ATV

Category: Lajme

  • Totaj tregon tri vendimet e Qeverisë Kurti që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në financat e komunave

    Totaj tregon tri vendimet e Qeverisë Kurti që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në financat e komunave

    Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë Kurti.

    Ai ka numëruar disa vendime të Qeverisë që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në financat e pushtetit lokal.

    Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se njëra nder këto vendime është edhe shkurtimi i Grantit të Performancës Komunale.

    “Përveç barrës së vazhdueshme financiare që komunat po përballojnë nga zbatimi i Kontratës Kolektive, e cila vetëm gjatë këtij viti arrin në dhjetëra milionë euro, gjatë periudhës së fundit janë ndërmarrë edhe disa vendime të tjera me ndikim të drejtpërdrejtë dhe të konsiderueshëm në financat e pushtetit lokal. Shqetësuese është se të gjitha këto vendime janë marrë pa asnjë konsultim me komunat, ndonëse pasojat financiare bien drejtpërdrejt mbi buxhetet komunale dhe ndikojnë në cilësinë e shërbimeve për qytetarët”, ka shkruara ai, duke përmendur vendime me radhë.

    “1. Shkurtimi i Grantit të Performancës Komunale

    Ligji për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026 ka paraparë 4 milionë euro nga buxheti i shtetit për Skemën e Grantit të Performancës. Megjithatë, janë ndarë vetëm 2 milionë euro, duke e përgjysmuar fondin qeveritar në kundërshtim me ligjin dhe duke dëmtuar komunat që kanë përmbushur kriteret ligjore për përfitim. Për më tepër, edhe këto mjete ende nuk janë shpërndarë te komunat dhe nuk dihet se kur do të realizohet shpërndarja e tyre, duke krijuar pasiguri të mëtejshme për komunat përfituese. 2. Moszbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës Moszbatimi nga Ministria e Financave i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kompensimin e përvojës së punës (0.5% në vend të 0.25%) për periudhën nga fillimi i vitit 2023, gjatë vitit 2024 dhe vitit 2025 krijon obligime të konsiderueshme financiare. Si pasojë, barra financiare për zyrtarët publikë të nivelit lokal pritet t’u bartet komunave, duke rrezikuar seriozisht stabilitetin e financave komunale”, ka shkruar Totaj.

  • Hykmete Bajrami: Gjendja në shëndetësi, e ka emrin korrupsion

    Hykmete Bajrami: Gjendja në shëndetësi, e ka emrin korrupsion

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar lidhur me situatën në sistemin shëndetësor në Kosovë, duke adresuar kritika ndaj qeverisë aktuale për mënyrën e menaxhimit të këtij sektori.

    Bajrami ka deklaruar se problemet në shëndetësi janë pasojë e keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale. Ajo ka kërkuar që gjendja reale të shihet përmes përvojës së pacientëve në klinika, listave të pritjes dhe mungesave me të cilat përballen institucionet shëndetësore.

    Sipas saj, mjekët dhe infermierët nuk duhet të fajësohen për vështirësitë në sistem, pasi ata punojnë në kushte të rënda dhe vazhdojnë të ofrojnë shërbime pavarësisht mungesave.

    Deputetja opozitare ka ngritur shqetësime edhe për proceset e tenderimit në shëndetësi, duke pretenduar se fondet e mëdha nuk po përkthehen në përmirësim të shërbimeve për qytetarët. Ajo ka përmendur mungesa të barnave, pajisjeve dhe materialeve të nevojshme në klinika.

    “Gjendja në shëndetësi ka emër: emri i saj është korrupsion”, ka shkruar Bajrami në reagimin e saj, duke e bërë përgjegjës pushtetin për situatën aktuale.

    Ajo ka theksuar se pas disa vitesh qeverisje dhe me buxhete të mëdha në dispozicion, gjendja në këtë sektor mbetet shqetësuese dhe ka kërkuar përgjegjësi institucionale për problemet e vazhdueshme.

