ATV

Category: Lajme

  • Më shumë se 150 ushtarë kroatë do t’i bashkohen KFOR-it në Kosovë

    Më shumë se 150 ushtarë kroatë do t’i bashkohen KFOR-it në Kosovë

    Më shumë se 150 ushtarë kroatë po i bashkohen operacionit paqeruajtës KFOR në Kosovë, një vend siguria e të cilit është e rëndësishme për stabilitetin e të gjithë rajonit, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë.

    Forcat kroate kanë marrë pjesë në KFOR që nga viti 2009 me rreth 2.400 persona, 140 prej të cilëve gra. Tani, 151 anëtarë të Forcave të Armatosura po dërgohen në atë vend, të cilët u shoqëruan në kazermat “Brigada e 3-të e Gardës Kuna” në Gjakovë.Komponenti më i madh i kontingjentit të 44-të, i cili do të vendoset në tre lokacione, është një kompani këmbësorie e motorizuar, dhe gjithashtu përbëhet nga një komponent i aviacionit dhe selisë, si dhe ata për këshillimin dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe një ekip mjekësor.

    Ushtarët kroatë po marrin pjesë në dhjetë operacione, misione dhe aktivitete ndërkombëtare me një total prej 297 anëtarësh.

    Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes Ivan Anushiq tha se të gjithë kanë fjalë lavdërimi për anëtarët e Forcave të Armatosura në misione dhe operacione në të gjithë botën, thuhet në njoftim.

  • Arrestohet një shtetas i Kosovës në Serbi, dyshohet se iu gjetën në veturë 9.5 kg drogë

    Arrestohet një shtetas i Kosovës në Serbi, dyshohet se iu gjetën në veturë 9.5 kg drogë

    Një kosovar është arrestuar sot nga policia serbe mbrëmë në Prokuplje.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, thuhet se në veturë e tipit “Golf” të A.M i është gjetur 9.5 kilogramë që dyshohet të jetë e llojit marihuanë.

    23-vjeçari dyshohet se ka kryer veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të drogës.

    Tutje në njoftim specifikohet se droga ishte e ndarë në 18 pako.

    I dyshuari A.M nga Podujeva, u ndalua për 48 orë.

  • Hamza pas dështimit të votimit të qeverisë: Sot e kemi vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara – zgjedhjet e reja

    Hamza pas dështimit të votimit të qeverisë: Sot e kemi vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara – zgjedhjet e reja

    Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas dështimit të votimit të qeverisë me mandatar, Glauk Konjufca.

    Hamza ka thënë se presidentja duhet të caktojë sa më shpejt datën e zgjedhjeve të reja.

    “Koha e fjalëve të mëdha ka përfunduar. Ka ardhur koha për një qeveri që punon”, ka shkruar ai në Facebook.

    Postimi i tij:

    Dështimi i njëpasnjëshëm i dy mandatarëve tregon qartë se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen politike.

    Shumica që doli nga zgjedhjet e fundit është treguar e paaftë t’i krijojë institucionet e reja, duke shkaktuar pasiguri institucionale, politike dhe shtetërore. Sot e kemi vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara: zgjedhjet e reja.

    Presidentja e vendit duhet ta caktojë sa më shpejt datën e tyre, sepse mjaft kohë kemi humbur.

    Qytetarët duhet ta rikthejnë stabilitetin institucional përmes votës së tyre, në mënyrë që ne ta krijojmë një qeveri funksionale, reformuese dhe të përgjegjshme.

    Koha e fjalëve të mëdha ka përfunduar. Ka ardhur koha për një qeveri që punon.

  • Polonia do të mbyllë konsullatën e fundit ruse pas sabotimit hekurudhor

    Polonia do të mbyllë konsullatën e fundit ruse pas sabotimit hekurudhor

    Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, njoftoi të mërkurën se do të urdhërojë mbylljen e konsullatës së fundit ruse që ende funksionon në vend, pasi autoritetet polake dyshojnë se inteligjenca ruse qëndron pas shpërthimit në një linjë hekurudhore në Poloni, i konsideruar si akt sabotimi.

