ATV

Category: Lajme

  • Ushtari i FSK-së akuzohet për përdhunim në Angli, BBC zbulon detajet e rastit

    Ushtari i FSK-së akuzohet për përdhunim në Angli, BBC zbulon detajet e rastit

    Një ushtar nga Kosova, i cili ndihmonte në trajnimin e personelit të ushtrisë ukrainase, ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij për sulm seksual në Britani.

    Sipas raportimit të BBC, bëhet fjalë për Bali Hoxhën, 28 vjeç, me shërbim në kampin Tofts Camp në Thetford, Norfolk, i cili është akuzuar për përdhunim dhe dy raste të sulmit seksual ndaj një gruaje.

    Në aktakuzë thuhet se ngjarja e dyshuar ka ndodhur më 17 shtator, rreth orës 23:30, në një shtigje midis rrugës “Prince of Wales” dhe parkut “Riverside Retail Park”.

    Aktualisht, Hoxha ndodhet në paraburgim, pasi Gjykata e Kurorës në Norwich ka vendosur ta mbajë aty deri në gjykimin e caktuar për 7 prill të vitit të ardhshëm, proces që pritet të zgjasë pesë ditë.

    Gjatë seancës, gjykatës iu bë e ditur se tre dëshmitarë do të kenë nevojë për përkthyes, ndërsa ka të ngjarë që ata të jenë të dislokuar në Kosovë në kohën e gjykimit.

    Sipas gjykatës, Ushtria e Kosovës do t’i lirojë për të marrë pjesë në seancë.

  • Përfundon dëshminë Christopher Hill: Ishte përvojë e veçantë

    Përfundon dëshminë Christopher Hill: Ishte përvojë e veçantë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dëshminë e tij ish-diplomati amerikan Christopher Hill, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Hill tha se ishte një përvojë e veçantë pjesëmarrja e tij në këtë proces gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Ishte një përvojë e veçantë doja të them”, tha Hill.

    Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i tha dëshmitarit se shpreson që kjo të mos jetë një përvojë e keqe.

    “Shpresoj të mos ketë qenë një përvojë e keqe”, tha Smith III.

    Ndërsa, Hill ia ktheu duke i thënë se “Kam pasur përvoja edhe më të këqija”.

    Gjatë fundit të dëshmisë, për dëshmitarin pati disa pyetje edhe avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon. Për klientin e Dixon, dëshmitari tha se nuk e ka parë dhe nuk e di se ku ka qëndruar.

    Seanca pritet të vazhdojë pas pushimit me dëshminë e dëshmitarit të radhës.

  • Lladrovci përkrah protestën në Strasburg: E vërteta jonë lë të jetë e dukshme dhe e zëshme

    Lladrovci përkrah protestën në Strasburg: E vërteta jonë lë të jetë e dukshme dhe e zëshme

    Protesta e ftuar nga OVL-UÇK ndaj gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së ka marrë përkrahje edhe nga Ramiz Lladrovci.

    Ai tha se “e vërteta jonë lë të jetë e dukshme dhe e zëshme në Strasburg, lë të jetë zë për drejtësinë ndërkombëtare”.

    Postimi i plotë i tij, në përkrahje të protestës:

    Protesta e ftuar nga OVL-UÇK më 16 nëntor në Strasburg, kundër padrejtësisë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është protestë edhe ndaj padrejtësisë që po i bëhet Kosovës, qytetarëve të saj dhe vet lirisë tonë.

    Unë i bashkohem protestës, njëherësh ftoj të gjithë atdhetarët që kanë mundësi, më 16 nëntor të jenë të pranishëm në Strasburg, në mënyrë simbolike të përcjellim mesazhin tonë se qëndrojmë fort pranë liderëve tanë të luftës dhe paqes, me Hashimin, Kadriun, Jakupin, Rexhën dhe të tjerët.

    Liria ishte motivi madhor i veprës së tyre. Çlirimi ishte rrugë e vetme për të arritur te liria, ishte rrugë të cilën e ndoqëm me aleatët, në pajtim me normat ndërkombëtare, andaj, akuzat janë pjesë e skenarit serbo-rus dhe nuk mund të jenë argument i përndjekjes për liderët tanë.

    Shihemi në Strasburg, për të dëshmuar se liderët tanë të luftës dhe paqes, kurrë nuk janë vetëm. E vërteta jonë lë të jetë e dukshme dhe e zëshme në Strasburg, lë të jetë zë për drejtësinë ndërkombëtare. UÇK ishte shpirti i një populli, krenari e një kombi!

  • Përfundon numërimi i votave në Mitrovicë

    Përfundon numërimi i votave në Mitrovicë

    Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut ka përfunduar procesi i verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës.

    Procesi është zhvilluar gjatë ditës nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të subjekteve politike dhe dy hetuesve policorë të caktuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, pas vendimit për rifillimin e numërimit të ndërprerë të hënën për shkak të dyshimeve për manipulim me fletëvotime.