    Deri tani, nga institucionet qeveritare nuk ka pasur një reagim ndaj deklaratave të deputetes së LDK-së.

  • Oficerë të FSK-së përfundojnë Kursin e Avancuar të Komandës dhe Shtabit në Mbretërinë e Bashkuar

    Oficerë të FSK-së përfundojnë Kursin e Avancuar të Komandës dhe Shtabit në Mbretërinë e Bashkuar

    Oficerët e FSK-së, major Afrim Xhelili dhe major Besnik Thaqi, kanë përfunduar me sukses të lartë Kursin e Avancuar të Komandës dhe Shtabit (ACSC) në Akademinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar në Shrivenham. Ata gjithashtu morën titullin Master në Studimet e Mbrojtjes nga King’s College në Londër.

    Bazuar në njoftimin e FSK-së, kursi i Avancuar i Komandës dhe Shtabit ka për qëllim edukimin dhe zhvillimin e udhëheqësve të mesëm dhe të lartë për detyra komanduese dhe shtabore të nivelit strategjik dhe operacional, ky program përgatit oficerët për planifikimin dhe drejtimin e operacioneve ushtarake komplekse, bashkëpunimin me agjenci qeveritare dhe partnerë ndërkombëtarë, si dhe aplikimin efektiv të instrumenteve të fuqisë kombëtare në ruajtje të paqes dhe sigurisë në botë.

    Në këtë program morën pjesë mbi 240 pjesëmarrës nga Britania e Madhe dhe nga 47 shtete të tjera nga e mbarë bota.

    “Pjesëmarrja dhe diplomimi i oficerëve tanë në Akademinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës për të ndërtuar një ushtri moderne dhe të përgatitur sipas standardeve më të larta ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

  • Zbardhen detaje nga ekzekutimi i Edmond Sulës, dyshohet se u qëllua nga vrasës me pagesë

    Zbardhen detaje nga ekzekutimi i Edmond Sulës, dyshohet se u qëllua nga vrasës me pagesë

    Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e Edmond Sulës, 50 vjeç i cili u vra të dielën pak pas mesnatën në fshatin Bërxullë të Vorës. Burime nga grupi hetimore bëjnë të ditur se ka dyshime se autorët kanë qenë vrasës me pagesë.

    Sipas asaj që është parë edhe në pamjet filmike të kamerave të sigurisë autori e ka pritur 50- vjeçarin pranë banesës së tij deri në momentin që ka zbritur nga automjeti i tij dhe është drejtuar për të hyrë në banesën e tij.

    Më pas e ka qëlluar me një plumb në kokë duke i marr jetën.

    Autori është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes deri në momentin që është marr nga një makinë që dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorët e tij.

    Pavarësisht se në deklarimet para uniformave blu familjarët e viktimës janë shprehur që nuk kanë informacion për ndonjë konflikt që mund të ketë pasur, grupi hetimorë dyshon se ngjarja të këtë ndodhur për një konflikt pronësie pasi Edmond Sula merrej me shit-blerje pronash.

    Ai nuk ishte i panjohur për policinë pasi në të kaluarën ishte proceduar për disa vepra penale si rrahje, grabitje dhe konflikte të tjera. 50-vjeçari njihej si person me influencë nga komuniteti ku jetonte pasi qëndronte gjithmonë në të njëjtën kafe ku bënte edhe takime që lidheshim më shitblerjen e pronave.

    Madje ai kishte në emrin e tij të regjistruar edhe një kompani për shitblerje dhe dhënie me qira makinash.

    Deri tani nuk ka persona të ndaluar, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve./RTSH

  • Ra nga kulmi i një shtëpie, Inspektorati sqaron rastin e vdekjes në Prizren: Viktima nuk ishte punëtor

    Ra nga kulmi i një shtëpie, Inspektorati sqaron rastin e vdekjes në Prizren: Viktima nuk ishte punëtor

    Inspektorati Qëndror i Punës ka sqaruar rrethanat se personit i cili ka ndërruar jetë pasi ra nga lartësia e një shtëpie në Prizren.