    Sikorski tha se kishte paralajmëruar vazhdimisht Rusinë se prania e saj diplomatike dhe konsullore do të reduktohej më tej nëse nuk do të ndalonte veprimet armiqësore kundër Polonisë, raportoi agjencia polake e lajmeve PAP.

    “Në lidhje me këtë, megjithëse nuk do të jetë përgjigja jonë e plotë, kam vendosur të tërheq pëlqimin për funksionimin e konsullatës së fundit ruse në Gdansk”, deklaroi ai, duke shtuar se Moska do të njoftohet zyrtarisht brenda disa orësh.

    Sikorski vlerësoi se shpërthimi ishte më shumë se një akt përmbysjeje, duke e quajtur atë një “akt terrori shtetëror pasi qëllimi i tij i qartë ishte të shkaktonte viktima njerëzore”.

    Me këtë hap, Rusia do të ketë vetëm ambasadën e saj në Varshavë.

    Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, përshkroi shpërthimin e fundjavës në linjën hekurudhore që lidh Varshavën me kufirin me Ukrainën si një “akt sabotimi të paparë”. Shpërthimi dëmtoi shinat pranë Mikës, rreth 100 kilometra në juglindje të kryeqytetit polak, pa shkaktuar të lënduar.

    Në një incident tjetër gjatë fundjavës, linjat e energjisë u shkatërruan në zonën e Puławy, rreth 50 kilometra nga Lublini në Poloninë lindore.

    Duke komentuar deklaratën e Sikorskit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “marrëdhëniet e Rusisë me Poloninë janë përkeqësuar plotësisht”.

    Të martën, Tusk njoftoi parlamentin polak se dy të dyshuarit kishin bashkëpunuar me shërbimet sekrete ruse për një kohë të gjatë. Ai theksoi se identitetet e tyre janë të njohura, por nuk mund të bëhen publike për shkak të hetimeve që vazhdojnë, dhe se dyshja tashmë kishte lënë Poloninë, duke kaluar në Bjellorusi.

    Zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Rusinë për organizimin e dhjetëra sulmeve dhe incidenteve të tjera në Evropë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës në vitin 2022, me qëllim të minimit të mbështetjes për Ukrainën, nxitjes së frikës dhe ndarjes së shoqërive evropiane.

    Polonia kishte mbyllur më herët dy konsullata të tjera ruse. Konsullata në Kraków u mbyll këtë vit pasi u vërtetua se një zjarr që shkatërroi një qendër tregtare në Varshavë në vitin 2024 ishte rezultat i zjarrvënies së urdhëruar nga inteligjenca ruse. Në vitin 2024, Sikorski urdhëroi gjithashtu mbylljen e konsullatës në Poznań, në përgjigje të akteve sabotimi, përfshirë zjarrvënien, të cilat sipas tij ishin sponsorizuar nga Moska.

  • Përplaset trageti me 267 persona në bord në breg të Koresë së Jugut

    Përplaset trageti me 267 persona në bord në breg të Koresë së Jugut

    Një traget pasagjerësh i Koresë së Jugut me 246 pasagjerë dhe 21 anëtarë të ekuipazhit është përplasur në shkëmbinj pranë bregut juglindor të vendit.

    Mediat e huaja raportojnë se anija Queen Jenuvia 2 ka ngecur në një shkëmb nënujor dhe nuk është në gjendje të lëvizë, por aktualisht nuk ka rrezik të fundoset ose të përmbyset. Njerëzit aktualisht po zhvendosen në anije patrullimi, tha ajo.

    Aksidenti ndodhi pranë ishullit Jangsan në Qarkun Sinan të mërkurën në mbrëmje sipas orës lokale. Anija u ngec në shkëmbinj pranë ishullit të pabanuar të Jogdo.

    Mediat lokale raportuan se pesë persona pësuan lëndime të lehta nga përplasja, por nuk ka pasur viktima të tjera.