    Procesi i verifikimit të votave në këtë qendër rifilloi të mërkurën me urdhër të Prokurorisë Themelore, pasi ky institucion fillimisht ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të këtij procesi si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime.

    Rifillimi i numërimit me urdhër të Prokurorisë nisi pasi kompania CETIS që shtypi fletëvotimet shpjegoi se problemi i numërimit ndodhi te njëra nga pllakat e printerëve me ngjyrë.

    Zhvillimet nga procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë kanë nxitur shumë reagime.

    PDK-ja ka kërkuar rivotim në këtë komunë, e VV-ja ka vlerësuar se ndryshimi i numrave serik të fletëvotimeve nga numri i klasave ku është votuar, është gabim teknik.

    Shpalljen e pavlefshme të fletëvotimeve të tilla, ndërkohë e ka kërkuar shoqëria civile. Eugen Cakolli, është hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka thënë se fletëvotimet të cilat nuk përputhen me kodin e vendvotimit ku është votuar duhet të shpallen të pavlefshme.

    Për kryetar të Mitrovicës në garë ishin Arian Tahiri i PDK-së e Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje.
    Sipas rezultateve preliminare, fitues doli Peci me 2 mijë e 315 vota më shumë.

  • E rëndë në Durrës: I riu godet për vdekje 52-vjeçarin pasi ia ofendoi vëllanë e sëmurë

    E rëndë në Durrës: I riu godet për vdekje 52-vjeçarin pasi ia ofendoi vëllanë e sëmurë

    Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Arapaj të Durrësit, pak ditë më parë, ku një përplasje e momentit mes dy personave ka përfunduar me vdekje.

    Policia ka ndaluar shtetasin L. Ç., i cili akuzohet për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje, me pasojë vdekjen.”

    Sipas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, i riu dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me grusht 52-vjeçarin Saimir Fetahu. Si pasojë e goditjes, ky i fundit ka rënë me kokë në tokë, duke marrë dëmtime të rënda. Nga hetimet rezulton se ka qenë një konflikt për motive të dobëta që ka sjellë pasojën e rëndë. Viktima dyshohet se në gjendje të dehur kishte ngacmuar me fjalë vëllain e sëmurë të autorit të dyshuar. Me ta marrë vesh, ai ka shkuar të sqarohet dhe e ka goditur me grusht.

  • “Kurti fuqizon partneritetin Kosovë–Turqi: TİKA premton projekte që prekin jetën e qytetarëve”

    “Kurti fuqizon partneritetin Kosovë–Turqi: TİKA premton projekte që prekin jetën e qytetarëve”

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim presidentin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren. Tema kryesore e bisedës ishte thellimi i bashkëpunimit dypalësh dhe projektet zhvillimore që TİKA po mbështet në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Të dy palët vlerësuan rezultatet konkrete në arsim, shëndetësi, zhvillim rural, bujqësi dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke theksuar rëndësinë e tyre për përmirësimin e shërbimeve publike dhe fuqizimin socio-ekonomik të komuniteteve lokale.

    Kryeministri Kurti theksoi se Kosova çmon partneritetin me Turqinë dhe kontributin e TİKA-s në projekte që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve.

    Nga ana e tij, Abdullah Eren konfirmoi përkushtimin e TİKA-s për të vazhduar dhe zgjeruar programet mbështetëse, duke punuar ngushtë me institucionet qendrore dhe komunale për projekte të shpejta, të qëndrueshme dhe me ndikim të matshëm.

    U dakordua gjithashtu krijimi i një koordinimi më të afërt mes ekipeve, me fokus tek investimet në infrastrukturën arsimore dhe shëndetësore, mbështetja e ndërmarrjeve rurale dhe projektet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

  • Macron do t’i mësojë Palestinës si të bëjë kushtetutë, Franca investon 100 milionë euro për Gazën

    Macron do t’i mësojë Palestinës si të bëjë kushtetutë, Franca investon 100 milionë euro për Gazën

    Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar të martën se Franca do të ndihmojë Autoritetin Palestinez në hartimin e një kushtetute për një shtet të ardhshëm palestinez, pas bisedimeve me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas në Paris.

    Një numër vendesh të mëdha perëndimore, përfshirë Francën, kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez në shtator, një veprim i nxitur nga frustrimi me Izraelin për luftën e tij shkatërruese në Gazë dhe dëshira për të promovuar një zgjidhje me dy shtete për konfliktin e Lindjes së Mesme.

    Armëpushimi Izrael-Hamas, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, ka hyrë në fuqi në tetor, por Izraeli ka hedhur poshtë çdo perspektivë të shtetësisë palestineze.

    Macron ka theksuar se Franca dhe Autoriteti Palestinez, i cili ushtron vetëqeverisje të kufizuar nën pushtimin ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor, do të krijojnë një komitet të përbashkët për hartimin e një kushtetute të re palestineze.