    Sipas njoftimit thuhet se nga të dhënat fillestare rezulton se viktima nuk ka qenë punëtor.

    “Sqarim lidhur me rastin e ndodhur në Prizren. Mbrëmë, rreth orës 19:00, pas njoftimit nga Policia e Kosovës, Inspektorati Qendror i Punës (IQP) ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës. Nga të dhënat fillestare rezulton se viktima nuk ka qenë punëtor”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç thuhet në njoftim aksidenti ka ndodhur në një shtëpi private, ku po kryheshin punime për renovimin e kulmit “ndërsa viktima nuk ishte i angazhuar në procesin e punës, por ishte vëllai i pronarit të shtëpisë”.

    Po ashtu në njoftim thuhet se IQP ka konstatuar se nuk ka ekzistuar marrëdhënie kontraktuale investitor–punëkryes, si dhe nuk ka pasur marrëdhënie pune, sipas përcaktimeve ligjore.

  • Ndërron jetë gruaja që ishte aksidentuar muajin e kaluar në Fushë Kosovë

    Ndërron jetë gruaja që ishte aksidentuar muajin e kaluar në Fushë Kosovë

    Ndërron jetë një grua ku më 05.06.2026 kishte pësuar një aksident në trafik dhe pas disa ditësh (të hënën) të njëjtës i është keqësuar gjendja dhe me autoambulancë e kanë dërguar në Emergjencë në QKUK-Prishtinë, vdekjen e së cilës e ka konstatuar mjeku kujdestar

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 05.06.2026 në rrugën “Nënë Terezë”, në Fushë Kosovë.

    Tutje thuhet se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet për obduksion në IML-Prishtinë

    “Rr. Nënë Terezë, Fushë Kosovë 05.06.2026 – 14:40. Sot me datë 13.07.2026 viktimës femër kosovare, i është keqësuar gjendja shëndetësore dhe të njëjtën me autoambulancë e kanë sjellë në Emergjencë në QKUK-Prishtinë, vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet për obduksion në IML-Prishtinë”, thuhet në raport.

  • Bajrami reagon pas publikimit të gjendjes në Pediatri: Shëndetësia është në alarm

    Bajrami reagon pas publikimit të gjendjes në Pediatri: Shëndetësia është në alarm

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër gjendjen në sektorin e shëndetësisë, duke e akuzuar qeverinë për keqmenaxhim, korrupsion dhe dështim në sigurimin e shërbimeve bazë për pacientët.

    Në një reagim publik, Bajrami tha se gjendja reale në sistemin shëndetësor nuk mund të vlerësohet nga konferencat për media apo statistikat zyrtare, por nga kushtet me të cilat përballen pacientët në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    “Nëse doni ta dini çfarë shteti kemi, mos e gjykoni nga konferencat për media, nga shifrat që qeveritarët i prezantojnë çdo ditë. Pyetni të sëmurët. Shkoni në Pediatri, Gjinekologji, Onkologji, Ortopedi dhe shihni listat e pritjes”, ka shkruar Bajrami.

    Ajo theksoi se mjekët dhe infermierët nuk duhet të fajësohen për situatën, pasi sipas saj ata punojnë në kushte të vështira dhe vazhdojnë ta mbajnë funksional sistemin shëndetësor.

    “Përgjegjësia nuk është e tyre”, u shpreh ajo.

    Bajrami vlerësoi se, pas gjashtë vjetësh qeverisje me të gjitha nivelet e pushtetit dhe me një buxhet prej rreth katër miliardë eurosh në vit, gjendja aktuale në shëndetësi është e papranueshme.