    Kryeministri i Koresë së Jugut, Kim Min-seok, ka urdhëruar që të gjitha anijet e disponueshme të mobilizohen për të shpëtuar tragetin.

    “Ne kemi konfirmuar se aktualisht nuk ka përmbytje. Po i transferojmë pasagjerët në anije patrullimi dhe po i zhvendosim në një vend të sigurt”, tha një zyrtar i Rojës Bregdetare, raporton gazeta Chosun Ilbo.

    Roja Bregdetare planifikon ta zhvendosë anijen në breg në rast të baticës së lartë. Trageti po udhëtonte për në qytetin portual të Mokpo-s, pasi ishte nisur nga ishulli turistik Jeju, duke transportuar 246 pasagjerë dhe 21 anëtarë të ekuipazhit, sipas Roja Bregdetare.

    Zona është pranë vendit të fundosjes së tragetit Sewol në vitin 2014, ku humbën jetën më shumë se 300 persona , kryesisht nxënës shkolle që po shkonin në një ekskursion shkollor.

  • Murati: Opozita bashkë me Listën Serbe janë kundër Albin Kurtit

    Murati: Opozita bashkë me Listën Serbe janë kundër Albin Kurtit

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se seanca e sotme është tregues se partitë opozitare bashkë me Listën Serbe janë kundër Albin Kurtit.

    “Besoj që me sjelljet dhe veprimet e sotme të partive opozitare, ka kulmuar apo është materializuar në tërësi ajo që kemi thënë nga fillimi, ku tash e 9 muaj partitë opozitare bashkë me Listën Serbe janë kundër Albin Kurtit. Qëllimi i vetëm i tyre është kundërshtimi ndaj Albin Kurtit pa pasur as alternativë, por edhe duke lënë çdo interes shtetëror e të qytetarëve anash”, tha ai.

    Ai përmendi edhe seancën e buxhetit ku opozita nuk mori pjesë.

    “Me qenë se sot kishim votimin e buxhetit për vitin e ardhshme, buxhetin për tri komunat, marrëveshjet ndërkombëtare, opozita nuk tregoj gatishmëri që ti votoj këto buxhet që të mos mbetshin qytetarë pa këto mjete. Ata thanë që nuk duna të votojnë as buxhet e marrëveshje pa një qeveri. Kur ju ofrua mundësi, përsëri refuzuan. Ai buxhet që ka qenë i KQZ është shpenzuar, duhet të shihen mundësit që brenda kursimeve, apo mbetjeve në organizata buxhetore që kanë mbetu”, deklaroi ai.

  • U.D i Kryprokurorit thërret konferencë të jashtëzakonshme pasi u intervistua si dëshmitar për Masakrën e Reçakut

    U.D i Kryprokurorit thërret konferencë të jashtëzakonshme pasi u intervistua si dëshmitar për Masakrën e Reçakut

    Pasi u intervistua si dëshmitar për Masakrën e Reçakut, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, do të mbajë konferencë të jashtëzakonshme për media.

    Konferenca do të mbahet në orën 16:00, në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe vjen pasi u ftua si dëshmitar për Masakrën e Reçakut.

    “Ju njoftojmë se sot, 19 nëntor 2025, duke filluar nga ora 16:00, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi do të mbajë konferencë të jashtëzakonshme për media. Konferenca do të mbahet në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Rr. Luan Haradinaj, Prishtinë, salla në katin e III-të”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Se Kelmendi është ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitarit për Masakrën e Reçakut, e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokuroria Speciale, Arbnora Luta.

    “Prokuroria Speciale mund t’ju konfirmojë se Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Besim Kelmendi, është ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitarit, në kuadër të procesit hetimor lidhur me rastin për të cilin keni parashtruar pyetje“, ka thënë Luta për Reporteri.net.

    Ajo ka deklaruar se Prokuroria Speciale shpreh vlerësimin për “gatishmërinë dhe kontributin që z.Kelmendi ka dhënë lidhur me zbardhjen e një çështjeje penale, që Prokuroria Speciale e ka në trajtim”.

