ATV

Category: Lajme

  • Hapen vendvotimet: Qytetarët votojnë në 18 komuna të Kosovës

    Hapen vendvotimet: Qytetarët votojnë në 18 komuna të Kosovës

    Sot, më datën 9 nëntor 2025, qytetarët e Republikës së Kosovës janë rikthyer në qendrat e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në 18 komuna, ku asnjë kandidat nuk siguroi më tepër se 50% të votave në raundin e parë.

    Nga ora 7 e mëngjesit e deri në 7 të mbrëmjes, nëpërmjet votës, qytetarët do të vendosin se kush do të udhëheqë në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot.

    Për t’u informuar në kohë reale për zgjedhjet lokale në 18 komunat e Kosovës, klikoni në linkun e mëposhtëm:

     

  • KQZ-ja publikon qendrat e votimit me kusht për balotazhin në 18 komuna

    KQZ-ja publikon qendrat e votimit me kusht për balotazhin në 18 komuna

    Të dielën në Kosovë mbahet raundi i dytë për kryetar në 18 komuna, në të cilat nuk pati fitues më 12 tetor.

    Më 9 nëntor do të hapen 18 qendra votimi për votim me kusht, me gjithsej 20 vendvotime.

    Ato do të hapen në 7:00.

  • Ky është Rahovecasi që tregoi se ndershmëria ende ekziston, i dorëzoi policisë 1,800 euro të gjetura

    Ky është Rahovecasi që tregoi se ndershmëria ende ekziston, i dorëzoi policisë 1,800 euro të gjetura

    Një shembull i rrallë ndershmërie ka ndodhur në Rahovec.

    Një qytetar nga fshati Ratkoc, Skender Krasniqi, ka dorëzuar në Stacionin Policor të Rahovecit një shumë prej 1,800 eurosh që i kishte gjetur në qytet.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Krasniqi kishte gjetur në rrugën “Mulla Cufa” nëntë kartëmonedha nga 200 euro secila, të cilat nuk i mbajti për vete, por i dorëzoi menjëherë në polici.

    Pas verifikimeve të bëra nga hetuesit, është identifikuar pronari i shumës së humbur dhe paratë i janë kthyer atij në tërësi.

    “Ky gjest tregon besimin e qytetarëve ndaj Policisë së Kosovës dhe përkushtimin për ndërtimin e një shoqërie të drejtë e të ndershme, andaj shprehim mirënjohje për veprimin e z. Krasniqi, duke e vlerësuar si shembull të përgjegjësisë qytetare”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e PK’së.

  • Nesër raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, votohet në 18 komuna

    Nesër raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, votohet në 18 komuna

    Të dielën, qytetarët e Kosovës rikthehen në qendrat e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të përcaktojë se kush do t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme në 18 komuna të vendit.

    Pas zgjedhjeve të mbajtura më 12 tetor, në këto komuna asnjë kandidat nuk arriti shumicën e nevojshme, ndaj gara vazhdon në balotazh.

    Komunat ku nesër do të ketë përballje janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.

    Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), përgatitjet teknike janë drejt përfundimit.
    Në këtë proces do të hapen 507 qendra votimi dhe 1.628 vendvotime të rregullta, si dhe 18 qendra e 20 vendvotime me kushte.

    KQZ bën të ditur se 1.690 votues do të votojnë për herë të parë, ndërsa 1.147 qytetarë janë larguar nga lista për shkak të vdekjes apo humbjes së shtetësisë.

    Për transparencë dhe siguri të procesit, KQZ ka vënë në dispozicion linja telefonike për raportim të parregullsive dhe për informacione mbi procedurat e votimit.
    Në ditën e zgjedhjeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës, do të funksionalizohet dhoma operative për bashkërendimin e aktiviteteve me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

    Në këtë raund do të angazhohen rreth 80 prokurorë, për të garantuar votën e lirë të qytetarëve dhe integritetin e procesit zgjedhor.

