ATV

Category: Lajme

  • Dështojnë bisedimet e paqes mes talibanëve dhe Pakistanit

    Dështojnë bisedimet e paqes mes talibanëve dhe Pakistanit

    Bisedimet e paqes në Stamboll mes Pakistanit dhe sundimtarëve islamistë talibanë të linjës së ashpër në Afganistan kanë përfunduar pa marrëveshje, por armëpushimi mes dy shteteve fqinje do të vazhdojë të jetë në fuqi.

    Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, fajësoi Pakistanin për kolapsimin e bisedimeve, duke thënë se delegacioni i Islamabadit kishte “sjellje të papërgjegjshme dhe kishte mungesë të bashkëpunimit”.

    Përmes një postimi në X, Mujahid e akuzoi Pakistanin se “nuk shfaqi gatishmëri për të marrë ndonjë përgjegjësi për sigurinë e Afganistanit, apo edhe të veten”.

    Ai shtoi se armëpushimi “deri më tani nuk është shkelur nga ne dhe ai do të vazhdohet që të respektohet”.

    Disa runde bisedimesh të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Katari janë mbajtur në Stamboll që nga muaji i kaluar. Rundi i fundit u mbajt më 6-7 nëntor dhe u udhëhoq nga Abdul Haq Wasiq, shefi i inteligjencës të talibanëve dhe nga gjenerallejtënant, Asim Malik, kreu i Shërbimit të Inteligjencës të Pakistanit.

    Më herët, zyrtarët pakistanezë, përfshirë ministri e mbrojtjes, Khawaja Asif, thanë se dështuan bisedimet në Stamboll, duke shtuar se nuk ka plane për negociata të tjera.

    Asif tparalajmëroi se nëse territori i Afganistanit përdoret për të sulmuar Pakistanin, armëpushimi do të përfundojë.

    Ai paraprakisht kishte paralajmëruar se dështimi për të arritur një marrëveshje do të çonte në një “luftë të hapur”.

    Rundi i fundit i bisedimeve në Stamboll u përball me probleme që në fillim. Për shembull, kur nisën bisedimet pati këmbim zjarri më 6 nëntor në Spin Boldak mes ushtarëve talibanë dhe forcave pakistaneze.

    Edhe pse të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për inicimin e zjarrit, sipas raportimeve lokale, civilët e pësuan rëndë gjatë këtij incidenti. Të paktën pesë civilë, përfshirë katër gra, u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën.

    Ndërkaq, gjatë përleshjeve të tetorit mes Pakistait dhe talibanëve u vranë të paktën 50 civilë afganë dhe 450 të tjerë u plagosën. Luftimet u ndalën pas ndërmjetësimit të Turqisë dhe Katarit dhe palët arritën një armëpushim.

    Pakistani po ashtu ka konfirmuar se gjatë përleshjeve janë vrarë të paktën 23 ushtarë të tij dhe janë plagosur 29 të tjerë.

    Dhuna erdhi pas shpërthimeve në Kabul më 9 nëntor, për të cilat autoritetet talibane fajësuan Pakistanin.

    Dikur aleatë të ngushtë, që ndajnë një kufi prej 2.600 kilometrash, të dyja palët përkeqësuan raportet pas pretendimeve të Islamabadit se Afganistani strehon grupe militante, përfshirë Tehrik‑e Taliban Pakistan (TTP). Pakistani pretendon se autoritetet talibane po lejojnë TTP-në që të përdorë territorin afganë për t’u trajnuar dhe si qendër logjistike për sulme brenda Pakistanit. Qeveria talibane mohon këto pretendime./REL/

  • U përfol shumë për një lidhje me Mirlind Dakun – Vesa zyrtarizon çdo gjë përmes një ‘Instastory’

    U përfol shumë për një lidhje me Mirlind Dakun – Vesa zyrtarizon çdo gjë përmes një ‘Instastory’

    Ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Vesa Vllasaliu, shumë shpesh është përfolur për jetën e saj private.

    E kohën e fundit poshtë e lartë kanë qarkulluar informacione se e njëjta është në një lidhje romantike me futbollistin Mirlind Daku.

