ATV

Category: Lajme

  • Haradinaj: Votojmë kundër Konjufcës, sot është dita e kthesës

    Haradinaj: Votojmë kundër Konjufcës, sot është dita e kthesës

    I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ‘’situatës së rëndë’’ politike po i vjen fundit, dhe se, ‘’sot është dita e kthesës’’.

    Ai ka shtuar edhe se nga sot ‘’koha fillon me numru ndryshe’’, përcjell Gazeta Express.

    ‘’Po i vjen fundi gjithë kësaj situate të randë. Kemi humbur shumë muaj shumë javë, të vlefshme për Kosovën dhe shumë mundësi. Sot është dita e kthesës, nga sot fillon me numru koha ndryshe, dhe jam optimist se zgjedhjet do të jenë zgjidhja. Ju kërkojmë falje të gjithë qytetarëve të vendit, sidomos atyre që janë prek më shumë.’’, ka thënë ai.

    Më tej, Haradinaj ka bërë të ditur se AAK’ja do të votojë kundër Konjufcës, duke thënë edhe se ky i fundit duhet të kërkojë falje qytetarëve për vonesën dy javëshe.

    ‘’AAK është shumë e qendrshme në vendimet e veta. Çdo deklarim i yni më përpara ka qenë çështja e kryetarit të kuvendit, ka qenë i Aleancës dhe jo vetëm i individëve. Edhe atëherë kur kemi votuar lirshëm ka qenë vendim i Aleancës, është vendim i Aleancës që votojmë kundër kësaj kandidature, këtij mandatari, që po ashtu nuk është shumë i qendrushëm sepse nuk ka paraqitur nënshkrime. Konjufca duhet të kërkojë falje qytetarëve që i ka vonuar edhe dy javë, nëse asgjë tjetër i ka vonuar edhe dy javë Kosovën dhe institucionet’’, ka shtuar ai.

  • Caktohet data e nisjes së gjyqit ndaj Rozeta Hajdarit, e akuzuar për rezervat shtetërore

    Caktohet data e nisjes së gjyqit ndaj Rozeta Hajdarit, e akuzuar për rezervat shtetërore

    Seanca fillestare në rastin e rezervave shtetërore do të mbahet më 10 dhjetor nga ora 9:30. Të akuzuar tashmë në këtë rast janë ministrja në detyrë e Tregtisë Rozeta Hajdari, dy zyrtarët Irfan Lipovica e Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

    Lajmin e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    “Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve R.H., I.L., H.G., dhe R.M. është caktuar të mbahet me datë 10.12.2025 në ora 09:30.”

    Javën e kaluar Prokuroria Speciale njoftoi se Hajdari dhe dy zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohen se në bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.

    Sipas Prokurorisë, buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të tyre.

  • Po hetohet nga SPAK, Balluku: S’do të flas derisa e vërteta të marrë formë të prerë

    Po hetohet nga SPAK, Balluku: S’do të flas derisa e vërteta të marrë formë të prerë

    Zv.kryeministrja, njëherësh ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës ka folur sot për herë të parë në Kuvend lidhur me hetimin nga SPAK.

    Teksa Balluku mori fjalën, opozita braktisi sallën, megjithatë, Balluku iu drejtua duke thënë se vetë opozita është me dy standarde për SPAK.

    Sa i përket hetimit ndaj saj, Balluku tha se kurrë nuk do të flasë kundër drejtësisë, derisa të jepet fjala e fundit nuk do e komentojë.

    “Dëshiroj të them disa fjalë qytetarëve që ua kam borxh qytetarëve që më kanë besuar përfaqësuar. Duhet të them disa fjalë jo për aludimet gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtra të thëna me bollëk. Nuk do dëgjoni kurrë nga unë akuza dhe sharje për drejtësinë e re, as kur prekem personalisht. Besoj se kjo drejtësi e re është produkt i vullnetit politik të PS, është duke kryer detyrën.