    Prokuroria e Shtetit ka ftuar qytetarët, subjektet politike dhe institucionet që të denoncojnë çdo rast të keqpërdorimit apo manipulimit të votës, në mënyrë që procesi të jetë sa më transparent dhe demokratik.

  • NATO mposht Rusinë në garën e armatimeve: Po prodhojmë më shumë se kurrë

    NATO mposht Rusinë në garën e armatimeve: Po prodhojmë më shumë se kurrë

    NATO ka tejkaluar Rusinë në prodhimin e municioneve, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte.

    “Deri kohët e fundit, Rusia prodhonte më shumë municione sesa të gjithë aleatët e NATO-s së bashku. Por jo më”, tha Rutte, duke e atribuar këtë ndryshim zgjerimit të kapaciteteve të prodhimit të mbrojtjes në të gjithë aleancën.

    “Së bashku, ne po hapim dhjetëra linja të reja prodhimi dhe po zgjerojmë ato ekzistuese. Po prodhojmë më shumë sesa kemi bërë në dekada,” shtoi ai, duke i nxitur industrinë e mbrojtjes të “rrisë furnizimin, të zgjerojë linjat ekzistuese dhe të hapë linja të reja”.

    Komentet e Rutte vijnë ndërsa vendet evropiane po përpiqen të zgjerojnë industrinë e tyre të mbrojtjes për të forcuar sigurinë e tyre dhe për të mbështetur Ukrainën kundër agresionit rus.

    Rutte theksoi se “thjesht nuk ka mbrojtje të fortë pa një industri të fortë mbrojtëse”, duke shtuar se udhëheqësit e NATO-s ranë dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të GDP-së deri në vitin 2035 dhe të përshpejtojnë prokurimin e sistemeve kritike si dronët, municionet dhe mbrojtjen ajrore.

    “Kërcënimet me të cilat përballemi janë reale dhe të qëndrueshme. Lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës është shembulli më i dukshëm”, paralajmëroi Rutte, duke shtuar se “rreziku që paraqet Rusia nuk do të mbarojë kur të mbarojë kjo luftë”.

    Ai gjithashtu paralajmëroi për bashkëpunimin ushtarak në rritje të Rusisë me Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut: “Ata po e rrisin bashkëpunimin e tyre industrial të mbrojtjes në nivele të papara. Ata po përgatiten për konfrontim afatgjatë.”

    Rutte bëri thirrje që anëtarët e NATO-s dhe industrinë e tyre të mbrojtjes të “prodhonin dhe të ishin më të zgjuar se ata që kërkojnë të na dëmtojnë ose të na dobësojnë”.

    Gjatë një vizite në Gjermani në fillim të këtij viti, ai deklaroi se Evropa tani mund të prodhojë gjashtë herë më shumë predha artilerie çdo vit sesa mund të prodhonte dy vjet më parë, me prodhim që pritet të arrijë në 2 milionë fishekë deri në fund të vitit.

  • “Kosova prodhon dronë luftarakë”, Kurti prezanton dronët që fluturojnë 5 km lartësi

    “Kosova prodhon dronë luftarakë”, Kurti prezanton dronët që fluturojnë 5 km lartësi

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Gjilanin ku ka parë nga afër prodhimin e dronëve ushtarakë dhe civilë “Made in Kosova”.

    Në një vizitë në fabrikën që po prodhon dronët “Skifteri” dhe dronin kamikaz “K1”, Kurti ka theksuar se Kosova po hyn në një fazë të re të zhvillimit teknologjik e mbrojtës.

    “Made in Gjilan” përveçse natyrisht “Made in Kosova”. Droni kamikaz “K1”, arrin shpejtësi maksimale prej 180km/h e lartësi deri në 2500 metra. Ndërsa “Skifteri” arrin në 5000 metra lartësi, hapësirë operuese 20km dhe shpejtësi prej 270km/h”, ka shkruar Kurti pas vizitës.