    Një veprim i fundit i Vllasaliut ka zyrtarizuar gjithçka.

    Vesa shihet teksa i uron ditëlindjen një vajze të vogël, por ajo që mori vëmendjen e ndjekësve ishte prania e Mirlind Dakut në foto, ku ai shihet duke mbajtur në krahë vogëlushen.

    Një gjë e tillë është interpretuar si konfirmimi zyrtar i lidhjes së tyre, pasi është hera e parë që Vesa e ndan një imazh ku Daku shfaqet hapur në profilin e saj.

  • Zhduket një person, kërkime intensive për një person të zhdukur në Gjilan

    Zhduket një person, kërkime intensive për një person të zhdukur në Gjilan

    Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar sot në fshatin Bresalc të Komunës së Gjilanit, pas raportimit për një person të zhdukur.

    Sipas njoftimit nga Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH), në terren janë angazhuar ekipet profesionale të saj, ndërsa përfshirë është edhe njësia e dronave, e cila po mbështet kërkimet nga ajri për të mbuluar sa më shumë zonë në mënyrë sa më efektive.

    “Operacioni po vazhdon me përkushtim të plotë, dhe ne falënderojmë të gjithë vullnetarët që po kontribuojnë në këtë mision human dhe profesional,” thuhet në njoftimin e SHKKSH-së.

    Operacioni po vijon, ndërsa autoritetet dhe vullnetarët mbeten në terren deri në gjetjen e personit të zhdukur.

  • Zhduket një person në Bresalc të Gjilanit, Shoqata e Kërkimit Shpëtimit angazhon edhe Njësinë e dronëve

    Zhduket një person në Bresalc të Gjilanit, Shoqata e Kërkimit Shpëtimit angazhon edhe Njësinë e dronëve

    Ekipet e Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH) janë angazhuar sot në një operacion kërkimi në fshatin Bresalc, Komuna e Gjilanit, pas raportimit për një person të zhdukur.

    Kështu bëhet e ditur në postimin e tyre në Facebook.

    “Në terren po punon edhe njësia jonë e dronave, duke mbështetur kërkimet nga ajri për të mbuluar sa më shumë terren në mënyrë efektive.

    Operacioni po vazhdon me përkushtim të plotë, dhe ne falënderojmë të gjithë vullnetarët që po kontribuojnë në këtë mision human dhe profesional”, thuhet në postim. /Telegrafi/

  • Rusia godet masivisht Ukrainën, goditen objektiva në tërë vendin

    Rusia godet masivisht Ukrainën, goditen objektiva në tërë vendin

    Një sulm i radhës me një kombinim dronësh e raketash është bërë mbrëmë ndaj qyteteve ukrainase.

    Objektiva janë goditur në tërë vendin.

    Sipas raportimeve të grupeve vëzhguese, Rusia ka lëshuar raketa hipersonike “Kinzhal” si dhe raketa lundruese dhe balistike në rajone të ndryshme të vendit.

    Qytetet Kremenchuk, Kiev, Dnipro, Kharkiv dhe Chernihiv ishin objektivat kryesore të sulmeve, ndërsa goditje u regjistruan edhe në rajonet Dnipropetrovsk dhe Poltava.

    Eksplozione u dëgjuan edhe në qytetin Sumy, si dhe në rajonin e Odessa.

    Në Kiev u dëgjuan shpërthime që herët në mëngjes, sipas reporterit të “Kyiv Independent” që ndodhej në vendngjarje. Zyrtarët bënë të ditur se aktivizohej mbrojtja ajrore për shkak të një sulmi më të gjerë rus me dronë ndaj kryeqytetit.

    Shërbimi shtetëror për emergjenca në Ukrainë komunikoi se katër kamionë të vegjël në atë lagje u kapën nga zjarri, dhe se u dëmtuan dy ndërtesa si dhe automjete të parkuara pranë.

    Sulmi ndaj kryeqytetit u bë mes një ofensivë më të gjerë ndaj qyteteve pranë vijave të frontit ukrainas. Gjatë natës u dëgjuan alarme të sulmeve ajrore në të gjithë vendin për shkak të raketave balistike ruse që synuan rajonet qendrore, jugore dhe lindore të Ukrainës.