    Nuk do më dëgjoni kurrë të merremi me prokurorë e gjyqtarë. Nuk do prononcohem për çështje nën hetim. Derisa e vërteta të marrë formë të prerë, cilado qoftë ajo. Unë dhe kolegët e PS mbështesim reformën në drejtësi, edhe kur prekemi personalisht. Ajo reformë ka marrë mbështetjen e çdo socialisti ndaj nuk kam asnjë koment. Çështja qëndron se ju të nderuar opozitarë që më ndiqni nga kafja e parlamentit në këto momente, keni dy standarde për reformën në drejtësi dhe SPAK. Kur SPAK thërret Saliu dhe luani kukafshehthi me zarfin. Zarfin që pret populli shqiptar për drejtësi për vrasje shtetërore, atëherë SPAK ndikohet nga Rama”, tha ajo në Kuvend./TCh/

     

  • Ukrainasit sulmojnë qytetin rus me sistemin raketor ATACMS të furnizuar nga SHBA-ja

    Ukrainasit sulmojnë qytetin rus me sistemin raketor ATACMS të furnizuar nga SHBA-ja

    Ukraina sulmoi qytetin jugperëndimor rus të Voronezhit me sistemin raketor ATACMS të furnizuar nga SHBA-të, tha ministria e Mbrojtjes e Rusisë, pasi Kievi konfirmoi se kishte kryer një sulm duke përdorur armët e fuqishme.

    Ukraina qëlloi katër nga raketat balistike tokë-tokë nga dy sisteme raketash me shumë lëshime (MLRS) pranë qytetit ukrainas Chuhuiv, në rajonin kufitar të Kharkiv të vendit, tha Moska.

    Ukraina tha të martën se kishte kryer një “sulm preciz” kundër objektivave ushtarake të paspecifikuara në Rusi, por nuk tha se kur dhe ku ndodhi sulmi.

    ATACMS janë armë të lëshuara nga toka me një rreze veprimi prej pak më pak se 200 miljesh, të projektuara për të goditur objektiva me vlerë të lartë thellë në territorin e armikut.

    Ukrainës i ishte ndaluar përdorimi i raketave balistike jashtë vendit derisa administrata e presidentit Joe Biden, i dha dritën jeshile Kievit për të synuar vendet brenda Rusisë në nëntor 2024. Ukraina mori për herë të parë ATACMS në vitin 2023.

  • Shpërthen Ganimete Musliu: Turpi i drejtësisë ka emër – Besim Kelmendi

    Shpërthen Ganimete Musliu: Turpi i drejtësisë ka emër – Besim Kelmendi

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër pas raportimeve të reja që lidhen me rolin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në hetimet për masakrën e Reçakut.

    Ajo e përshkruan gjendjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë si një “turp”, duke theksuar se ky turp “ka emër e mbiemër”.

    Musliu pretendon se Kelmendi ka mbajtur pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit për tre vite, falë – siç thotë ajo – një vendimi “plotësisht politik” të Presidentes Vjosa Osmani, e cila kishte refuzuar të dekretonte kandidatin e KPK-së, Blerim Isufajn, ish-ushtar i UÇK-së.

    “Presidentja Osmani zgjodhi të mbajë në krye të Prokurorisë një njeri me të kaluar të diskutueshme lidhur me Reçakun. Ky është vendim dhe përgjegjësi krejtësisht politike e saj,” shkroi Musliu.

    Ajo e sheh si alarmante faktin që Kelmendi sot paraqitet si dëshmitar në hetimet për Reçakun, për shkak të rolit të tij si asistent i gjyqtares serbe Danica Marinković më 16 janar 1999.

    “Është goditje në fytyrë për viktimat e Reçakut, për familjarët e tyre dhe për të gjithë shoqërinë tonë që një person që atëherë ishte në anën e strukturave serbe sot udhëheq Prokurorinë e Shtetit. E paimagjinueshme. E papranueshme. E pafalshme,” thekson ajo.

    Musliu kujton se tre vite më parë, kur u ngritën dyshimet e para, Kelmendi “kërcënoi me padi në vend se të sqaronte të vërtetën”.