    “Ky komitet do të jetë përgjegjës për të punuar në të gjitha aspektet ligjore: kushtetuese, institucionale dhe organizative,” tha ai.

    “Do të kontribuoj në punën e zhvillimit të një kushtetute të re, një draft të së cilës presidenti Abbas ma ka paraqitur mua, dhe do të synoj të finalizoj të gjitha kushtet për një shtet të tillë të Palestinës,” shtoi Macron.

    Ai gjithashtu bëri të ditur se Franca do të kontribuojë me 100 milionë euro në ndihmë humanitare për Gazën për vitin 2025.

    Vendimi i Francës, së bashku me Britaninë, Kanadanë dhe Australinë për të njohur shtetin palestinez, i bashkoi këto vende me mbi 140 të tjera që mbështesin aspiratën e palestinezëve për një atdhe të pavarur nga territoret e pushtuara nga Izraeli.

    Megjithatë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka dënuar këtë valë njohjesh, duke theksuar qëndrimin e aleatit të ngushtë të Izraelit se një veprim i tillë do të ishte shpërblim për Hamasi pas sulmit të 7 tetorit 2023 që shkaktoi luftën në Gazë.

  • Konfirmon policia, vdes në vendngjarje burri 58-vjeçar, gruaja në gjendje të rëndë pas aksidentit me kamion

    Konfirmon policia, vdes në vendngjarje burri 58-vjeçar, gruaja në gjendje të rëndë pas aksidentit me kamion

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Dobërdelan të Suharekës, ku një 58-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa bashkëshortja e tij ka pësuar lëndime të rënda trupore. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:25 në magjistralen që lidh Suharekën me Rahovecin dhe përfshiu një automjet dhe një kamion.

    Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, konfirmoi se e lënduara është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

    “Sot, më datë 12 nëntor 2025, rreth orës 11:25, në fshatin Dobërdelan, në magjistralen që lidh Suharekën me Rahovecin, është raportuar për një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshirë një automjet dhe një kamion. Si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i automjetit, mashkull 58-vjeçar, fatkeqësisht ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila ishte pasagjere në automjet, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, tha Bytyqi.

    Ai shtoi se menjëherë pas raportimit të rastit, njësitet policore kanë dalë në vendngjarje, kanë siguruar perimetrin dhe po kryejnë hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit për të parandaluar aksidente dhe për të ruajtur jetën e qytetarëve.

  • Trump i shkruan presidentit izraelit: Netanyahu meriton falje, jo gjyq

    Trump i shkruan presidentit izraelit: Netanyahu meriton falje, jo gjyq

    Në procesin gjyqësor ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i akuzuar për korrupsion, është përfshirë edhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Ai ka kërkuar që Netanyahu të lirohet nga të gjitha akuzat.

    Pesë vjet pas nisjes së procesit gjyqësor, Trump i ka dërguar një letër presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, ku i kërkon që të përdorë të drejtën presidenciale të “pardonit” për ta falur Netanyahun.

    Në letrën e tij, Trump ka theksuar se Netanyahu ka luajtur një rol vendimtar në “fitimin e luftës dhe vendosjen e paqes për popullin izraelit”, duke përmendur edhe kontributin e tij në konfliktin kundër Iranit, shkruan Jerusalem Post.

    Në fund të letrës, Trump i bën thirrje homologut izraelit që të falë Netanyahun, në mënyrë që procesi gjyqësor ndaj tij të përfundojë.

    Presidenti Herzog, megjithatë, e ka falënderuar Trumpin për letrën, por ka theksuar se “çdokush që kërkon falje presidenciale duhet të bëjë një kërkesë zyrtare për këtë”.

  • QKUK “hap dyert” për 172 vende pune, kërkohen dhjetëra infermierë dhe mjekë specialistë

    QKUK “hap dyert” për 172 vende pune, kërkohen dhjetëra infermierë dhe mjekë specialistë

    Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK) ka hapur konkurs për plot 172 vende pune në fusha të ndryshme të shëndetësisë.

    Në njoftimin zyrtar të QKUK-së thuhet se kërkohen mjekë specialistë, infermierë, laborantë mjekësorë, teknikë të radiologjisë, fizioterapeutë, teknikë të fizioterapisë si dhe bartës të pacientëve.

    Sipas konkursit, 22 vende janë të dedikuara për mjekë specialistë, ndërsa kërkesa më e madhe është për infermierë. QKUK kërkon 90 infermierë me gradë bachelor, 10 infermierë me shkollë të mesme dhe 10 mami.

    Përveç tyre, konkursi përfshin edhe 7 laborantë mjekësorë, 5 teknikë të radiologjisë, 4 fizioterapeutë, 2 teknikë të fizioterapisë dhe 22 bartës pacientësh.

    Në njoftim theksohet se konkursi publik ka karakter vjetor, ndërsa stafi që do të përzgjidhet do të ftohet në punë në përputhje me mundësitë buxhetore për vitin 2026.