    Ministrja e Energjisë së Ukrainës, Svitlana Hrynchuk, deklaroi se sulmi i masiv me raketa dhe dronë ishte drejtuar ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, gjë që çoi në ndërprerje të rrymës në disa rajone.

  • Si i shpenzon miliardat Elon Musk? Pak rreth jetës së njërit nga njerëzit më te pasur në botë

    Si i shpenzon miliardat Elon Musk? Pak rreth jetës së njërit nga njerëzit më te pasur në botë

    Elon Musk, ka qenë prej vitesh një nga njerëzit më të pasur në botë. Megjithatë, shpesh ka theksuar se jeton një jetë mjaft të thjeshtë dhe pa shumë luks.

    Në vitin 2021, Musku ka thënë se jeton në një shtëpi në Teksas që kushton rreth 50 mijë dollarë. Ish-partnerja e tij, këngëtarja Grimes — me të cilën ka dy fëmijë — i tha revistës Vanity Fair në vitin 2022 se jeta e tij nuk është aspak e shfrenuar apo plot lukse të tepruara, siç mendojnë shumë njerëz, shkruan BBC.

    Edhe pse hapësira e tij e përditshme nuk është luksoze siç mund të pritej, Musk njihet për dashurinë ndaj veturave unike — përfshirë një që mund të shndërrohet në nëndetëse. Ai gjithashtu zotëron disa aeroplanë privatë, që vlejnë miliona dollarë.

    Dikur, Musk kishte numër të madh pronash. The Ëall Street Journal raportoi në vitin 2019 se ai kishte shpenzuar rreth 100 milionë dollarë për blerjen e shtatë shtëpive brenda afërsisht shtatë vjetësh, shumica në lagjen prestigjioze Bel-Air të Kalifornisë. Këto prona përfshinin pishina, fusha tenisi, bodrume, një bibliotekë private dhe madje edhe një sallë balloje.

    Por në vitin 2020, Musku ndryshoi mendje, duke njoftuar se do t’i shiste pothuajse të gjitha pasuritë e tij materiale dhe se nuk do të zotëronte më asnjë shtëpi.

    “Nuk kam nevojë për para. Jam i përkushtuar ndaj Marsit dhe Tokës. Prona vetëm të rëndon”, shkroi ai.

    Në vitin 2021, Musku deklaroi në rrjetet sociale se “shtëpia e tij kryesore” ishte një shtëpi modeste që i kushtoi rreth 50 mijë dollarë. Një vit më vonë, ai ka thënë se nuk kishte asnjë shtëpi në pronësi, duke e përdorur këtë si shembull se sa pak shpenzon, pavarësisht pasurisë së tij të madhe.

    Megjithatë, kur bëhet fjalë për vetura, historia është ndryshe.

    Ndër automjetet që zotëron është një Ford Model T, një veturë e shekullit XX që konsiderohet si automjeti i parë i përballueshëm që revolucionarizoi industrinë e automobilave.

    Më e veçanta është Lotus Esprit e vitit 1976, e përdorur nga James Bond në filmin e vitit 1977 The Spy Ëho Loved Me. Në film, vetura – e quajtur “Ëet Nellie” – mund të shndërrohej në nëndetëse. Musku e bleu këtë veturë në ankand në vitin 2013 për gati 1 milion dollarë, me synimin për ta kthyer përsëri në një automjet funksional nënujore.

    Musk ka pranuar se aeroplanët janë një tjetër gjë ku i pëlqen të shpenzojë, por këmbëngul se kjo lidhet me përkushtimin ndaj punës.

    “Nëse nuk përdor aeroplanin, atëherë kam më pak orë për të punuar”, ka thënë ai në një intervistë për TED në vitin 2022.

  • Më pak të punësuara, problemi me pushimin e lehonisë – Sfidat e grave në Kosovë që vazhduan edhe në 2025

    Më pak të punësuara, problemi me pushimin e lehonisë – Sfidat e grave në Kosovë që vazhduan edhe në 2025

    Komisioni Evropian, përmes Raportit të Progresit për vitin 2025 për Kosovën, ka vlerësuar se ndonëse vendi ka bërë përparime në fushën e barazisë gjinore, pabarazitë ende mbeten të theksuara. Sipas raportit, gratë vazhdojnë të jenë të nën-përfaqësuara në pozita të larta qeveritare dhe në organet vendimmarrëse lokale, raporton Ekonomia Online.