    Ajo kërkon përgjegjësi edhe nga drejtuesit më të lartë shtetërorë.

    “Ku janë Vjosa Osmani dhe Albin Kurti? Si ka mundësi që asnjëri nuk mban përgjegjësi për vendimet që na kanë sjellë në këtë situatë? Heshtja e tyre është bashkëfajësi morale,” deklaron Musliu.

    Deputetja e PDK-së kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Kelmendit dhe thotë se, nëse ai nuk largohet vetë, atëherë Këshilli Prokurorial duhet të veprojë.

    “Nëse as KPK nuk vepron, atëherë mesazhi është i qartë: në krye të institucionit që duhet të luftojë krimin dhe të mbrojë drejtësinë, po lihet një person me hije të rëndë mbi të kaluarën e tij. Kjo është poshtëruese për shtetin,” përfundon ajo.

  • Reagon Shoqata e Prokurorëve, pas lajmit për prokurorin Kelmendi

    Reagon Shoqata e Prokurorëve, pas lajmit për prokurorin Kelmendi

    Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka reaguar sot pas lajmit në media lidhur me intervistimin e prokurorit Besim Kelmendi nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

    SHPK thekson se publikimi i informacioneve të pa verifikuara dhe mënyra e paraqitjes së tyre në opinion rrezikon të krijojë perceptime të dëmshme ndaj Prokurorit të Shtetit dhe është i papranueshëm.

    OVL e UÇK-së: Kosova nuk mund të ketë Kryeprokuror që ka punuar për gjyqtaren Danica, në kohën kur ajo përpiqej të shkatërronte të vërtetën e Reçakut

    Lexoni të plotë reagimin e tij:

    Reagim nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës për artikullin e publikuar me datë 19 nëntor 2025 me titullin: Ekskluzive: Ish-asistenti i Danica Marinkoviqit, Besim Kelmendi intervistohet sot nga Prokuroria Speciale

    Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka marrë në dijeni publikimin e lajmit nga media që ka shpërndarë këtë raportim, lidhur me intervistimin e prokurorit Besim Kelmendi nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

    Për hir të saktësisë dhe respektimit të standardeve profesionale, sqarojmë qartë:

    Prokurori i Shtetit paraqitet para çdo organi kompetent sa herë që kërkohet, në cilëndo cilësi procedurale, dhe kjo është pjesë normale e funksionimit të sistemit të drejtësisë. Kjo nuk është ngjarje e jashtëzakonshme dhe as nuk krijon bazë për interpretime tendencioze apo ndërtim narrativesh që nuk qëndrojnë në realitet.

    Shoqata e Prokurorëve kërkon nga media që e ka publikuar këtë lajm që të raportojë me korrektësi, pa shtrembërime dhe pa spekulime. Publikimi i informacioneve të pa verifikuara dhe mënyra e paraqitjes së tyre në opinion rrezikon të krijojë perceptime të dëmshme ndaj Prokurorit të Shtetit dhe është i papranueshëm.

    Prokurori i Shtetit e ushtron funksionin e tij me profesionalizëm, pavarësi dhe integritet. Shoqata do të reagojë në çdo rast kur dinjiteti profesional i prokurorit tentohet të dëmtohet përmes raportimeve të pasakta, konkluzioneve të pabazuara ose përdorimit të rasteve procedurale për qëllime sensacionaliste.

  • EULEX prezanton Raportin e Monitorimit të Drejtësisë 2025

    EULEX prezanton Raportin e Monitorimit të Drejtësisë 2025

    Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) publikoi sot Raportin e Monitorimit të Drejtësisë 2025, ku u prezantuan gjetjet kryesore mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend.

    Shefi i misionit, Giovanni Pietro Barbano, tha se raporti pasqyron përkushtimin e EULEX-it për të mbështetur Kosovën në përmirësimin e sundimit të ligjit dhe avancimin drejt standardeve evropiane.

    Ai theksoi se sfida të veçanta mbeten rastet me profil të lartë, zbatimi jo i qëndrueshëm i dënimeve plotësuese dhe nevoja për zbatim më të saktë të kornizës ligjore në fushat e krimeve të luftës dhe dhunës me bazë gjinore.

