlerë, ju lutem kontaktoni ndonjërën nga Bankat Komerciale që operojnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

  • Tentim vrasja në Pejë: Zbulohet krejt çka gjeti Policia, kapen mbi 100 fishekë

    Tentim vrasja në Pejë: Zbulohet krejt çka gjeti Policia, kapen mbi 100 fishekë

    Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri të dielën mbrëma në Pejë, ndërsa i dyshuari është vetëdorëzuar disa orë më vonë dhe është ndaluar për 48 orë.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, rasti ka ndodhur më 13 korrik 2026, rreth orës 22:36, në rrugën “Mbreti Pirro”.

    “Stacioni Policor në Pejë, më datën 13.07.2026, në orën 22:36, është informuar se në rrugën ‘Mbreti Pirro’, në Pejë, kishte ndodhur një plagosje dhe një person ishte lënduar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Policia njofton se njësitet policore kanë reaguar menjëherë, duke gjetur në vendin e ngjarjes viktimën të plagosur nga arma e zjarrit. Fillimisht, ai është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

    “Sipas mjekëve, gjendja e tij është stabile”, bëhet e ditur në komunikatë.

    Pas incidentit, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, ndërsa në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë kompetente policore, drejtori rajonal dhe prokurori i shtetit.

    Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë zhvilluan veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit. Me autorizim të prokurorit, është kryer edhe bastisja e shtëpisë së tij.

    “Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar 73 fishekë të kalibrit 7.65 mm, 41 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe tre karikatorë”, thuhet në njoftim.
    Policia bën të ditur se më 14 korrik 2026, rreth orës 02:30, i dyshuari është vetëdorëzuar, duke dorëzuar edhe dy armë, dy karikatorë dhe 15 fishekë, për të cilat dyshohet se janë përdorur në kryerjen e veprës penale.

    “I njëjti, në prezencën e avokatit mbrojtës, është intervistuar nga hetuesit dhe me aktvendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë.

    Policia nuk ka bërë të ditur motivin e plagosjes, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.

  • Nafta shtrenjtohet për 2 cent, publikohen çmimet e reja të derivateve

    Nafta shtrenjtohet për 2 cent, publikohen çmimet e reja të derivateve

    Nga dita e sotme, qytetarët do të paguajnë më shumë për një litër naftë. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka publikuar çmimet e reja maksimale të lejuara për derivatet e naftës, duke njoftuar rritje të çmimit të dizelit me 2 cent.

    Sipas vendimit, çmimi maksimal i naftës (dizelit) është 1.52 euro për litër, nga 1.50 euro sa ishte më parë. Ndërkohë, benzina mbetet në 1.39 euro për litër, ndërsa gazi në 0.61 euro për litër.

    Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi nga ora 10:00 e datës 14 korrik 2026, në përputhje me vendimin e MINT-it.

  • Arrestohet një burrë në Prishtinë për sulm seksual ndaj një gruaje

    Arrestohet një burrë në Prishtinë për sulm seksual ndaj një gruaje

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Sulm seksual”, pas raportimit të një rasti që ka ndodhur në Prishtinë.

    Sipas njoftimit policor, viktima ka deklaruar se është sulmuar seksualisht nga një burrë.

    I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

    Me vendim të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

  • Rrahu nënën dhe motrën, arrestohet burri nga Fushë Kosova

    Rrahu nënën dhe motrën, arrestohet burri nga Fushë Kosova

    Një person është arrestuar në Fushë Kosovë pasi dyshohet se ushtroi dhunë fizike ndaj nënës dhe motrës së tij, pas një mosmarrëveshjeje familjare.

    Ngjarja ka ndodhur më 12 korrik 2026, rreth orës 17:20. Si pasojë e sulmit, të dyja viktimat kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.

    Pas arrestimit dhe intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

    “Fushë Kosovë 12.07.2026 – 17:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar,  pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht nënën dhe motrën e tij. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. I dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë së Kosovës.