    E një ndër sfidat sipas Inspektoratit të Punës mbetet pushimi I lehonisë.

    Lidhur me këtë çështje, drejtoresha ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, në një intervistë për Ekonomia Online, foli për arsyet e pjesëmarrjes së ulët të grave në tregun e punës.

    “Realisht gratë në Kosovë kanë pjesëmarrjen më të ulët në tregun e punës në rajon, është një prej statistikave më shqetësuese do të thotë ka lëviz në 25.4 për qind, nëse nuk jam gabim. Arsyet janë të shumta, ka të bëjë me barrën e përgjegjësive familjare, gratë kosovare ende kalojnë 6.3 orë në ditë në punë të papaguar rreth obligimeve familjare, mungesa e kopshteve, kopshteve të qasshme, mungesa e shpërndarjes e së kopshteve në tërë territorin e Kosovës. Në anën tjetër është orari i shkollimit, do të thotë fëmijët kosovar qëndrojnë 4-5 orë në shkolla që e bënë për shkak të normës kulturore dërgime në shkoll dhe marrjen nga shkolla mbetet barrë e nënave, mbetet barrë e grave për shkak të normave kulturore. Kështu që gratë të punojnë apo të kujdesen për fëmijët zgjedhin përkujdesjen e fëmijëve, në anën tjetër vazhdon të mbetet shumë shqetësuese transporti publik, lëvizja nga zonat rurale në zonat urbane është shumë më e zorshme për gratë të cilat jetojnë në zonat rurale. Nëse i shohim statistikat gratë në zonat urbane janë 51 për qind të punësuara se sa gratë në zonat rurale. Kjo tregon që gratë rurale kanë edhe më pak informacion, kanë më pak formim profesional për t’u riadaptu për kërkesat e tregut të punës dhe të gjitha këto janë problematika që e pengojnë në përfaqësim më të denjë të grave në tregun e punës”, theksoi ajo.

    Gusia vlerësoi punën e Qeverisë dhe nismat që, sipas saj, kanë ndikuar në rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.

    “Është fakt për t’u vlerësuar se qeveria e Republikës së Kosovës në katër vitet e fundit ka ndërmarr masa të targetuara do të thotë fillimisht me masën e superpunës për përfshirjen e të rinjve, të moshës 18-29 vjet ku mbi 50% të përfituesve të masës superpuna kanë qenë vajza dhe gra. Ministria e Arsimit për tre vitet e fundit ka ndarë 4.6 milionë bursa për vajza në STEM, pikërisht për ta inkurajuar pjesëmarrjen e grave në sektorë të cilët kanë kapacitete më të mëdha të punësimit siç është teknologjia e informimit dhe janë mbi 50 milionë nga qeveria e Kosovës që kanë shkuar për formalizimin e punës së grave dhe të burrave sepse e dimë që një pjesë e madhe e grave dhe burrave kanë punu në sektorin joformal dhe kjo masë ka shërby për me i lëviz prej sektorit joformal në sektorin formal ku ka kontrata më afatgjate dhe siguri më të madhe në punë”, shtoi ajo.

    Drejtoresha e Agjencisë për Barazi Gjinore tha gjithashtu se është e nevojshme amandatimi i Ligjit të Punës dhe theksoi rëndësinë e veprimeve në nivel lokal.

    “Unë i tregova masat e qeverisë së Kosovës në realitet është normë kulturore që duhet të ndryshojë, këto janë procese emancipuese dhe mbështetëse, ka shumë hapësirë për të punuar nga ana e institucioneve fillimisht me amandatimin e Ligjit të Punës, i cili duhet të amandatohet duke pasur parasysh vlerësimin e ndikimit gjinor dhe si mund t’i afektojë gratë dhe vajzat por edhe duke përfshirë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor si një pjesë të procesit të vendimmarrjes si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. Është shumë e rëndësishme që niveli lokal të investojë shumë më tepër në kopshte, në transport publik të sigurt, në formalizim të atyre grave dhe vajzave që punojnë në sektor joformal, por edhe të rritet numri i grave në fondet publike, sidomos në sektorin e bujqësisë dhe agrikulturës”, tha ajo.