    “Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Ky raport shënon jo vetëm një hap tjetër në vazhdimin e punës së misionit tonë, por edhe një pohim të përkushtimit tonë për të mbështetur sistemin e drejtësisë në Kosovë teksa ai avancon drejt standardeve evropiane që mbështesin stabilitetin, demokracinë dhe llogaridhënien. Është veçanërisht i dukshëm në trajtimin e rasteve me profil të lartë, në raportin e seancave produktive dhe në zbatimin e pakoordinuar të dënimeve plotësuese. Sa i përket monitorimit tematik, EULEX konstaton se nevojiten më shumë përpjekje për të siguruar zbatimin e saktë, të qëndrueshëm dhe të drejtë të kornizës ligjore në fusha të ndryshme të drejtësisë penale, nga krimet e luftës deri te dhuna me bazë gjinore. Siç vazhdoj të theksoj, duke ndarë këto gjetje dhe rekomandimet përkatëse me institucionet dhe publikun, EULEX synon të nxisë angazhim kolektiv nga udhëheqësit politikë dhe institucionalë deri te shoqëria civile dhe individët, në mbrojtjen e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike. Ky përpjekje e përbashkët mbetet themelore për rrugëtimin evropian të Kosovës. Në këtë rrugë, EULEX qëndron si një partner i përkushtuar dhe i besueshëm, dhe ky raport shërben si një dëshmi tjetër e përkushtimit të misionit tonë për të mbështetur Kosovën, institucionet e saj dhe qytetarët e saj. Në përfundim, dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë të thellë ndaj të gjitha institucioneve të Kosovës, bashkëpunimi dhe hapja e të cilave e bënë të mundur këtë raport monitorimi të drejtësisë”, deklaroi Barbano.

    Ismail Dibrani, u shpreh se raporti shërben si orientim për institucionet, duke vënë në dukje arritjet dhe boshllëqet, dhe se gjetjet e EULEX-it do të ndihmojnë në forcimin e integritetit institucional.

    “Drejtësia është shtylla ku mbështet besimi i qytetarëve në institucionet e tyre për këtë arsye çdo hap që marrim në këtë fushë është e veçantë dhe e rëndësishme. Përmirësimin e kornizës ligjore dhe procedurale. Janë hapa që reisin integritetin institucional në këtë kontekst vjen edhe raporti i monitorimit të drejtësisë jep pasqyrë të qartë ku kemi shënuar progres dhe ku kemi ngecur. Ne marrim këto gjetje jo si kritika por si orientim dhe motivim për të vazhduar më tej”, ka thënë Dibrani.

    Gjetjet kryesore u prezantuan nga Hubert van Eck Koster, i cili bëri të ditur se EULEX ka monitoruar rreth 400 raste gjatë periudhës së raportimit. Ai tha se shumë procese me profil të lartë po zgjasin për vite dhe se rigjykimet e përsëritura po krijojnë bllokada të gjata në sistem. Sipas tij, 28% e seancave të vëzhguara gjatë viteve 2024–2025 kanë qenë joproduktive ose të anuluara, ndërsa në rastet me profil të lartë kjo përqindje shkon në 35%.