    Një medium kosovar, të mërkurën, raportoi se njeriu i cili nga prilli i vitit 2022 mban pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, nga Prokuroria Speciale po konsiderohet si person me njohuri për rastin për shkak se në kohën e masakrës, në vitin 1999, punonte në pozitën e bashkëpunëtorit profesional pranë Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

  • Krasniqi: Presidentja e ka obligim që sa më parë ta shpallë datën e zgjedhjeve

    Krasniqi: Presidentja e ka obligim që sa më parë ta shpallë datën e zgjedhjeve

    Pas dështimit edhe të Glauk Konjufcës për ta formuar Qeverinë e re, deputeti i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se Presidentja Vjosa Osmani e ka obligim që sa më parë ta shpallë datën e zgjedhjeve.

    Krasniqi tha se nuk duhet humbur kohë më shumë.

    “Jemi duke shkuar shpejt drejt zgjedhjeve të parakohshme. Pas këtij dështimi të paralajmëruar, Presidentja e Republikës e ka obligim që sa më parë ta shpallë datën e zgjedhjeve, që të mos humbet kohë më tej”, ka deklaruar Krasniqi pas seancës.

    Ai foli edhe për seancën e parë që e bojkotuan.

    “Kosova nuk është duke i rrezikuar as fondet e BE’së e as kreditë e Bankës Botërore e as qytetarët nuk mbesin pa paga vitin e ardhshëm, pa votimin e atyre pikava”, tha Krasniqi.

  • Pas pretendimeve të pavërteta për Kosovën, deputeti gjerman braktis takimin me homologët serbë

    Pas pretendimeve të pavërteta për Kosovën, deputeti gjerman braktis takimin me homologët serbë

    Takimi mes Komisionit për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme të parlamentit serb dhe Thomas Rovekamp, kryetar i Komisionit për Mbrojtje në Bundestag, është zhvilluar në një atmosferë të tensionuar, ku tema kryesore ka qenë Kosova. Pasi u shqiptuan një sërë fjalësh të ashpra kundër Gjermanisë, Rowekamp u largua në mënyrë demonstrative nga salla.

    Kryetari i komisionit serb, Milovan Drecun, deklaroi se “pavarësia e Kosovës” dhe sidomos “armatimi i Prishtinës” përbëjnë rrezikun më të madh për sigurinë kombëtare të Serbisë.

    Ai pretendoi se Kosova po armatoset “në mënyrë të paligjshme” dhe po formon aleanca ushtarake në rajon, duke përmendur bashkëpunimin e saj me Kroacinë dhe Shqipërinë, shkruan nova.rs.

    Thomas Rovekamp i hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se Gjermania nuk është e përfshirë në “luftë hibride” e as nuk furnizon me armë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai tha se nuk ekziston asnjë provë që vërteton pretendimet e armatimit të Kosovës dhe ftoi palën serbe të paraqesë çdo informacion që mund të ketë.

    Rovekamp foli edhe për angazhimin e Gjermanisë në misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, duke nënvizuar se Berlini synon të forcojë rolin e vet si partner brenda këtij misioni.
    Ai shprehu zhgënjimin e tij për ngecjen e procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, duke kritikuar moszbatimin e marrëveshjeve të arritura – nga të dyja palët.

  • Dështimi i Konjufcës, Zemaj: Vendi po shkon drejt zgjedhjeve

    Dështimi i Konjufcës, Zemaj: Vendi po shkon drejt zgjedhjeve

    Pasi Glauk Konjufca nuk mori votat e mjaftueshme për t’u bërë kryeministër, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se ky ishte paralajmërim qysh moti.

    Sipas tij, sot u pa shfaqja teatrale e VV-së.

    “Loja me numra këto 8 muaj dhe dështimi për formimin e qeverisë ishte paralajmërimi joni dhe shpërfaqi sot tendencën e VV-së për kapjen e institucioneve dhe keqpërdorimin e parasë publike”.

    “Kuvendi nuk miratoi edhe mandatarin e dytë, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha ai.