    Ndërsa ushtruesi i detyrës së Inspektoratit të Punës, Rizah Plakolli, për Ekonomia Online tha se gratë përballen me probleme në vendin e punës, veçanërisht për shkak të pushimit të lehonisë.

    “Inspektorati i Punës zbaton një strategji dhe në bazë të informatave inspektorati i punës edhe realizon inspektimet dhe inspektimet e paplanifikuara dhe mund t’i realizojmë dhe t’i hetojmë rastet. Rreziqet më të zakonshme në të cilat ndodhin në vendin e punës për gratë janë mosrespektimi i pushimit të lehonisë ku dje përmes linjës telefonike patëm një palë ankuese që në momentin kur ka lind i është shkëput marrëdhënia e punës nga një biznes. Në mënyrë automatike i kemi dërguar inspektorë për trajtimin e rastit. Brenda 30 ditëve, sepse dje e kemi linjën telefonike, dhe brenda 30 ditëve Inspektorati i Punës del me një vendim përfundimtar”, tha Plakolli.

    Ai u bëri thirrje grave që të raportojnë çdo padrejtësi që u ndodh në vendin e punës.

    “Në këto raste i inkurajojmë të gjitha gratë që largohen nga vendi i punës në mënyrë të padrejtë të informojnë Inspektoratin e Punës përmes emailit zyrtar që të paraqesin ankesën dhe Inspektorati i Punës në mënyrë më të shpejtë e realizon inspektimin dhe me të gjeturat e tyre inspekton masë administrative edhe i urdhëron bizneseve që të kthejnë në vendin e punës punëtoren në fjalë. Deri në këto momente, prej se ushtroj detyrën, vetëm këtë rast e kemi pasur që e ceka më herët. Pjesa më e madhe është mos-trajtimi i barabartë edhe sa i përket shkëputjes së marrëdhënieve të punës, është vetëm ky rast që e kam pranuar përmes linjës telefonike dhe i kam kërkuar që të bëjë shkresën dhe më pas dalim me raport përfundimtar”, shtoi Plakolli

  • Përfshihet nga flakët një depo parfumesh në Turqi, humbin jetën 6 persona, lëndohen 2 të tjerë

    Përfshihet nga flakët një depo parfumesh në Turqi, humbin jetën 6 persona, lëndohen 2 të tjerë

    Gjashtë persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën në një zjarr që shpërtheu mëngjesin e sotëm në një depo parfumesh në Dilovasi, në pjesën veriperëndimore të Turqisë, raportuan mediat turke.

    Sipas pamjeve të transmetuara nga rrjeti televiziv privat turk NTV, dy kate të një ndërtese të përdorur si depo dhe fabrikë parfumesh u shkrumbuan nga zjarri, shkaqet e të cilit ende nuk dihen.

  • Grabitja në Luvër, Macron: Xhevahiret do të gjenden dhe autorët do të gjykohen

    Grabitja në Luvër, Macron: Xhevahiret do të gjenden dhe autorët do të gjykohen

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, përsëriti të premten gjatë vizitës së tij në Meksikë se Xhevahiret e Kurorës, të vjedhura nga muzeu i Luvrit, do të gjenden dhe u zotua të rishikojë sigurinë e muzeut në Paris.

    “Kemi filluar të arrestojmë një pjesë të bandës që kreu këtë vjedhje. Xhevahiret do të gjenden, autorët do të arrestohen dhe do të gjykohen”, u zotua kreu i shtetit francez në deklaratat që bëri për rrjetin televiziv Televisa gjatë turneut në Amerikën Latine.

    “Është një mundësi për të dalë edhe më i fortë nga ajo që ndodhi dhe ishte një tronditje për të gjithë botën”, shtoi Macron.

    Më 19 tetor, kriminelët arritën të hynin në muzeun e Luvrit dhe të vidhnin disa bizhuteri të çmuara me vlerë 88 milionë euro. Bizhuteritë nuk janë rikuperuar ende. Ndërkohë, janë ngritur akuza kundër katër të dyshuarve, të cilët janë lënë në paraburgim.