    Është kënaqësi t’ju drejtohem sot dhe t’ju paraqes gjetjet kryesore të Raportit më të ri të Monitorimit të Drejtësisë së SHBA-së. Siç u përmend tashmë nga përfaqësuesi ynë, ky raport i pestë publik është rezultat i monitorimit të gjerë të rreth 400 rasteve, i plotësuar me intervista, analizë të të dhënave dhe bashkëpunim të ngushtë me policinë, prokurorinë, gjyqësorin, avokatët dhe shoqërinë civile. Qëllimi është konstruktiv, dhe siç theksoi z. Guzman, nuk duhet të shihet si kritikë. Raporti thekson përparimin e arritur, së bashku me fushat ku nevojiten përpjekje shtesë për të promovuar përafrim të mëtejshëm me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, sigurinë për komunitetin dhe besimin publik në institucionet e drejtësisë. Siç kam thënë më parë, sistemi i drejtësisë në Kosovë është një nga sistemet më të monitoruara në mënyrë intensive, gjë që jam i vetëdijshëm se mund të perceptohet si bezdi në disa raste. Megjithatë, pamja e përgjithshme mbetet sfiduese. Shumë raste me profil të lartë përfundojnë me shpallje të pafajësisë ose kanë ngecur për vite të tëra, me disa që ende nuk kanë një aktgjykim përfundimtar më shumë se një dekadë pas veprave zgjedhore. Disa raste të mëparshme hetimore vazhdojnë të përjetojnë vonesa të gjata dhe, në disa gjykime me profil të lartë, vërejmë rigjykime të përsëritura—nganjëherë dy apo edhe tre herë—çka çon në një luftë të pafundme brenda sistemit të drejtësisë. Këto vonesa ndikojnë njësoj te viktimat, të pandehurit dhe besimi i publikut. Trajtimi i shpejtë dhe efektiv i këtyre rasteve mbetet thelbësor për të demonstruar se drejtësia është e paanshme, në kohë dhe efektive. Pa dyshim, jemi të vetëdijshëm që Këshilli Gjyqësor tashmë po e trajton çështjen e rigjykimeve të përsëritura.Sa i përket produktivitetit të seancave gjyqësore, për fat të keq, është vërejtur pak përmirësim që nga viti i kaluar. Nga të gjitha seancat e vëzhguara midis viteve 1924 dhe 1925, rreth 28% ishin joproduktive ose u anuluan. Në rastet me profil të lartë, përqindja e seancave joproduktive ose të anuluara ishte 35%. Arsyeja më e zakonshme për seancat joproduktive ose të anuluara është mungesa e të pandehurve ose e mbrojtësit, shpesh pa arsyetim të duhur ose të verifikuar me kohë”, tha ai.

  • OVL UÇK kërkon shkarkimin e u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi

    OVL UÇK kërkon shkarkimin e u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

    Përmes një reagimi në Facebook, OVL UÇK ka vlerësuar se pas ftesës së Prokurorisë Speciale për dëshminë e Kelmendit, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka prova të mjaftueshme për shkarkimin e Kelmendit nga pozita e Kryeprokurorit të Shtetit.

    “OVL UÇK vlerëson se organet përgjegjëse duhet ta shkarkojnë menjëherë nga detyra dhe ta përjashtojnë nga sistemi i drejtësisë, sidomos pas kësaj ftese të Prokurorisë Speciale. Pavarësisht se z. Kelmendi është ftuar si dëshmitar, perspektiva e tij dëshmuese buron nga ana e regjimit të Millosheviqit, dhe çfarëdo që të deklarojë sot, Kosova nuk mund të ketë Kryeprokuror që ka punuar për Danicën në kohën kur ajo përpiqej të shkatërronte të vërtetën e Reçakut, edhe pas jehonës që i dha Ambasadori Walker”

    “Kjo ftesë e Prokurorisë Speciale është dëshmia kryesore mbi të cilën Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet ta përjashtojë menjëherë nga sistemi bashkëpunëtorin e Danicës.

    Si qytetar i thjeshtë, e jo si Kryeprokuror, z. Kelmendi e ka shansin që para gjykatës të dëshmojë drejt për këtë masakër dhe sadopak të lehtësojë turpin që e mbulon si shërbyes i një regjimi që masakroi popullin e Kosovës”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së në Facebook.

  • Sot vendosen afatet për fjalët përfundimtare në gjyqin ndaj katërshes së UÇK-së

    Sot vendosen afatet për fjalët përfundimtare në gjyqin ndaj katërshes së UÇK-së

    Pas përfundimit të dëshmisë nga Wesley Clark, gjeneral amerikan, për dy ditë me radhë dëshmoi në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, si dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit, sot mbahet konferencë mbi ecurinë e çështjes.