    “Gjendja në shëndetësi ka emër: emri i saj është korrupsion”, deklaroi deputetja.

    Sipas saj, në sektorin e shëndetësisë zhvillohen tenderë me vlera të mëdha për shërbime dhe furnizime, ndërsa pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë barnash, materiale mjekësore dhe kushte jo të mira nëpër klinika.

    Ajo iu referua edhe raportimeve për mungesën e barnave për trajtimin e kancerit të gjirit në QKUK, duke pretenduar se pacientët po detyrohen t’i blejnë vetë ato.

    Në fund, Bajrami tha se përgjegjësinë për gjendjen aktuale e mban qeveria.

    “Sot gjendja në shëndetësi është alarm, sepse kur dështon shëndetësia, nuk dështon vetëm qeveria, dështon shteti”, përfundoi ajo.

  • Vajza e Visar Korenicës po lufton me një sëmundje të rëndë, të afërmit bëjnë apel për ndihmë

    Vajza e Visar Korenicës po lufton me një sëmundje të rëndë, të afërmit bëjnë apel për ndihmë

    Urtina, vajza e kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, Visar Korenica, prej një kohe të gjatë po përballet me një sëmundje të rëndë, tumorin.

    Për trajtimin e saj nevojitet mbështetje financiare.

    Me këtë rast, të afërmit e Visar Korenicës kanë bërë apel për të ndihmuar në grumbullimin e të hollave, të nevojshme për trajtimin e Urtinës.

    Njoftimi:

    “Apel për ndihmë!

    Mirëmëngjesi të dashur miq e dashamirë,

    Vajza e shokut tonë Visar Korenica – Urtina, qe një kohë të gjatë vuan nga një tumor dhe ka nevojë për ndihmë financiare në përballje me sëmundjen, pasi familja më nuk po ka mundësi t’i përballojë vetë shpenzimet.

    Kanë mbetur edhe 10 mijë euro të grumbullohen.

    U bëj thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi të kontribuojnë përmes linkut:

    https://www.gofundme.com

  • Andin Hoti i reagon ministres serbe: Fatin e Millosheviqit do ta kishe dhe do ta kesh sa herë që tenton

    Andin Hoti i reagon ministres serbe: Fatin e Millosheviqit do ta kishe dhe do ta kesh sa herë që tenton

    Kërcënimi i ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila deklaroi se “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit më 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.

    Ministri për Familjen dhe Vlerat e Luftës, Andin Hoti, i cili është djali i veprimtarit të njohur, Ukshin Hoti, ka thënë se kjo deklaratë tregon që Serbia nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale.

    Ai reagoi ashpër, duke thënë se Millosheviqi e provoi, por përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe, duke shtuar se të njëjtën fat do ta kishte edhe Paunoviq.

    “Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton. Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik”, ka shkruar Hoti në Facebook.

  • IKShPK: 63 raste me fruth në Kosovë, infektimet sipas komunave

    IKShPK: 63 raste me fruth në Kosovë, infektimet sipas komunave

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga 16 prilli deri më 13 korrik 2026 janë konfirmuar gjithsej 63 raste me fruth në vend, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 11 raste të reja.

    Sipas të dhënave të IKShPK-së, numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë me 19 raste, e pasuar nga Ferizaj me 12, Fushë Kosova me 9 dhe Kaçaniku me 8 raste.

    Ndërkaq, Lipjani ka regjistruar 3 raste, ndërsa Vushtrria, Shtimja dhe Obiliqi nga 2 raste secila. Nga një rast është konfirmuar në Gjilan, Drenas, Deçan, Skenderaj, Shtërpcë dhe Viti.

    IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet sa më shpejt në institucionet shëndetësore.

    Instituti thekson se, për shkak të infektueshmërisë së lartë të fruthit dhe rrezikut të përhapjes në komunitet, prindërit dhe kujdestarët duhet të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit në qendrat e mjekësisë familjare.

    Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.