    Gjykata e Auditorëve ka kritikuar ashpër menaxhimin e muzeut vitet e fundit, duke vënë në dukje në një raport të publikuar të enjten se muzeu i madh i Parisit ka neglizhuar sigurinë në favor të veprave prestigjioze.

    “Siguria e Luvrit do të rishikohet plotësisht”, siguroi dje Presidenti Macron, duke iu referuar planit “Rilindja e Re e Luvrit” të shpallur në janar, sipas të cilit muzeu do të marrë një portë të re të madhe hyrjeje ose edhe një dhomë kushtuar Xhokondës së Leonardo da Vinçit.

    Gjykata e Auditorëve e rishikoi koston e këtij projekti në 1.15 miliardë euro, krahasuar me 700 deri në 800 milionë euro të raportuara nga shoqëruesit e kreut të shtetit. Gjithashtu, e konsideroi projektin “të pafinancuar” në gjendjen aktuale.

    Ndërkohë, menaxhmenti i muzeut me më shumë vizita në botë paraqiti “masa emergjente” dje gjatë një mbledhjeje të bordit që u thirr, duke përfshirë krijimin e një organi koordinues sigurie dhe instalimin e kamerave shtesë të sigurisë, pas kritikave për mungesën e tyre rreth muzeut.

  • Kurti paralajmëron skenar të ri: Qeveri e përkohshme deri në prill, ose zgjedhje në dhjetor

    Kurti paralajmëron skenar të ri: Qeveri e përkohshme deri në prill, ose zgjedhje në dhjetor

    Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nga Gjakova ka lëshuar një mesazh të qartë për partitë opozitare, duke theksuar se është më e favorshme për shtetin që të votohet Glauk Konjufca për kryeministër, sesa të shkohet sërish në zgjedhje.

    Kurti ka kërkuar bashkëpunim nga PDK, LDK, AAK dhe Nisma, duke theksuar se zgjedhja është në duart e tyre: “Meqenëse nuk i mora 61 votat e nevojshme, dhamë propozimin (Glauk Konjufcën mandatar për formimin e Qeverisë) pa vonesë, me këtë do të merremi menjëherë pas balotazhit, dhe opozita e ka në dorë ta zgjedh rrugën e mëtutjeshme, ose Kurti 2.5 drejt zgjedhjeve në dhjetor, ose Konjufca 1 drejt zgjedhjeve në prill, cilado prej tyre për neve është e pranueshme, por le të bashkëpunojmë e të ecim përpara. Ne fituam zgjedhjet, por më shumë se zgjedhjet duam ta formojmë qeverinë, ne kemi 48 deputetë, dhe kemi më shumë deputetë se PDK e LDK bashkë”, ka deklaruar Kurti për TV Syri në Gjakovë.

    Sipas tij, Kosova do të përfitonte më shumë nëse Kuvendi do ta votonte Glauk Konjufcën për kryeministër, për të mundësuar një qeveri të përkohshme që do të miratonte buxhetin për vitin 2026.

    “Për Republikën e Kosovës është më e favorshme të votohet Glauk Konjufca, dhe ta kemi një qeveri që e voton buxhetin, buxhetin për RTK-në, buxhetin për Prishtinën, Gjilanin e Zubin Potokun, dhe të shkojmë në zgjedhje në prill, për shkak se me kaq vështirësi 61 numra, për zgjedhje apo rizgjedhje të presidentit i kemi vështirë t’i bëjmë 80 deputetë në sallë, prandaj më mirë është ta kemi një qeveri afatshkurtër deri në muajin prill, por këtë nuk e vendosim vet, këtë e ka në dorë opozita. Është një ofertë gjeneroze, sepse së pari u zëvendësua Albulena Haxhiu me Dimal Bashën, dhe tani unë me Glauk Konjufcën, vetë ne kemi lëvizuar, ndërsa kemi fiksim dhe bllokim dhe njëlloj refuzimi as të logjikshëm as racional nga ana e subjekteve opozitare”, ka theksuar ai.