  • Fushë Kosovë: Djali rrah nënën dhe motrën, përfundon në polici

    Fushë Kosovë: Djali rrah nënën dhe motrën, përfundon në polici

    Një rast i dhunës në familje është raportuar të dielën në Fushë Kosovë.

    Sipas policisë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se, pas një mosmarrëveshjeje familjare, ka sulmuar fizikisht nënën dhe motrën e tij.

    Si pasojë e sulmit, të dyja viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

    I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar lidhur me rastin. Me vendim të prokurorit, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.

  • ATK paralajmëron pronarët: Deklaroni të ardhurat nga qiraja ose përballuni me gjoba dhe masa ligjore

    ATK paralajmëron pronarët: Deklaroni të ardhurat nga qiraja ose përballuni me gjoba dhe masa ligjore

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka intensifikuar aktivitetet për identifikimin e të ardhurave të padeklaruara nga dhënia me qira e pronave, duke u bërë thirrje të gjithë personave fizikë që realizojnë të ardhura nga qiraja – përfshirë edhe përmes platformave elektronike si Airbnb – t’i deklarojnë ato dhe të përmbushin detyrimet tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Përmes këtij njoftimi, ATK synon të nxisë përmbushjen vullnetare të obligimeve tatimore dhe të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë tatimpaguesit.

    ATK u bën thirrje të gjithë personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave dhe që ende nuk i kanë deklaruar ato, që sa më parë t’i përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre tatimore, duke:

    • u pajisur me Numër Fiskal pranë ATK-së, nëse nuk janë të regjistruar;

    • deklaruar të ardhurat e realizuara; dhe

    • paguar detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

    Njoftimi i plotë:

    Deklarimi dhe tatimi i të ardhurave nga dhënia me qira e pronave

    Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton të gjithë personat fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive ose pronave të tjera, përfshirë edhe përmes platformave elektronike, si Airbnb dhe platforma të tjera të ngjashme, se këto të ardhura duhet të deklarohen dhe i nënshtrohen tatimit në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.

    ATK, në kuadër të aktiviteteve të saj për identifikimin e ekonomisë joformale, ka analizuar të dhënat dhe informacionet që disponon dhe ka konstatuar se një numër personash kanë realizuar të ardhura nga dhënia me qira e pronave, por nuk janë regjistruar në ATK, nuk kanë deklaruar këto të ardhura dhe nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre tatimore.

    Për këtë arsye, ATK u bën thirrje të gjithë personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave dhe që ende nuk i kanë deklaruar ato, që sa më parë t’i përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre tatimore, duke:

    • u pajisur me Numër Fiskal pranë ATK-së, nëse nuk janë të regjistruar;

    • deklaruar të ardhurat e realizuara; dhe

    • paguar detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

    ATK rikujton se disponon informacione, të dhëna dhe prova që mundësojnë identifikimin e personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave. Nëse këta persona nuk përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre, ATK do të ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi, duke përfshirë:

    • regjistrimin sipas detyrës zyrtare, kur plotësohen kushtet ligjore;

    • vlerësimin e detyrimeve tatimore bazuar në informacionet, të dhënat dhe provat që disponon;

    • ngarkimin e interesave dhe gjobave; si dhe

    • ndërmarrjen e masave të tjera administrative dhe ligjore të parashikuara nga legjislacioni tatimor.

    ATK mbetet e përkushtuar në promovimin e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore dhe sigurimin e trajtimit të barabartë të të gjithë tatimpaguesve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Për informata shtesë lidhur me regjistrimin, deklarimin dhe pagesën e tatimeve, tatimpaguesit mund të kontaktojnë Administratën Tatimore të Kosovës përmes kanaleve zyrtare të komunikimit ose të vizitojnë zyrat më të afërta të ATK-së.

    Përmbushja vullnetare është zgjedhja më e mirë.

    Administrata Tatimore e Kosovës