    Në kalendarin e Dhomave të Specializuara, thuhet se ky sesion do të fillojë në orën 14:00.

    Sot pritet të vendosen afatet për fjalët përfundimtare për gjyqin ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

  • Ministri italian i Mbrojtjes akuzon Rusinë për luftë hibride: Jemi nën sulm…

    Ministri italian i Mbrojtjes akuzon Rusinë për luftë hibride: Jemi nën sulm…

    Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, u ka bërë thirrje vendeve perëndimore të marrin masa urgjente kundër sulmeve hibride ruse, të cilat ai i cilësoi si potencialisht “katastrofike”. Këto komente i ka bërë në një dokument 125-faqësh të publikuar të martën, ku ka kritikuar “inercinë” e shteteve evropiane dhe NATO-s përballë agresionit gjithnjë e më të hapur të Rusisë.

    “Lufta hibride është e vazhdueshme dhe sulmon infrastrukturën kritike, qendrat e vendimmarrjes, shërbimet thelbësore dhe strukturën e secilit vend, me rreziqe të përditshme dhe në rritje të dëmeve katastrofike”, ka shkruar ai në dokumentin e titulluar Kundërshtimi i Luftës Hibride: Një Strategji Aktive.

    Crosetto paralajmëroi se Perëndimi duhet të reagojë menjëherë. “Jemi nën sulm dhe bombat hibride vazhdojnë të bien: Koha për të vepruar është tani”, ka shtuar ai, transmeton Telegrafi. Sipas tij, është “absurde” dhe “e paqëndrueshme” që po bëhet kaq pak përballë sulmeve të Rusisë.

    Ai e krahasoi situatën me një pushtim të mundshëm tokësor: “Nëse do të pushtoheshim nga një ushtri tokësore, nuk do të barrikadoheshim thjesht në shtëpi duke shpresuar se ato do të largoheshin”.

    Sipas ministrit italian, Perëndimi po përballet me një “konflikt asimetrik” dhe megjithëse ka kapacitete për t’iu kundërpërgjigjur, vendimmarrja e ngadaltë e BE-së dhe NATO-s bën që reagimi të mbetet “vazhdimisht pas Rusisë”.

    Ai theksoi se frekuenca e sulmeve hibride po rritet, ndërsa Kremlini po përdor mjete ushtarake dhe jo-ushtarake për të destabilizuar vendet që kundërshton. Këtu përfshihen sulme kibernetike nga grupet e inteligjencës ushtarake ruse, zjarrvënie në Poloni ndaj depove me pajisje për Ukrainën, instrumentalizimi i migrantëve nga Bjellorusia për destabilizim, dronë të panjohur mbi aeroporte evropiane dhe akuzat se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në Rumani.

    Polonia e ka cilësuar shpërthimin e një linje hekurudhore të dielën si “sabotim”, ndërsa dy ukrainas që dyshohet se kanë punuar për Rusinë u fajësuan të martën për incidentin.

    Sipas organizatës Globsec, mbi 110 akte sabotimi dhe tentativa sulmesh janë regjistruar në Evropë nga janari deri në korrik, kryesisht në Poloni dhe Francë, të lidhura me aktorë pro-rusë.

    Crosetto paralajmëroi se Perëndimi rrezikon t’i hapë rrugë Rusisë që të fitojë “përmes tretjes”. Ai theksoi se Rusia po synon vendet që mbështesin Ukrainën edhe përmes fushatave të dezinformimit dhe manipulimit të opinionit publik. “Këto mjete ndikojnë në mënyrë indirekte në besimet, qëndrueshmërinë, sovranitetin vendimmarrës dhe stabilitetin politik të shteteve”, ka shkruar ai.

    Për t’i bërë ballë këtyre sulmeve, Crosetto propozoi krijimin e një Qendre Evropiane për Kundërshtimin e Luftës Hibride, një forcë kibernetike prej 1,500 trupash, si dhe përfshirjen e personelit të specializuar në inteligjencën artificiale, mbrojtjen e zinxhirëve të furnizimit dhe luftimin e dezinformimit.