    Në postimin e tij, ai ka theksuar se Kosova po shndërrohet në një vend prodhues edhe në fushën e mbrojtjes:

    “Të ardhmen e industrisë së mbrojtjes dhe avancimit të dronëve luftarakë po e ndërtojmë e zhvillojmë edhe në Kosovë. Shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon. Në Gjilan, bashkë me kryetarin Hyseni, vizituam kompanitë e prodhimit të dronëve ushtarak ‘Skifteri’ dhe dronët civil, nga ‘Future Minds Academy’ dhe MIGA SkyShield MAR.

    ‘Made in Gjilan’ përveçse natyrisht ‘Made in Kosova’. Droni kamikaz ‘K1’, arrin shpejtësi maksimale prej 180km/h e lartësi deri në 2500 metra. Ndërsa ‘Skifteri’ arrin në 5000 metra lartësi, hapësirë operuese 20km dhe shpejtësi prej 270km/h.

    Në mbrojtje e siguri kemi investuar duke blerë nga shtetet tona mike dhe partnere dronët Bayraktar TB-2, Puma dhe së fundmi dronët kamikazë Skydagger. Tash dronët luftarakë po i prodhojmë edhe vetë. Si qeveri, edhe në nivel qendror edhe lokal, do ta mbështesim dhe përkrahim ngritjen e kapaciteteve dhe prodhimtarisë, gjersa nuk do t’i ndalim investimet për mbrojtje e siguri.”

    Kjo vizitë, sipas Kurtit, shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të industrisë së mbrojtjes në Kosovë, me qëllim që vendi të bëhet jo vetëm konsumues, por edhe prodhues i teknologjive moderne ushtarake.

  • U gjet i lidhur dhe i djegur në pjesën e pasme të makinës, policia greke heton zhdukjen e punëtorit shqiptar

    U gjet i lidhur dhe i djegur në pjesën e pasme të makinës, policia greke heton zhdukjen e punëtorit shqiptar

    Policia greke po heton mbi rastet e zhdukjeve të ndodhura ditët e fundit në Athinë, për të hedhur dritë mbi identitetin e personit të gjetur dje të lidhur e të djegur në pjesën e pasme të një automjeti në Skourta të Viotias pranë Athinës.

    Edhe pse numri i personave të zhdukur 5 ditët e fundit në Athinë është 14, policia po përqendrohet te një shqiptar, punëtor ndërtimi e pa precedentë penalë.

    Ai rezulton i zhdukur rreth katër ditë më parë. Ai jetonte në Evia dhe ditën e zhdukjes së tij po shkonte në Vilia. Fillimisht ai u nis nga Evia me një të njohur, bëri një ndalesë në një zonë të ishullit ku la mikun e tij dhe më pas vazhdoi rrugën vetëm në makinën e tij.

    Në fakt, automjeti i tij është gjetur i braktisur nga policia. Një anëtar i familjes do t’u japë autoriteteve ADN për të përcaktuar nëse burri i zhdukur është ai i gjetur i karbonizuar në Skourta, Viotia. Siç kanë thënë anëtarët e familjes së tij, ai nuk kishte mosmarrëveshje me askënd dhe ata nuk mund ta kuptojnë se çfarë i ka ndodhur dhe papritmas ai nuk tregon shenja jete.

    Mjeti ku u zbulua kufoma dje, rezulton i vjedhur në maj 2025 në Glifadha të Athinës dhe mbante targa të falsifikuara që i takojnë një mjeti të së njëjtës marke dhe ngjyre në Katerini. Kufoma u gjet me pranga nën krahë, të cilat ndoshta u përdorën për ta lidhur, por që i ranë nga duart për shkak të karbonizimit.

    Dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur dy ditë më parë, ndërsa mjeti i djegur u zbulua dje paradite nga një gjahtar.

  • Letra alarmuese e Guterres për ambasadorët: OKB është duke falimentuar, faji i ShBA dhe Kinës

    Letra alarmuese e Guterres për ambasadorët: OKB është duke falimentuar, faji i ShBA dhe Kinës

    Organizata e Kombeve të Bashkuara ndodhet në një “garë të shpejtë drejt falimentimit”.

    Kështu paralajmëron Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres në një letër drejtuar vendeve anëtare, shkruan A2 CNN.

    Kriza e likuiditetit, thotë ai, është pasojë e vonesave dhe mosshlyerjes së kontributeve nga disa shtete, mes tyre Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

    Ndërkohë, Bashkimi Europian mbetet i vetmi kontribues i madh që paguan rregullisht, por kjo nuk mjafton për të shpëtuar “anijen e botës”.

    Guterres paralajmëron se, pa pagesat e nevojshme, OKB-ja mund të detyrohet të shkurtojë deri në 20% të buxhetit në vitet e ardhshme, duke rrezikuar funksionimin normal të programeve dhe misioneve.

    Ai kërkon që shtetet të shlyejnë menjëherë detyrimet për të shmangur “rrethin vicioz” që e çon organizatën drejt kolapsit financiar.

  • KQZ-ja vendos në dispozicion linja telefonike për raportimin e parregullsive

    KQZ-ja vendos në dispozicion linja telefonike për raportimin e parregullsive

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se për ditën e zgjedhjeve ka vënë në dispozicion disa linja telefonike për raportimin e parregullsive në procesin e votimit.

    KQZ në një postim në Facebook informon qytetarët se ku mund të telefonojnë për të raportuar parregullsitë.

    “Ruaj integritetin e votës – raporto çdo parregullsi që vëren në vendvotim! Çdo shkelje është vepër penale.

    Për çdo rast kontakti: WhatsApp & Viber: +383 46 13 00 13; Tel / Fiks: 038 200 23544, +383 38 200 23 544; +383 46 130 013”, thuhet në njoftim.

  • Izraeli dhe militantët arrijnë marrëveshje për kthimin e trupave palestinezë

    Izraeli dhe militantët arrijnë marrëveshje për kthimin e trupave palestinezë

    Ditën e sotme Izraeli ka kthyer trupat e 15 palestinezëve në Rripin e Gazës.

    Kështu u tha nga zyrtarë të spitalit në territorin palestinez.

    Ky veprim u bë një ditë pasi militantët palestinezë i dorëzuan Izraelit trupin e një pengu, sipas marrëveshjes së armëpushimit të brishtë që është në fuqi pas dy vitesh lufte, raporton AP.

    Marrëveshja ishte kështu, Izraeli kthen trupat e 15 palestinezëve për çdo peng izraelit që i dorëzohet.

    Spitali “Nasser” në qytetin Khan Younis konfirmoi se 15 trupat e pajetë u sollën atje.

    Ky kthim ndodhi pak pasi Izraeli konfirmoi se mbetjet e marra të premten në mbrëmje i përkisnin një izraeliti që kishte vdekur duke luftuar kundër Hamasit gjatë sulmit të 7 tetorit 2023,  sulm që shënoi edhe fillimin e luftës.

    Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi se trupi ishte i Lior Rudaeffit.

    Që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit më 10 tetor, militantët palestinezë kanë kthyer trupat e 23 pengjeve, përfshirë edhe atë të Rudaeffit, ndërsa pesë trupa të tjerë mbeten ende në Gazë.

    Duke përfshirë edhe trupat e kthyer të shtunën, Izraeli ka dorëzuar gjithsej trupat e 300 palestinezëve.

    Zyrtarët e shëndetësisë në Gazë kanë hasur vështirësi në identifikimin e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve për analiza ADN-je dhe deri më tani kanë arritur të identifikojnë vetëm 89 prej tyre, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.